Vllaznia, kualifikim historik dhe rekord
| E Shtune, 11.07.2009, 07:22 AM |

Nga Dash Frashëri

Vllaznia ia doli të eliminojë irlandezët e Sligo Roversin (1-1, 3-2 rezultati i përgjitshëm) në një takim të mbërthyer nga emocione e dramë në mitikun “Loro Boriçi”, ku të dyja skuadrat e mbyllën takimin me nga dhjetë lojtarë (Sinani për Vllaznisë, O’Gradi për Sligon). Goli i talentit shkodran Ndriçim Shtupina në fundin e pjesës së parë (43’) hyri në manualin e historisë së futbollit shkodran në Europë, pasi jo vetëm që kompletoi golin e Dritan Smajlajt në ndeshjen e parë të fituar 2-1 (autogol edhe i irlandezit Kin), por formacioni kuqeblu vendosi një rekord unikal në Shqipëri, pasi është i pari që kalon një tur në debutimin e Ligës së Europës, por nga ana tjetër u kualifikua për të katërtin sezon rresht në turin e dytë të një kompeticioni europian. Goli i Kinit në minutën e 85-të shqetësoi jo pak presidentin Valter Fushaj e trajnerin Hasan Lika, por nuk mundi të provokojë eliminimin e Vllaznisë, që me meritë do të luajë në turin e dytë kualifikues të Ligës së Europës përballë një emri me traditë në Europë si Rapidi i Vjenës.

NDESHJA

Irlandezët e Sligos janë të parët që shfaqen në portën shkodrane, teksa ekzekutuan ë një goditje këndi me anë Doherti. Golashënuesi i njohur shkodran, Vioersin Sinani, nuk arriti të finalizojë një aksion në minutën e 14-të, duke bërë më të vështirën, mos e çuar sferën në rrjetën irlandeze. Një rast i humbur për të mbyllur para kohe takimin. Miqtë morën zemër, duke synuar “pushtimin” e mesfushës e parë më shumë nga porta jonë. Pikërisht në një aksion të tillë, Sligo rrezikoi portën shkodrane me anë të Kretaros, por fati ishte me zëvendësuesin e Armir Grimës, Olsi Bishani. Në minutën e 43-të, mesfushori i talentuar i Vllaznisë, Ndriçim Shtupina shënoi golin e çmuar të Vllaznisë, duke i çuar në total shifrat 3-1 për skuadrën shkodrane. Festimi i “tepruar”, njëherësh edhe i ligjshëm i Shtubinës (goli i tij i parë në Europë), solli edhe ndëshkimin e tij me karton të verdhë. Me avantazhin e dy golave, trajneri Hasan Lika, duket se e ka situatën në dorë, duke hedhur në fushë Marko Bashiçin në vend të Elvin Beqirit (61’) e më pas dhe të Nikës në vend të talentit Balaj (64’). Në minutën e 79-të, sulmuesi e kapiteni i Vllaznisë, Vioresin Sinani u largua me karton të kuq, përpara se Kini të shënonte golin e barazimit në minutën e 85-të. Gjyqtari maltez Borg shtoi pesë minuta lojë, që tensionoi kampin shkodran, por në këtë hark kohor u ndëshkua me karton të kuq O’Gradi, ky i fundit frenoi në mënyrë të parregullt një aksion goli të Shtubinës.

REKORDE

Vllaznia vendosi një rekord unikal në Shqipëri, pasi është i pari që kalon një tur në debutimin e Ligës së Europës, por nga ana tjetër u kualifikua për të katërtin sezon rresht në turin e dytë të një kompeticioni evropian, kur statistikat ofrojnë në panoramë shumë optimiste: në edicionin 2004-2005, Kupa Intertoto (kundër izraelitëve të Hapoel Bear Shevës), 2007-2008, Kupa Intertoto (kundër kroatëve të Nk Zagreb) dhe në edicionin 2008-2009, Kupa UEFA (kundër sllovenëve të Koperit), ndërkohë që numri total i kualifikimeve të kuqebluve shkon në gjashtë, përfshirë ato në Kupën e Kampioneve (2001-2002) dhe Kupën e Kupave (1987-1988).
Në turin e dytë kualifikues, Vllaznia do të përballet me Rapidin e Vjenës, një kundërshtar padyshim më i fortë, dhe tashmë i “spiunuar” nga austriakët e Peter Pakult, ky i fundit dërgoi informatorët e tij si në takimin e parë të luajtur në Irlandë ashtu dhe në Shkodër.

Liga e Europës
Turi i parë kualifikues
2/9 korrik 2009

Vllaznia-Sligo 1-1 (2-1)
Kualifikohet Vllaznia (Shqipëri) me rezultatin e përgjithshëm 3-2. Në turin e dytë kualifikues, Vllaznia do të përballet me Rapidin e Vjenës.

Dinamo-Lahti 2-0 (1-4)
Kualifikohet Lahti (Finlandë) me rezultatin e përgjithshëm 4-3

G. Albania

(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: