Naser Aliu: Letër grave...
| E Shtune, 16.05.2009, 04:00 PM |

Naser Aliu, pikturë
Letër grave...

Lexuat letrën e bashkëshortes time, më akuzuat padrejtësisht, ja përgjigja ime...Sherifi

Nga Naser Aliu

Zoti që kur krijoi njeriun parashikoi rregulla të përkufizuara mirë. Nuk i krijova unë, por Zoti. Detyra jonë është t´i praktikojmë ato. Gruaja ime është e imja, siç janë të miat: makina, banesa dhe veshmbathjet e mia. Nëse më gërvisht dikush makinën, unë acarohem dhe denoncoj, nëse dikush prek edhe pa dashje gruan time, e dërgoj në spital, sepse ka prekur pronën time private.

Asaj i kam falur mbiemrin tim. Duke i dhënë mbiemrin kam treguar pushtetin dhe rregullat e lojës për këtë jetë. Nëse nuk donë, mund të detyrohet, nëse jo me fjalë, atëherë dhuna e riedukon. Për të mirën e saj, nesër më falënderohet. Së paku një herë në ditë ajo duhet ta ndjejë peshën e dominimit tim, qoftë fizik, qoftë verbal, varet se ç´kërkon situata...

Mbiemrin ia kam huazuar për përdorim, derisa t´i nënshtrohet rregullave morale të mia. Në familjen tonë në dyqind vitet e fundit ( ndoshta edhe më shumë) nuk ka pasur shkurorëzime dhe, nuk mund të ketë. Edhe nëse ndodhë, atëherë fëmijët mbeten tek unë. Ajo mund ta marrë një trastë në dorë dhe përjashta...Shkurorëzim mund të bëhet nëse vdes ajo, jo nëse vdes unë, sepse edhe pas vdekjes sime, në supet e saja rëndon mbiemri im: mbiemri disiplinues, rikujtues dhe qortues. Pas vdekjes sime, ajo duhet të kujdeset për fëmijët dhe nuk guxon të martohet. Të ecë kokulur dhe e mërzitur. Pas vdekjes së saj unë duhet të martohem sa më shpejt që është e mundur, brenda jave, sepse fëmijët kanë nevojë për përkujdesje dhe unë duhet ta vazhdojë jetën time. Të mos bëhem rezil, sepse martesa e burrit pas vdekjes së gruas, është vepër preventive...

Pse duhet trajtuar gruaja si një gurë i çmueshëm? Zoti e ka pllakosur me bukuri të jashtëzakonshme, bukuri që e bën tunduese për rrethin dhe për ta mbrojtur këtë është detyrë e imja.

Nëse shikoni gruan nga prapa është e bukur dhe ngashënjyese. I shikoni flokët e saja, të mrekullojnë. E ktheni pak anash dhe shikoni vithet, t´i merr mendtë. E rrotulloni në anën tjetër, po ato përshtypje marramendëse. E shihni nga para shquhen sytë e saj të mëdhenj, faqet e bukura engjëllore, buzët e kuqe, qafa e gjatë, gjoksin e fryrë e të mrekullueshëm, belin e ngushtë dhe këmbët e gjata që duket se nuk mbarojnë kurrë.

Çdo gjymtyrë e saj është e përkryer dhe marramendëse: ajo rrezaton një mori dëshirash, provokon edhe kur qan, edhe kur qesh. Ajo rrezaton dalldi dhe shkakton turbullim të brendshëm!

Është një koncert dëshirash dhe instrument qetësues. Ajo është një diamant dhe po e la në liri, ta vjedhin. Ta vjedhin sepse ajo është cak i gjuetarit.  Si nuk lejohet lopa të shkojë vet në treg, edhe gruaja nuk mund ta posedoj  këtë liri. Bukuria e saj duhet fshehur, se ngacmon rrethin, dalldis ambientin... Prandaj jashtë shtëpisë një bisht pas, një pasanik...Koka saj, nën këmbën time, si e gjarprit!

Mashkulli që në kohën e gurit ishte gjuetar dhe i lejohet, por një burrë i vërtetë nuk toleron që gruaja e tij të dalë e bukur në qytet. E bukur dhe pushtuese vetëm në shtratin tim. Kurrë jashtë. Unë si Sherif kam frikë nga konkurrenca dhe shumë herë besoj se të tjerët janë më të mirë se unë, prandaj burri i vërtetë dominon për ta evituar konkurrencën! Burri me brinjë, sjellë konkurrencën në shtëpi!

Burri edhe nëse bëhet i përdalë, është mashkull i vërtetë, por nëse bëhet zonja e shtëpisë, atëherë ajo bëhet kurvë dhe fëmijët bëhen bijë të kurvës.

Detyra e Sherifit është t´i parashikojë situatat, t´i analizojë mirë dhe t´vlerësojë drejtë e burrërisht. Edhe pse Sherifi jeton në Gjermani, nuk është gjerman. Ai ka ardhur me software të instaluar këtu dhe nuk ka birë nëne që mund ta ndryshojë. Edukatën time të pastër dhe burrërore e përfitova nga babushi, dhe ky nga gjyshi im, sa i përket grave, mësimet e nanushit janë të pazëvendësueshme!

Kur futem në shtëpi bashkëshortja duhet të ngrihet, të më përshëndesë dhe pyes: a jam i lodhur, a kam uri, a dua kafe dhe të mos ulet kurrë para se të ulem unë. Pa marrë parasysh a vij nga puna apo nga argëtimi. Duhet të më marrë pallton apo të ma japë kur dal jashtë. Të m´i pastroj këpucët dhe të më përcjell deri te dera.

Këto janë rregullat elementare që duhet´i respektojë një grua e mirë, grua me moral. Për të qenë e dashur dhe  e respektuar: ajo duhet të jetë: nënë, edukatore, grua trasgresive, dashnore, kuzhiniere e mirë, kameriere e përkryer dhe e gatshme për dëshirat e mia. Në çdo çast! Nëse mungon diçka nga ato, atëherë, ajo grua nuk meriton burrë të vërtetë dhe nuk shkon në parajsë.

Ajo nuk mund të ketë dëshira, sepse dëshirat dhe planet e mia janë ligj. Këtë nuk po e zbuloj unë, por kështu është kodifikuar. Detyra e saj nuk është të mendojë, por të veprojë, të menduarit është obligim mashkullor. Pa lejen time ajo nuk futet as në parajsë.

Para nanushit ajo duhet të rrijë gatitu, se e ka për detyrë, edhe para mysafirëve, përndryshe lëndon dhe dëmton virilitetin tim. Nanushi i ka falur asaj djalin dhe ajo duhet ta falënderoj çdo ditë! Kur kemi miq, ajo duhet të jetë shërbëtore e përkryer, të flasë me zë të ulët, të mos përzihet në bisedë (ashtu ashtu nuk din gjë dhe mund të gabojë diçka, prandaj detyrë imja është t´ia ndalojë dhe shpëtoj nderin), të duket si viktimë e vërtetë, sepse sa më shumë që len përshtypje te mysafirët, aq më shumë më rritet mua vlera, para nanushit dhe para miqve. Para nanushit dhe motrave të mia është me rëndësi të jashtëzakonshme...

Këto rregulla ia kam treguar ditën e parë të martesës. Ajo që atë ditë pat provuar ta marrë timonin në dorë dhe e zura: nanushi më pat tërhequr vërejtjen se gratë që tentojnë ta sundojnë burrin, hedhin rrobet mbi ato të burrit mu natën e parë. Pikërisht atë natë. Dhe, e zura me presh në dorë, e kapa për flokë si burrë i vërtetë dhe pastaj ajo futi vullnetarisht të vetat ndër të miat, sikur kishte bërë nanushi në kohën e vetë, mirëpo pa qenë e detyruar. Si nanushi, nuk ka grua në botë!

Barazi në bashkëshortësi nuk ka. Nëse jap asaj më shumë të drejta, zvogëlohen të mia dhe humbi pushtetin dhe kjo nuk është mashkullore; këtë e bëjnë burrat që nuk kanë bole! Ai që ka forcën, i cakton rregullat jetësore. Dispozitat jetësore nuk përcaktohen nga bukuria, por nga fuqia reale...

Sherifi, d.v. , Gjermani



(Vota: 10 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: