Penelope Cruize: Takimi me Nënë Terezën më ka ndryshuar jetën
| E Marte, 02.06.2009, 05:31 PM |

Të gjithë të çmendur për Penelope. Diva spanjolle ende nuk ka vendosur se ku do të festojë çmimin "Oskar", të fituar si aktorja më e mirë joprotagoniste për filmin "Vicky Cristina Barcelona", ndërkohë që tani konfirmohet si aktorja "më e nxehtë" e momentit. Shfaqet më sensuale se kurrë në rolin e një studenteje të re që shkakton dëshirën dhe xhelozinë e një profesoreje të pjekur të universitetit në filmin "Elgy-leksione dashurie" dhe në rolin e një ish-prostitute që aspiron të bëhet aktore në "Përqafime të thyera", filmi më i ri i Pedro Almodovar. Ndërkohë, ka shumë pak kohë që ka përfunduar xhirimet për muzikalin "Nine", që merr shkas nga kryevepra e Frederico Fellinit 8/12, në krah të yjeve si Daniel Day-Lewis, Sophia Loren dhe Nicole Kidman.
 
Heroinat tuaja janë femra me tërheqje dhe sensualitet të parezistueshëm, shpesh të përfshira në skena hot?

Kur një film e kërkon, nuk kam asnjë problem që të xhiroj skena të këtij lloji. Por, përse duhet të flitet vetëm për gjëra të këtij lloji?!

Pedro Almodovar ju ka dashur vetëm ju si protagoniste në filmin e tij të shtatëmbëdhjetë, "Përqafime të thyera"?

Pedro më ka besuar rolin e Lena-s, një e mbijetuar me ëndrrën për t'u bërë aktore dhe që di të luftojë. Ndoshta pak më ngjan. Kam lindur me kordonin e kërthizës rreth qafës, jam tipi që shkon paksa kundër rrymës dhe nuk kam frikë të ndryshoj. Udhëhiqem nga instinkti dhe nga kurioziteti im. Almodovar është miku im më i mirë, autori më i madh bashkëkohor. Takimi me Pedron ka qenë një ndër më të rëndësishmit në jetën time.

Takime të tjera të rëndësishme?

Nuk mund të harroj takimin me Nënë Terezën e Kalkutës. Gjithashtu, me Dalai Lama-n. Janë dy takimet që më kanë ndryshuar jetën.

Po ai me Javier Bardem?
 
Javier është një aktor me një talent të pabesueshëm. Nuk them më shumë.

Pse kaq në mbrojtje, ndoshta sepse qarkullojnë zëra se historia juaj është në krizë?

Të qëndrosh në mbrojtje, është një strategji që mësohet nga eksperienca për t'u mbrojtur.

Ku ndihesh e mbrojtur?

Në shtëpinë time, në Madrid. Kam një apartament dhe në Los Angeles, por Madridi është qyteti im, aty jeton e gjithë familja ime, është pika ime e qëndrimit.

Flasim pak për këtë familje kaq të bashkuar?

Familja ka qenë gjithmonë mbështetja ime. Kur në moshën 13- vjeçare u kam thënë se do të bëhesha aktore, ata ishin në krahun tim. Kur kam xhiruar filmin tim të parë të rëndësishëm "Prosciutto, prosciutto", i Bigas Luna (në vitin 1992, me disa skena "hot") pas një tensioni fillestar, më kanë kuptuar. Kam marrë forcën e nënës sime; motra ime Monica është shoqja ime më e mirë, madje së bashku punojmë si stiliste.

Projektet tuaja?

Shpresoj të bashkëpunoj përsëri së shpejti me Sergio Castellino. Kontaktet tona janë në fillim, gjithashtu do të më pëlqente të xhiroja me Gabriele Muçino. Adhuroj Italinë, kulturën e saj, ushqimin dhe italianët.

Si shkoi puna në sheshin e xhirimeve të filmit "Nine"?

Jam shumë e gëzuar për këtë film. Kam bërë shumë prova përpara se të merrja këtë rol. Kam studiuar balet për 17 vjet dhe më në fund mund të kërcej dhe të këndoj. Emocioni i takimit në shesh-xhirim me Sophia Loren, është nga ato që nuk mund të harrohet.


Gazeta Shqiptare

(Vota: 1)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: