Besnik Dizdari: Tronditja historike e Kampionatit të Shqipërisë dhe ëndrra për 16 skuadra…
| E Hene, 08.06.2009, 05:25 PM |

Tronditja historike e Kampionatit të Shqipërisë dhe ëndrra për 16 skuadra…

Nga Besnik Dizdari

1. Kastrioti i Krujës dhe Gramozi i Ersekës!...

Janë ato të cilat të premten dhe të shtunën që shkoi, ndonëse dy skuadra “të vogla” kanë shkatërruar ëndërra, kanë shvleftësuar dëshira “të sigurta”, kanë prishur një skemë dhe i kanë dhënë një goditje të pamshirshme Kampionatit Kombëtar të Shqipërisë. Mbrenda 210 minutave të dy ndeshjeve dramatike të Durrësit dhe të Tiranës, entuziazmi krutan dhe ai kolonjar shfaqi një pamje tjetër të futbollit shqiptar, anën “e vogël” të tij të një shpirti të madh që vlon në qendrat e vogla futbollistike permes dy rezultateve sensacionale në ndeshje përmbysëse për hyrjedaljet në Kampionatin Kombëtar: Kastrioti – Partizani 1-0 dhe Gramozi - Bylis 5-2!

Ndërkaq, për herë të katërt në histori dy skuadra të dy rretheve fqinjë, Kurbin e Krujë, që shfaqen nën emrat e Laçit dhe të Kastriotit, do të jenë së bashku njëkohësisht pjestarë të Kampionatit Kombëtar. Për herë të parë në histori Kampionati do të ketë pjesë të tij Gramozin e Ersekës, e cila përbën skuadrën e 42-të që arrin të jetë pjesëmarrëse e garës më të lartë kombëtare të futbollit në vend. Dhe për herë të parë në historinë e Kampionateve të Shqipërisë bijen nga kategoria 4 skuadra dhe ngjiten 4 të tjerave përmes ndeshjeve kualifikuese. Ose e thënë ndryshe: për herë të parë ndodh që një e treta e skuadrave të rangut më të lartë detyrohen të braktisin bashkësinë e elitës të futbollit shqiptar.

Të gjitha këto përbëjnë një pasurim të ri të Kampionatit Kombëtar dhe flasin jo pak për zhvillime të reja në gjeopolitikën e tij. Po nga ana tjetër, për herë të dytë në histori dy Kampione të shquara, Partizani dhe KS Elbasani do të gjenden së bashku në atë që vërtetësisht është Kampionati i Kategorisë së Dytë. Dhe çka është më e rëndësishme, për herë të parë në histori pesë skuadra që bëjnë pjesë në atë që ne e quajmë podiumi i kampionateve, do të luajnë në atë që po vërtetësisht është Kategoria e Dytë. Po kështu, për herë të parë pesë qendra të shquara të futbollit kombëtar, Partizani, Elbasani, Lushnja, Berati dhe Gjirokastra, nuk do t’i kenë njëkohësisht pjesë të Kampionatit Kombëtar skuadrat e tyre.

Të interpretuara bukur e mirë në çastin e fundit prej shpërthimit të bujshëm të Krujës dhe të Ersekës, të gjitha këto përbëjnë atë që e titulluam si “Tronditja historike e Kampionatit të Shqipërisë”. Dhe po aq sa pasurohet gjeopolitika e futbollit me emra të tjerë, jo tradicionalë, po aq varfërohet ajo, duke ia lëkundur deri në drobitje shtyllat mbajtëse të tij në gati 80 vjet futboll në Shqipëri.

Nëse do të konturonim hartën aktuale të Kampionatit, vërejmë se ndërsa ajo ka një kompaktësi ngjyre përreth kryeqytetit, për të mbërritur te “futbolli i rangut të lartë kombëtar” të Fushës së Korçës, ku më në fund, kësaj rradhe do të gjejmë rikthimin e Skenderbeut, na duhet të udhëtojmë në “tokë futbollistike” të rangut të dytë. Do të kënaqemi ndërkaq, me mbërritjen spektakolare të vëllait të vogël “korçar”, Gramozit të Ersekës për herë të parë pjesë e historisë së futbollit kombëtar. Udhëtimi gjeopolitik i Kampionatit, pëson prap një shkëputje dhe na duhet të mbërrijmë duke mos prekur tokë “të vërtetë” futbolli deri në Bregun e Vlorës, te Flamurtari, i cili me ikjen e KS Lushnjes dhe Bylis të Ballshit, papritmas e sheh veten si një gadishull Jugperëndimor. E bën të tillë shpëtimi i rrufeshëm i Apolonisë së Fierit, se ndryshe mund të ishte një ishull i vetmuar. Pak a shumë, ashtu si Vllaznia e Shkodrës për shkak të mungesës 5 vjeçare të Besëlidhjes së Lezhës në 6 edicionet e fundit të Kampionatit Kombëtar.

Në thelb, Kampionati është copëzuar në “ishuj” dhe kompaktësia e tij mbetet të shijohet vetëm kur i afrohemi Bregdetit të Adriatikut, ku kryeporti mbetet gjithnjë në Durrës, në shpinë të të cilit në veri, lindje dhe jug mbështeten rradhazi Laçi, Kruja, Tirana 24 herë kampione, Dinamo 17 herë dhe Peqini e Kavaja. Kjo është kështjella për fat, e padorëzuar ende e dy prefekturave, asaj të Tiranës dhe të Durrësit.

2. Sa mund të ketë kuptuar FSHF?...

Federata Shqiptare e Futbollit, Komiteti i saj i njëanshëm Ekzekutiv, na e do mendja se më në fund do ta kenë kuptuar dështimin e eksperimentit përmes shkurtimit të skuadrave të Kampionatit në vetëm 10 apo 12. Tashmâ shpresa e saj për fuqizim cilësor të tij është venitur. Nuk u rrit cilësia e Kampionatit, nuk ndryshoi niveli i skuadrave, në tanësi nuk u shfaq një bukuri e vërtetë futbolli. Kurrsesi ndeshja e fundit e Kampionatit të 70-të Kombëtar, ajo vendimtare SK Tirana – Vllaznia, me gjithë fuqinë emocionale të saj, nuk mund të na bëjë të harrojmë të vërtetën shqetësuese të tanësisë së Kampionatit, të cilën mund ta përmbledhin në këto dukuri:

Ndeshje pa shumë përmbajtje, pa ritëm e shpejtësi, me vlera të paqëndrueshme teknike, ku me përjashtim deri diku të një apo dy skuadrave, nuk ka zhvillim apo përforcim të një futbolli të mirëfilltë taktik. Në të shumtën gara nuk tërheq spektatorë (mesatarisht as 2000 për ndeshje), dhe paqëndrueshmëri e papame e rolit të trajnerëve: 33 trajnerë për 12 skuadra mbrenda një stine – një rekord evropian i llojit! Dhe natyrisht, gjyqtarë të frikësuar dhe të pasigurtë, ndoshta jo vetëm për faj të tyre, por edhe për shkak të një trysnie të disakahesh. Bashkë me këto edhe shfaqjet e dhunës, në çastet e fundit madje, deri mbrenda fushës së blertë. Kur mandej shkojmë te infrastruktura, ndërsa i gëzohemi përtëritjes së fushave të lojës më mirë se asnjëherë tjetër në Shqipëri, në mjediset e tribunave, nën to dhe pranë tyre, shohim se ende asnjë stadium shqiptar nuk plotëson kushtet evropiane të një stili të vërtet civil që mbështjell arenat e futbollit. Dhe “kapaku i floririt”: e pakta 7 apo 8 ndeshje të vetëm javëve të fundit - me plot dyshime për paravendosje rezultatesh!

Këtu po ndalim për të mos guxuar që të mbërrijmë te të tjerat: më të rëndësishmet, strategjiket: te pavarësia financiare e klubeve ende shtetërore e “private” bashkë, të sunduara prej drejtimit “autokrat” të Federatës, jo të bashkuar në atë që duhej të ishte Liga e Kampionatit Kombëtar e pavarur.

Pamë në këte 2008-09 një Kampionat, i cili përfundoi nën melodinë e një dueti të vjetër, atij Tiranë-Shkodër, dhe të qetësisë së parakohëshme e pakta të pesë skuadrave: Dinamo, Teuta, Shkumbini, Flamurtari, Besa, që vetvetiu në epilog u shndërruan thuajse në spektatorë të ngjarjeve të të tjerëve. 16 pikët largësi të Dinamos, 24 pikët largësi të Teutës, apo Shkumbinit prej Kampiones SK Tirana, ndonëse edhe këto skuadra të peshës së Kampionatit, tregojnë për një nga largësitë më të mëdha çbaraspeshuese të viteve të fundit, edhe pse nënkupton meritën e Sportklub Tiranës dhe të Vllaznisë së Shkodrës, 4 pikë nën te. Ndërkaq, fundi dramatik me pesë skuadra në rrezik rënie deri në çastin e fundit duket se përbën një vlerë të kapshme të garës. Mirëpo, dihet, vlerat kurrnjiherë nuk mund t’i përmbajë fundi i renditjes së një Kampionati. Gjithmonë është lartësia ajo që bart vlera. Ishte një Kampionat ku roli i skuadrave, për ne të mëdha, si Dinamo, Teuta, Flamurtari, apo Besa, u përshkua përmes ulje-ngritjesh shpesh të papranueshme, po tashmâ, bindemi se përbërja e tyre, e pse jo, edhe puna që bëhet ndër to, nuk mund të na sigurojnë diçka më tepër.

Teknikisht, një Kampionat me mesataren më të ulët të shënimit të golave të 15 vjetëve të fundit, vetëm 2.15 (2.13 më 1994), me asnjë skuadër me 2 gola të shënuar për ndeshje dhe me plot 8 skuadra ndër 12, të cilat nuk arrijnë të shënojnë mesatarisht as edhe 1 gol për ndeshje, edhe kjo gjuhë shifrash, vetvetiu pëshpërit për varfërinë e spektaklit futbollistik në Shqipëri. Ajo është një mangësi golash që ndër ne nuk vjen si rezultat i mbrojtjeve të fuqishme të një taktike të zgjuar të stilit apenin…

3. Le ta pranojmë: eksperimenti dështoi!...

Sidomos me skemën e tri periudhave (fazave), që çoi në njëanshmëri të pafalshme: me rastin zâmadh të 7 ndeshjeve të fundit të periudhës së tretë, ku bie fjala, SK Tirana 6 i luajti në fushën e vet. Kaq mjafton për të hyrë Shqipëria e futbollit në kërshëritë e rralla të stinës evropiane 2008-2009. Një lloj njëanshmërie që cënon vetvetiu baraspeshën e kushteve të ecurisë së një Kampionati. Kroacia, nga ku mesa dimë është përvetësuar kjo skemë e 12 skuadrave me tri periudha, hoqi dorë: për 2009-10 ajo rritet në 16 skuadra, duke futur katër të parat e Ligës II, ndërkohë që e fundit, e 12-ta e Ligës I, luan ndeshje kualifikuese me të 5-tën e Ligës II.

A ka vërtet një arësye të fortë që Shqipëria të ndjekë detyrimisht këte skemë që tash për tash e kanë vetëm 8 shtete të Evropës: Danimarka, Izraeli, Moldavia, Mali i Zi, Irlanda e Veriut, Skocia, Serbia dhe Sllovakia? Kur dihet, se siç është vendi bëhet dhe kuvendi? Pa shkuar te klima, tradita, mundësitë, nevojat, stadi i ecurisë dhe zhvillimi kombëtar i futbollit. Çka na bën të mendojmë se do të ishte më mirë të bashkoheshim me skemën e shumicës evropiane të 30 e sa shteteve të tjerë. Në asnjë vend të Evropës nuk ngjet që në një kampionat me 12 skuadra, 4, pra një e treta e tyre, të përfshihen në paracaktimin e mundësisë së rënies një kategori më poshtë. Kjo do të thotë se kemi humbur kuptimin realist të Kampionatit Kombëtar të futbollit në vend. Mesa duket Shqipëria u bë i vetmi shtet i Evropës në vitet e Mbasluftës, ku një e treta e skuadrave të Kampionatit të parë të saj zbritën një kategori më poshtë. Iku KS Elbasani, iku Partizani, iku KS Lushnja, iku Bylis i Ballshit! Ikën 4 ndër 12!

Shqipëria është tepër larg kuptimti anglosakson të Kampionatit të saj: që thotë se qëllimi i një Kampionati Kombëtar të futbollit nuk është thjesht rënia apo mosrënia e një skuadre nga kategoria më e lartë te një më e ulët, por spektakli futbollistik i së dielës a i së shtunës, për të çlodhur familjen qytetare në një fund të javës, për të përjetuar emocione të një etike e estetike sportive, të një shpirti sportiv dhe kulturor së bashku, të një mbasdrekeje apo mbrëmbjeje çlodhëse për vetë qytetin, në arenat e futbollit që thuajse janë shndërruar si salla operash.

Federata Shqiptare e Futbollit në ngushtësinë e rrethit të saj po aq të ngushtë të Komitetit Ekzekutiv të saj, që padashur ndonjëherë të duket se është shndërruar gjithnjë në një zyrë po të ngushtë, ka ndikuar jo pak në cënimin e këtij kuptimi të Kampionatit Kombëtar të Shqipërisë. Ajo që kemi propozuar me kohë; që FSHF të ketë Këshillin e saj prej të cilit të lindë i ashtuquajturi Komitet Ekekutiv, një Këshill i cili do të bënte lidhjen e mendimit të Asamblesë së Futbollit me drejtimin Ekzekutiv të saj, tashmâ mendojmë se është bërë i domosdoshëm. Futbolli shqiptar sot rrezikon të mbarështrohet në vetëm pak duar, ose prej një grupi pjesëtarët e të cilit numërohen me gishtat e njërës dorë, çka ka krijuar një largësi kilometrike të lidershipit të saj me masën e gjërë futbollistike kombëtare. Ndoshta ka ardhur koha që të organizohet qoftë dhe një herë të vetme një referendum për riorganizimin e Kampionatit Kombëtar. Po Shqipëria dihet, nuk është Zvicër…

Nuk rritet cilësia e futbollit të një vendi, duke nxitur ndeshjet “e frikëshme” të tipit dalje apo mosdalje nga kategoria, një play-out të cilin kurrnjiherë Shqipëria nuk ka ditur ta mbajë nën fré. Ndeshja e Durrësit, ajo Kastrioti – Partizani, vërtetoi shumë. Skenat janë të papame dhe UEFA apo FIFA, jo pak herë ndërhyrëse në punët e futbollit shqiptar, kësaj rradhe vërtet që do të shtangeshin!...

4. Përse jo 16 skuadra dhe me dy periudha?...

Për të çliruar kështu sado pak Kampionatin prej ngushtësisë së tij, prej disa vargojve të çuditshëm futbollistikë, që padashur kanë ndrydhur vetë ndjenjat e mira të futbollit.

Jo thjesht sepse Shqipëria ka zhvilluar deri më sot plot 35 kampionate me 14 e më tepër skuadra dhe me vetëm dy periudha klasike (shkuarje e ardhje të barabarta). Na duhet t’i kthehemi një Kampionati me 16 skuadra e me 30 javë, jo sepse dy kampione të shquara si Partizani e KS Elbasani zbritën një kategori më poshtë. Në fund të fundit, këto dy skuadra të mirënjohura, kanë korrë atë që kanë mbjellë dhe nuk është një dramë as rënia e dytë e Partizanit 15 herë kampion dhe as rënia e skuadrës nobël të Elbasanit – edhe pse kampione e para tri vjetëve, kur dihet se jo larg, por edhe ajo para shtatë vjetësh gjithashtu luante një kategori më poshtë.

Drama është tjetërkund: kemi jashtë Kampionatit Kombëtar më shumë se gjysmën e qyteteve tradicionalë të futbollit kombëtar. E kemi ulur tejet “piazza-n” e Kampionatit të Shqipërisë. Nuk e kemi ulur thjesht ngaqë kanë shpërthyer forca të reja, klube të rinj modernë, me financa të fuqishme, me stadiume të një stili evropian të tipit teuton të një Wolfsburg apo Hoffenheim. Shqipëria është tepër e vogël për kësi përvojash. Pa dashur për të ulur asesi meritën e padiskutueshme të të riardhurve, në futbollin shqiptar ka ndodhur më e rënda: është shtypur maja, pa u shfaqur një majë tjetër më e fuqishme.

Shtimi i skuadrave në 16 është i domosdoshëm, jo vetëm për përfshirjen e skuadrave të qyteteve kryesorë dhe tradicionalë në Kampionatin Kombëtar, por mbi gjithçka për t’iu afruar afër 35 shteteve të Evropës që e zhvillojnë Kampionatin me 14 deri në 16, 18 apo 20 skuadra. Madje dhe për këto arësye:

- Do të kemi mudësi që një numër të bukur skuadrash, në këte rast 16, t’i drejtojmë njëkohësisht drejt një zhvillimi dhe ndërtimi modern.

- Do të mbërrijmë te Kampionati tradicional i Shqipërisë me dy periudha, shkuarje e ardhje të baraspeshuara për të gjitha skuadrat, që dihet, kanë qenë më të suksesshmit.

- Do të sigurojmë një Kampionat me 30 javë, tejet i pështatshëm për gjatësinë e stinës.

- Do të mënjanojmë dramat e rënieve dhe të mosrënive “të forta” të tipit Partizani – Kastrioti që rrezikojnë tejet etikën e futbollit, por dhe të marrëdhënieve midis qyteteve.

- Do të çdramatizojmë ndjenjat e pakëndshme që shpesh krijon futbolli i një rivaliteti artificial dhe do ta shndërrojmë ate në më të lirshëm, më festiv dhe më çlodhës.

Mëkat që na imiton edhe Kosova, e cila stinën e ardhshme do ta shkurtojë Kampionatin e saj nga 16 në 12 skuadra. Si “Nana Shqipëri”. Duke harruar se edhe nana mund të gabojë…

5. Dhe paksa gjeopolitikë të Kampionatit…

Do të paraqesim këte skemë “olimpike” të 70 Kampionateve të Shqipërisë. Ashtu siç veprohet në Lojërat Olimpike, po ndërtojmë Renditjen me “medalje”, ndonëse FSHF i jep medalje vetëm ekipit Kampion. (E patë si u zhduk si fajtore Vllaznia nga ceremonia e K70K, ndonëse ishte Nënkampione!?).

Gjatë 70 Kampionateve Kombëtare të Shqipërisë, skuadrat të cilat kanë fituar më shumë tre vendet e para, e pra permes Renditjes së tyre “olimpike” të Shqipërisë 1930-2009, paraqiten kështu:

I. II. III.

SK TIRANA / Tiranë 24 13 12
DINAMO / Tiranë 17 9 11
PARTIZANI / Tiranë 15 19 8
VLLAZNIA / Shkodër 9 11 16
KS ELBASANI / Elbasan 2 1 1
FLAMURTARI / Vlorë 1 6 3
TEUTA / Durrës 1 5 5
SKENDERBEU / Korçë 1 3 2
BESA / Kavajë - 1 11
TOMORI / Berat 1 -
LUFTËTARI / Gjirokastër - 1 -
BYLIS / Ballsh - - 1

Këta janë 12 “medalistët”, nëse do të mund t’i përcaktonim kësisoji. Prej tyre, për Kampionatin 2009-2010 do të kemi vetëm 7 tradicionalë: SK Tiranën, Dinamon, Vllazninë, Flamurtarin, Teutën, Sknderbeun dhe Besën!

Ka ndërkaq edhe një Renditje tjetër, ajo e pikëve të mbledhura gjatë 70 Kampionateve. Është kjo:

1. SK TIRANA / Tiranë 2429
2. PARTIZANI / Tiranë 2217
3. VLLAZNIA / Shkodër 2169
4. DINAMO / Tiranë 2167
5. TEUTA / Durrës 1743
6. FLAMURTARI / Vlorë 1599
7. KS ELBASANI / Elbasan 1588
8. BESA / Kavajë 1510
9. SKENDERBEU / Korçë 1154
10.KS LUSHNJA / Lushnje 1010
11.TOMORI / Berat 918
12.LUFTËTARI / Gjirokastër 863
13.APOLONIA / Fier 782
14.SHKUMBINI / Peqin 599
16.BYLIS / Ballsh 289

Mendojeni për një çast këte 16-she si përbërëse dhe pjesëmarrëse të një Kampionati me 16 skuadra! I paqortueshëm për kah gjeografia apo gjeopolitika kombëtare e futbollit, për kah qytetaria e tradita e futbollit, për kah emri e mundësitë sociale e të zhvillimit. Nuk ka një stonaturë. Nuk ka një artficialitet. Megjithate, ky është thjesht një shembull. Sepse askush nuk ka të drejtë të lëjë jashtë aktualitetin e fuqishëm: Laçin, Kastriotin e Krujës, Gramozin e Ersekës, të cilët me meritë të plotë janë bërë pjesë e 12-shesh së sotme të kësaj elite të sapo kompozuar. Dhe pa to Kampionati i 71-të Kombëtar as që mund të mendohet.

16-shja e mundshme për 2009-2010 do të duhej të përbëhej vetëm kësisoji:

1. SK TIRANA / Tiranë
2. VLLAZNIA / Shkodër
3. DINAMO / Tiranë
4. TEUTA / Durrës
5. SHKUMBINI / Peqin
6. FLAMURTARI / Vlorë
7. BESA / Kavajë
8. APOLONIA / Fier
9. LAÇI / Laç
10.SKENDERBEU / Korçë
11.KASTRIOTI / Krujë
12.GRAMOZI / Ersekë

Katër skuadrat e tjera do të duhej të delnin mbas një turneu kualifikues që do të mund të luhej midis kësaj katërsheje rënëse të Kampionatit 2008-09

BYLIS / Ballsh
PARTIZANI / Tiranë
KS LUSHNJA / Lushnje
KS ELBASANI / Elbasan

Si dhe të katërshes së dytë të kategorisë tjetër.

BURRELI / Burrel
DAJTI / Kamëz
TURBINA / Cërrik
ADA / Velipojë

Dhe nëse FSHF do të “guxojë” të ndërmarrë vendimin e drejtë të rritjes së numrit të skuadrava në 16 për një kampionat me dy periudha (faza) në 2009-10, kjo nuk do të duhej të bëhej me vendime zyre e me një rënë të lapsit. Ndoshta ky është çasti për një referendum me përfaqësuesit e klubeve me pyetjen: a mos i duhet kthyer Kampionatit me 16 skuadra?

Me të gjitha këto që thamë përsërisim: eksperimenti gjashtëvjeçar dështoi. Eshtë ky dhe regjistrojeni në histori:

2003-04: 10 skuadra dhe katër periudha!”
2004-05: 10 skuadra dhe katër periudha!”
2005-06: 10 skuadra dhe katër periudha!”
2006-07: 12 skuadra dhe tri periudha!”
2007-08: 12 skuadra dhe tri periudha!”
2008-09: 12 skuadra dhe tri periudha!”

Atëherë? Për 2009-2010?...

Po e mbyllim me proverbin e famshëm latin: “Errare humanum est, perseverare autem diabolicum” (“Me gabue është njerëzore, me këmbëngulë në gabim, është djallëzore”).


TemA

(Vota: 1)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: