Sejdi Berisha: Portreti i Samir Bërlajollit, artist i disenjit grafik nga Peja
| E Premte, 03.04.2009, 07:34 PM |

Portreti i Samir Bërlajollit, artist i disenjit grafik nga Peja

AUTORI I MEDALJEVE TË ARTA NË KOSOVË

Nga Sejdi BERISHA
 
Se në shoqërinë tonë ende nuk i kemi kushtuar dhe as nuk i kushtojmë kujdes të duhur zbulimit, përkrahjes dhe afirmimit të kuadrove të afta dhe deficitare në shumë fusha të jetës, më së miri dëshmon rasti i disenjerit dhe artistit tanimë të afirmuar, por më shumë përmes konkurseve të organizatave dhe subjekteve të ndryshme shoqërore dhe ekonomike për zgjedhjen e formave dhe të disenjeve më të mira për veprimtaritë dhe afirmimin e punës mbase edhe të prodhimtarisë së tyre. Është ky, Samir R. Berlajolli, nga Peja, i cili deri me tash pas vetës ka lënë një bagazh bukur të mirë të punës edhe artistike dhe profesionale në fushën e artit të disenjit dhe të grafikës. Ky, të themi krijues, me pedanterinë e tij, sëpari  ka lënë gjurmë në Industrinë Automobilistike të Gjermanisë, respektivisht të industrisë së njohur të automobilistikes Volkswagen. Gjatë punës në këtë gjigant për afro dhjetë vite, ka arritur që të jetë autor i mbi pesëmijë ilustrimeve teknike dhe të vizatimeve grafike të pjesëve të ndryshme të automobilave të Volswagenit, e të cilat punime kanë begatuar edhe prodhimtarinë industriale për automobilat Shkoda dhe Bugati. Puna e këtij artisti dhe mjeshtri e kreatori të përkryer, i cili ishte dhe është me plotë energji dhe me plotë imagjinatë e ide për punë kreative dhe të avancuar, tani është emër që puna e tij, përveç në lëmin e artit, e ka peshën e shumëfishtë edhe në rrjedhën e përgjithshme të zhvillimit shoqëror.
Në të kthyer në Kosovë, ai iu përvesh punës dhe profesionit të tij, por kjo shumë pak i vjen në shprehje, por, edhe si të thuhet, profesioni i tillë pak edhe çmohet, për shumë arsye. Një, për shkak të mungesës së zhvillimit të industrisë metalopërpunuese në Kosovë, të industrisë automobilistike, por edhe për shkak se tradita tek ne për ta çmuar punën me vlerë nuk është edhe aq në nivel. Megjithatë, Samir Bërlajolli, ka arritur që me punën e tij të dëshmohet tani edhe në shumë fusha. Ai, duke marrë pjesë në konkurse të ndryshme për punime dhe kreacione në fushën e reklamave dhe të disenjit, tani është autor dhe fitues i çmimeve të shumta, si për Medaljen e Artë  të Luftëtarit të Lirisë “Adem Jashari”, pastaj i pullës postare “Dita e Pavarësisë”, të logos së Integrimeve Evropiane të Kosovës etj. 

Samir Bërlajolli
Samir Bërlajolli
Kur gërshetohen arti dhe historia

Samir Bërlajolli, me një energji dhe ide shumë imagjinare dhe të begatuar me sensin e reflektimit të vlerave shpirtërore, kulturore, historike dhe të rrjedhave politike, ka arritur që të jetë laureatë dhe fitues i shumë çmimeve në konkurse të ndryshme, veprat e të cilit tanimë janë në zyrat dhe vitrinat e shumë institucioneve shtetërore të Kosovës por edhe tek njerëzit-personalitetet e shumta. Ai, me krenari flet për punën e tij, kur thekson se ndjehet krenar që është laureatë i Çmimit të Parë për disenjin më të mirë në konkursin e Presidencës së Kosovës, kur në vitin 2006 realizoi Medaljen e Artë “Luftëtari i Lirisë” me portretin e heroit, Adem Jashari si dhe të Medaljes për shpërblimin tjetër, “Çmimi Presidencial për Studiues”. Janë këto dy punime, në të cilat, S. Bërlajolli jo vetëm që ka shprehur aftësitë e tij prej një artisti të përkryer, por janë edhe një opus krijues, të cilat reflektojnë begatinë intelektuale duke gërshetuar këtu vlerat artistike me ato historike, e që kanë peshë e domethënie shumëdimensionale për rrugëtimin e kombit nëpër periudha dhe etapa historike. Po ashtu, edhe shpërblimi për pullën e parë postare të republikës së Kosovës “Dita e Pavarësisë”, është pjesë shumë e rëndësishme, e cila shpreh tërë atë fuqinë dhe mesazhin se në shtetin më të ri të botës, në Kosovë, po hapet një kapitull të ri në historinë e filatelisë, fushë kjo e cila në tërë botën e ka peshën dhe rolin e vet në zhvillimin e botës civilizuese dhe afirmimin e vlerave kulturore, historike dhe ekonomike.

Pak biografi për S. Bërlajollin

Samir Bërlajolli,  pasi që mbaroi shkollën e mesme në vendlindje, në Pejë, në pa mundësi për të vazhduar studimet, ai merr rrugët e kurbetit dhe në vitin 1992 migroi në Gjermani, por gjithnjë me përkushtim dhe me dëshmi që të përvetësojë dhe të arrijë sukseset në fushën që ai e ëndërronte. Andaj, një synim dhe ëndërr e tij për perfeksionimin e talentit në art nuk u shua.  Ai, regjistrohet në ISO-Standard Organizeischen of Draw, dhe pas përfundimit të studimeve, punësohet si disenjer në firmën e prestigjioze gjermane të automobilave Volkswagen, ku punoi deri në vitin 2000. Mirëpo, me gjithë sukseset që i arrin në këtë kompani në zbulimin e të gjitha atyre fshehtësive prej disejnerit dhe me gjithë autoritetin dhe respektin që mbërriti atje me punë dhe kreativitet, atë, mallin për atdheun, për vendlindje dhe për Kosovën, për asnjë moment nuk e lë të qetë, kështu që në vitin 2000 vendos për tu kthyer në Kosovë së bashku me familjen e tij.
Por, edhe pse tani në Kosovë, ai vazhdon të bashkëpunojë me Volkswagenin si bashkëpunëtor i jashtëm dhe kështu deri me tash ka arritur që të realizojë mbi pesëmijë punime disenji dhe grafike dhe ilustrime të ndryshme, të cilat i kanë hyrë në përdorim Kompanisë automobilistike Volkswagen në Gjermani.
Me një bagazh prej krijuesit të mirëfilltë dhe me një modesti e kulturë, Samir Bërlajolli edhe tani reflekton admirim, etje dhe gatishmëri për të bërë diçka më shumë për disenjin industrial, i cili i nevojitet shumë Kosovës. Sepse, siç thekson ai, pa këtë degë të artit, prodhimet kosovare do të ishin më të varfra dhe më me pak afirmim bashkëkohor dhe marketing jo adekuat, si në tregun vendor ashtu edhe në atë të jashtëm.

Dy ditëlindje përnjëherë...

Samiri, me admirim dhe kureshtje thotë se me punën e tij të palodhshme ka arritur që edhe në Kosovë të dëshmohet duke fituar çmime të shumta, si bie fjala, siç theksuam edhe më lartë; është laureatë i dy shpërblimeve të para, të cilat për te janë shumë të dashura, pastaj, i Shpërblimit të Parë të Konkursit të PTK-së për pullën postare “Pavarësia”, më 07 shkurt  2008, e të emetuar më 17 shkurt, pikërisht në ditën e Shpalljes së Pavarësisë të Kosovës. Ky shpërblim dhe Dita e Pavarësisë së Kosovës, janë koincidencë, por 17 shkurti është ditëlindja ime, u linda me 17 shkurt në vitin 1966. Jam shumë i lumtur, sepse, tani e tutje do të kremtojë dy ditëlindje, ditëlindjen time dhe Ditën e Pavarësisë së Kosovës, thotë Samiri.
Vlen theksuar se, përveç se është fitues i këtyre shpërblimeve, ai është edhe fitues i Shpërblimit të Konkursit të Qeverisë se Kosovës për Logon e Kosovës për Integrimet Evropiane. Kjo logo tanimë përdoret në dokumentet e Qeverisë të Republikës së Kosovës në kuadër të Integrimeve  Evropiane. Kurse, në vitin 2004, fiton shpërblimin në konkursin për pullën postare  për Pesëvjetorin e Kthimit të Refugjatëve  UNHCR – Gjenevë.
Samir Bërlajolli, është i njohur edhe si artist, i cili ka dell edhe në fushën e karikaturës dhe të artit figurativ. Duke i sprovuar forcat dhe talentin tij edhe në këto sfera të artit dhe kulturës, ai në vitin 2007 mori  pjesë në Festivalin Ndërkombëtar të  Karikaturës në Prishtinë, nga i cili festival u përzgjodhën dy karikatura nga krijuesit kosovar, njëra ishte e karikaturistit Nexhat Krasniqi-Nekra, kurse tjetra e  Samir Bërlajollit, të cilat, në vitin 2008 u vendosën në Qendrën e Karikaturës Evropiane në Bruksel  “Europian carton center-Belgium “. Ndërsa është autor i shumë zgjidhjeve artistike të ballinave të shumë librave të shkrimtarëve na vendlindja, nga Kosova.
Ky krijues, tani vazhdon të jetë aktiv dhe prezent më punimet e tija edhe në firma të ndryshme, dhe se puna e tij me admirim preferohet dhe kërkohet , dhe se çdo sukses të tij, ai e konsideron edhe të arritur dhe sukses edhe të Kosovës. Mirëpo, ai vë në dukje se firmat dhe organizatat e asociacionet e ndryshme ekonomike, prodhuese dhe reprodukuese dhe industriale në Kosovë, akoma nuk i kanë absorbuar aftësitë dhe kreacionet disenjuese, që janë shumë të domosdoshme, e aq më tepër kur dihet se industria dhe ekonomia kosovare posa ka i filluar nismat e veta prodhuese por edhe konkurruese, e që po ashtu gjendet në prag të integrimeve të saja në shoqërinë evropiane dhe botërore.   



(Vota: 2 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: