Bekam: Të luash në Itali, është ëndrra e çdo futbollisti
| E Marte, 03.02.2009, 12:15 PM |

David Beckham
David Beckham, A.C. Milan
Për intervistën e tij të parë me një gazetar, që nga koha e ardhjes në Itali, David Bekam i ka lënë të gjithë gojëhapur. U paraqit në takim çerek ore para orarit të fiksuar. Buzëqeshja ishte ajo e zakonshmja, pak e turpshme, por e bukur, ndërsa humori, sigurisht anglez.

David, ardhja juaj në një mjedis si ai kuqezi ka qenë befasuese. Na e shpjegoni dot sekretin?

Edhe unë u befasova. Ndonjëherë duhen javë ose muaj për të kuptuar si luan dhe stërvitet një skuadër. Duhet të them që të gjithë më ndihmuan të ndihesha rehat, më pritën me të vërtetë mirë.

Sipas jush, çfarë ka Milani të veçantë?

Është shumë i ngjashëm me Mançester Junajtin. Ka një traditë që vetëm klubet e mëdha e kanë. Te Milan, ashtu si te Junajtid, kudo është një atmosferë shumë e veçantë: nga fusha e stërvitjes në stadium. Pastaj të mos harrojmë gjithë trofetë e Milanit... Kjo të bën të ndihesh i veçantë.

Kush mendoni se do të jetë e ardhmja juaj? Do të rrini në Itali, apo do të ktheheni në Los Anxhelos?

Të luash në Itali është ëndrra e çdo futbollisti, megjithatë të vendosësh nuk është e lehtë: është një punë që kërkon kohë.

Po dëshira juaj cila është?

Kam një kontratë dhe shumë respekt për Galaxy. Megjithatë, mundësia për të luajtur te Milan është shumë e veçantë. E dija që do të argëtohesha, por jo kaq shumë. Por jam një person shumë i respektueshëm nga pikëpamja e karakterit.

Nëse do vendosnit të ktheheshit në Los Anxhelos, do të ndiheshit keq?

Në të vërtetë amerikanët po bëjnë gjithçka për të përmirësuar nivelin dhe reputacionin e futbollit të tyre. Ai amerikan, është një kampionat i ri. Mendoj se duhen ende shumë vjet për të hedhur hapa të rëndësishëm.

Po kjo ka rëndësi për ju?

Duhet ta pranoj. Pasi kam luajtur në Evropë, shpesh ka qenë frustruese të luaje në disa ndeshje. Megjithatë, ndonjëherë duke kaluar nga një stadium te një tjetër, jam argëtuar.

Pasi keni luajtur disa ndeshje, çfarë ideje keni krijuar për futbollin tonë nga pikëpamja taktike?

E kam kuptuar se për të luajtur këtu duhet të jesh i fortë teknikisht dhe në skuadra si Milani duhet të jesh akoma më shumë. Që kampionati juaj është shumë i fortë faktikisht, e dija që më parë. Shumë gjëra m‘i ka mësuar Fabio Kapelo kur luaja te Real Madridi. Nga ai mësova organizimin dhe disiplinën.

Çfarë po bëni për të përmirësuar përshtatjen tuaj me grupin, por edhe për t‘u bërë pjesë e jetës sociale?

Flas italisht nga një orë në ditë, pastaj kam dalë edhe për darkë me disa shokë skuadre.

Cilët shokë?

Maldini për mua është një person i jashtëzakonshëm. Më ka ndihmuar brenda dhe jashtë fushës. Megjithatë kam raporte të mira me të gjithë, jo vetëm me ata që flasin anglisht.

Pra, keni raporte të mira edhe me Gatuzon?

Po, edhe me Gatuzon. Është e pabesueshme se si po punon për t‘u rikuperuar nga dëmtimi. Çdo skuadër ka nevojë për një si ai.

David, nga shokët tuaj të rinj, kush ju ka bërë më shumë të qeshni?

Gatuzo, gjithmonë ai.

Tani që po i shihni nga afër, cilët janë futbollistët që ju kanë surprizuar më shumë?

Pirlo. E kisha adhuruar gjithmonë nga larg. Është shumë i talentuar. Pastaj Rikardo Kaka dhe Pato. Pas disa vitesh Pato do të bëhet lojtari më i mirë në botë. Është shumë i ri, ndaj është e rëndësishme të mos e vësh asnjëherë nën presion. Por edhe Ronaldinjo nuk ngelet pas: me të kisha luajtur në kohën kur isha te Reali, por ta kesh në të njëjtën skuadër është tjetër gjë. Megjithatë, i vetmi me të cilin doja vërtet të luaja, ka qenë Paolo Maldini.

Na tregoni pak për ditën tuaj të parë te Milani...

Isha shumë nervoz, m‘u duk si dita e parë e shkollës. Megjithatë, emocionet e vërteta i provova kur erdha në Milanelo, në dhjetor, për uniformën e re. Gruaja ime ishte ulur përballë meje dhe kur vesha xhaketën dhe e pashë që kishte stampën e Milanit, vazhdonte të ma rregullonte, duke e parë gjithë adhurim atë stemë.

Po jeta juaj në Milano si po ecën?

Mbi të gjitha, në hotel. Pjesën më të madhe të kohës e kalojmë në Milanelo, sepse këtu punojmë shumë. E vetmja gjë që më mungon është familja ime. Jetoj në një ambient shumë të rezervuar. E di që njerëzit prisnin të vizitoja ambientet mondane, sepse kjo është ajo që njerëzit mendojnë për mua. Mora pjesë te sfilata e Armanit, por ajo ishte hera e dytë në 15 vjet.

Keni dëgjuar për kotëletat italiane?

Jo, nuk i di. Por më pëlqen kuzhina italiane. Për mua është më e mira. Kur viktoria ishte shtatzënë me fëmijën e parë, ndenjëm disa ditë në Itali dhe nëpër restorante kemi ngrënë makarona aq shumë, sa nuk mund të tregohet.

Na e ndërtoni pak identikitin e Karlo Ançelotit, trajnerit tuaj të ri?

Ka një hije speciale. Kur hyn në dhomat e zhveshjes, kuptohet se po ndodh diçka e veçantë.

Ju keni një grua shumë të famshme. Na tregoni të vërtetën: kush është më i famshëm, ju apo ajo?

Gruaja ime është shumë më e famshme se unë.

Kush komandon në shtëpinë tuaj?

Fëmijët tanë.

Në dush i këndoni shpesh këngët e suksesshme të "Spice Girls"?

Sigurisht.

Ndonjë në veçanti?

"Mama".

Cilat janë preferencat tuaja muzikore?

Para ndeshjeve dëgjoj Mark Antoni ose hip-hop, por nuk kërcej.

Pse, nuk dini të kërceni?

Kërcej, por jo shumë shpesh.

Po nga italianët kush ju pëlqen?

Andrea Boceli. Kam cd e tij. Këndon në mënyrë të mrekullueshme.

Brad Pit, Tom Kruiz, Armani, Dolçe dhe Gabana. Vetëm njerëz të famshëm keni miq?

Jo, kam tre miq që i njoh që prej 16 vjetësh. Dy prej tyre jetojnë në Londër.

David Bekam e ka vendosur se çdo të bëjë kur të "rritet"?

Mendoj se nuk do të rritem kurrë. Fëmijët e mi më ndihmojnë të qëndroj i ri, edhe pse atyre duhet t‘u tregoj se di të jesh i rritur. Kur të mos luaj më futboll, do të qëndroj me familjen dhe do të kujdesem për shkollat e mia të futbollit: kam një në Angli, një në Amerikë dhe një në Brazil. Më pëlqen edhe bota e solidaritetit dhe jam ambasador i "Unicef"-it. Ja, këto janë gjërat që më pëlqen më shumë të bëj dhe me siguri do t‘i bëj.


G. Shqip

(Vota: 1)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: