Enver Bytyçi: Psikologjia e solidaritetit
| E Hene, 20.04.2009, 07:22 PM |

Psikologjia e solidaritetit

“Shoqëria e mikut”

Nga Enver Bytyçi

Para një viti isha në Cyrih. Në stacionin e trenit një person bleu një gazetë dhe dhjetë metra më tej e hodhi në koshin e plehrave. Më bëri përshtypje ky veprim ndaj e pyeta shitësin për këtë ndodhi. Shitësi më tha se personi ishte jud. Ai e blinte këtë gazetë çdo ditë. Pastaj e hidhte në kosh. I kishte dhënë edhe shpjegimin përkatës shitësit të gazetave: "Ai që e prodhon këtë gazetë, kishte thënë judi, shpenzon para. Nëse unë nuk e blej, ai falimenton. Por e keqja është se unë nuk kam kohë ta lexoj. Ndaj e blej dhe e hedh".

Cili shqiptar e ka bërë këtë?! A di dikush të thotë vetëm një rast?! Ndërsa unë njoh me dhjetëra raste, kur botuesit e autorët, ne i shpërfillim. Pa e menduar se mendimi, të shkruarit, si dhe vetë botimi është punë, është shpenzim, është para, është djersë. Dhe a do të vijë ndonjëherë dita që ne shqiptarët të veprojmë si judi i Cyrihut?! Ndoshta, por vonë, shumë vonë, atëherë kur të tjerët do ta kenë mundësinë të jetojnë në dy planetë.

Është e vërtetë se shqiptari i sotëm nuk është më shqiptari i djeshëm. Shqiptarin e djeshëm e kishin sunduar ideologjitë politike dhe e kaluara historike. Mitet, këngët rapsodike, heroizmat ishin dhe mbetën deri vonë legjendat dhe saga e shqiptarëve. Dhe e gjithë kjo legjendë nuk ishte një risi e tyre. Kjo psikologji ishte më së shumti e imponuar nga prirjet grabitqare dhe rreziqet që kishin krijuar fqinjët armiqësorë si dhe ideologjitë e sundimit politik.

Ndërsa sot shqiptarët janë në rrugën e ndryshimit, përpiqen t'i ngjajnë një kohe tjetër. Pranimi në NATO- i Shqipërisë dhe prezenca e NATO-s në Kosovë i ka dhënë një dimension të ri vetë psikologjisë së tij. Shqiptari i sotëm nuk ndjehet më i rrezikuar, është më dinamik, merr frymë lirisht dhe rend në kërkim të vetvetes. Pranimi e prania e NATO-s e ka bërë shqiptarin e sotëm të ndjehet më i sigurt e ta shohë të ardhmen më me besim. Vetë klasa politike duket se në këtë pikëpamje ka ndikimin e saj pozitiv. Ndaj dhe shqiptarët shihen tash si popull që prodhon stabilitet, paqe dhe harmoni në rajonin e Europës Juglindore.

Megjithatë ne kemi trashëguar jo pak vese nga e kaluara, sidomos nga vetvetja. Politikani shqiptar, i majtë apo i djathtë, intelektuali, gazetari, publicisti, analisti shqiptar mendon se vetëm fjala e tij ka peshë, se vetëm ai ka të drejtë. Për shkak të këtij egoizmi grindemi dhe shajmë njëri-tjetrin pa doganë. Dikujt i vëmë emrin "taleban", dikujt tjetër "kamikaz", dikujt tjetër "tradhtar" e dikujt tjetër "armik". Është kjo një dukuri jo vetëm e shqiptarit enverist e stalinist, por edhe e shqiptarit antikomunist, antienverist e antistalinist. Shumëkush prej nesh dëshiron të jetë çfarë nuk është?! Jo pak prej nesh thonë se " i dinë të gjitha", ndërsa bashkëbiseduesit "nuk dinë asgjë". Secili merr pamjen e kryeministrit, të presidentit, ministrit a deputetit. E ndërkaq asnjëri nuk ka respektin e mjaftueshëm për njëri-tjetrin, për shoqërinë ku jeton a për shtetin që e përfaqëson.

Ne jemi ende në "shoqërinë e mikut", sipas principit "Më mirë një mik se një çiflik". Me "mikun" dëshirojmë të sigurojmë privilegje të shumta, të paligjshme. Ligji nuk vjen në konsideratë. Ndonëse dikush bën një mijë e një prapësi, del e bërtet për drejtësi e për moral. Ndonëse e shkel ligjin çdo ditë, thërret e bërtet për shtet ligjor. Ndonëse vjedh dhe grabit ku e çfarë të mundet, shkruan e denoncon me bujë korrupsionin. Nëse dikush nuk vjedh tash quhet i "paaftë", "naiv", "i marrë", pra budalla. "Në dorë e ka pas e një shtëpi për vete nuk e ka", -thonë. Sa kohë që dikush prej nesh nuk ka diçka në dorë e quan dikë tjetër në pushtet apo me pasuri uzurpator, diktator, armik të demokracisë. Sapo ta marrë vetë pozicionin e atij që deri dje e ka kritikuar, bëhet më keq se paraardhësi i tij. Unë njoh plot të tillë që sot nuk janë ata që ishin dje. Ashtu siç dëgjoj çdo ditë me trishtim hajdutët e djeshëm në pushtet tek bërtasin e thërrasin për shtet ligjor.

Ne jemi sot më pak humanë me njëri-tjetrin. Jemi më pak mirënjohës e më shumë mosmirënjohës. Vetëm në fatkeqësi dukemi sikur jemi solidarë. Ne fryhemi si gjë para atyre që nuk na njohin e ndërkaq nënçmojmë kolegët e punës, madje dhe me të afërmit tanë. Shpesh jemi xhelozë e na mundon smira. Dëshirojmë sukses nga mossuksesi i tjetrit dhe e shohim konkurrencën si rrënim të tjetrit. Shoqëria jonë do të ndryshojë, jo me hyrjen e vendit tonë në NATO e BE, por me ndryshimin tonë psikologjik, atëherë kur të sillemi me njëri-tjetrin si ai judi i Cyrihut me bashkëkombësin e tij botues.


Bota Sot

(Vota: 1)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: