Si do të jetë e ardhmja e planetit?
| E Diel, 14.06.2009, 07:24 AM |

E vështirë të thuhet, por disa tendenca mund të parashikohen

Më shumë njerëz, më shumë vapë dhe më shumë ...jashtëtokësorë

Do të ishte tepër e guximshme të bëje parashikime teknologjike për vitin 2050; edhe më shumë po të përpiqeshe të parashikoje ndryshimet shoqërore dhe gjeopolitike. Avancimet më të rëndësishme, hovet cilësore, janë më të paparashikueshmet. As shkencëtarët më të ndritur nuk ishin në gjendje të parashikonin impaktin e fizikës nukleare, ashtu si pajisjet e përdorimit të përditshëm si iPhone do të dukeshin magji e mirëfilltë në vitet pesëdhjetë.

Por gjenden disa trende, të cilat mund t‘i parashikojmë në masë të besueshme. Do të ketë shumë më tepër njerëz mbi Tokë nga sa janë sot. Para pesëdhjetë vitesh popullsia botërore ishte 3 miliardë. Që atëherë numërohen më shumë banorë se dyfishi, 6.7 miliardë. Mesatarja e rritjes është ulur, por llogaritet se do të arrijë në 9 miliardë në vitin 2050. Rritja do të ndodhë thuajse e tëra në botën në zhvillim, ku numri i të rinjve është më i madh se i të moshuarve. Dhe në rast se popullsia botërore vazhdon rritjen edhe përtej 2050-ës, nuk mund të jemi veçse të zymtë për të ardhmen. Dhe sfida do të qëndrojë te garantimi i ushqimit për këtë popullsi në rritje, ndërkohë që kushtet klimaterike do të jenë rënduar edhe më tej.

Bota do të jetë më e ngrohtë se sot në vitin 2050; raportet mes reshjeve dhe thatësirës do të jenë të ndryshme. Në rast se vazhdojmë të bëjmë biznes ashtu si sot, nivelet e përqendrimit të CO2 në atmosferë do të arrijë dyfishin e niveleve të epokës paraindustriale. Sa më e madhe sasia e CO2-shit në atmosferë, aq më i ngrohtë do të jetë globi - por, ç‘është edhe më e rëndësishmja, do të jenë më të mëdha shanset që ky fenomen të shkaktojë diçka të pakthyeshme: rritjen e niveleve të deteve dhe shkrirjen e akujve; çlirim i pakontrollueshëm i metanit në tundër.

Disa avancime teknologjike - teknologjia e informimit, për shembull - na habisin me shpejtësinë e tyre, të tjera duken të ngadalta. Lëshimin e "Sputnikut" nga ulja në Hënë e Nil Armstrongut e ndajnë vetëm 12 vite. Shumë prej nesh në atë kohë prisnin një bazë në Hënë apo eksplorimin e Marsit brenda 30 vjetësh. Që atëherë mjaft astronautë kanë dalë në orbitë, por pa u shtyrë më tej.

Shpresoj se deri në vitin 2050 i tërë sistemi diellor do të jetë eksploruar përmes flotash të përbëra nga mjete robotike hapësinore e të komanduara në distancë. Robotët dhe "fabrikuesit" mund të ndërmarrin projekte ndërtimi, duke përdorur materiale jotokësore, por a do të jenë në gjendje t‘i pasojnë njerëzit? Shanset e dërgimit të njerëzve në hapësirë dobësohen edhe më tej nga avancimi i robotëve. Por, gjithsesi, unë jam entuziast për mundësinë e misioneve njerëzore - në Hënë, në Mars e madje edhe më larg - thjesht për shkak të shpirtit aventurier të njeriut.

Çdo telefon celular i ditëve tona zotëron më shumë fuqi kompjuterike se e gjithë NASA e viteve gjashtëdhjetë. Dhe avancimet procedojnë me ritëm të pabesueshëm. Disa mendojnë se në vitin 2050 kompjuterët do të arrijnë kapacitetet njerëzore. Sigurisht, në disa aspekte kjo tashmë është arritur. Prej 30 vjetësh blejmë makina llogaritëse që na e kalojnë në masë shumë të madhe në aritmetikë. Programi kompjuterik "Deep Blue" mundi Kasparovin, kampionin botëror të shahut. Por edhe roboti më i sofistikuar nuk është në gjendje të dallojë dhe të lëvizë gurët e shahut siç bën një fëmijë pesëvjeçar. "Deep Blue" nuk përdor strategjinë e një lojtari shahu: thjesht bazohet te shpejtësia kompjuterike për të eksploruar miliona lëvizje të mundshme dhe për të përllogaritur më të mirën.

Por a do të vazhdojmë të shtyhemi përtej kufijve, duke e zgjeruar gamën e mirëkuptimit konsensual? Disa aspekte të realitetit - një teori e unifikuar e fizikës kuantike, apo një teori e ndërgjegjes - mund ta devijojnë mënyrën si i kuptojmë gjërat thjesht sepse gjenden përtej aftësive të trurit njerëzor, ashtu siç është mekanika kuantike për trurin e një shimpanzeje.

Mund të parashikojmë në masë të besueshme vazhdimin e avancimit të fuqisë kompjuterike, në teknologjinë e informacionit, në teknikat për sekuencimin, interpretimin dhe modifikimin e gjenomës. Por deri në vitin 2050 mund të kemi edhe zhvillime cilësore. Për shembull, diçka që ka mbetur e pandryshuar gjatë mijëvjeçarëve është natyra njerëzore dhe karakteri njerëzor. Por gjatë këtij shekulli, drogat, gjenetika dhe teknikat që ndërlidhin kibernetikën me trurin njerëzor, mund të nisin ta ndryshojnë edhe vetë qenien njerëzore.

Dhe na duhet të mbajmë mendjen të hapur ndaj koncepteve që na paraqesin trillimet artistike në kuadrin e fantashkencës. Futurologët amerikanë nuk e kanë gjithnjë gabim. Ata na thonë se makina superinteligjente mund të jetë instrumenti i fundit i dizajnuar nga njeriu - do të jetë makina që do marrë në dorë hapat e mëtejshëm. Sipas një spekulimi tjetër, jetëgjatësia njerëzore do të shtohet në masë të madhe, gjë që vështirëson çdo parashikim mbi popullatën botërore. Disa kanë nisur t‘i ngrijnë trupat pas vdekjes, me shpresën e ringjalljes në të ardhmen. Sa për vete, më pëlqen më shumë të përfundoj në ndonjë varrezë të Anglisë se në ndonjë frigorifer kalifornian.

Por mund të bëjmë një parashikim të sigurt për të gjithë "qytetarët shkencëtarë". Do zgjerohet distanca mes mundësive që na ofron shkenca dhe pikëpyetjes se cili prej aplikimeve është etik dhe i mençur.

Njerëzit mendojnë se për një astronom, që kontemplon hapësira kohore të matura me miliarda, zor se e vret mendjen për të nesërmen, javën e ardhshme apo vitin tjetër. Por "perspektiva kozmike" në fakt veç përforcon shqetësimet që kam për të tanishmen dhe të këtushmen. Që nga Darvini jemi familjarizuar me hapësirat e mrekullueshme kohore të evolucionit të së shkuarës. Por pjesa më e madhe e njerëzve mendojnë ende se ne jemi kulmi i pemës së evolucionit. Asnjë astronaut nuk do ta besonte dot këtë.

Dielli ynë është formuar 4.5 miliardë vjet më parë, por duhet të kalojnë edhe 6 miliardë vite të tjera përpara se të shuhet. Dhe zgjerimi i universit do të vazhdojë - ndoshta përjetësisht - duke u bërë edhe më i ftohtë, edhe më bosh. Siç ka thënë një herë Vudi Alen: "Përjetësia është shumë e gjatë, veçanërisht drejt fundit". Çdo krijesë që do jetë dëshmitare e vdekjes së Diellit, këtu, apo shumë më larg, nuk do të jetë njerëzore. Do të jenë entitete aq të ndryshme nga ne, sa ç‘jemi ne për një buburrec.

G. Shqip

(Vota: 1)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: