Katastrofizmi/Rreziku vjen nga kozmosi
| E Shtune, 06.06.2009, 12:35 PM |

Mund të kishte qenë një skenë nga një film i Hollywood-it me fatkeqësi natyrore: një ish-astronaut i NASA-s tund para syve të të gjithëve një raport, i cili u bën thirrje Kombeve të Bashkuara që të ndërmarrin veprime urgjente me qëllim që të shmanget një katastrofë globale.

Por nuk ishte një takim si në filma. Në një mbledhje të zhvilluar në Vienë, Austri në nëntor të vitit që kaloi, ish-astronauti Rasëll Zhvaikart, u tha zyrtarëve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara se duhej që të ndërmerreshin menjëherë hapa të mëdhenj dhe emergjentë për të përballuar vetë rrezikun që shkaktojnë impaktet kozmikë.

Sipas një studimi ekspertësh që u prezantua në takim, një përplasje me një të ashtuquajtur Objekt Pranë Tokës - një prej mijëra copërave të mëdha të objekteve që vijnë në orbitën e Diellit shumë pranë Tokës - mund të shkaktojë "shkatërrim të tmerrshëm", duke bërë të duken si hiçgjë fatkeqësitë natyrore që jemi mësuar të shohim shpesh.

Jo shumë kohë më parë, komente të tillë do të ishin vënë në lojë prej komunitetit shkencor dhe do të konsideroheshin prej tij si paranojë thuajse fetare. Por jo më. Të parit e Tokës si një parajsë kozmike, që është formësuar prej proceseve të ngadaltë e të qendrueshëm të gjeologjisë, është hedhur në erë prej provave se planeti ynë vuan rregullisht nga katastrofa të një madhësive të tillë, që deri tani kemi menduar se u përkasin vetëm miteve dhe legjendave të lashtësisë.

Që nga dorëshkrimet e Babilonisë, deri tek kronikat e Epokës së Errët, përshkrimet e fatkeqësive që godasin me pasoja shkatërrimtare kanë qenë prej një kohe shumë të gjatë karakteristika të rrëfimeve për historinë e hershme të Tokës. Shumë përshkruajnë zjarre që bien si shi prej qiellit. Legjenda e Gilgameshit, e cila e ka burimin në Mesopotaminë e 4000 vjetëve më parë, përshkruan se si "shtatë gjykatësit e ferrit" ngritën pishtarët e tyre, duke ndezur flakë të gjithë Tokën dhe dërguan një stuhi, e cila e shndërroi ditën në natë. Duke shkruajtur më shumë se 2000 vite më vonë, kleriku britanik i Epokës së Errët, Gildas, përshkruante "një zjarr që zbriti nga qielli" aty rreth vitit 441 pas Krishtit, që bëri errësimin total të qiejve dhe shkaktoi migrim të njerëzve nga Anglia, me tokën që mbante shenja të shkatërrimit edhe një shekull më vonë.

Këndvështrimi dramatik për historinë e Tokës, që shfaqet sot, vështirë se mund të jetë më i ndryshëm nga ai i akademikëve dhe studiuesve modernë, qoftë edhe ata të një periudhe të afërt si vitet '80. Për shekuj të tërë, ideja e ngjarjeve kozmike që ndikojnë në jetën mbi Tokë shihej si një herezi nga Kisha, e cila i konsideronte katastrofat si provë të ndërhyrjes hyjnore dhe po kështu edhe nga establishmenti shkencor, i cili e injoronte duke e konsideruar thjeshtë supersticion.

Megjithatë, gjatë njëzetë viteve të fundit, pesha e dukshme e provave ka konfirmuar realitetin e katastrofave të dërguara prej qiejve - dhe ka zbuluar se sa pranë tyre jemi afruar në të kaluarën - siç është rasti i incidentit Tunguska 100 vjet më parë.

Dyshimet se "mitet" e katastrofave globale duhet të merren seriozisht, e kanë në fakt origjinën që në agimin e vetë shkencës moderne, në shekullin XVII. Në vijim të botimit të ligjeve të lëvizjes së Njutonit, si dhe gravitetit universal në vitin 1687, astronomi britanik Edmond Hallej, vendosi që t'i zbatojë këto ligje për misterin e kometave. Duke studiuar të dhënat e shfaqjes së tyre, Halley argumentoi se kometat e shndritshme të viteve 1456, 1531, 1607 dhe 1682 kanë qenë në fakt e njëjta kometë, që ka ndjekur një orbitë shumë të madhe eliptike përreth Diellit në përputhje me Ligjet e Njutonit. Por Hallej vërejti edhe diçka tjetër: një kometë që përshkonte orbitën e Tokës mundet që një ditë të përplaset me ne, me pasoja ndoshta shkatërrimtare.

Në dhjetor të vitit 1694, Hallej mbajti një leksion në Shoqërinë Mbretërore të Londrës, në të cilin ai deklaroi se Përmbytja e Madhe biblike mund të jetë shkaktuar prej impaktit të një komete. Ai madje argumentoi se veçori të tilla, si për shembull Deti Kaspik, mund të jenë shkaktuar prej ngjarjeve të tilla kataklizmike. Brenda disa ditësh, ai e kish tërhequr mbrapsht pretendimin e tij me sa duket nën trysninë eklesiastike. Kisha i shihte katastrofat si përmbytja e madhe, si një provë të fuqisë së Perëndisë dhe çdo lloj përpjekje për t'i shpjeguar ato duke përdorur shkencën, nuk inkurajohej aspak. Edhe kështu, leksioni i Halley do të vërtetohej si një pikë kthese, duke nxjerrë në pah për herë të parë dobësinë e Tokës përballë forcave kozmike.

Në shekullin e ardhshëm, të tjerë do të përpiqeshin gjithashtu që të vendosnin në baza shkencore rrëfimet biblikë mbi katastrofat, me matematicienin britanik të Kembrixhit, Uilliam Uiston që deklaronte se një analizë e orbitave kometare tregonte që Përmbytja e Madhe kishte ndodhur në vitin 2349 para Krishtit.

Deri në fillim të shekullit XIX, zoologu i shquar francez, Zhorzh Kuvie deklaroi se kishte gjetur prova të pakundërshtueshme për Përmbytjen e Madhe - në kuptimin e drejtpërdrejtë të fjalës. Duke studiuar mbetje gjeologjike përreth Parisit, ai kish gjetur që fosile të krijesave detare në një shtresë të lashtë ishin mbivendosur prej atyre të krijesave të tokës. Më pas, mu mbi vete, këto fosile krijesash tokësore kishin sërish fosile të krijesave detare - ku shtresa më e sipërme jepte prova për një përmbytje të madhe dhe të shpejtë përreth Parisit të kohëve të sotme. Kuvie i interpretoi këto ndryshime të befasishëm në të dhënat e fosileve si prova të katastrofave të menjëhershme, të cilat shkatërruan jetën në Tokë dhe prej të cilave përmbytja e Madhe ishte shembulli më i fundit.

Baza solide

Zbulimet e Kuvie, të botuara në vitin 1812, fituan mbështetjeen e një numri shkencëtarësh me famë, si gjeologu Xhejms Holl dhe pas kësaj u lind lëvizja "katastrofiste". Të tjerë ishin thellësisht skeptikë, megjithatë, duke vënë theksin në faktin se provat për një përmbytje globale nuk ishin aspak bindëse. Më skeptikët nga të gjithë ishin ndjekësit e gjeologut skocez, Xhejms Hatën, themeluesi i pikëpamjes "uniformitariane" të historisë së Tokës. Në vitin 1795, ai kishte botuar një tekst dyvëllimësh bazuar në pikëpamjen se proceset e ngadaltë dhe të vazhdueshëm që i japin formë planetit tonë sot ishin gjithashtu shumë të rëndësishëm në të kaluarën e largët.

Uniformitarianizmi ishte një ide e fuqishme, e cila u lejonte gjeologëve që të ekstrapolonin nga ajo çfarë mund të shihnin në të tashmen, për të ngritur pyetje në lidhje me historinë e Tokës. Avokati më i fortë i kësaj pikëpamjeje ishte një tjetër skocez, avokati dhe gjeologu Çarls Lajëll, i cili e shihte katastrofizmin si një përpjekje të fanatikëve fetarë për të fituar besueshmëri shkencore për besimet e tyre. Lajëll tregoi se "provat" e Kuvie për Përmbytjen e Madhe mund të shpjegoheshin me ndryshimet gradualë në nivelin e detit, duke sulmuar njëkohësisht katastrofistët se po tregoheshin shumë të prirur për të dhënë shpjegime supernatyrorë. Deri në vitet 1830, libri me shumë ndikim i Lajëll, "Parimet e Gjeologjisë", kishte siguruar që pretendimet për katastrofë globale ishin menjëherë të lidhur me supersticionin e tepruar. Megjithatë, ndërsa Lajëll kishte treguar se provat për katastrofat e të shkuarës nuk ishin bindëse, ai nuk kishte treguar nga ana tjetër as që ato ishin të pamundura. Ajo çfarë ai kish bërë ishte që të garantonte se çdo lloj kundërshtimi ndaj uniformitarianizmit do të haste në vështirësi shumë të mëdha në 150 vitet e ardhshëm.

Disa shenja se nga do të vinin këto kundërshtime nisën të shfaqen edhe teksa Lajëll ndërtonte idenë e tij kundër katastrofizmit. Për shekuj të tërë kish patur zëra për gurë që binin nga qielli, por të gjitha ishin hedhur poshtë si thjeshtë legjenda popullore - e gjithë kjo deri në 26 prill të vitit 1803, domethënë në kohën kur meteorët ranë si shi nga qielli në fshatin Aigle në Normandi, Francë. Një investigim i kryesuar nga astronomi i shquar franbcez, Zhan Biw, tregoi se gurët kishin ardhur me të vërtetë nga hapësira.

Shkencëtarëve iu desh shumë më tepër kohë që të pranonin se meteorët e mëdhenj mundej që edhe ata të godisnin Tokën. Në fundin e viteve 1890, Gruv Gilbert, kryegjeolog në Vëzhgimin Gjeologjik të SHBA, vendosi të inevstigojë të dhënat për numrin e madh të meteorëve që zbuloheshin dhe nxirreshin nga nëntoka përreth një krateri 1.2 kilometërsh në shkretëtirën e Arizonës. Duke mos arritur të gjejë një meteor gjigant në këtë krater, Gilbert argumentoi se ai duhej të ishte formuar nga një flluskë avujsh në shkëmbin dikur të shkrirë - duke injoruar kështu mundësinë që meteori mund të kish pësuar vaporizim pas impaktit. Në vitin 1906, Daniel Berringër, një inxhinier minierash amerikan, botoi prova që lidhnin kraterin e Arizonës me një impakt, por gjithësesi nuk arriti të bindë establishmentin shkencor - qoftë edhe prej faktit që në dokumentin shkencor ku përshkruante teorinë e tij, ai vinte në lojë konkluzionet e Gilbertit.

Do të duhej të kalonte shumë kohë dhe të vinin vitet '50 përpara se një brez i ri gjeologësh të pranonin origjinën kozmike të atij që sot quhet Krateri i Meteorit.

Një tjetër shenjë që tregonte për origjinën kozmike të katastrofave globale u shfaq në vitet '30, me zbulimin e asteroidëve të parë që lëviznin në orbita, të cilat ndërprisnin orbitën e Tokës. Kjo e nxiti astronomin amerikan, Harvej Nininger, që të thoshte se asteroidë të tillë herë pas here mund të godisnin tokën, me pasoja katastrofike.

Në vitin 1942, ai deklaroi se impakte të tillë mund të shpjegojnë diferencat përndryshe të pashpjegueshme në të dhënat e fosileve, që tregonin për shfarosje masive të jetës mbi tokë disa herë gjatë qindra milionë viteve të fundit.

Deri në mesin e viteve '50, disa shkencëtarë sugjeronin që një impakt meteori 65 milion vjet më parë mund t'i ketë dhënë fund mbretërimit 100 milion vjeçar të krijesave më të suksesshme që kanë jetuar ndonjëherë mbi Tokë: dinosaurëve. Ndonëse intriguese, kjo ide mbeti kryesisht spekulative dhe provat jobindëse.

Një gjë e tillë ndryshoi në vitin 1980, kur një ekip shkencëtarësh nga Universiteti i Kalifornisë, Berklej, më në fund publikuan prova të fuqishme për t'i dhënë fund mbizotërimit 150-vjeçar të uniformitarianizmit. Të udhëhequr nga fizikani amerikan, fitues i çmimit Nobel, Luiz Alvarez, ekipi kishte studiuar të dhënat e fosileve të shfarosjes së dinosaurëve. Ata zbuluan se mostra të argjilës që i përkisnin kohës kur kish ndodhur ngjarja përmbanin nivele shumë të lartë iridiumi, një element ky relativisht i zakonshëm tek meteorët.

Pasojat e provave që tregonin nivele kaq të lartë iridiumi ishin dramatike, duke treguar për impaktin e një meteori shumë të madh me një diametër ndërmjet pesë dhe dhjetë kilometra. Një ngjarje e tillë do të kish shkaktuar një zjarr gjigant global, me tymin dhe hirin që do të kishin bllokuar dritën e diellit për muaj të tërë, duke shaktuar kolapsin e zinxhirëve të ushqimit. A mund ta shpjegojë kjo zhdukjen e dinosaurëve?

Thjeshtë shenja e një rikthimi në katastrofizëm provokoi një reagim shumë të ashpër nga shumë shkencëtarë.

Kritikët argumentuan se shtresa e iridiumit mund të kish ardhur prej shpërthimeve të mëdhenj vullkanorë që dihet se kanë ndodhur pothuajse në të njëjtën kohë dhe pohuan se dinosaurët kishin nisur tashmë të zhdukeshin për shkak të impaktit të supozuar të këtyre vullkanëve.

Por edhe kështu nisën të dalin prova të reja që mbështesnin idenë e një katastrofe globale 65 milion vjet më parë. Në vitin 1988, një ekip ndërkombëtar shkencëtarësh zbuloi ekzistencën e një shtrese bloze mu mbi shtresën e iridiumit në shumë vende përreth botës - me sa duket e shkaktuar prej një zjarri global. Të tjerë gjetën prova të një cunami gjigant të krijuar në gjirin e Meksikos afërsisht 65 milion vjet më parë.

Kthesa erdhi në vitin 1990, kur gjeofizikanë amerikanë në Universitetin e Arizonës zbuluan ekzistencën e një strukture shumë të madhe rrethore të varrosur në brigjet e Meksikos. Me një diametër 180 kilometra, Krateri Shiksulub është me madhësinë e duhur dhe në vendin e duhur për të shpjeguar të gjithë anomalitë e tjera - dhe ai është gjithashtu 65 milion vjeçar.

Të ndodhur përballë provave të tilla kaq bindëse, shumica e shkencëtarëve tashmë e pranojnë se një meteor gjigant e ka goditur vërtetë Tokën 65 milion vjet më parë, duke shaktuar një katastrofë globale. Dhe pranojnë se mund të ndodhë sërish.

Ndërkohë që procese uniformitarianë si erozioni nuk ka asnjë dyshim që luajnë një rol madhor në formësimin e planetit tonë, ngjarjet katastrofiste kanë patur gjithashtu një efekt dramatik. Të dhënat e fosileve tregojnë prova për të paktën pesë shfarosje masive, me më të madhen që të ketë ndodhur 250 milion vjet më parë, duke eleminuar 70 përqind të kafshëve të Tokës dhe 95 përqind të jetës detare.

Por kjo nuk është një fatkeqësi e pazbatuar: shpesh herë, shfarosjet në masë lejojnë forma jete dikur të shtypura që të lulëzojnë - pas zhdukjes së predatorëve të tyre.

Rishfaqja e katastrofizmit si një koncept shkencërisht i besueshëm u sinjalizua në një mënyrë spektakolare në korrik të vitit 1994.

Kometa "Këpucari Levi 9" goditi Jupiterin me një forcë më të madhe se sa shpërthimi i të gjithë arsenalit botëror të armëve bërthamore. Shumë shkencëtarë shpresuan se kjo ngjarje do të shërbente si paralajmërim për qeveritë për nevojën që të ndërmerren veprime për të mos lejuar që qeniet njerëzore të pësojnë fatin e dinosaurëve. Megjithatë, deri tani përpjekjet për t'u marrë me këtë rrezik kanë qenë thuajse zero. Projekte të tillë si Vëzhgimi i Rojës së Hapësirës i NASA-s kanë identifikuar deri tani vetëm afro 80 përqind të objekteve pranë Tokës, impakti i të cilëve do të shkaktonte një katastrofë globale.

Megjithatë, siç e dëgjuan edhe zyrtarët e OKB në takimin e nëntorit të vitit që kaloi, impakti i objekteve pranë Tokës me një diametër jo më shumë se 50 metra mund të shkatërrojë hapësira shumë të mëdha - siç është parë në Tunguska. Deri sot, vetëm një pjesë shumë e vogël objektesh të tillë janë kataloguar dhe pikasur.

Ndërkohë, objektet pranë Tokës vazhdojnë të na bëjnë surpriza të pakëndshme. Pak përpara takimit të OKB, një astronom në Takson, Arizona zbuloi një objekt pranë Tokës, i cili ndodhej në një kurs përplasjeje me Tokën.

Fatmirësisht, objekti - të cilit iu vendos emri i koduar 2008 TC 3 - ishte vetëm pak metra në diametër. Pavarësisht kësaj, brenda 24 orësh ai kishte hyrë në atmosferën mbi Sudanin Verior, në Afrikë dhe shpërtheu me një forcë të barabartë me 1000 tonë tritol.

Me uniformitarianizmin tashmë një mit thjeshtë komfortues, ngjarje të tilla mund të fitojnë domethënien që kishin në lashtësi, si paralajmërime të së ardhmes, që injorohen duke na vënë në rrezik.

Nuk është lajm dhe aq i keq

Pavarësisht emrit që tingëllon negativisht, katastrofizmi ka gjithashtu një anë më pozitive. Në fakt, ne qeniet njerëzore ndoshta duhet të falenderojmë për supremacinë tonë pikërisht impaktit katastrofik të meteorit, si dhe shpërthimeve vullkanikë që shkaktuan shfarosjen e dinosaurëve 65 milion vjet më parë. Me ikjen e këtyre krijesave gjigante të mirëpërshtatura, të tjera do të mund të zhvilloheshin - dhe brenda 10 milion viteve sisorët ishin shndërruar në formën dominuese të jetës në Tokë. Megjithatë, edhe dinosaurët vështirë se mund të ankohen për fatin e tyre: edhe ata duket se kanë përfituar nga shfarosja masive më e madhe në historinë e planetit tonë, atëherë kur 70 përqind e vertebrorëve tokësorë u zhdukën 250 milion vjet më parë. E njohur si shfarosja Permian-Triasik, shkaku i saj mbetet subjekt i shumë studimeve dhe ku dyshimet më të mëdhenj janë impakte të meteorëve, shpërthime vullkanikë ose ndryshime klimaterikë dramatikë.

Roja i hapësirës

Në vitin 1989, një asteroid i vogël kaloi shumë pranë Tokës - dhe shkaktoi një panik që solli një përpjekje ndërkombëtare për të kataloguar të gjithë Objektet Pranë Tokës, që përbëjnë rrezik për planetin tonë. Asteoridi 300 metra i gjerë që shkaktoi panikun, me emrin e koduar 4581 Asklepi, shmangu me më pak se gjashtë orë përplasjen me Tokën. Nëse do të kishte goditur, shkatërrimi do të kishte qenë ekuivalent me shpërthimin e mijëra bombave me hidrogjen.

Për të shmangur panikë të tillë në të ardhmen, NASA ngriti Rojën e Hapësirës, me qëllimin fillestar zbulimin dhe gjurmimin e çdo Objekti Pranë Tokës, që është më shumë se 1 kilometër në diametër - pra aq i madh sa të shkaktojë shkatërrim në shkallë globale. Mendohet se ekzistojnë 950 objekte të tillë dhe deri sot janë gjetur vetëm 80 përqind e tyre.

NASA ka nisur tashmë fazën e dytë të vëzhgimit, që është gjetja e gjurmimi i 90 përqind të Objekteve Pranë Tokës, që janë që nga 140 metra në diametër. Megjithatë, deri tani janë gjetur vetëm 10 përqind e numrit të tyre.

DY TEORITE

KATASTROFIZMI

Këndvështrimi që ngjarjet katastrofike kanë luajtur një rol madhor në historinë e Tokës. Pavarësisht se ishte pikëpamja dominuese për mijëra vite, katastrofizmi humbi mbështetje në fillim të shekullit XIX. Pranimi kohët e fundit i rolit të impakteve kozmikë ka sjellë ringjalljen e tij, ndonëse në një formë shumë më shkencore.

UNIFORMITARIANIZMI

Gjeologu skocez i shekullit XVIII, Xhejms Hatën, sugjeroi që proceset që formësojnë planetin tonë sot, si erozioni, ishin njësoj të rëndësishëm në të kaluarën e largët. I mbështetur nga shumë gjeologë me ndikim, uniformitarianizmi u forcua edhe më, duke sugjeruar që katastrofat globale nuk janë gjë tjetër përveçse supersticione frikësues.

"Shanset janë një në njëqind"

Jo më pak katastrofikë se impaktet kozmikë janë të ashtuquajturit supervullkanë - një prej të cilëve ndodhet mu poshtë Parkut Kombëtar të Jelloustoun në Uajoming. Stivën Self, vullkanolog i Komisionit Rregullator Bërthamor në SHBA flet në lidhje me rrezikun.

- Çfarë e bën veçanërisht interesant supervullkanin e Jelloustoun?

Eshtë një supervullkan shumë i madh. Ka shpërthime rastësore shumë të mëdhenj, ndryshe nga, le të themi Taupo në Zelandën e Re, i cili ka të njëjtën fuqi përgjatë të njëjtës periudhë kohe, por me shpërthime më të shpeshtë e më të vegjël. Jelloustoun është një prej vetëm pesë shembujve të madhësisë së tij që janë aktivë sot në Tokë. Plus që ai ndodhet në SHBA, kështu që merr më shumë vëmendje se të tjerët. Ndoshta nuk do të ketë më një shpërthim shumë të madh për dhjetëra mijëra vite, që është praktikisht më shumë se sa koha e nevojshme për ndërtimin e diçkaje të tillë si shoqëria moderne. Por për gjeologët, të cilët miliona vite i lëvizin me një të rënë të lapsit, është një rrezik i madh dhe real.

- A mendoni se është tepruar me rrezikun për katastrofa natyrore?

Jo. Në fund të fundit, një ditë një katastrofë e tillë do të ndodhë. Problemi i vërtetë me supershpërthimet është se ne nuk e kemi idenë se sa shumë vullkane në tokë mund të shkaktojnë një katastrofë, apo në çfarë gjendje janë ata, aktivë ose jo. Nëse ka më shumë se afro 100 vullkanë, statistikat që njëri të ndodhte në të ardhmen do të ndryshonin në mënyrë të konsiderueshme dhe mund të perceptohen si rrezik real. Edhe një shpërthim i vogël - që do të nxirrte 100 kilometra kub material - do të shkaktonte një tragjedi të vërtetë, kështu që të përgatitemi me sadopak dije është më mirë se sa të rrimë në injorancë verbuese.

- Cilët janë risqet për këtë shekull?

Prej mijëra vitesh nuk ka patur një shpërthim prej afro 100 kilometra kub. Për momentin, vlerësimi im më i mirë - e pranoj i bazuar në shumë pak të dhëna - është se janë një në njëqind shanset për një supershpërthim që shkon deri në 500 kilometra kub deri në fund të këtij shekulli.

INCIDENTI I TUNGUSKAS

Në mëngjesin e 30 qershorit 1908, fshatarë në Siberinë e largët u bënë dëshmitarë të efekteve të tmerrshëm të katastrofizmit. Dëshmitarë okularë thanë se kishin parë një lëmsh të zjarrtë gjigant në qiell, përpara se ky të shpërthente duke u dëgjuar deri 800 kilometra larg.

Do të kalonin edhe 20 vite përpara se të dilnin të dhënat e para, atëherë kur shkencëtarët mbërritën në epiqendër, në Lumin Tunguska. Ata panë aty një skenë shkatërrimi të pamasë që mbulonte qindra kilometra katrorë, me mijëra pemë të shkrumbuara që qëndronin në këmbë si kunja shkrepëseje, të anuara në drejtim të kundërt nga qendra e shpërtimit. Analiza e mostrave të marra në vendngjarje tregoi se shkaku ishte ndarja e një asteroidi 50 metra të gjerë, i cili shpërtheu me fuqinë e një bombe 15 megatonëshe me hidrogjen.


RD

(Vota: 1)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: