Tajson: Më vjen turp nga gabimet që kam bërë
| E Hene, 23.03.2009, 08:50 PM |

Mike Tyson
"Jam një djalë i mirë, por duhet të jeni të kujdesshëm që të mos më provokoni". Këto janë fjalët e Majk Tajsonit, në një intervistë të dhënë për "Guardian", vetëm një javë para shfaqjes së filmit-dokumentar drejtuar nga regjisori hollivudian, Xhejms Tobak. Një monolog prej 90 minutash, një rrjedhje ndërgjegjeje nga ku del qartë portreti thuajse komplet, i veçantë dhe befasues i Majkut të hekurt, siç e thërrisnin në kohën kur ngjitej në ring. Sot, Tajson është 42 vjeç dhe jeton i vetëm në një shtëpi modeste në Los Anxhelos. Të ardhurat nga filmi janë një rastësi e këndshme për një njeri që ka fituar më shumë se 300 milionë dollarë me dorezat në ring dhe pastaj shkoi drejt rrënimit, duke mos i mbetur më asnjë qindarkë. "Ndoshta është kampioni më i madh i të gjitha kohërave në peshat e rënda", shkruan "Guardian", duke e pranuar se nuk ka pasur kurrë humorin dhe elegancën e Muhamed Aliut, por tregon se askush nuk ka pasur një grusht për nok daun si ai i tiji. Kur ishte 14 vjeç, në Olimpiadën e të rinjve, vendosi rekordin e ri për nok daun-in më të shpejtë në kategorinë e tij, plot 8 sekonda pas fillimit të ndeshjes, pastaj fitoi me K.O. 19 ndeshjet e tij të para si profesionist, fitoi titullin e peshave të rënda kur ishte 20 vjeç, dhe nuk u mund nga askush për tre vjet rresht. Pastaj gjërat filluan të ecnin ters. Gruaja e tij, aktorja Robin Givens, deklaroi në televizion se Majk ishte një maniak depresiv dhe se të jetoje me të ishte një ferr i vërtetë. Në vitin 1990 humbi ndeshjen e tij të parë me një boksier amator, Buster Dagllas. Pastaj u dembelos, u bë pre e alkoolit dhe drogës, dhe në vitin 1992 u dënua për përdhunim, duke vuajtur një dënim prej tre vjetësh burg. Kur doli, Tajson arriti sërish kulmin e lavdisë së tij, duke rifituar titullin e peshave të rënda, pastaj humbi përsëri për shkak të veseve të këqija dhe problemeve në publik: njëlloj si atëherë kur kafshoi veshin e Edvander Holifildit në një ndeshje, ku mori një gjobë prej 3 milionë dollarësh dhe heqjen e së drejtës për t‘u ndeshur në ring. Në film tregon për jetën e tij, që nga fëmijëria me një nënë që bënte jetë të shthurur seksuale; te krimet në lidhje me drogën; burgu në moshë të re, ku mori edhe mësimet e para për boksin; e deri te takimi me Cus D‘Amato, trajnerin italo-amerikan që e adoptoi dhe e bëri një kampion. Përpara telekamerave, Tajson qesh, qan, kërcënon, pendohet. Është si një tragjedi shekspiriane, me një mundësi akoma të hapur për shpëtim. "Jam një njeri i mirë, një vëlla i mirë, nuk shoh asgjë të gabuar te vetja, por mos më provokoni. Për të gjithë ka një pikë mërzie në jetë", tregon ai.

Ish-boksieri më pas shton: "Më vjen turp për shumë gjëra që kam bërë, si në ring, ashtu edhe jashtë tij". Që fëmijë, në mënyrë të pabesueshme ishte viktimë e djemve të fortë të lagjes. Meqë ishte i shëndetshëm dhe trupvogël, të gjithë talleshin me të. E kalonte ditën duke u kujdesur për pëllumbat në çati. Kur një ditë njëri prej të fortëve të lagjes i mori një pëllumb dhe ia këputi kokën përpara tij, Majk u nervozua aq shumë, sa që e gjuajti me grusht pa u menduar gjatë. Djali u shtri përtokë i gjakosur. Aty e kuptoi se i pëlqente të ndeshej. Shumë shpejt të gjithë donin të ishin miqtë e tij. Për akuzën për përdhunim, që e futi në burg, vazhdon të thotë se ishte një shpikje, se ishte i pafajshëm. Majk tregon është për raportin e tij me gratë: "Më pëlqejnë gratë e forta, jo ato që janë si meshkuj, domethënë ato që drejtojnë ndonjë organizatë. Më pëlqejnë gratë që kanë besim në vetvete dhe dua t‘i dominoj seksualisht. Dua t‘i shoh siç e sheh tigri gjahun e tij pasi e plagos. Dëshiroj që ajo të më mbajë larg për gjysmë ore para se ta përlaj dhe ta çoj në ekstazë. Më pëlqen jashtëzakonisht të them ‘Jo‘ kur bëj dashuri. Kam dëshirë që gjithmonë të bëj gjëra ekstreme në shtrat". Tajson thotë se shpesh dëgjon zëra që i flasin në kokën e tij, që shpesh e shtyjnë të sillet mirë, dhe shpesh të sillet keq. "Nëse shkoj te një psikiatër dhe i them se dëgjoj zëra që më flasin në kokë, ai të vesh këmishën e forcës dhe të mbyll në një spital. Por gjithmonë mendja na flet. Nëse nuk e kontrollon dhe disiplinon, atëherë ajo nuk është më mikja jote. Është një ‘komitet‘ këtu brenda mendjes sime. Eh, shpresoj që Zoti të më ndihmojë". Cila është sot dëshira juaj më e madhe? "Të kaloj më shumë kohë me fëmijët e mi. T‘i argëtoj dhe të shkoj me pushime me ta. Jam i lumtur që djali im 11-vjeçar nuk bën jetën që bëja unë kur isha në atë moshë". A do të bëhet edhe ai boksier si babi? "Nuk besoj. Ai është dijetar, nuk është boksier". Çfarë do të thoshte sot Cus D‘Amato, që vdiq kur Tajson u bë kampion bote, nëse do të mund ta shihte sot filmin e xhiruar për të? "Do të thoshte se unë them shumë fjalë të pista. Nuk thosha kurrë para Cus fjalë të tilla". Filmi përfundon me Tajson që lexon disa vargje të Oscar Wild nga "The ballad of reading goal". Vargje të famshme si këto: "Çdo njeri vret atë që do/dikush e vret me fjalë/frikacakët e vrasin me puthje/guximtarët me shpatë". Ideja për t‘i lexuar ishte e regjisorit, por Tajsoni thotë se është një adhurues i Oscar Wilde. "E dini kush ishte e dashura e tij? Ishte djali i markezit Queensberry. Pikërisht ai shpiku rregullat e boksit. E çuditshme, apo jo"? Filmi, bashkë me librin e kujtimeve, që është akoma në fazën fillestare, janë dy hajmali që ndoshta do të shërbejnë për të rindërtuar imazhin e kampionit të madh të boksit, duke treguar edhe për karrierën e tij pas largimit nga ky sport. Tobak thotë se është i bindur që dokumentari do t‘i kthejë publikut dëshirën për ta parë ish-boksierin e dënuar për përdhunim dhe të famshëm për bëmat e tij në ring, në një aspekt ndryshe, më pak negativ. Megjithatë, protagonisti duket se vazhdon të ushqejë ende ndjenja të dyfishta për disa prej bëmave për të cilat nuk di as të japë një përgjigje. "Nuk e di se kush jam. Mund t‘u duket e çuditshme, por vërtet nuk e kam idenë. Gjithë jetën kam pirë, jam droguar, kam bërë festa dhe papritur gjithçka ka përfunduar. Nuk e mendoja kurrë se do të arrija të isha gjallë me atë jetë që kam bërë", thotë ai, duke folur nga shtëpia e tij në Los Anxhelos. Vërtet tani nuk përbën më asnjë rrezik ta përshkruajë të kaluarën e tij si një seri filmash horror. Është e thjeshtë, tani mund të qëndrosh ulur përkrah tij e të harrosh atë që ka ndodhur rreth 22 vjet më parë, një të shtunë në mbrëmje në "Las Vegas Hilton", kur 20-vjeçari Tajson do të fitonte edhe titullin e parë kampion bote. "Ditën që fitova titullin, jeta ime mori një kthesë të çuditshme", thotë ai duke ndezur një cigare. Ishte pikërisht kjo dita e parë kur do të niste kthesa në jetën e Majk Tajsonit. Më parë ishte thjesht askush. Ishte thjesht një djalosh me ngjyrë, 13 vjeç, i rritur në geto, që Cus D‘Amato, trajneri legjendar i boksit në Nju Jork, e shndërroi në kampionin botëror të peshave të rënda. Pas kësaj, vjen edhe vulgariteti: tigra nga Bengali në kopsht, burg, borxhe, përdhunime. "I adhuroj drogaxhinjtë. Janë pikërisht këta njerëzit që dua të kem përreth, ata që përdorin drogë dhe alkool", pati thënë dikur. Tajson thotë se organizmi i tij është i tillë që mund të krijojë varësi shumë shpejt ndaj alkoolit dhe drogës, ndaj nuk ia vë shumë fajin jetës që ka ndjekur. Zakonisht ai nuk preferon të flasë për karrierën e tij si boksier. Përveç "njeriut" të ulur në divan në shtëpi, nuk ka asgjë tjetër që të tregojë se banori i saj është një ish-kampion bote në peshat super të rënda: asnjë trofe, asnjë foto, asnjë objekt që të kujton atë kohë. "Nuk më duhet t‘i kujtoj", vazhdon. Megjithatë tregon se ende është i pasionuar pas historisë së boksit, një dashuri që ka lindur duke parë filmat e vjetër në shtëpinë e Cus D‘Amamto, në qytezën e Catskill, kur ishte adoleshent. "Pas shumë vitesh abuzime, prej 15 muajsh, thotë ai, "kam hequr përfundimisht dorë nga droga dhe alkooli". Por shumë vjet më parë askush nuk do të kishte qenë gati të hidhte bast për një përfundim të tillë, sidomos nëse citojmë fjalët e thëna nga vetë Tajson: "Nuk e kam menduar kurrë se do të arrija deri në këtë moshë". Por, tani që ia ka dalë mbanë, duket se do të përshkojë një rrugë që ndoshta do të ndryshojë rrjedhën e fatit të tij.

Takimi

Tobak e takoi Tajsonin në vitin 1985, në xhirimet e një filmi. "I tregova për një eksperiencë që kisha pasur me LSD-në kur ndiqja vitin e dytë në Harvard. Folëm për humbjen e ndërgjegjes dhe ndryshimin mes terrorit dhe frikës". Pas atij takimi, regjisori bëri që Tajson të shfaqej në dy filma të tij: "Black and White" në vitin 1999 dhe "When I will be loved" në 2004-ën. Ndërsa dokumentari "Tyson" u xhirua vitin e shkuar, në një shtëpi të marrë me qira në "Beverly Hills" dhe në plazhet e Malibusë, me boksierin që dilte me leje të përditshme nga "Wonderland center", një qendër rehabilitimi. Sipas asaj që thotë Tobak, ndërsa vuante dënimin për përdhunim, në vitet ‘90, ish-kampioni kalonte orë të tëra në izolim, duke lexuar veprat e filozofëve të mëdhenj. Të preferuarit e tij ishin Makiaveli dhe Tolstoi. "Njerëz shumë të zotë", shprehet Tajson për ta. "Njerëz të mëdhenj, por të fiksuar pas diçkaje. Makiaveli donte vetëm pushtetin dhe kontrollin. Tolstoi fliste gjithmonë për të ndihmuar të varfrit. Ai ishte një komunist, ndërsa gruaja një kapitaliste dhe për këtë ziheshin shumë keq". Pikërisht gjatë periudhës së kaluar në "Wonderland Center" lindi edhe projekti i librit të tij. Në vitin 1986, Tajson, që ishte 19 vjeç, i kishte thënë një gazetari kanadez se objektivat e tij në jetë ishin: arritja e paqes në mendje, të kishte shumë para dhe të ishte një person i respektuar, gjë që nuk e arriti kurrë.


G. Shqip

(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: