Beqir Cikaqi: Intervistë Ekskluzive me piktorin Pjetër Koleci
| E Diel, 22.03.2009, 09:07 PM |

Intervistë me Pjetër Koleci, piktor nga Lezha, që jeton në Treviso të Italisë

Nga Beqir CIKAQI - Zemra Shqiptare

Pjetër Koleci lindi më 25 janar 1964. në Fishtë (Lezhë) Shqipëri. Aty ka mbaruar shkollimin e parë fillor e të mesëm. Ndërsa studimet e para i nis me 1981 në shkollën  artistike “Prek Jakova” në Shkodër, ku diplomohet në pikturë e tekstil (1984). Në Lezhë fillimisht punoi si mësues vizatimi në shkollën “Gjergj Fishta”, për disa vjet, për të kaluar ma vonë si disanier në pallatin e kulturës në Blinisht. Nga viti 1992 deri më 1996 mbaroi studimet në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, ku diplomohet në pikturë monumentale.
Piktori Pjeter Koleci, pasi, në vitin 1996 organizon një ekspozitë në Udine të Italisë, dhe për motive pune qëndron në Itali, ku tani jeton me familje në Ormelle të Trevisos, me  lejeqëndrimin e përhershëm.
   Ka një eksperiencë të mirë të punës në profesion me firma të ndryshme si afreskist dhe si skenogaf, etj. Është fituesi kryesor në konkursin nacional të piktures ”Noe Bordignion” Castelfranco Veneto. Nga viti 2000 është me profesion të lirë si piktor. Me rastin e hapjes së ekspozitës personale të fundit në Ambasaden e Republikës së  Shqipërisë në Romë, me zotin Pjetër Koleci e zhvilluam këtë bisedë.

Pjeter Koleci
Pjetër Koleci
-Për fillimi u urojmë që kjo ekspozitë të ketë sa ma shum vizitor dhe të jetë sa ma e suksesshme. Ke hapur  edhe shumë ekspozita tjera, si po ndiheni me rastin e hapjes së ekspozitës më të re, në ambientet e Ambasadës Republikës Shqipërisë në Romë?

E falemenderoj ambasadorin Llesh Kola, dhe gjithë stafin e tij që ma mundësuan t’a hap ekspoziten në ambientet e Ambasades të atdheut tim, duke më mundësuar që të komunikojë me njerëz të përzgjedhur, që kan një vlerë shumë të madhe, ma të madhe se vet ekspozita. Një falemenderim të veçant ia adresoj  edhe amasadorit të Republikës së Kosovës në Romë Albert Prenkaj, i cili më bëri një nder të madh me prezencen e tij në përurimin e ekspozitës. Shkurt, u ndjeva mjaft  i relaksuar në diten e përurimit të kësaj ekspozite.

 -Do të dëshiroja që të vazhdoj me këtë pytje. Kur (në cilen moshë) është vërejtur talenti i juaj për pikturë?

Që kur isha 4 vjeçar talentin tim e kan vërejtur prindërit, ndërsa pak vite më vonë edhe mësuesi i fillores e kuptoi talentin  tim dhe më stimuloj, duke më dhënë edhe fletë vizatimi, që të vizatoja, sepse në atë kohe edhe fletët e vizatimit  ishin të kufizuara. Në tetëvjeçare kam arritur të bëjë një ekspozite personale me temë: ”Mledhesit e ullinjëve”.
 

Mjedisi ku u hap ekspozita ne Rome
Mjedisi ku u hap ekspozita ne Rome
-Cilës kategori (zhanri) i takojnë pikturat tuaja?

Pikturat që i krijoj kanë një kombinim të  ngjyrave, por kam punime edhe vetëm  me grafit. Jam duke krijuar personalitetin tim, mund të them që zhanri i pikturave  i përket artit informal (ekspresionizmit abstrakt) .
 
-Ke hapur ekspozita  në atdhe edhe  këtu në Itali, si ndieheni kur ekspozoni?

I emocionuar gjithnjë, por edhe i pergjegjëshëm sepse duhet të paraqitesh sa më denjësisht dhe me vepra emocionuse për  vizitorin-shikuesin. Ekspozitat që bëj janë të gjitha të kërkuara nga dikastere shtetëror, se privatet  kërkojnë edhe  lekë për të ekspozuar. Unë mendoj se suksesi vjen duke punuar dhe jo duke paguar...Ekspoziten e parë, sikur u tha ma lart e kam hapur në Lezhë, e kjo e fundit, në ambientet e Ambasadës Shqiptare në Romë. Kam hapur edhe disa të tjera, si ne atdhe , ashtu edhe në Itali.

-Nëse nuk është ngarkesë e tepërt (për momentin) atë kujtohen ekspozitat që i ke hapur deri më tani?

Po. Unë jam edhe ashtu me profesion piktor i lire, dhe nuk e ndiej kurfar ngarkese. Kam hapur ekspozita në Shqipëri dhe këtu në Itali. Në Shqipëri: në Pallatin e Kulturës Lezhë (në vitet 1984, 1985, 1986, 1988); në Pallatin e Kulturës në Librazhd (1987); në Akademin e Arteve të bukura Tiranë (1992); në Galerinë Kombëtare  Tiranë ( 1993).  Ndërsa në Itali: në Treviso (në vitet 1996, 1997, 1998, 1999, 2000, 2002, 2006, 2007, 2008) Castelfranco Veneto (2006), më 2001 në “ARTE  D’A” Venezia , dhe janar 2009  në Ambasaden Shqiptare në Romë.

Portret njeriu te vuajtur
Portret njeriu te vuajtur
-Përveç në ekspozita, ku mund të gjenden pikturat e tua z. Koleci?

Janë edhe koleksione në Galerinë e Arteve në Lezhë (Shqipëri), OMPAC Galeri (Itali), ndërsa në koleksionet private edhe në Francë, Gjermani, Itali, SHBA, Kanada, etj.
 
-Cilën ekspozitë dhe cilën pikturë e konsideron më të sukseshme?

Ekspoziten më të suksesshme e konsideroj këtë që  bëra në shtepin time (këtu në ambasadë).
Dhe si pikturë është piktura e fundit e afishuar në hyrje, (e punuar në të njejtën teknikë që perdori unë), veçse me simbol Shqipen dhe hartën e Shqiperisë së madhe.
 
-Këtu ku jeton (në prvincen e Trevisos), organizoni edhe kurse për pikturë. Sa ka të interesuar, nga të rinjët vendor edhe të huaj?

Në galerinë time  në Ormelle (TV) organizoj kurse për të gjithë të interesuarit në të gjitha moshat. Kam nxënës-vijues të kursit të  nacinaliteteve të ndryshme, por natyrisht  më shumë janë vendas.
 
-Tani disa vite, keni statusin e artistit te lirë. Si jetoni? Dhe a ka fitime prej pikture?

Kryesisht jetoj nga profesioni, me shitjen e pikturave, por edhe me pikturimin e mureve të jashtme dhe të mbrendëshme të shtëpive, etj. Pra, veç piktures në kanavace bëj edhe dekorime e afreske sipas kërkesave.…Si duket fitojnë më shumë ata (ato) që i shesin punët e mia!
 
-Jeni i lindur në Fishtë, në vendlindjen e poetit të madh që ka këtë mbiemër. Si e ndieni veten? A e viziton ndonjëherë dhe a keni ndonjë projekt të veçant për vendlindjen tuaj, Fishtën!?

Fishta është vendelindja ime, ndihem shumë krenar dhe në intimitet e mbaj gjithnjë me vete, nga do që shkoj..! Fshatit tim të lindjes i kam krijuar dhe një faqe interneti  www.fishta.tk   dhe e dua shumë! Kur isha fëmijë prindërit e mi krahas edukimit fetar më recitonin pjesë nga “Lahuta e Malcisë” dhe të vepres së At Gjergj Fishtes  (gjëra të ndaluara rreptësisht nga regjimi i asaj kohe). Në Shqipëri shkoj çdo vit, kuptohet edhe në Fishtë, për të cilën kam në projekt të dekorojë me afresk faqen kryesore të kishës së fshatit.  
Mendoj të kërkoj ndihmë për të krijuar një muze në vendin ku lindi shkrimtari ynë kombëtar e nacionalist At  Gjergj Fishta, që është lënë në harresë nga pushtetet vendorë të deritashëm. Me fjalë tjera më duket se nuk i japin vendin e merituar që duhet t’a ketë.

-Ke edhe ndonjë pasion që  e ushtroni si hobi, përveq piktures?

Më pëlqen shumë të merrem me krijimin e faqeve të internetit, foto e video. Punimet e mia mund të gjenden edhe në web faqen personale www.artpaint.tk.  
 
-Nëse nuk është sekret, cilat janë planet dhe dëshirat për të ardhmen?

 Planet dhe dëshirat nuk i kam sekrete. Planifikoj të realizoj gjithnjë vepra emocionuse për shikuesin-vizitorin e punimeve të mia, dhe dëshiroj  që të kem mundësinë për të ekspozuar punen time edhe në vendet tjera të Europës dhe botës.

-Ju faleminderit në mirëkuptimin e hasur tek Ju, zoti Koleci, për këtë intervistë!

Jeni i mirëpritur dhe gjithënjë të respektuar. Ndërsa  unë, i përshëndes lexuesit e Juaj, dhe  të gjithe ata që kan gjak shqiptari  kudo që ndodhen.

Nga perurimi i ekspozites ne Ambasaden Shqiptare ne Rome
Nga perurimi i ekspozites ne Ambasaden Shqiptare ne Rome


© www.zemrashqiptare.net

(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: