Dhjetë vitet që ndryshuan Tokën
| E Merkure, 03.06.2009, 05:25 PM |

Fotot e bëra nga NASA flasin për një planet që falë nesh nuk është më ai i pari

1999-2009, kur dora e njeriut është treguar shumë e ashpër me natyrën

Një ishull formohet, një liqen thahet, pyjet mund të zhduken: NASA ka dokumentuar në internet pamje se si ka ndryshuar Toka në dhjetëvjeçarin e fundit, me një sërë fotosh satelitore, të pabesueshme dhe të tmerrshme në të njëjtën kohë.

Dhjetë vjet ndryshime

Me rastin e dhjetëvjetorit të "Nasa Earth Observatory", organizata që merret me publikimin e fotove onlajn për NASA-n, sajti ka bërë publike imazhet e dhjetë viteve të fundit të aktiviteteve të "EOS", sistem i agjencisë ajrore amerikane të satelitëve që kontrollojnë sipërfaqen e globit. Faqja e internetit ka dokumentuar kështu rezultatet e kërkimit mbi klimën dhe ka treguar efektet e katastrofave natyrale. Për këtë përvjetor, shkencëtarët kanë publikuar edhe një projekt special, të quajtur "World of Change". Të ndara vit pas viti, nga viti 1999 e deri më sot, imazhet satelitore tregojnë se si ndërhyrjet e njeriut kanë ndryshuar rrënjësisht natyrën dhe për rrjedhojë edhe "fytyrën" e planetit tonë.

Puna e NASA-s

"Nasa Earth Observatory" është burimi kryesor i imazheve satelitore dhe informacioneve shkencore për sa i përket Tokës të parë nga publiku. Aktiviteti i saj përqendrohet sidomos te klima dhe ambienti. Kështu, nëse sot ekziston një faqe onlajn, ku kanë të gjithë akses, siç është ajo e "Earth-Observatory", kjo është padyshim meritë e shkencëtarëve të NASA-s, Yoram Kaufman dhe David Herring. Faqja e internetit është një bibliotekë që përmban një seri imazhesh të jashtëzakonshme të shkrepura nga lart. Njëra prej tyre, një pamje spektakolare e Tokës me ngjyra, është bërë jashtëzakonisht e famshme: e njohur ndryshe si "Blue Marble", ajo është edhe imazhi që shfaqet mbi ekranet kur ndez iPhone-t e "Apple"-it.

Liqeni i tharë

Të vizitosh sajtin e "NASA Earth Observatory" është në çdo rast një eksperiencë interesante dhe mbresëlënëse. Aty, përveçse tregohen fotografi të Tokës, të realizuara me teknologji të avancuara, sajti propozon edhe galeri ku janë mbledhur imazhe që tregojnë ngjarje klimatike dhe kataklizma të llojeve të ndryshme: nga stuhitë e rërës, uraganet, e deri te blloqet e akullit që shkrihen nga zjarret e dhunshëm.

Një nga shembujt më drastikë të propozuar nga NASA është ai që dokumenton tërheqjen e ujërave nga liqeni i Aralit, mes Kazakistanit dhe Uzbekistanit, i konsideruar dikur si liqeni i katërt më i madh në botë, me një sipërfaqe prej 68 mijë kilometrash katrorë. Sot, nga ai liqen ka mbetur shumë pak. Që kur në vitet ‘60 Bashkimi Sovjetik i atëhershëm filloi të shfrytëzonte degët më të rëndësishme, mes të tjerash për të vaditur plantacione gjigande pambuku, niveli i ujit të këtij liqeni gjigand ka nisur të bjerë vazhdimisht në mënyrë drastike.

Zhdukja e Amazonës

Se sa shpejt njeriu mund ta ndryshojë Tokën, është shumë e dukshme në fotot satelitore, në pyjet e dendura të Amazonës, në provincën braziliane të Rondonias. Procesi i shpyllëzimit duket i pandalshëm, i nxitur në një pjesë të mirë nga rritësit e kafshëve dhe nga kompanitë shumëkombëshe të sektorit agro-ushqimor. Në 30 vitet e fundit, sipas asaj që kanë treguar kërkuesit e NASA-s, janë prerë në total më shumë se 67764 kilometra katrorë pyje.

Diga në Las Vegas

Në mesin e viteve ‘60, liqeni Kolorado në veri të Las Vegasit u prish. Rezultati ishte Lake Pouell: një basen i madh mbledhës që furnizon me ujë të pijshëm disa pjesë të Utah, Arizonës, madje edhe të Kalifornisë. Ndërkaq, është vend i famshëm edhe për stabilimentet turistike dhe sportive që gjenden aty. Në një foto të satelitit të NASA-s, "Landsat 5", në vitin 1999, duket akoma një liqen i thellë dhe i begatë. Vetëm shtatë vjet më vonë, situata ka ndryshuar dukshëm. Për shkak të tërheqjeve, niveli i ujit ka rënë në mënyrë dramatike.

Palma në Dubai

Një tjetër shembull i asaj se si njeriu e ka deformuar planetin gjatë dhjetëvjeçarit të fundit, vjen edhe me fotot e shkrepura në Dubai. Në fakt, që prej disa vitesh është në ndërtim e sipër ishulli i famshëm në formë palme: Jumeira Palm Island, i pari nga tre të tillë të parashikuar në projekt. Sekuencat e propozuara nga fotot satelitore tregojnë se nga viti 2000 e deri më sot, mund të lindë një ishull artificial superluksoz, që është njëkohësisht edhe ishulli më i madh në botë i ndërtuar nga dora e njeriut.


G. Shqip

(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: