Arbitrat italianë, 3 orë tmerri në tokën shqiptare
| E Premte, 01.05.2009, 05:25 PM |

Zyrtarët e FSHF tregojnë momentet e panikut të tre gjyqtarëve të Serisë A "Arbitrat italianë, 3 orë tmerri në tokën shqiptare

Nga Altin Latifi

Ndonjëherë mund të duket si diçka e hiperbolizuar, por arbitrat italianë që gjykuan ndeshjen Shkumbini-Flamurtari kanë qenë vërtetë të tmerruar pas përfundimit të sfidës. Kontestimi ndaj gjyqtarëve ka nisur që një orë para ndeshjes, me tifozë që shanin italisht "Va fa..." apo "Arbitro, arbitro, figlio di p...". Gjithsesi, ndeshja ka nisur, por, ka mjaftuar goli i barazimit të Flamurtarit për të ndezur një amtosferë më shumë se elektrizuese. Në fushë nuk shihej më futboll dhe nga tribunat nisin të hidhen sende të forta. Një prej tyre, më saktë një copë betoni e stërmadhe, kap anësorin Puxhoto. I shtrirë përtokë, ai kërkon të ndalojë, por kryesori i ka kërkuar që të vazhdonte, me shpresën se ishte vetëm një moment. Më tej, ka qenë radha e anësorit tjetër, Kariolato, që goditet në dorë pas një breshërie gurësh që formuan një shtresë kalldrëmi në stadium. Një prej tyre kap edhe një lojtar të Flamurtarit dhe atëherë kryesori Gabriele Gava fishkëlleu fundin. Ishte minuta e 85-të. Momente tmerri në sytë e tyre, teksa në dhomat e zhveshjes menjëherë kanë marrë në telefon shefin e gjyqtarëve në Federatën Italiane, Pierluixhi Kolinën. Njerëzit e Federatës, që i shoqëronin në tokën e tmerrit, rrëfejnë se ngjarja ua ka nxirë faqen, pasi ishte vërtetë e rëndë. "Pas përfundimit të ndeshjes, arbitrat u ulën në dhomën e tyre dhe të tre rrinin si të ngrirë, - rrëfen Astrit Maçi, një nga të dërguarit e FSHF në Peqin. - Kryesori Gava mori menjëherë në telefon Kolinën, ndërsa dy të tjerët shihnin të tmerruar. Jashtë nuk mund të dilnim, pasi ishte gjithë njerëz dhe për më tepër që nuk kishte dalë as skuadra e Shkumbinit". E në këto momente, një tjetër zyrtar, delegati i ndeshjes Hito Hitaj, ka ndërhyrë për t'u qetësuar: "Jeta është e sigurt, kështu që mos kini merak", u ka thënë ai.

Kthimi në Tiranë

Treshja e arbitrave italianë që gjykoi ndeshjen Shkumbini-Flamurtari është qetësuar vetëm pasi ka hipur në furgon dhe makina ka dalë nga qyteti i Peqinit, aty rreth orës 18.50. "Nuk e prisnim, - kanë qenë fjalët e para të tyre. - Në Itali gjëra të tilla ndodhin në kategorinë e katërt, por kurrsesi në një ndeshje gjysmëfinale të Kupës. Për më tepër, e çuditshme ishte sjellja e policisë. Në rast se tifozët hedhin sende të forta, atëherë forcat e rendit ndërhyjnë tepër fuqishëm", ka thënë asistenti Puxhoto. Ky i fundit ka qëndruar gjatë gjithë rrugës në këmbë, për shkak se guri që e ka goditur në kurriz i kishte shkaktuar një hematomë. Njerëzit e FSHF-së u kanë thënë të pinin një kafe në Durrës për qetësim, por ndërsa një çast kanë pranuar, më pas gjyqtarët kanë qenë kundër kësaj ideje. Dukej se askush prej tyre nuk kishte më besim në tokën shqiptare. Me të mbërritur në Tiranë, arbitrat janë akomoduar në Hotel "Rogner" dhe kanë ndjekur në televizor pjesën e mbetur të sfidës Tirana-Vllaznia. "Po kjo qenka si ndeshje e Serisë A", ka thënë kryesori Gabriele Gava. Më tej, gjumë dhe dje udhëtimi për në Itali. Natyrisht, me një imazh të keq për Shqipërinë edhe pse Shqipëria nuk është Peqini.

Reagon Ambasada Italiane, Federata dënon Shkumbinin

Ngjarjet e turpshme të ndodhura dy ditë më parë në Peqin, kur tre arbitra italianë u goditën me gurë nga tifozeria vendase, duke rrezikuar edhe jetën, janë dënuar dje edhe nga Ambasada Italiane në Tiranë. Nëpërmjet një komunikate për shtyp, ky institucion diplomatik e ka quajtur ngjarjen tepër të rëndë, teksa ka kërkuar që ndaj autorëve të merren masat e duhura. "Dje, më 29 prill, gjatë zhvillimit të ndeshjes së futbollit Shkumbini-Flamurtari, që u zhvillua në Peqin nën drejtimin e një treshe arbitrash italianë të Serisë A, arbitri kryesor dhe dy asistentët e tij janë bërë objekt i një agresioni të rëndë nga ana e spektatorëve që asistonin në këtë event sportiv", thuhet në komunikatën për shtyp të Ambasadës Italiane. Treshja e gjyqtarëve Gava, Puxhoto dhe Kariolato u goditën me gurë dhe sende të tjera të forta, duke pësuar edhe hematoma, teksa një gur i kaloi anësorit Kariolato vetëm pak milimetra larg kokës. "Ambasada Italiane nënvizon aspektin e rëndë të kësaj ndodhie, që ka goditur qytetarët italianë të angazhuar në një aktivitet sportiv zyrtar në territorin shqiptar, dhe papërshtatshmërinë e masave të sigurisë të ndërmarra, për këtë event sportiv, dhe në mënyrë të veçantë mbrojtjen e stafit të arbitrave italianë, objekt i këtij agresioni, - nënvizohet në këtë deklaratë. - Ambasada Italiane, duke theksuar veprimtarinë e vazhdueshme të promovimit të kontakteve midis shoqërisë civile shqiptare e asaj italiane, dhe në veçanti në sektorët e rinisë e sporteve, dhe më në përgjithësi në projektimin e një imazhi pozitiv të këtij vendi, uron sinqerisht që sjellje të këtij lloji të mos përsëriten më dhe që do të merren masat e duhura e në kohë ndaj përgjegjësve të kësaj ngjarjeje".

Dënimi

Po dje, Federata Shqiptare e Futbollit ka pezulluar për 4 ndeshje fushën e Peqinit, ku dy ditë më parë u dhunua një treshe gjyqtarësh e Serisë A. Në fakt, vendimi i Komisionit të Disiplinës ka qenë disi me dorë të butë, duke parë se Shkumbini është përsëritës në të tilla ngjarje, por edhe rëndësinë e faktit se në fushë ishin shtetas të huaj. Duke parë se klubi peqinas do të luajë edhe dy ndeshje në fushën e tij këtë sezon, dy ndeshje të tjera pezullim do të shlyhen sezonin e ardhshëm. Ndërkohë, për Shkumbinin është marrë edhe një gjobë prej 300 mijë lekësh për shkak të këtyre problemeve. Një tjetër dënim lidhet me shefin e klubit Astrit Isaj, që mesa duket kishte mësuar italisht kohët e fundit. Ai ka sharë gjatë gjithë pjesës së dytë arbitrat italianë në gjuhën e tyre amtare, ndërsa nuk kanë munguar as veprimet e tjera fyese. Në një moment, pasi anësori Puxhoto nuk ngriti flamurin për një pozicion jashtë loje, Isaj shkoi dhe ishte gati t'i vinte thonjtë në fyt, por u ndalua. Për të, 3 ndeshje pezullim dhe një gjobë prej 100 mijë lekësh. E njëjta masë ndëshkimore është marrë edhe ndaj zëvendës trajnerit Sokol Branica, që gjithashtu ka qenë mjaft aktiv dhe në fund, pasi arbitri fishkëlleu ndërprerjen e ndeshjes, u afrua duke sharë mjaft rëndë kryesorin Gabriele Gava.


Gazeta Shqiptare

(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: