Besnik Dizdari: Kronikë “klasike” për një humbje reale…
| E Diel, 05.04.2009, 09:48 AM |

Kronikë “klasike” për një humbje reale…

Nga Besnik Dizdari

Po përpiqemi të bëjmë një lloj shkrimi që është harruar të bëhet në Shqipëri: kronikën e një ndeshjeje futbolli. Në këte rast një “Kronikë “klasike” për një humbje reale”. Në Shqipëri këte zhanër e ka përdorë dhe kultivuar i pari Anton Mazreku. Mandej ne të gjithë të tjerët që erdhëm mbas tij. Bie fjala, në Italinë fqinje stilisti më i madh i këtij lloj shkrimi është Gianni Brera, padyshim më i madhi i gazetarisë së shkruar sportive, të një vendi që i ka dhënë botës të përditshmen e parë sportive, një shkrimtar i vërtetë i llojit. Për fat, në Shqipëri ky lloj shkrimi ka humbur, sepse gjithkush ka vetëm një dëshirë: kërkon të vetquhet me doemos “analist” apo “opinionist”, sidomos për televizionin, sepse i duket krejt e lehtë dhe e papërgatitje, duke folur para ekranit të vogël këmbë mbi këmbë. Duke mënjanuar kësisoji në këte stad të tjetër, atë të bazës së gazetarisë sportive, dhe jo vetëm të saj, më klasiken, që është kronika…

Eshtë edhe diçka tjetër që na shtyn te kronika në fjalë: sepse pa përfunduar edhe ndeshja e nesërme me Danimarkën nuk mundemi t’ia arrijmë që t’i bëjmë një gjykim të vërtetë e të plotë humbjes 0-1 në Tiranë me Hungarinë dhe në thelb vetë portretit të Kombëtares për Afrika 2010.

XXX

Atëherë? Shumë thjesht:

E shtunë e 28 marsit 2009. Ora 20.30. Stadiumi Kombëtar “Qemal Stafa” i Tiranës. Ndeshje kualifikuese për Kupën e Botës 2010.

SHQIPERIA – HUNGARIA 0-1

SHQIPERIA: Hidi, Vangjeli, Dallku, Cana, Curri, K.Duro, B.Berisha, Skela, Lala, G.Lika (Bakaj 69’), Salihi. TRAJNER: Arie Haan nga Holanda.

HUNGARIA: Babos, Vasko, Vanczak, Bodor, Szelesi, Halmosi (Gera 92’), Rudolf, Dardai, Torghelle (Priskin 86’) Hajnal (Vadocz 80’), Huszti. TRAJNER: Erwin Koeman nga Holanda.

GOLA: Torghelle në të 38’ për Hungarinë.

QORTIME: Cana (13’), K.Duro (67’) dhe Dallku (75’) për Shqipërinë si dhe Vanczak (37’), Dardai (68’) dhe Halmosi (79’) për Hungarinë.

KENDE: 5 për Hungarinë në minutat 15’, 15’, 36’, 47’, 59’ dhe 2 për Shqipërinë në minutat 25’, 54’.

GJYQTARE: B.Kuipers, P.Gerritsen, W.Lobbert nga Holanda.

* SHENIME TE VEÇANTA: Në ndryshim nga ndeshja e parë, ajo e Stadiumit “Ferenc Puskas” në Budapest e 11 tetorit 2008, fituar 2-0 prej Hungarisë, të dyja skuadrat kanë ndryshime thelbësore në 11-shet e tyre. Për Hungarinë kësaj rradhe luajnë katër emra të tjerë: Baros, Vasko, Bodor dhe Rudolf, të cilët nuk ishin në 11-shin e ndeshjes së parë. Po kështu për Shqipërinë janë katër emra të tjerë: Hidi, Berisha, Lika dhe Salihi të cilët nuk ishin në 11-shin e pare të ndeshjes së Budapestit. Në Tiranë është një mbrëmbje e bukur futbolli. Nuk është ftohtë. Temperatura rreth 17-18 gradë celcius. Afërsisht janë 13.000 shikues të pranishëm, kësaj rradhe edhe për shkak të biletave më të lira (deri në 700 lek tribuna e madhe në lindje të stadiumit). Spektatorë mjaft të nxehtë dhe faktor i fortë në mbështetje për Shqipërinë, pa pushuar për 90 minuta të tana. Mbas shënimit të golit në pjesën e tribunës kah porta e kodrave të Tiranës, hidhen në fushë disa shishe plastike uji dhe spikeri i stadiumit fton spektatorët për qetësi. Një grup tifozash hungarezë ndodhen shumë pranë atyre shqiptarë dhe midis palëve, mbas golit, ka kërcënime dhe sulme gojore, që ndezin për pak kohë mjedisin e tribunës së atyshme. Policia ndërhyn në mënyrën e vet për të qetësuar. Në fushën e lojës nuk ka incidente. Përkundrazi, është një ndeshje e pastër, ndonëse publiku aty – këtu kundërshton vendime të gjyqtarit holandez Kuipers, i cili nuk ndikon asesi në përfundimin e ndeshjes. Eshtë i pamshirshëm sidomos në minutën e 13-të kur i jep Lorik Canës kartonin e verdhë, çka do të bëjë që më i madhi lojtar i Shqipërisë të mungojë nesër në mbrëmbje në ndeshjen me Danimarkën. Ndërkaq vërehet se në tribunën e ndeshjes është i pranishëm edhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi. Mbas ndeshjes, trajneri i Shqipërisë, Arie Haan, ka më tepër përparësi të vështrojë te ndeshja e ardhshme, duke lënë shpresa, ndoshta në ditën më të vështirë qysh kur e ka marrë drejtimin e Shqipërisë.

XXX

Shqipëria e vizitoi portën e Hungarisë vetëm në të 13’, prej ku kundërpërgjigja e miqve ishte e menjëhershme përmes dy goditjeve të këndit mbrenda një minute të vetme, në të 15’. Qysh nga ky çast duket se ndeshja elektrizohet. Çudia më e madhe është se, si rrallë ndonjëherë në Stadiumin Kombëtar të Tiranës, ritmi nuk ndryshon për 90 minuta të tana. Nëse do të kërkonim të gjenim një përcaktim të vjetër të konsumuar të shtypit shqiptar, ajo është e mbushur “me sulme e kundërsulme” të dyanshme. Rrallë kemi pa një ndeshje kaq të shpejtë. Ajo që e bënte disi monotone gjithë këte strategji sulmuese në kërkim të golit ishte mungesa e një risie apo fshehtësie taktike si dhe e një “armë sekrete”. U pa se fatin e lojës do ta vendoste një çast i vetëm apo dy raste të vetme të krijuara më fort prej gabimesh se sa prej shpalosjes të ndonjë “kryevepre” futbolli të çastit të fundit.

Minuta 17 është ndoshta rasti i madh i rrufeshëm shqiptar megjithate: tërthore e Berishës për Salihin dhe ky rreptë me krye, por jashtë. Tre minuta më vonë djaloshi i Riedit të Austrisë ka rastin e dytë. Eshtë minuta 20 dhe gjuajtje tij duket për antologjinë krijuese të futbollit, që është goli. Por… jashtë. Qysh nga ky çast nuk do ta shohim më shkodranin tonë. Hungarezët kanë informacion austriake për te dhe e bllokojnë një herë e mire. Për të mos ia dëgjuar më zërin deri në fund!

Shqipëria mbërrin te goditja e parë e saj nga këndi në të 25’ dhe katër minuta më vonë Hajnal, i cili ka po atë mbiemër që ka pasë Hajnal-i i dëgjuar i Sportklub Tiranës së viteve ’30, gjuan në mënyrë të përsosur, dhe si gjithnjë jashtë. Pa kaluar 60 sekonda Berisha është po kaq i rreptë teksa lëshon fort një top shigjetues që “flladit” shtyllën e portjerit mik Babos. Kaq për Shqipërinë tash për tash.

Dhe befas ajo stepet për bukur pesë minuta, që do të mjaftojnë për t’iu dorëzuar shumë kohë para përfundimit të ndeshjes kësaj Hungarie të Shekullit XXI, e cila është me vite drite larg me Hungarinë e viteve ‘50 të Shekullit XX, që tronditi botën e futbollit. Mbrenda këtij pesëminutëshi (34-38) futbollistik të 28 marsit 2009, zhvillimet episodike përmblidhen në tri gjuajtje të rrufeshme hungareze: pak mbi shtyllë e Hajnal-it (34’), kënd i miqve, gjuajtje me krye prej Torghelle-s krejt pranë shtyllës (36’) dhe mandej goli! Minuta 38’, tërthore e Huszt, kalim “i shkëlqyer” i topit prej Dallkut për te Torghelle, dhe më bukur s’ka si bëhet: hungarezi i Augsburgut, i vetëm tre – katër metra larg Hidit, ka qetësinë fatlume për të fiksuar 1-0-n përfundimtar plot 52 minuta para mbarimit!

Kur nis pjesa e dytë, në sekondin 20 të saj, po 26 vjeçari me emrin Sandor Torghelle, i cili ka luajtur 31 ndeshje dhe ka shënuar 10 gola për Hungarinë, është vërtet e çuditshme se si i vetëm në një sprint të pandalshëm drejt portës së Hidit nuk arrin të shënojë, çka do të thoshte 2-0. Dhe ja dukuria thelbësore e ndeshjes: kundërsulmi. Shqipëria rrufeshëm merr topin prej Hidit dhe po mbrenda 60 sekondit të parë të kësaj pjese të dytë, i riu Gilman Lika gjuan si një mjeshtër, por portjeri Babos bën ndoshta pritjen më spektakolare të ndeshjes. Mandej për 44 minutat e mbetura do të shihej se nuk ka asgjë tjetër veçse qëndrueshmëri e rezultatit 1-0 të Hungarisë. Mbetet kështu edhe pse në të 4’ është gjuajtja me krye e Berishës, edhe pse Huszti humbet i vetëm me Hidin (17’), edhe pse kemi dy shpërthime të Bakajt, i cili luan ndeshjen e parë të tij për Kupën e Botës: në të parin (73’) është një kënd i tij, në të dytin (78’) është një top i çmueshëm për Berishën, e Babos është gjithnjë aty: në vendin dhe kohën e duhur.

Fund. Eshtë 1-0 për Hungarinë, e cila i rrëmben Shqipërisë 6 pikë nga 6 të mundshme, duke u bërë për herë të parë mbas 23 vjetëve (1986) mëtuese për të shkuar në fundoret e një Botërori, duke pasur po 10 pikë sa dhe Danimarka (1 ndeshje më pak). Falë 6 pikëve të Shqipërisë? Ndoshta…

Ndërsa Shqipëria si përherë: dorëzuese e pashembullt e ish vendeve komuniste. Merre me mend: në 65 vjet pjesëmarrje, në 28 ndeshje në kualifikimet evropiano-botërore, me shtetet klasike komuniste, Jugosllavi, Bullgari, Rumani, Poloni, Hungari, Çekosllovaki, RD Gjermane, Rusi (BRSS), Shqipëria ka vetëm 1 fitore: 3-1 Rusisë për Evropianin më 29 mars 2003 në Stadiumin Kombëtar “Loro Boriçi” të Shkodrës. Dhe vetëm 5 barazime (3 me Bullgarinë dhe 2 me Poloninë), çka do të thotë 22 humbje! Mos ka mbetë kësisoj, ngaqë kemi qenë vendi më i prapambetur i Kampit Komunist të të ashtuquajturave demokraci popullore staliniste?

Le ta lëmë mënjanë këte gjeopolitikë të pashtjellueshme të asokohe, ndonëse statistika të tilla kryeforta, të bëjnë të mendosh gjatë…

Kjo ishte humbja e 135-të në historinë e Shqipërisë dhe ndeshja Nr.80 e saj për Kampionatet Botërore. Ndërsa ishte ndeshja Nr. 1 për të riun Elis Bakaj për Kupën e Botës. Ishte dhe ndeshja “jubilare” e 30-të për Armend Dallkun, një nga më të fuqishmit e Kombëtares, ndeshje të cilën për fat, ai e festoi duke i dhuruar golin fitimtar Hungarisë!

Ky është futbolli, i shfaqur kështu edhe në këte kronikë tonën, në të cilën Shqipëria mbërrin te plot 360 minuta pa shënuar gol. Kur goli i fundit daton më 10 shtator 2008, Shqipëri – Maltë 3-0, gol i minutës 90 për fatalitet i realizuar prej “ndërtuesit” zâmadh të episodit hungarez të së shtunës që shkoi: Armend Dallku! Dhe 0-1 Shqipëria prej Hungarisë, çka na rikujton se skuadrës shqiptare “i mungun” plot 5 “titullarë” të ndeshjes së pakëndshme të Maltës: Vrapi, E.Bulku, Agolli, E.Beqiri, Bogdani? Po a është titullare kjo pesëshe munguese?...

Do ta mbyllim “Kronikën tonë “klasike” për këte humbje reale” prej Hungarisë, me retorikën e saj: a ka formuar Shqipëria 11-shin e saj titullar në këte edicion të Kupës së Botës me 21 lojtarë në 6 ndeshje, krejt e pranueshme, çka ka të bëjë me unjisimin taktik të lojës, me qëndrueshmërinë e një harmonie dhe me baraspeshën e kahjeve mbrojtje – sulm që të çon te “çështja” e golit të munguar prej pesë muajsh, në fund të fundit te një fitore thuajse e harruar?...

Nesër në mbrëmbje është Danimarka dhe Shqipërisë i duhet të kujtojë një psikologji të vjetër ledhatuese të saj, marrë prej një shkrimi po të vjetër tonin: “e madhe me të mëdhenjtë, e vogël me të vegjlit”. Kushedi…

Vetëm mbasnesër ne do të mund të themi pa asnjë mëdyshje se çfarë Shqipërie kemi pa në Kupën e Botës Afrika 2010, natyrisht tash duke hequr dorë prej asaj që ishte harruar në gazetarinë sportive shqiptare: kronikën “klasike” të futbollit të shkruar, që kësaj rradhe iu kushtua një humbjeje reale.

“Vae victis” – “Mjerë humbësit”, në mos e paça gabim…


G. Tema

(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: