Ndëshkim me gjobë nëse dërgon një e-mail promocional tek të tjerët
| E Diel, 03.05.2009, 12:15 AM |

Qeveria miraton projektligjin “Për tregtinë elektronike”. Pritet votimi në Kuvend. Përcaktohen kriteret për biznesin on-line dhe blerjet me anë të internetit

Shpeshherë na ndodh që in-box-i i e-mail-it të mbushet plot me mesazhe promocionale të kompanive të ndryshme. Ato bëhen të bezdisshme dhe nuk mund t’i ndalosh që të vijnë në postën tënde elektronike. Por, shumë shpejt, një veprim i tillë do të ndëshkohet me ligj. Qeveria ka përgatitur një projektligj që është miratuar dhe tashmë pritet të shqyrtohet në komisione parlamentare dhe të votohet në Kuvend. Drafti “Për tregtinë elektronike” është nisma e parë e këtij lloji për të rregulluar tregun virtual që ka nisur të zhvillohet prej disa vitesh në vendin tonë. Përmes kësaj pakete legjislative mbrohen klientët edhe nga blerjet on-line, dhe trajtohen sipas ligjit për konsumatorin.

Stop e-mail-eve promocionale

Nëse deri tani jeni bezdisur nga mesazhet promocionale në gjuhën shqipe, tani do të mbroheni me ligj nëse nuk dëshironi që një informacion i tillë të vijë në postën elektronike. Sipas projektligjit “Për tregtinë elektronike”, në Nenin nr. 9, thuhet: “Komunikimet tregtare të pakërkuara nëpërmjet postës elektronike, në ato raste kur sipas legjislacionit janë të lejuara, duhet të identifikohen qartë dhe pa dyshim si të tilla, që në çastin fillestar të marrjes së tyre prej marrësit”. Më pas drafti thotë se “ofruesit e shërbimeve që ofrojnë komunikime tregtare të pakërkuara nëpërmjet postës elektronike, janë të detyruar të kontrollojnë rregullisht dhe të respektojnë regjistrin e përjashtimeve, ku, me cilësinë e personave që nuk dëshirojnë marrjen e këtyre komunikimeve regjistrojnë personat, të cilëve u është drejtuar, por që nuk kanë dëshirë të marrin komunikime të tilla tregtare”. Në rastet e mosrespektimit të ligjit shkelësi ka ndëshkime të tilla: “Është i detyruar të shpërblejë dëmin e ardhur, si pasojë e këtij mosveprimi”. Ndonëse nuk jepen detaje konkrete për mënyrën se si bëhet një gjë e tillë, edhe në këtë rast vjen në ndihmë ligji “Për konsumatorin” dhe Kodi i Procedurës Civile.

Parandalimi

Posta elektronike ka një opsion që paralajmërohet shpërndarësi i mesazheve se nuk dëshirohen informacione të tilla nga marrësi. Ofruesi i shërbimit, që ka pasur dijeni për mosdëshirën e personave për të marrë komunikime të tilla dhe nuk i ka regjistruar si të tillë, është i detyruar të shpërblejë dëmin e ardhur si pasojë e këtij mosveprimi. Një veprim i tillë, përveçse e ekspozon dërguesin ndaj masave ndëshkuese, i jep të drejtën marrësit të kërkojë dëmshpërblim në gjykatë. Për shkeljet e dispozitave të këtij ligji, ofruesi i produkteve apo shërbimeve mund të dënohet me gjobë deri në 200 mijë lekë. Për ndjekjen dhe zbatimin e detyrimeve, projektligji ngarkon Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP). Sipas drejtuesve të AKEP-it, në ketë institucion do të ngrihet një seksion i veçantë, që do të merret me mbikëqyrjen e aktiviteteve të tregtisë elektronike.

Kujdes nga mashtrimet!

Na ndodh shpeshherë që në postën tonë elektronike të vijë mesazhi: “Keni fituar 100 milionë dollarë”. Po ashtu, ndodh që bëjmë pagesa me karta krediti on-line, por nuk na vjen malli. Ka edhe raste të tjera kur kemi paguar për X mall dhe vjen Y mall, me vlerë financiare disa herë më të ulët sesa ajo që kemi paguar. Rastet e mësipërme janë disa prej skemave mashtruese që bëjnë “kriminelët” e botës virtuale me qytetarët. Edhe këtyre mashtrimeve synon për t’iu dhënë përgjigje projektligji i ri, i përgatitur nga qeveria shqiptare sipas rregullave dhe direktivave të Bashkimit Europian. Duke shënuar nismën e parë të këtij lloji në tregun e biznesit on-line, paketa e propozuar synon që të vijë në ndihmë të qytetarëve, për t’i mbrojtur nga mashtruesit.
Blerjet në internet nuk mund të jenë asnjëherë plotësisht të sigurta dhe e vetmja mbrojtje e mundshme është kujdesi maksimal kur vendosim të blejmë diçka on-line. Për të qenë të sigurt është gjithnjë e këshillueshme që blerjet on-line të bëhen në adresa apo në shitës që janë të njohur, me eksperiencë dhe seriozë në aktivitetin e tyre. Gjithsesi, ekziston mundësia që të ketë abuzime me të dhënat që depozitohen në momentin kur bëhet blerje.

Drafti për blerjet

Projektligji “Për tregtinë elektronike” synon që të vendosë rregullat për mënyrën se si duhen kryer shitblerjet nëpërmjet internetit dhe informacionet e domosdoshme që shitësi duhet të ofrojë. Projektligji i miratuar nga qeveria parashikon që shitjet nëpërmjet internetit mund t’i kryejë çdo person, fizik ose juridik, i regjistruar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimeve (QKR), pa u pajisur paraprakisht me leje, licencë, autorizim apo ndonjë dokument tjetër. Përjashtim bëjnë vetëm ofruesit e shërbimeve, të cilët kanë detyrimin për t’u pajisur me autorizim nga AKEP (sipas ligjit “Për komunikimet elektronike”) dhe ofruesit e shërbimeve financiare ose të sigurimeve, ushtrimi i aktivitetit të të cilave rregullohet nga ligje të veçanta.
Çdo subjekt që ofron shitje nëpërmjet internetit, sipas ligjit, është i detyruar të publikojë për blerësit potenciale disa informacione bazë, që përfshijnë emrin tregtar ose emrin me anë të të cilit ai është regjistruar për ushtrimin e veprimtarisë; adresën e vendit në të cilin është vendosur selia apo qendra kryesore e veprimtarisë së ofruesit të shërbimit; adresën e postës elektronike dhe adresën e faqes në internet (URL) të ofruesit të shërbimit; të dhënat e regjistrimit në regjistrin tregtar të ofruesit të shërbimit dhe sidomos numrin unik të identifikimit të personit; të dhëna të veçanta të autoritetit përgjegjës mbikëqyrës, kur veprimtaria e ofruesit të shërbimit është objekt i ushtrimit të saj nëpërmjet pajisjes së tij me licencë, leje apo me autorizimin përkatës. Veç parashikimeve të këtij ligji, shitësit duhet të zbatojnë edhe dispozitat për dhënien e informacionit që parashikon ligji “Për mbrojtjen e konsumatorit”.
Mbi bazën e këtyre të dhënave, blerësi mund të bëjë vlerësimin e besueshmërisë së shitësit dhe, eventualisht, të bëjë verifikimet përkatëse. Për shembull, përkatësia e NIPT-it të publikuar nga një subjekt në internet mund të verifikohet në QKR, ose përkatësia e “domainit” (adresës së internetit) mund të verifikohet në AKEP, ose në bazat e të dhënave të vendeve te tjera, që janë përgjithësisht publike në internet.

Detajet e projektligjit

Marrëveshja për të kryer një operacion shitblerjeje nëpërmjet internetit konsiderohet si një kontrate (elektronike) dhe ka vlerë të mirëfilltë ligjore.
Që kontrata elektronike të jetë e vlefshme, duhet të përmbushë të gjitha kërkesat e parashikuara nga Kodi Civil, për pjesën e përgjithshme të kontratave, si dhe kërkesat e parashikuara për formën konkrete të kontratës. Megjithatë, jo çdo lloj kontrate elektronike është e vlefshme dhe ka fuqi ligjore.
Ligji “Për tregtinë elektronike” nuk do të zbatohet për kontratat e lidhura për të krijuar, ndryshuar apo shuar të drejta mbi sendet e paluajtshme, përveç kontratës së qirasë për pasuri të paluajtshme me afat deri në 9 vjet; për kontratat, që me ligj kërkojnë përfshirjen e gjykatave, të autoriteteve publike dhe profesioneve, që ushtrojnë apo japin një shërbim publik; për kontratat e garancisë dhe kolaterali i letrave me vlerë, i dhënë nga persona, që veprojnë për qëllime të ndryshme nga ato të biznesit, tregtisë apo profesionit të tyre; për kontratat e parashikuara nga Kodi i Familjes dhe veprimet juridike, të parashikuara nga Kodi Civil, për trashëgiminë me testament; për shërbimet financiare ose shërbimet e sigurimit.
Ndërsa bota i ka të zhvilluar shërbimet e internetit të tilla si e-bussines, e-government, e-book etj., dhe janë kthyer tashmë në industri fitimprurëse, vetëm përmes internetit si mjet komunikimi, tashme edhe në vendin tonë pritet që të hyjnë këto praktika të moderne të sipërmarrjes. Por, kjo duhet paraprirë me ligje, të cilat duhet të shërbejnë për të shmangur spekulimet dhe mbrojtur qytetarët.

Box
PJESË NGA PROJEKTLIGJI

Neni 9
Komunikimet tregtare të pakërkuara
1. Komunikimet tregtare nëpërmjet postës elektronike janë të ndaluara, përveç rasteve kur marrësi i tyre ka dhënë miratim paraprak.

2. Komunikimet tregtare të pakërkuara nëpërmjet postës elektronike, në ato raste kur sipas legjislacionit janë të lejuara, duhet të identifikohen qartë dhe pa dyshim si të tilla, që në çastin fillestar të marrjes së tyre prej marrësit.

3. Ofruesit e shërbimeve, që ofrojnë komunikime tregtare të pakërkuara nëpërmjet postës elektronike, janë të detyruar të kontrollojnë rregullisht dhe të respektojnë regjistrin e përjashtimeve, ku, me cilësinë e personave që nuk dëshirojnë marrjen e këtyre komunikimeve regjistrojnë personat, të cilëve u është drejtuar, por që nuk kanë dëshirë të marrin komunikime të tilla tregtare. Ofruesi i shërbimit, që ka patur dijeni për mosdëshirën e personave për të marrë komunikime të tilla dhe nuk i ka regjistruar si të tillë, është i detyruar të shpërblejë dëmin e ardhur, si pasojë e këtij mosveprimi.

Mashtrimi on line, statistika të frikshme

Mashtrimi në internet është një problem i shtrirë në të gjithë botën dhe vlera e mashtrimeve ka shënuar rritje të jashtëzakonshme gjatë viteve të fundit. Sipas Qendrës së Ankesave për Krimet në Internet, vlera e mashtrimeve për vitin 2008 arriti në 364.6 milionë dollarëve, me një rritje prej 10.5% krahasuar me vitin 2007. Numri i ankesave të raportuara arriti në 275 mijë, me një rritje me 33% krahasuar me vitin 2007. Lloji më i zakonshëm i mashtrimit është mosdorëzimi i produkteve të blera, që zë 32.9% të ankesave të raportuara. Lloje të tjera të mashtrimit janë kërkesa për të dërguar para, me premtimin për të përfituar më pas shuma më të mëdha, investimet fantazmë, etj. Pjesa më e madhe e viktimave të mashtrimeve në internet, 66.1% e tyre, janë amerikanë. 10.5% e mashtrimeve ndodhin në Britaninë e Madhe, 7.5% në Nigeri, 3.5% në Kanada etj.


Gazeta Albania

(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: