Besnik Dizdari: Përse humbja me Portugalinë është e rëndë
| E Diel, 14.06.2009, 09:42 AM |

Përse humbja me Portugalinë është e rëndë

Nga Besnik Dizdari

Hapa mbrapa edhe nën peshën e pamshirshme të golit vrasës të “minutës së fundit”

Sepse me këte humbje papritmas Shqipëria bën hap mbrapa në rrugën rritëse të historisë së saj në Kupën e Botës dhe të Evropës bashkë. Them papritmas, sepse duke nisur nga fillimi i viteve ‘2000, Shqipëria bëri hapa përpara. Mandej, te e vona, e shkatërruar prej dy humbjeve 2-4 me Biellorusinë dhe 1-6 me Rumaninë, u duk se nuk do të kishte gjasa ta rimerrte veten. Ndonëse po papritmas, veçse në kahun tjetër, më 15 tetor 2008, ajo arriti një barazim zâmadh në “AXA Stadium” të Bragës me Portugalinë e Cristiano Ronaldos, “Topit të Artë 2008” të “France Football” për të cilin ka votuar edhe autori i këtushëm.

Dhe? Mbërrin rënia e dytë “e frikshme”: 0-0 në Maltë, 0-1 në Tiranë me Hungarinë, 0-3 me Danimarkën në Kopenhagen dhe… 1-2 me Portugalinë në Tiranë. Në një vështrim bilanci, kjo do të thotë tri humbje rresht për Kupën e Botës 2010. Ose ndryshe: asnjë fitore në 6 ndeshje rresht, e fundit gati para një viti, 10 shtator 2008, 3-0 në “Qemal Stafa” me Maltën.

Mû këtu ka mbetur Kombëtarja e Shqipërisë e viteve ‘2000.

Siç shihet, bilanci është tronditës ose ajo që thamë: hap mbrapa!

Ndonëse jo krejt keq si në fillim të viteve ‘2000 kur ajo kishte mbërritur deri në 6 humbje rresht: Gjermania 1-2, Anglia 1-3, Greqia 0-1, Gjermania 0-2, Finlanda 0-2, Anglia 0-2! Ishte 2001, pak para se të mbërrinte trajneri i parë i huaj, kur do të niste kthesa e madhe…

1.

Historia statistikore shpesh të dërmon vërtet.

Dhe papritmas bëhet pikë referimi kjo humbje 1-2 e minutës ‘93 me Portugalinë e Cristiano Ronaldos, që po e quaj ndër më të rëndat. Kështu sepse:

- Shqipëria pësoi humbjen e 3-të rresht.

- Ka mesataren e vetëm 0.5 gola për ndeshje, gjysmëgoli pra, më e ulta e 17 vjetëve të fundit.

- Shqipëria zbret në e 5-ta, e parafundit në një grup me 6 skuadra, më poshtë se asnjëherë tash 10 vjet.

- Dy ndeshja para mbarimit Shqipëria ka vetëm 31 përqind sukses, shifra më e ulët e 4 edicioneve të fundit.

- Të shtunën në mbrëmbje Shqpëria zbriti në vendin e 40-të midis 53 skuadrave të Evropës përsa i përket të dhënës më thelbësore: mesatares së pikëve për ndeshje: vetëm 0.62 pikë për ndeshje simbas sistemit me 2 pikë për fitoren.

Në thelb këta pesë argumente përfaqësojnë mû ate, rënien.

Paradoksi është se vula e rënies u vu përmes një ndeshjeje të nivelit të lartë, siç qe kjo me Portugalinë, humbje 1-2 në minutën e 93-të. E 3-ta rresht për kah historia e tashme. E 61-ta për Kupën e Botës në 82 ndeshje të luajtura. Dhe vetëm 11 fitore në 45 vjet pjesëmarrje! Sa të varfër e kemi historinë!...

Janë mû këta dhëna që asesi nuk të lejojnë ta shohësh me entusiazëm kësisoj të skajshëm humbjen “e bukur” me Portugalinë. Edhe për Shqipërinë, e cila është përfshirë në progresin evropian në të gjitha fushat e jetës, nuk ka më vend për humbje “dinjitoze” të Kombëtares së saj të futbollit, aq më tepër kur përveç të tjerave, kjo e Portugalisë bën pjesë në 16 humbjet të ashtuquajtura “dinjitoze” (i vjetëruar tejet tashmâ ky përcaktim) të asaj që italianët e quajnë “zona Cesarini”: gol i minutës së fundit.

Vështroni tash se çfarë “tmerri”: 16 ndeshje të nivelit të lartë të humbura në “dinjitetin” e minutës 90, apo pak para saj, apo pak mbas saj:

09.11.1996
Shqipëria – Armenia 1-1
* Petrosian në të 90’

20.08.1997
Ukraina – Shqipëria 1-0
* Rebrov në të 85’

11.10.1997
Gjermania – Shqipëria 4-3
* Bierhoff në të 92’

14.10.1998
Norvegjia – Shqipëria 2-2
* Rekdal në të 81’

05.06.1999
Shqipëria – Norvegjia 1-2
* Flo në të 83’

24.03.2001
Gjermania – Shqipëria 2-1
* Klose në të 88’

26.03.2001
Shqipëria – Anglia 1-3
* Cole në të 95’

01.09.2001
Shqipëria – Finlanda 0-2
* G.Çipi në të 93’

05.09.2001
Anglia – Shqipëria 2-0
* Fowler në të 88’

07.06.2003
Irlanda – Shqipëria 2-1
* Aliaj në të 92’

08.09.2004
Gjeorgjia – Shqipëria 2-0
* Demetradze në të 92’

30.03.2005
Greqia – Shqipëria 2-0
* Karagounis në të 85’

08.10.2005
Ukraina – Shqipëria 2-2
* Rotan në të 86’

12.09.2007
Shqipëria – Holanda 0-1
* Van Nisltelroy në të 91’

17.11.2007
Shqipëria – Bullgaria 1-1
* Berbatov në të 88’

06.06.2009
Shqipëria – Portugalia 1-2
* Bruno Alves në të 93’

Plot 16 ndeshje të Kupës së Botës dhe të Evropës të humbura në ‘minutën e fundit’!

Merreni me mend për një cast, se çka do të kishte ndodhur sikur e pakta gjysma e këtyre ndeshjeve nuk do të ishin humbur për shkak të këtij goli të “minutës së fundit”. Nuk do të kishte ndodhur diçka fort e madhe, vërtet. Do të ndodhte vetëm kjo: që për Kombëtaren e Shqipërisë sot do të flisnim krejt ndryshe, e ajo do kishte regjistruar në historinë e saj disa ndeshje sensacionale, madje edhe historike për Evropën, e do të kishte ndikuar jo pak edhe në fate të mëdhenjsh të futbollit evropian. Çka është më e rëndësishmja: Shqipëria sot do të kishte një pozitë krejt tjetër në Evropën e futbollit të KE dhe KB.

Mrëpo, në futboll dihet, kurr nuk gjykohet me “sikur”. Ajo çka mund të gjykohet në këte rast është ana e pamshirshme e kësaj statistike historike të 16 humbjeve të golit të “minutës së fundit”. Sepse janë shumë, jashtëzakonisht shumë: 16 ndeshje në 13 vjet të humbura për shkak të golit të “minutës së fundit”. Dhe në këta 13 vjet kjo i ka ndodhur vetëm Shqipërisë.

Absolutisht nuk guxoj të marr përsipër të përimtoi shkaqet e këtyre humbjeve “origjinale”. Do të më duheshin faqe të përsiat shkaqet e shumtë: shkaqe psikologjike, të përgatitjes fizike, të euforisë ballkanike, të mungesës së aftësisë të këtij populli për ta çuar një punë deri në fund, të mungesës së një race mirëfilli futbollistike, të mungesës së portjerëve të aftë, të fatit, të epërsisë “trimërore” të kundërshtarëve, të profesionalizmit të futbollit anglosakson, nordik apo shpesh edhe të asaj pjese më të sprovuar ballkanike.

Vetëm dua të bind se humbja “e bukur” me Portugalinë është ndër më të rëndat në histori, mbi të gjitha për ate që thashë në fillim: Shqipëria bëri hapa përpara vërtet. Por të cilat u shkatërruan prej dy humbjeve 2-4 me Biellorusinë dhe 1-6 me Rumaninë më 2007, që vetvetiu ngjallën një pasiguri, për shkak të së cilës duket se nuk ka gjasa ta rimarrë veten shpejt. Ndonëse më 15 tetor 2008 ajo arriti një barazim zâmadh në “AXA Stadium” të Bragës po me Portugalinë e Cristiano Ronaldos: që më fort se gjithçka ka qenë një fat i madh, ku lojtari më i mirë ka qenë portjeri. E, dihet, kur lojtari më i mire është portjeri, atëherë…

Prej këtu drejtpërsëdrejti tek rënia e dytë “e frikshme”: 0-0 në Maltë, 0-1 në Tiranë me Hungarinë, 0-3 me Danimarkën në Kopenhagen dhe… 1-2 me Portugalinë në Tiranë.

Mû për këte, humbja me Portugalinë është e rëndë.

Shqipërisë i kanë mbetur vetëm edhe dy ndeshje, për fat të dyja me të sprovuar të Evropës, Suedi dhe Danimarkë, çka me gjithë dëshirën, e bën tejet të vështirë gjithë këte mision. Ndonëse sikur t’i fitonte këto dy ndeshje, qoftë dhe njërën në fund të fundit, atëherë Shqipëria do të mund të shpërthente edhe një herë tjetër në gjithë një histori. Si me Greqinë 2-0 më 2000, si me Rusinë 3-1 më 2003, si me Greqinë 2-1 më 2004, si me Ukrainën 2-2 më 2005, si në Bullgari 0-0 më 2007, si me Portugalinë 0-0 më 2008.

Po që për fat, mbas të gjithave, diku më pak, diku më shumë, skuadra ka ardhur në rënie.

Në tanësi Shqipëri ende është një peshë e vogël: e 40-ta në Evropë për Kupën e Botës 2010.

Mû për këto humbja me Portugalinë është ndër më të rëndat. Psikologjikisht ajo trondit një histori, mëdyshon një mendim, vështirëson një optimizëm të shpejtë, ngadalëson një të ardhme, rrit një pritje të gjatë.

Eshtë e vështirë që shpejt të mund të kemi një Shqipëri optimiste: 6 pikë në 8 ndeshje, 1 fitore të vetme në 8 ndeshje, vetëm 4 gola të shënuar; kur ishin plot 480 minuta pa shënuar!

Humbja “e rëndë” me Portugalinë duket se ka ndalë në vend vetë kthesën historike të Shqipërisë. Dhe për të mbërritur te një kthesë tjetër, përpara është një rrugë e gjatë, tepër e gjatë. Tash për tash Shqipëria duket se rrezikon të zbresë në vendin e parafundit në grup. Ndonëse kur kujton se Danimarka, Hungaria, Suedia dhe Portugalia kanë një futboll dukshëm më të lartë se Shqipëria, ky vend i 5-të të duket krejt normal. Mirëpo, kur vështron largësinë në pikë, në fitore, në gola ndaj katërshes së pakapshme, atëherë e kupton se në këte skemë, ky mund të jetë një nga vëndet e pesta më me pak përmbajtje në gjithë këto vite të asaj që na ka ânda t’i quajmë të kthesës së viteve ‘2000…

2.

Të vijmë tash te ana tjetër e medaljes: që të shtunën në mbrëmbje Shqipëria ka zhvilluar një ndeshje të mirë, të fortë, me nivel, dhe shpesh gati si i barabarti me të barabartin përballë një prej ekipeve më të fuqishëm të Evropës. Ndërkaq, duke synuar sadopak te një përimtim i vlerave të kësaj ndeshjeje, ajo që më duket më e rëndësishmja ishte se pashë një Shqipëri taktike: një sulmues i përparmë, i vetëm (Bogdani); një mbështetës i dytë mbas tij (Skela), i cili sidoqoftë, qe edhe ai një sulmues; tre mesfushorë (Agolli, E.Bulku, K.Duro) - sa organizatorë aq dhe mbrojtës, madje për çudi, më tepër mbrojtës; dhe pesë mbrojtës mirëfilli (E.Beqiri, Vangjeli, Cana, Vrapi, Curri).

Më është kujtuar Loro Boriçi, i cili asokohe kur ndesheshim me skuadra të mëdha, thoshte: “Luftoj vetëm që të mos humbas”. Dhe i rreshtonte mbrojtësit të pafund. Doemos, sidomos disa tifoza partiakë, e kritikonin për futboll mbrojtës. E pra trajneri i sapoardhur me emrin Josip Kuže nga Kroacia, emër jo i madh edhe për futbollin kroat, për një çast mu duk një Loro Boriç i dytë. Edhe ai nuk desh të humbiste. Për 45 minuta të tana Shqipëria luajti “catenaccio”-n klasike të shpikur nga Karl Rappan më 1938, me të cilin Juan Lopez fitoi Kupën e Botës më 1950 dhe që në Itali e përsosën me Interin e viteve ’50 dhe ’60 Alfredo Foni dhe Helenio Herrera.

Ai i së shtunës që shkoi, natyrisht qe një “catenaccio” dis në miniaturë, përderisa po e interpretonte Shqipëria e vogël, ndonëse kundërsulmi i golit të fuqishëm të Bogdanit (i 9-ti i tij në Kombëtare) qe klasik për kah kundërsulmi tipik i një “catenaccio”-je.

Në pjesën e dytë kur hap mbas hapi kundërshtari po përshkohej prej një ankthi të mënjanimit prej fundoreve të Kupës së Botës 2010, Shqipëria qe thuajse e përsosur në kundërsulm. Ajo baraspeshoi jo vetëm epërsinë tokësore të kundërshtarit, që në tanësi prapseprap qe përherë nën sundimin e këmbëve portugeze, por edhe vetë rastet, jo gjuajtjet që gjithnjë ishin nën epërsinë e miqve të forte. Pak gjuajtje në portë megjithate: 3 për Shqipërinë dhe 5 për Portugalinë, një ndryshim jo i madh, kur kujton se për një episod mëtuam deri dhe një 11-metërsh, që në të vërtetë nuk ishte i tillë. Do të kishte përmbysë një ndeshje po dhe një fat të “brazilianëve të Evropës”. Nuk ka dyshim se elasticiteti i futbollit shqiptar të pjesës së dytë, qe një befasi për këta të mëdhenj, të cilët prej ku nuk vinin: Porto, Chelsea, Real i Madridit, Manchester United, Werder Bremen, West Ham. Tash ata nuk mund të mendonin vetëm për golin e fitores, por iu duhej të kthenin vështrimin nga mbrapa nga ku papritmas mund t’iu mbërrinte edhe goli i humbjes. Ishte kjo dukuri e pjesës së dytë, që ngriti në qiell mbështetjen e nja 16.000 shikuesve të Stadiumit Kombëtar të Tiranës të ardhur edhe nga Prishtina e Shkupi.

Qenë çaste kur trajneri Carlos Queiroz u shtang teksa kishte mbërritur minuta 92 e ndeshjes, kur u duk si një “lamtumirë Afrikë e vitit 2010!”. Mirëpo, historia jonë, që po papritmas vendos gjykimin e pamshirshëm prej atij, golit “të minutës së fundit”, minutës 93. Si në 16 ndeshjet e msipërme të 13 vjetëve të fundit…

Dhe rënia, që me gjithë këto që thashë, nuk më bën optimist. Të paktën tash për tash. Qoftë edhe për faktin se për të mbërritur te turneu tjetër, që do të jetë EURO 2012, duhet me pritë pak si tepër. Dhe nuk e di se si do të mund të kapërcehet kjo pritje e gjatë, “melankolike”, e mendueshme, dileme, kur Shqipëria e futbollit mund të vazhdojë të mbesë pa pikë, pa fitore, pa ndeshje kthesash të mëdha, pa gëzime të vërteta futbolli kombëtaras.

Diku kam dëgjuar se trajneri ynë i ri do të ketë për detyrë për të formuar Kombëtaren për edicionin e ardhshëm. Më duket disi arkaike kjo për ambicjet e arësyeshme të një vendi të vogël futbolli siç është Shqipëria. Këso rindërtime skuadrash zakonisht i bëjnë të mëdhenjtë, të cilët mbasi mbarojnë punë me një brez yjesh, menjëherë nxjerrin në skenë brezin tjetër që e kanë të gatshëm. Shqipëria është diçka tjetër: ende vend i varfër, pavarësisht pasurisë së disa yjeve të saj ndërkombëtarë të futbollit, ende me një futboll mesatar, ende me një mendësi “nacionaliste” disi të tipit të sistemit që shkoi, e që befas ngjall një eufori që dëmton. Kësisoji, Shqipëria nuk ka punë fort punë me ndryshim brezash në futboll, sepse brezat ajo i ndërron në mënyrë të qetë e hap mbas hapi, si pa e kuptuar. Nga 14 futbollistët e fitores së bujshme 3-1 ndaj Rusisë më 2003, të shtunën që shkoi me Portugalinë ishin vetëm tre: E.Beqiri, K.Duro, Skela, sot rradhazi secili nga 29, 32 dhe 33 vjeç! Kur në këte ndeshje me Portugalinë patëm plot 8 lojtarë (Hidi, Vangjeli, Agolli, Vrapi, E.Bulku, D.Bylykbashi, Salihi, Berisha) të cilët nuk kishin më shumë se sa respektivisht nga 9, 16, 9, 6, 17, 3, 12, 14 ndeshje secili nën fanelën e Kombëtares. Çka do të thotë se mbrenda pesë vjetëve Kombëtarja është ndryshuar me emra të tjerë, e prap do të ndryshohet, e pra, më shumë se për rindërtim mund të flitet për përforcim rezultatesh.

Futbolli nuk matet më me ndeshje “dinjitoze”, por me renditjet, pikët, fitoret, ecurinë në rritje, pa mëtuar asesi që një vend me futboll të vogël si Shqipëria, të dërmojë të mëdhenjtë, siç kërkohet shpesh në opinionin tonë futbollistik si një qëllim në vete, teksa na ndodh që i dorëzohemi të mëdhenjve dhe “të vegjëlve”.

Kësisoji, tash për tash, ndërsa i duhet të meditojë përpara golit vrasës të “minutës së fundit” që ia ka zënë frymën prej një dhjetvjetëshi, më fort se sa të publicitetizojë, nëse mund të shpreheshim kështu, për skuadrën që do t’iu dashka për edicionin tjetër, Shqipërisë së Kombëtares mbase i duhet të qëndrojë fort si gjithë të tjerët: te mendimi për ndeshjen e rradhës, një ligj i futbollit ky, qoftë ajo një ndeshje edhe përballë Gjermanisë apo Anglisë. Mbase duke flakur tej një atdhetari të tipit “nacionalkomunist” që thjesht kërkon vetëm t’i prishë punë një të madhi; pa rrahje gjoksi pra, por me modestinë dhe kryeultësinë për t’u rritur përherë. Në këtë vështrim, mendoj se edhe dy ndeshjet e fundit, Danimarkë e Suedi, nuk janë eksperimentale të një të ardhmeje, por tejet të rëndësishme për një aktualitet: për të marrë Shqipëria ate që rrethanat mund t’ia mundësojnë për ta marrë.

Pa harruar atë, kundërshtimin ndaj golit vrasës të “minutës së fundit”, gol i cili edhe humbjen “e bukur” me Portugalinë e bëri një nga më të rëndat për ne.

TemA

(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: