Besnik Dizdari: Po në qoftë se na ndodh “rreziku” e fitojmë me Hungarinë, çka do të themi?
| E Diel, 22.02.2009, 01:01 AM |

Besnik Dizdari
Besnik Dizdari
Po në qoftë se na ndodh “rreziku” e fitojmë me Hungarinë, çka do të themi?

Nga Besnik Dizdari

Mbi “vetmadhështinë” e opinionit sportiv shqiptar dhe mbi “pamundësinë” e kualifikimit të Shqipërisë në një Botëror apo Evropian

Menjëherë, vetëm pesë ditë mbas barazimit zâmadh 0-0 në Braga me Portugalinë, që është një nga skuadrat më të forta të botës, këtu në “TemA” kemi botuar shkrimin me titull “Shqipëria përballë ndeshjes më të rëndësishme në histori: Maltë, 11.02.2009”, si dhe me mbititullin “Endërra e realizueshme e rikryesimit të mbas 110 ditëve…”.

Jemi të detyruar të lidhemi me atë shkrim të para plot 115 ditëve, madje t’ia marrim hua mbititullin të cilit do t’i bëjmë vetëm një ndryshim, “të realizueshmen”, do ta shndërrojmë në të “parealizueshme”. Sepse ëndërra nuk u realizua dhe ashtu si dhjetë vjet më parë, prap na duhet të përsërisim për Shqipërinë: “E madhe me të mëdhejtë, e vogël me të vegjëlit”.

Dhe 0-0 në Maltë!...

XXX

M A L T A. Kështu, në tetorin e shkuar 2008, “TemA” qe e para që tha fjalë për fjalë këto:

“Pa shumë eufori, pa vetkënaqësi, pa gjakim (pasion), ecuria kapricioze e shortit të Grupit 1 mbas barazimit zâmadh me Portugalinë, na çon te ndeshja e rradhës që është ajo me Maltën. Eshtë një ndeshje që i takon të luhet mbas shifrës së plotë të 110 ditëve: 11 shkurt 2009. Do të jetë ndeshja e vetme e atëditëshme e Grupit 1. Si autor i këtij shkrimi do t’i përballoj kundërshtimet, por këmbëngul se kjo është ndeshja më e rëndësishme që ka zhvilluar ndonjëherë Shqipëria për Kupën e Botës. Arësyetimi është krejt i thjeshtë: nëse Shqipëria fiton në Maltë, ngjitet në krye të Grupit 1 të “Africa 2010”! Dhe të gjitha përkimet do të jenë “të herës së parë”. Do t’i rreshtoj me kryeradhë të gjitha këto “për herë të parë” për të kuptuar thelbin e dukurisë:

* Do të ndodhë që për herë të parë në histori, Shqipëria mbrenda një gare kualifikuese të Kupës së Botës e madje edhe të Kupës së Evropës, të ngjitet dy herë në krye të Grupit të saj kualifikues.

* Do të ndodhë që për herë të parë në histori, Shqipëria të jetë kryesuese e Grupit të saj kualifikues mbas 5 ndeshjeve të zhvilluara.

* Do të ndodhë që për herë të parë në histori në gjysmë të rrugës kualifikuese për një Botëror apo Evropian, Shqipëria të kryesojë Grupin.

* Do të ndodhë që për herë të parë në histori, Shqipëria të ketë golaverazh pozitiv mbas 5 ndeshjeve.

* Do të ndodhë që për herë të parë në histori, Shqipëria të ketë fituar mesatarisht 1 pikë për ndeshje (me sistemin e 2 pikëve për fitore).

* Do të ndodhë që për herë të parë në histori, në gjysmë të rrugës Shqipëria të shndërrohet në mëtuese midis një bashkësie të përbërë e pakta prej katër shteteve të cilët futbollin e kanë një shkallë apo disa shkallë mbi Shqipërinë: Danimarka, Portugalia, Suedia, Hungaria!”

Askush nuk shkroi kështu, veç u morën gjatë me barazimin “fitimtar” të Braga-s, Ndërsa në këto faqe tonat u shkrua se: “Ndodhemi kështu para një ëndërre të realizueshme të rikryesimit të mbas 110 ditëve… Ndonëse prap ajo mbetet thjesht një ëndërr. Dhe ëndrra kurr nuk është realitet. Ose për të t’u shndërruar në realitet, kërkohet shumë mund, madje shpesh sakrifica dhe përpjekje mbinjerëzore”.

Por... 0-0 në Maltë, çka provoi se vërtet ëndërra kurr nuk është realitet. Ose për realizimin e saj vërtet që “kërkohet shumë mund, madje shpesh sakrifica dhe përpjekje mbinjerëzore”. Mû këto nuk i paraqiti skuadra e Shqipërisë. Ajo festoi gjatë, tepër gjatë barazimin zâmadh me Portugalinë, e bashkë me te edhe i gjithë opinioni tjetër shqiptar, i cili vonë, tepër vonë u kujtua të thoshte edhe ai se një fitore në Maltë na vë në krye të grupit. E mandej 0-0!

Nuk mund të ndodhte ndryshe me sa duket, përderisa skuadra për mbi gati tre muaj nuk doli në fushën e lojës për një ndeshje përgatitore (vetëm ajo me Azerbaixhanin qe më 19 nëntor 2008).

Të dukej kësisoji, se vetvetiu gjithçka të çonte te një dështim maltez. Vërtet, po ta shohësh me dorë në zemër, Shqipëria nuk kishte se si të fitonte në Maltë. Jo vetëm sepse nuk kishte luajtur prej gati 90 ditësh, po mbi të gjitha sepse i mungonin tre titullarë të klasit të parë: Beqaj, Cana, Lala. Dhe dihet mirë se Shqipëria nuk është kaq e fortë sa këta tre “yje” të saj me në krye kapitenin e Olimpikut të Marsejës, mund t’i zëvëndësojë “pa pritë e pa kujtue”? Edhe Brazilit po t’i mungojnë tre titullarë, i krijohen probleme. Kur për Shqipërinë e vogël, merret me mend se mungesa e tyre, më e pakta shkakton një shpërbërje taktike, teknike, strategjike; e pse jo, edhe psikologjike. Sidomos për te, e cila dihet, nuk është ndonjë prodhuese e pashtershme talentesh.

Ashtu si rrodhën punët, Shqipëria nuk mund të fitonte me Maltën, përderisa Erion Bogdani, i cili nuk luan në Kampionatin e Serie A, ka humbë “nordin” e shënimit të golave (kujto rastin e pastër të minutës 31 që mund të kishte ndryshuar rrjedhën dhe fatin e lojës). Shqipëria natyrisht që nuk mund të fitonte me Maltën përderisa për “mrekullinë” më të madhe nuk shfaqi guximin më të paktë për të fituar. Dhe këte e tregoi pjesa e dytë (dihet që në futboll trimëritë më të mëdha gjithmonë tregohen në pjesën e dytë), kur maltezët prishën deri diku lojën e më të mirit, i cili ishte 21 vjeçari Gilman Lika i Kampionatit të Turqisë dhe e panë se kjo Shqipëri nuk mund të rrezikonte më tej. Tash në sulm u hodhën vendasit të cilët edhe mund të fitonin, siç tha trajneri vendas Fitzel; apo siç “u gëzua” për mos-humbjen trajneri “shqiptar” Arie Haan. Të dy janë realistë në këte gjykim.

Shqipëria nuk mund të fitonte në Maltë edhe për shkakun tjetër: kësaj rradhe holandezi Haan, qe çuditërisht i topitur. Ndërrime të vonuara, jo bindëse (kur në stol ishin Salihi e Sukaj, të cilët me Beqirin e Likën ndoshta mund të bënin një treshe solide shkodrane, teksa kujton njohjen e lojës së njeri tjetrit), ndërkohë që Berisha u duk sikur vinte nga një planet tjetër. Edhe me përbërjen e fillimit, Shqipëria me vetëm një sulmues mirëfilli (32 vjeçari Bogdani), tregoi po aq paqartësinë dhe pavendosmërinë e trajnerit.

Kësisoji, nuk ka asnjë dyshim, siç edhe ka pohuar me të drejtë opinioni sportiv shqiptar, se në gjithë këto “shkaqe” të përcipta apo të thella të humbjes, kryeshkaku mund të jenë gabimet e drejtuesit teknik, emri i të cilit është Arie Haan i cili si ndihmës të tij ka atë i cili qëndron nën forcën sugjestionuese të emrit Willian Suurbier, një ndër “fluidifikanët” (mbrojtësi që sulmon gjithë kohën) më të mëdhej të historisë së futbollit total, i cili pat përshkuar kilometra të tanë (dy gola të tij) edhe në ndeshjen famëmadhe 2-2 të Ajax të Amsterdamit më 1970 në Tiranë kundër 17 Nëntorit të asokohe…

Mirëpo… doemos 0-0 Shqipëria në Maltë më 11 shkurt 2009…

XXX

O P I N I O N I. Tash që rreshtuam mendimet tona për disa nga shkaqet e “disfatës së turpshme” të Maltës, siç po i pëlqen ta përsërisë prej gati një jave i ashtuquajturi “opinion sportiv shqiptar”, e ndjejmë për të treguar se si fabula nuk mund të mbarojë kaq me lehtësi qoftë dhe te emri i drejtuesit teknik të skuadrës kombëtare të Shqipërisë, për të cilin këto ditë “mësuam” se gjoja paska thënë se qe bërë gati për të shkuar tepër larg: në fundoret (finalet) e Johanesburgut e të Pretorias në brigjet e largëta të Afrikës së Jugut që laget prej dy oqeaneve, atij Atlantik dhe atij Indian.

Në opinionin sportiv shqiptar ka shpërthyer këto dit një sulm i papamë kundër trajnerit, aq sa për një çast të shkon mendja e të thuash sa mezi e pritën për të ushtuar në këtë oktavë të të ashtuthirrur deri në kupë të qiellit si “dështim”.

E vërteta është se në historinë e Kombëtares së Shqipërisë nuk ka patur më shumë kritika, e aty këtu deri dhe përçmime, se sa çka patur ndaj katër trajnerëve të huaj Dossena, Briegel, Baric e tash edhe Haan. Eshtë një temë me të cilën ne jemi marrë jopak gjatë gjithë këtyre viteve dhe gjithnjë kemi qenë e vazhdojmë të jemi kundër. Nuk është çështja të fetishizojmë trajnerët e huaj (lufta kundër të cëlëve duket krejt e ngjashme me atë që iu bëhet kolegëve të tyre të huaj edhe në Kampionatin Kombëtar). E, mundet që vjen koha që Kombëtaren ta drejtojë një trajner shqiptar, sepse midis tyre ka të aftë e me personalitet moskomprometues. Çështja është se si ka mundësi gjithë kjo menjëhershmëri kundër trajnerëve të huaj, që mbërrin kaq pa mëshirë deri te ai i Kombëtares. Që shpërthen po kaq fort edhe mbas një barazimi të Shqipërisë në Maltë! Po Malta, nuk paska të drejtë të fitojë kundër askuj (në të vërtet nuk fitoi, por barazoi)?

Vështroni tash, disa ngjashmëri krahasuese:

Çka duhet të shkruajë e të thotë Portugalia – e 12-ta e botës që barazoi në fushën e vet me Shqipërinë e 80-të të Botës? Çka duhej të thoshte pak vjet më parë Rusia gjigande që vjen e humbet 3-1 në Shkodër të Shqipërisë së vogël në gjithçka? Çka duhet të thotë Ukraina e cila në ditët e saj më të forta barazon 2-2 në fushën e vet me Shqipërinë? Çka duhet të thotë Kampionia e Evropës, Greqia e cila ende me pa i hequr medaljet e Kampionit të Evropës nga gjoksi, e mbasi kishte mposhtë gjithë superfuqitë e Evropës, vjen e dorëzohet në Tiranë të Shqipërisë? Çka duhej të thoshte Belgjika 1984, në tetëshe të botës, që mposhtet si një fëmijë naiv në Tiranë 0-2? Çka duhej të bënte më 1967 Nënkampionia e Botës në fuqi, Gjermania e Helmut Schön-it që dorëzohej deri në eliminim prej Kampionatit Evropian thjesht për shkak të një barazimi alogjik 0-0 në Tiranën ku njerëzit nuk ngiheshin me bukë? E çka duhet të bëjë, bie fjala, një superfuqi e futbollit si Franca – Kampione e Botës, e cila në Kampionatin Evropian 2008, u rendit e parafundit, e 15-ta? Apo që në ecurinë e Kupës së Botës 2010 kjo Francë zë vendin e 27-të në Evropë me mesatarisht 1.33 pikë për ndeshje, thuajse ngjitur me Shqipërinë e cila edhe mbas barazimit në Maltë, është e 31-ta me mesatarisht 1 pikë për ndeshje midis 53 shteteve?

Ia vlen të ulet toni. Nuk ka luejtë vendit boshti i tokës! Ka ndodhur vetëm kjo: Shqipëria ka barazuar 0-0 në Maltë një ndeshje të Kupës së Botës, ndonëse kishte menduar se mund ta fitonte. Vetëm kaq. Ngjarje të përhershme të futbollit.

I duhet kthyer prap historisë për të kujtuar morinë e sensacioneve, të papriturave, e deri absurditeteve në futbollin botëror, në atë sport në të cilin, siç ka thënë një studjues “përderisa luhet me organin më pak të përpunuar të organizmit të njeriut që është këmba, gjithçka mundet me ndodhë” . Dhe janë bashkudhëtare raste kur i vogli e ka mposhtë të madhin. Ndonëse në rastin tonë largësia Maltë – Shqipëri nuk ëshë mû në raportin “i vogël – i madh”. Kuptohet që jemi në futboll, jo në jetë, sepse këtu Malta e len mbrapa Shqipërinë me metra të thellë. Shqipëria ka vetëm rreth 3000 dollarë për frymë në vit, ndërsa Malta mbi 13.000. Shqipëri sapo po kërkon që falë natyrës së saj të bekueme, ta shndërrojë turizmin në burim mirëqënie, Malta ka prej turizmit 25 përqind të të ardhurave.

Dhe për fat, edhe pse një prift nga Malta, Ritter, pat sjellë në Shqipëri topin e parë të futbollit në fillim të Shekullit XX, Shqipëria ia kalon Maltës në sport, sepse jo gjithmonë sporti, e sidomos futbolli, është në harmoni me nivelin e jetesës. Ndonëse kushedi se si do ta kishim pasë sportin sot po të mos ishim izoluar gati 50 vjet nën Regjimin, i cili edhe për të marrë pjesë në Kampionatet Evropiane e Botërore qe menduar gati 20 vjet!

XXX

P A M U N D E S I A. Kësisoji, të lind pyetja: Po në qoftë se na ndodh “rreziku” e shkojmë e fitojmë me Hungarinë, më 28 mars në Tiranë, çka do të themi?

Ndoshta do t’ia fillojmë edhe një herë me melodinë e euforisë së barazimit të Portugalisë. E do të ëndërrojmë edhe një herë se Shqipëria mund të shkojë në një Botëror. Ndonëse deri më sot nuk gjejmë asnjë vend evropian me futboll të nivelit të Shqipërisë që të ketë qenë ndonjëherë në fundoret (finalet) e një Botërori. Çka natyrisht, kjo nuk do të thotë se kurrnjiherë nuk mund të shkojë Shqipëria.

Mirëpo, mbetesh disi në mëdyshje kur kujton se si ka qenë e mundur që shkruesa të shpejtë në gazetarinë e sotme sportive, që duket se është bërë profesioni më i lehtë i mundshëm, i kanë mveshur Briegelit, madje edhe Baricit, e me sa duket tash së voni edhe Haan-it, se këta trajnerë kanë deklaruar se do të mund ta çojnë Shqipërinë në një Botëror apo Evropian. Qofshim të gabuar, megjithëse përpiqemi të punojmë me shënime e skeda dhe jo me memorje, po deri më sot nuk kemi zbuluar një ditë, një orë, një çast që këta tre trajnerë të huaj, të cilët janë emra botërorë për kah mendët e futbollit, të kenë deklaruar se “do ta çojmë Shqipërinë në këte Botëror apo atë Evropian”. Kujtojmë ndërkaq, se sidomos gazetaria moderne perëndimore nuk mund të bëhet me sajesa e deformime intervistash, që merren në ecje e sipër apo “në kambë e në dorë”.

Shqipëria e ka tepër të vështirë që të shkojë në Botërorin 2010 kur dihet se drejtpërsëdrejti në Afrikë shkojnë vetëm 9 skuadrat që zejnë vendet e para në 9 grupet evropiane të 53 shteteve. Iu kujtojmë naivëve dhe të revoltuarve deri në skaj për barazimin në Maltë, se në grupin tonë janë e pakta katër skuadra të cilat kanë dukshëm më të mirë se Shqipëria nivelin e jetesës e të zhvillimit, por në mënyrë të veçantë edhe sportin “lodrues” që quhet futboll: Suedia, Danimarka, Portugalia, Hungaria. Normalisht vendi i parafundit i Shqipërinë në grup është normali, në harmoni me zhvillimin e saj sportiv, ekonomik, kulturor, politik, futbollistik, intelektual (“shqisuer” thotë Koliqi), tradicional, moral, etik, qytetar, shkencor, shtetëror a kah duash që ta marrësh.

Turqia ka një futboll të klasit të parë profesionist modern e pakta tash 50 vjet, por për t’u rikthyer në një Botëror e për t’u ngjitur madje deri në e treta e Botës, iu deshën po 50 vjet. Greqia i ka dhënë botës Olimpiadën dhe menjëherë Mbasuftës së Dytë e ngriti në piedestal sportin e saj, por për të shkuar në një Evropian në futboll iu desht një epokë jete, çka madje iu quajt me të drejtë një bujë krejt e papritur e përmasave botërore titulli që ia rrëmbeu Evropës pa mëshirë.

Vërtet, na duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë.

Sigurisht loja popullore e futbollit shpesh krijon arritje krejt spektakolare e mundësi befasuese edhe për të vegjëlit si puna e Shqipërisë. Dhe mendja e ëndërrimet e saj mund të të çojnë në atë që edhe Shqipëria të ketë të drejtë të synojë. Po para se të synojë me turr per të shkuar në një Botëror, asaj i takon të synojë rritjen edhe të Kombëtares së saj hap mbas hapi, vit mbas viti, edicion mbas edicioni. Kjo siç thotë, një gazetar i shquar, mund të bëhet vetëm kur “me një sforco korale dhe të përmasave të mëdha t’i vemë së bashku në një: paratë dhe inteligjencën, kulturën dhe mençurinë, zotësinë përpunuese dhe shkathtësinë burokratike (nëpunësore)”.

XXX

R R I T J A. Mund të renditesh edhe i pesti në grupin tënd, dhe nëse nuk je larg mëtuesve të mëdhenj, nëse ke zhvilluar ndeshje gjithnjë e më të mira, nëse herë mbas here ke tronditë edhe të mëdhenjtë, të gjitha këto përbëjnë një sukses të madh.

Vitet e fundit Kombëtarja e Shqipërisë pak a shumë ia ka arriturr kësaj. Ose është në këte rrugë. Dhe meritën këtu e ka edhe Federata Shqiptare e Futbollit dhe këmbëngulja e presidentit të saj Armand Duka për të sjellë në këte në periudhë rilindëse të historisë së Kombëtares së Shqipërisë, trajnerë të huaj, tashmâ një rrugëtim me ulje e ngritjet e tij që filloi me italianin Dossena, vazhdoi me me gjermanin Briegel, kroatin Baric dhe holandezin Haan. Çka nuk ul aspak punën e trajnerëve shqiptarë të Kombëtares, të cilët edhe për shkak të kushteve jo të favorshme në të cilat punuan, nuk arritën deri këtu.

E vërteta e pamohueshme është se, qysh nga viti 1963 kur Shqipëria nisi pjesëmarrjet e saj në Kampionatet e Evropës dhe të Botës, trajnerët të cilët kanë rezultatet më të lartë janë mû tre trajnerët e fundit, që të tre të huaj: Briegel (më rezultativi), Baric dhe Haan. Kroatin madje, mbasi e nënvleftësuan jo pak, mbasi e quajtën “plak” a nuk di se çka, papritmas, tash mbas barazimit me Maltën një adoleshencë gazetarie ka nisur ta vlerësojë!

Por fjalët e buta e faktet e fortë.

Kemi krijuar prej vitesh një Renditje për të gjykuar rezultatet e trajnerëve të Kombëtares.

Renditja jonë del duke marrë në konsideratë 7 tregues statistikorë, objektivë, dhe vetëm një tregues subjektiv, ate të “ndeshjeve të rralla” që patjetër duhet të kenë brënda edhe pozitiven e rezultatit, pra që të mos kenë qenë humbje. Për secilin tregues bëhet renditje nga 1 deri te 15, sepse kaq janë trajnerët që e kanë drejtuar deri më sot Shqipërinë në Kampionatet Evropiane dhe Botërore. Në fund mblidhen pikët, duke konsideruar pikë numrin e renditjes së tyre në secilën prej 7 renditjeve. Kështu që, trajneri më rezultativ është ai që ka shifrën më të vogël përmbledhëse në renditjen tonë përfundimtare të 7 treguesve. Që, mbas barazimit zhurmëmadh 0-0 me Maltën, ka këte shkallëzim:

Renditja e “Trajnerit më rezultativ”:

1. Hans Peter BRIEGEL 23

2. Arie HAAN 28

3. Otto BARIC 30

4. Neptun BAJKO 35

5. Astrit HAFIZI 40

6. Ilia SHUKE 46

7. Shyqyri RRELI 52

8. Giuseppe DOSSENA 53

8. Zyber KONÇI 53

9. Shyqyri RRELI 48

10. Bejkush BIRÇE 58

11. Loro BORIÇI 59

11. Medin ZHEGA 59

13. Agron SULAJ 74

14. Sulejman DEMOLLARI 77

15. Myslym ALLA 79

E shihni që tre më rezultativët janë tre trajnerët e huaj Briegel, Baric dhe Haan.

Ka një shifër të rrallë që vërteton epërsinë në rezultatet e këtyre tre trajnerëve të fundit: ajo e 9 fitoreve të mara prej tyre së bashku në kualifikimet e KE dhe KB. Ju duken pak? Ndoshta. Ngaqë keni harruar se qysh nga viti 1963, kur Shqipëria ka marrë pjesë në KE dhe KB dhe deri sa erdhi në krye Giuseppe Dossena e menjëherë mbas tij Hans Peter Briegel, Kombëtarja ka arritur të marë vetëm 12 fitore në 39 vjet të tana! Me një fjalë, për të padijshmit, përmbledhim se në periudhën 1963-2002, Shqipëria ka marrë vetëm 12 fitore, ndërsa për periudhën 2002-2009, për vetëm 7 vjet Shqipëria ka marrë 9 fitore. Dhe duke qenë se opinioni sportiv në Shqipëri rrezikon të sundohet prej atyre që Patër Gjegji qysh më 1921 i përcakton si: “kush po di mâ pak, po shkruen ma shum”, jemi të detyruar t’i mëshojmë edhe më “shkencërisht” fakteve.

Shifra e 9 fitoreve për 7 vjet në raport me 12 fitoret për 39 vjet mund të lexohet edhe kështu:

Nga 115 ndeshje të periudhës 39 vjeçare 1963-2002 për KE e KB, Shqipëria ka fituar vetëm 12 ndeshje, ose 10.4 përqind të tyre; ndërsa në 37 ndeshje të periudhës së vetëm 7 vjetëve 2002-2009, ajo ka fituar 9 ndeshje ose 24.3 përqind, çka do të thotë gati dy herë e gjysëm më shumë. Duke qenë se kaq shumë qenka mërzitë opinioni sportiv shqiptar ngaqë barazuam në Maltë, kujtojmë se në 16 edicionet para këtyre, Shqipëria ka mundur të barazojë vetëm 16 ndeshje prej të 115-tave, ose 13.9 përqind, ndërsa në këto katër edicione të fundit me trajnerë të huaj, Shqipëria ka barazuar 11 ndeshje prej 37-ve, ose 29.7 përqind. Edhe këtu rritja rezultative (sepse shpesh edhe barazimi është rritje, sidomos jashtë fushës) është mbi dyfish. Shkojmë te golat që janë thelbi i fuqisë së futbollit: në 16 edicionet e para Shqipëria ka shënuar 68 gola ose 0.5 gola për ndeshje, ndërsa këto katër edicione të fundit me trajnerë të huaj, Shqipëria ka shënuar 37 gola ose mesatarisht 1 gol për ndeshje.

E tash, si fund, kryefakti: Shqipëria ka qenë 17.3 përqind rezultative në pjesëmarrjet e saj të 115 ndeshjeve të 39 vjetëve. Por Shqipëria e pjesëmarrjeve të saj të 37 ndeshjeve të vetëm 7 vjetëve të fundit ka qenë 36.4 përqind rezultative, çka do të thotë më shumë se mbi dy herë më mirë mbrenda një kthese thuajse të rrufeshme në krahasim me të kaluarën: vetëm për 7 vjet! Nuk themi se është për të brohoritur, vetëm themi se është rritje.

Komentet e mëtejshme na duken të tepërta. Vetëm sa po shënojmë që rritja tjetër, ajo në mënyrën e lojës është edhe më e dukshme, ndonëse bie fjala, sot në Kombëtare nuk kemi një P.Pano, një S.Halil, një L.Shllak, një S.Biz apo një R.Ragam, por dhe të tjerë, të cilët kanë qenë ndër fenomenët shqiptarë të futbollit.

XXX

H U N G A R I A. Nuk po e lodhim më tej lexuesin e mençëm, me shifrat se ka edhe plot shifra të tjerë që provojnë rritjen e Kombëtares së Shqipërisë në katër edicionet e fundit në krahasim me 16 edicionet e mëparshme. Dhe as nuk duam t’ia mbushim mendjen ndokuj se ecuria e viteve të fundit është diçka fantastike, e po kështu as që duam të mbrojmë ndeshjen e pasuksesëshme të Maltës, sepse ajo nuk mund të mbrohet dhe për shkaqe që i thamë qysh në fillim të këtij shkrimi. E doemos as që të justifikojmë gabimet e trajnerit Haan në këte ndeshje, por më shumë të vetë lojtarëve, sepse dihet, ai që luan në fushë në fund të fundit, nuk është trajneri por lojtari. Vetëm deshëm të japim një ndihmesë modeste për të nxitur një opinion më të drejtë, më të vërtetë, më të saktë, më me këmbë në tokë për çështje të sportit e të futbollit kombëtar, në këtë rast të Kombëtares së Shqipërisë.

Edhe Malta ka të drejtë të fitojë, e aq më tepër të barazojë. Çka për këte kjo është më e mundshme t’i realizohet me Shqipërinë – që simbas FIFA-s është skuadra e 80-të e botës, se sa me Portugalinë që është skuadra e 12-të e botës. Madje e 80-ta e botës në ekonominë e zhvillimit të futbollit, të kushteve (ndonëse gjithnjë në rritje, tjetër punë ritmet e rritjes)), të mendësisë, të traditës së vetë zhvillimit ekonomiko –shoqëror shqiptar.

Ndonëse mû për këto nuk mendojmë se Kombëtarja e Shqipërisë qëndron më poshtë se ekonomia e Shqipërisë, se kultura e Shqipërisë, se demokracia e Shqipërisë, se mendimi sportiv shqiptar, se shtypi shqiptar, se “mendimtarët” sportivë shqiptarë, se gazetarët shqiptarë. Madje kemi bindjen se Kombëtarja e Shqipërisë qëndron më lart se të gjithë këta.

Atëherë? Duke qenë se ndodhemi vetëm 1 pikë larg vendit të parë në grup (por me 1-2 ndeshja të luajtura më tepër), nëse na ndodh “rreziku” e fitojmë me Hungarinë, çka do të themi?...


Tema

(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: