Besnik Dizdari: Kur ndërkombëtarizonim gazetarinë sportive shqiptare… (II)
| E Marte, 14.07.2009, 06:00 PM |

Kur ndërkombëtarizonim gazetarinë sportive shqiptare… (II)

Nga Besnik Dizdari

IX.

Ndryshimet e bujshme, të pandalshme…

Për të udhëtuar prej 2 korrikut 1991 i Athinës e deri te 27 prilli – 2 maji 1992, kur në Budapest të Hungarisë do të mbahej Kongresi i 55-të i AIPS që do të anëtarësonte Shqipërinë e gazetarisë sportive, lëvizja olimpike shqiptare do të përshkohej në 10 muaj të ndryshimeve të bujshme, madje revolucionare, në një kuptim të mirë të mundshëm të kësaj fjale.

Në ditët e para të korrikut 1991, Komiteti Ekzekutiv i KP të rrethit të Tiranës, miratonte ndërrimin e emrit “17 Nëntori” në “Sportklub Tirana”. Ndërkaq, nga Athina njoftohej se mundësi klasik i peshës 100 kg., Paulin Sterkaj (medalje bronzi) i cili në këto ditë të 2009, për përkime po “mesdhetare”, kësaj rradhe ato “Pescara 2009”, sapo ka fituar mandatin e deputetit të Parlamentit të Shqipërisë, mbyllte përmbledhjen e medaljeve të fituara nga Shqipëria në atë edicion të Lojërave Mesdhetare “Athina 1991”: 8 medalje, 4 argjendi, 4 bronzi. Më 19 korrik 1991, editoriali im në faqen e parë të “Sportit”, me titull “A ekziston më BFSSH-ja”, ishte sa i bujshëm aq “i frikshëm” për konservatorët partiakë. Botohej në të njëjtën faqe me një shkrim të përbashkët të Vesel Rizvanollit, Artan Shytit dhe Eduard Dervishit me titull “Sporti dhe nevoja urgjente e ndryshimeve rrënjësore” , shkrim që kërkonte pavarësinë e sportit kombëtar prej tutelës diktatoriale të Regjimit, propozim që sapo qe bërë nga tribuna e Parlamentit prej deputetit të sapozgjedhur nga bashkësia sportive, Albert Karriqi të PD. Ndërkaq, më 16 gusht 1991 botohet skedina e parë e Totofutbollit, çka vuloste vendosjen e Loterisë sportive në Shqipëri. Përmbajtja e saj sa “arkaike’ për të sotmen, por aq domethënëse për një fillim sensacional ishte kjo:

“Vllaznia – Korabi, Kukësi – Kopliku, Partizani – 31 Korriku, Studenti – Besa, Shkolla e Bashkuar – Kastrioti, Tepelena – Selenica, Butrinti – Delvina, Përmeti – Lokomotiva, Devolli – Ylli i Kuq, Dinamo – Naftëtari, Labinoti – Besëlidhja, 5 Shtatori – Traktori.

Pak ditë më vonë, gusht 1991, me cilësinë e Presidentit të Federatës Shqiptare të Çiklizmit, së bashku me Sekretarin e përgjithshëm të saj, të paharrueshmin Llazar Matlia, udhëtoja për në Shtutgart në Kongresin Botëror të Federatës Ndërkombëtare të Çiklizmit. Ishte historike: pjesëmarrje për herë të parë e Shqipërisë. Përmes diskutimit që do të bëja në palk përpara përfaqësuesve të rreth 70 shteteve të botës, do të konfirmoja Rrethin Çiklistik të Shqipërisë të vitit 1925 si të parin për amatorët në Evropë.

Dhe ngjarjet e “herës së parë” që nuk ndalin. Kështu, papritmas, Shqipëria e drejtuar nga Bejkush Birçe, fiton 2-0 një ndeshje miqësore me Greqinë në Stadiumin “Olimpik” të Athinës dhe në Kombëtaren shqiptare luanin plot 8 lojtarë të Kampionatit të Greqisë: Strakosha (Etnikos), Kaçaj (Kalithea), A.Kola (Egalios), Lekbello (Aris), Millo (Larisa), Tahiri (Haraviakos), Kushta (Iraklis), Barbullushi (Egallos). Kjo ishte përtej çdo sensacioni. Në një farë mënyre, të dukej se Shqipëria e kishte mundur Greqinë me lojtarë të kësaj të fundit, më saktë, me lojtarë shqiptarë të Kampionatit të Greqisë! Nuk ishte thjesht një fitore futbolli, ishte kuptimi i plotë i vrapimit të sportit shqiptar drejt Perëndimit: futbollistët shqiptarë ishin bërë qytetarë të të lirë të botës. Katër ditë më vonë, 9 shtator 1991, në faqen e parë të gazetës kisha vënë shkrimin e trajnerit Enver Mysja për një atlete të panjohur 15 vjeçare nga Durrësi me emrin Mirela Manjani, për të cilën parashikonim se do të bëhej atlete botërore. Do të mbërrinte deri te Rekordmene e botës, Kampione e Botës, Kampione e Evropës, Nënkampione Olimpike! Për fat nën fanelën e Greqisë…

Dhe ngjarjet që rrjedhin në mënyrë marramendëse. Zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Agim Zeka, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave (!) mbrenda një dite të vetme shkatërron gjithë strukturën e vjetër të të ashtuquajturit Komiteti i KP të BFSSH. Ai shkarkon dhe pezullon nga detyrat Ali Vukatanën, Agim Dukën, Virgjil Karajn, Ilir Agollin, Hysen Domin, Azis Tahirin, Kristaq Miçon, Koço Mikerezin, Niko Bunecin, Thoma Vasilin, Resul Ahmetin. Në asnjë forum shtetëror apo shoqëror të deriathershëm të krejt jetës politiko-shtetërore shqiptare nuk ishte ndërmarrë një vendim i tillë. Ishte një vendim që mbyllej me këte frazë: “Këto hapa janë hapi i parë drejt ristrukturimit për kalimin e këtij komiteti në Komitet Olimpik Shqiptar”.

Kjo ishte më e rëndësishmja.

Dhe menjëherë mbas këtij vendimi, 14 tetor 1991, botoj shkrimin tjetër të bujshëm me titull “Kush duhet të punojë në Komitetin Olimpik”. Ai shkakton një tronditje në të gjitha kahet, madje për çudi sa në kahet konservatore po aq dhe në ato liberale, ndonëse vështirë të kishin lindur kaq shpejt këta të fundit. Askush nuk kupton, ndonëse vetëm pak kohë më mbas, gjithçka thuhej në atë shkrim, do të vihej në jetë me një shpejtësi të çuditshme. Ndërkaq, nis Rrethi Çklistik i Shqipërisë, i cili për herë të parë është një rreth ndërkombëtar, sepse në te marrin pjesë edhe çiklistë të huaj ku fitues është çiklisti i Bullgarisë, Totev!

Agim Zeka, zëvëndësministri “i rreptë” i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ka ndërkaq (22-23 nëntor 1991) një veprimtari të dendur për shndërrimin dhe rilindjen e lëvizjes olimpike shqiptare. Ai thirret në Asamblenë e 20-të të ACNOE-s (Asambleja e Komiteteve Olimpike Kombëtare) në Stamboll të Turqisë. Presidenti i CIO-s, Huan Antonio Samaranch e përgëzon Zekën për fjalën realiste që mban në mbledhje, ndërkohë që pedagogu i ILKF “Vojo Kushi”, Vesel Rizvanolli, zgjidhet anëtar i Komisionit Teknik të ACNOE-s. Edhe këto ndodhnin për herë të parë në histori.

E nga ana tjetër, plot 285 sportistë të rangut më të lartë kishin braktisur Shqipërinë, duke u shpërndarë përtej kufijve të saj nëpër Evropë. Të gjithë emrat e tyre i rreshtoja në faqet e gazetës, duke e ndjerë sa vlerën e madhe të lirisë së fituar, po aq dhe shtérrimin sportiv që pësonte vendi. Edhe kjo ndodhte për herë të parë. Në këte ndryshim të shumëpritur, në një farë mënyre, krejt rrufeshëm madje, Shqipëria kishte “humbur” elitën e sportistëve të saj.

Kështu mbërrijmë te 22 marsi 1992, kur muret e fundit të të ashtunjohurës “kështjellë komuniste”, rrëzohen përtokë. Janë zgjedhjet fitimtare të pluralizmit dhe demokracisë shqiptare. Bie Partia e Punës dhe fiton Partria opozitare Demokratike. “Edhe sporti shqiptar do të rilindë” titulloja në faqen e parë të “Sportit”, i cili po në këte faqe niste intervistën e madhe të një futbollisti të Vllznisë së viteve ;’50, i burgosuri politik “par exellance” me emrin Dom Simon Jubani, protagonist i rilindjes së besimit në Shqipërinë e re Demokratike që po themelohej.

Dhe po rrufeshëm njoftimi i madh: “Shqipëria do të marrë pjesë në Lojërat Olimpike të Barcelonës 1992!”

Prap “për herë të parë”. Mbas 20 vjetësh…

Prill 1992, Budapest: Shqipëria në AIPS

Dhe mû në këto muaj të një intensiteti të papamë, do të mbërrinte edhe ndërkombëtarizimi i gazetarisë sportive shqiptare. Për mua nga ana vetjake (personale) qysh mbas takimit befasues me Presidentin e AIPS (Shoqata Ndërkombëtare e Shtypit Sportiv) Frank Taylor në Qendrën e shtypit të “Athina 1991”, kishte nisur një letërkëmbim disi i shpeshtë me presidentin e madh të AIPS, por dhe me Sekretarin e Përgjithshëm të AIPS, hungarezin Istvan Gyulai, një ish atlet i shquar i vrapimeve të mesme, figurë e madhe e kancelerive të sportit botëror, më mbas deri Sekretar i Përgjithshëm i IAAF (Federata Ndërkombëtare e Atletikës së Lehtë), i cili fatkeqësisht do të ndahej para kohe nga jeta. Ky njeri i rrallë i një mirësie po kaq të rrallë, është ai që drejtoi pranimin e Shqipërisë në AIPS, duke mos bërë asnjë verifikim për zhvillimet e gazetarisë shqiptare, çka e kërkonte etika e vetë AIPS-s, por duke më besuar gjithçka unë i shkruaja.

Letra e tij e 19 dhjetorit 1991, është historike për gazetarinë tonë. Sekretari i paharrueshmi Istvan Gyulai, shkruante:

“I nderuar president Besnik Dizdari,

Eshtë një kënaqësi e madhe për mua t’iu informoj juve se Shoqata e juaj e shtypit sportiv kombëtar u pranua të bëhet anëtare e AIPS në mbledhjen që u mbajt në Shtutgart të Gjermanisë më 15-16 dhjetor 1991. Anëtarët e Komitetit Ekzekutiv pranuan unanimisht anëtarësinë tuaj. Më autorizuan nga Komiteti t’iu përshëndes ju për këte ngjarje. Anëtarësia juaj përfundimisht do të vendoset në Kongresin e Budapestit më 1992... Me sinqeritet Istvan Gyulai, Sekretar i Përgjithshëm i AIPS”.

Kjo është historia, çka do të thotë se anëtarësimi paraprak i ASPA (Shoqata Shqiptare e Shtypit Sportiv) është 15 dhjetori 1991. Ishte njohur prej Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, siç ishin rregullat e asokohe më 14 mars 1991, datë të cilën ne e pranojmë si të themelimit të saj. I kushtoja ngjarjes gjithë faqen e parë të gazetës. Në të vërtetë, ASPA ishte shoqata e parë shqiptare e gazetarisë në tanësi, që pranohej në një organizatë botërore.

“Pranimi i Shqipërisë në AIPS . - shkruaja në editorialin e posaçëm, - është, padyshim një ngjarje me rëndësi për gazetarinë sportive shqiptare. Një faqe e re çelet pas kësaj mirënjohjeje botërore edhe për gazetarinë tonë sportive e cila shfaqet në Evropë qysh më 1925 me “Gazetën e Sportit” të Palok Nikës… Për dekada të tëra porta e AIPS qe e mbyllur për gazetarët shqiptarë, jo për faj të saj,por për faj tonin, më saktë, të Regjimit të mëparshëm. Ministria e Jashtme vetëm i shtynte inisiativa kësisoji, duke zbatuar si gjithnjë, atë politikë të famshme të mbylljes që diktohej nga lart! Edhe ndonjë përpjekje e jona shuhej sa pa lindur. 1991-shi më në fund çau perden “e hekurt’. Mbërriti demokracia. Dhe formimi i Shoqatës Shqiptare të Shtypit Sportiv më 14 mars 1991 dhe njohja e saj prej Komitetit Olimpik Shqiptar, çelte kështu një faqe vërtet të re për gazetarinë sportive shqiptare, dhe ajo del në Evropë e botë me kontributin e saj modest për përhapjen me ndershmëri profesionale të parimeve të kartës olimpike… Do të jetë një lëvizje e shndërruar në nxitje për t’u formuar si gazetarë të vërtetë sportivë, të ndershëm, objektivë, të vërtetë dhe etikë, në shkrimet tona. Nga ana tjetër, do të jetë një lëvizje kuptimplote për t’u bashkuar nga ana e profesionit të gjithë ata që do të meritojnë kartën personale të AIPS…”.

Kongresi i 55-të i AIPS u mbajt më 27 prill – 3 maj 1992 në Budapest të Hungarisë. Për udhëtimin tonë duhej ta merrte fjalën zëvëndësministri Agim Zeka, kur kujton se sa ditë të vështira ishin ato për udhëtime asisoji. Por mbështetësi ynë Zeka, i cili përveç të tjerave, edeh ai vetë kishte punuar në vite të tana gazetar, kuptonte gjithë rëndësinë e ngjarjes sonë. Falë tij gjithçka u realizua. Kështu, së bashku me gazetarin e ri Arben Lufi, një diplomant i gjuhës angleze, kemi udhëtuar drejt Budapestit dhe si gjithë pjesëmarrësit e tjerë, jemi bërë pjesë, disi e ndrojtur e Kongresit të 55-të të AIPS në “Beke Radison Hotel” të Budapestit. Ai ndodhej në një rrugë nga më të spikaturat e kryeqytetit hungarez, më parë me emrin “Lenin”, fjalë e cila kishte një kryq të pamshirshëm mbi tabelën e saj, po që ende nuk ishte hequr megjithate, për të kujtuar kësisoji gjurmët e një epoke që po ikte ashtu si edhe ndër ne.

Dhe ne që duhej të çliroheshim prej një kompleksi të izolimit tonë dramatik, për t’u ndjerë pjesë e atij mjedisi, tek e shihnim veten midis gazetarëve të famshëm sportivë të të gjithë shteteve më të fuqishëm të botës. Siç shkruaja asokohe, ata ishin kryeredaktorë gazetash sportive, gazetarë të thjeshtë po të famshëm, shefa redaksish, për çudi jo aq të rinj në moshë, madje skeptrin e presidencës e mbanin 70-80 vjeçarët. Ndaleshim sidomos me takimet e presidentit Frank Taylor, nxitësit tonë që na kishte mirëpritur me aq gjakim, presidenti 75-vjeçar i AIPS të cilën ai e drejtonte qysh më1973, i shpëtuari zâmadh i katastrofës së Mynihut, siç e treguam numrin shkuar, autori i bestseller-it “Fundi i epokës së një skuadre” si dhe i “Historisë së Futbollit”, mbajtës i Medaljes së Argjentë të Madhërisë së saj Mbretëreshës Elizabetë si dhe i Urdhërit të Shkëlqyeshëm të Mbretërisë Britanike për shërbimet sportive dhe të gazetarisë sportive.

Gazetaria e vërtetë…

Natyrisht, jo vetëm Taylor. Aty në Kongresin e Budapestit ne do të bëheshim miq të mirë me Istvan Gyulai, Togay Bayatli, Massimo Della Pergola, Matti Salmenkila, George Gross, Elie Sporidis, Charles Camenzuli, Andres Merce Varela, Mick Michales, Alain Lunzenfichter, Karl Heinz Camman, Morly Myers, Yannis Theodorokopoulos, Zoltan Novotny, Tamas Gyarfas, Italo Soncini, Gianni Merlo, Kap-Chul Park, John Debattista, Henry Calleja, Jose Carlos Freitas, Aurel Neagu, Evgen Bergant, Carl-Gustav Stenfeldt, Kurt Zimmerman, Atilla Gocke, Radomir Jeremic. Costanin Macovei, Gienrich Vaganovic…

Perëndimorë e lindorë, evropianë dhe amerikanë, aziatikë dhe afrikanë, nga shtete kapitaliste e ish komuniste - teksa historitë e këtyre të fundit aty këtu ngjasonin me tonat (gazetarë të përjashtuar nga partia për biografi, madje nga puna për arratisje të të afërmëve në perëndim) - të gjithë ata i bashkonte vetëm një mision: ushtrimi me ndershmëri, aftësi dhe etikë i profesionit të gazetarit sportiv.

Ky ishte mësimi i parë që dyshja e panjohur shqiptare e Budapestit 1992, ajo Dizdari – Lufi, merrte nga Kongresi i 55-të i AIPS që do të përfshinte edhe Shqipërinë në familjen e asokohe të 113 shteteve anëtare të saj. Thuajse të gjithë këta miq e kolegë janë ende të pranishëm në AIPS dhe në Kongreset e saj, miq të mirë të mi, të zëvendëspresidentit Ahmet Shqarri dhe sekretarit të përgjithshëm të ASPA Vladimir Grillo. Thuajse të gjithë, pavarësisht nga pesha e moshës mbi supe, vazhdojnë të jenë gazetarë të përditshëm e përjavshëm në vendet e tyre, pa asnjë ndalesë, profesionistë të mirëfilltë, jo gazetarë sezonalë bisedash kote e të tjerruna gjatë pa stil dhe domethënie, siç ngjet rëndom ende aty këtu edhe në Shqipërinë tonë.

Ne ndodheshim në Budapest së bashku me gazetarin e ri të “Sportit”, Arben Lufin, sot shtetas i Maltës dhe profesor i anglishtes atje, dhe tash më vjen dëshira të kujtoj se ai kishte hyrë në gazetë mbas një konkursi që kisha organizuar për gazetarë, i pari i këtij lloji në gazetarinë shqiptare në tanësi për pranim në një redaksi gazete. Dhe po aq më vjen menjëherë ndërmend të pyes sot, mbas 18 vjetëve: si hyjnë në Shqipërinë e sotme gazetarët në një redaksi gazete? Madje, si ia arrijnë të fitojnë të drejtën profesionale për të shkruar me aq lehtësi në një gazetë sportive? Ndonëse ka prej sosh që nuk plotësojnë as më elementaren: zotërimin e gjuhës shqipe, e jo më për të mbërritur te talenti e aftësia aq të domosdoshme për profesionin tone? Si arrijnë kaq me lehtësi, pa patur shpesh asnjë të dhënë e të quhen e konsiderohen nga redaksitë deri “analistë” e “opinionistë”, emërtime të ardhura prej gazetarisë së politikës, që për fat të keq, po zhduk më të qensishmin, që është gazetari, sot i përulur e i nënshtruar tejet përballë atij, artificialit të vetëquajtur “analist” a “opinionist”, sidomos atij televiziv, që këmbë mbi këmbë pa përgatitjen më të pakët pushton me prepotencë ekranet e televizioneve tash e parë?

Mjafton që të ndiqje këto dit pasqyrimin e pjesëmarrjes së Shqipërisë në Lojërat Mesdhetare “Pescara 2009”, dhe vështirë të arrije të mënjanoje një zhgënjim inkompetence, sipërfaqësije, mangësie të pashembult informacioni, kronike e përimtimi, e deri pasaktësije teknike të palejueshme, e pse jo, edhe terminologjie, për t’u tronditur vërtet, pa mëtuar asesi një stil origjinal profesional të gazetarisë kontemporane!...

Mû për këte i kam nëntitulluar këto kapituj të historisë sonë në kornizën e 85 vjetorit të AIPS si “shêjat e padëshirueshme të “tradhëtisë” profesionale”. Duket e rëndë. Do të mund ta vërtetojë një përmbledhje e menjëhershme e copëzave nga ajo çfarë është shkruar e botuar, nga ajo çfarë shkruhet e botohet. Ndonëse jo gjithmonë dhe jo prej të gjithëve…

X X X

… Ai i vitit olimpik 1992 ishte Kongresi ynë i Budapestit. Themi “i ynë”, sepse ai pranoi Shqipërinë anëtare të AIPS, i vetmi shtet që mungonte prej Evropës së vjetër, asaj të para 1990. Për ne dhe gazetarinë tonë ai ishte një Kongres historik. Ne merrnim me vete mbrëmbjet e paharrueshme të Budapestit, teksa do të takoheshim edhe me protagonistë të mëdhenj të sportit hungarez, dikur pjesë e jetës sonë të kampit të ashtuquajtur socialist. Nuk mund të harrohen takimet me promotorin e Kongresit, Laszlo Papp, boksjerin katër herë kampion olimpik, po mbi të gjithë, takimi me tre të mëdhenj të Hungarisë legjendare të viteve ’50: Gyula Grosic, Nandor Hidegkut, Karoly Sandor, të cilët na kishin bërë të ëndërronim aq shumë në vitet e adoleshencës sonë, kur suksesi i madh hungarez i Ferenc Puskas-it me shokë, për shkak të gjeopolitikës së dy kampeve të asokohe, përjetohej si suksesi ynë.

Do ta mbyllja me takimin e posaçëm me shpikësin e Totocalcio-s, Massimo Della Pergola, gazetarin e madh italian, intervista e gjatë me të cilin, edhe pse në shqip, do ta befasonte kur do të shihte shkrimin në gazetën “Sporti”. “Eshtë hera e parë në jetën time që emri im gjëndet si titull i një shkrimi, dhe do ta ruaj me fanatizëm këte gazetë”.- do të më shkruante nga Milano, njeriu të cilit shteti i tij i kishte dhënë titullin “Grande Uficciale d’Italia” .

Asisoji, ne ndjeheshim gazetarë ndërkombëtarë, teksa njëzëri dhe me duartrokitje të gjata qe votuar për Shqipërinë, vendi “i mistershëm” i vetëm që i mungonte edhe gazetarisë sportive botërore. Ajo i kishte munguar për gati 70 vjet AIPS-së. Frank Taylor na përqafonte, gjithnjë tejet i gëzuar, që i kishte takuar atij të afirmonte gazetarinë modeste të Shqipërisë.

Ishte viti 1992, kur Shqipëria do të shkonte në Olimpiadë për herë të parë mbas 20 vjetëve (1972) dhe kombi e sporti shqiptar do t’i jipte botës olimpike për herë të parë në histori një Kampion Olimpik me emrin Pirrio Dhima që do të bëhej legjendar. Për fat nën flamurin e Greqisë. Deri para pak ai kishte qenë një personazh i madh i gazetarisë sportive shqiptare, të ardhmen e bujshme olimpike të të cilit kjo gazetari edhe pse modeste e tejet e mbyllur, e kishte parashikuar me kohë. Ashtu si për Mirela Manjanin. Ashtu si për Luan Shabanin e të tjerë, të cilët do t’ia rrëmbenin lavdinë Shqipërisë së tyre për dike tjetër. Ne do ta pranonim edhe këte “ndërkombëtarizim” sui generis.

Në të vërtetë, edhe pse të mbyllur keqas, deri diku ne kishim ditur se ç’duhej të bënim. Në fund të fundit, ia kishim arritur të botonim një gazetë sportive me 150.000 kopje në javë, shifër që do të habiste miqtë tonë të Kongresit të Budapestit 1992

E rendësishme ishte se tash e mbrapa ne ishim edhe ligjërisht ndërkombëtarë.

Duke iu kthyer 18 vjetëve më mbas, them se ishte me shumë kuptim që të enjten e shkuar ne përkujtuam në “Hotel Tirana International” 2 Korrikun e AIPS dhe të 18 vjetorin e ASPA-së sonë falë mbështetjes së Federatës Shqiptare të Peshëngrites nën patronatin e presidentit të saj Esat Ademi, njëkohësisht anëtar i Komitetit Ekzekutiv të Federatës Ndërkombëtare të Peshëngritjes (IWF). Ishin ditë të përfundimit të Lojërave Mesdhetare “Pescara 2009”, ku të vetmet medalje që kishte fituar Shqipëria, i përkisnin vetëm peshëngritjes: 6 medalje, 2 ari, 4 argjendi. Dhe për herë të parë mbas 22 v jetëve, qysh nga “Latakia 1987”, Shqipëria fiton medalje ari!

Ata ishin personazhet tonë!.... Po a nuk jemi edhe ne vetë personazhe? Siç theksoi në përshëndetjen e tij që na dërgoi, Presidenti i sotëm i AIPS, Gianni Merlo:

“Dëshmitarë dhe pjesëmarrës, kronikanë të palodhur - pa marrë parasysh se sa të rendësishëm mund të jemi apo jo, pa marrë parasysh nëse ato jemi lokalë apo ndërkombëtarë – ne megjithate nuk harrojmë kurrë se si gjithmonë ne japim një kontribut pozitiv në drejtim të flakjes tej të pengesave të cilat shpesh herë e çojnë botën në konflikt, sepse ne jemi pjesë e kulturës botërore”.

Ky është në fund të fundit vetë kuptimi i profesionit tonë i një humanizmi, të cilin shpesh padashur e harrojmë. Dhe papritmes shpesh e “tradhëtojmë”!...

TemA

(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: