Besnik Dizdari: Lindja, zhdukja dhe rilindja e Olimpizmit Shqiptar (V)
| E Enjte, 22.01.2009, 07:01 PM |

Besnik Dizdari
Besnik Dizdari
Lindja, zhdukja dhe rilindja e Olimpizmit Shqiptar (V)

Nga Besnik Dizdari

Më 19 korrik 1991, në faqen e parë të gazetës së vetme sportive shqiptare të asokohe, kryeredaktor i së cilës isha prej mbi nëntë vjetëve, kam botuar editorialin për mua historik, me titullin “A ekziston më BFSSH-ja”. Them historik, sepse qysh nga viti 1958 kur ajo qe formuar, kjo ishte hera e parë që në shtyp jo vetëm vihej në pikëpyetje ekzistenca e saj, por mohohej ajo. Shkrimi përfundonte me këto fjalë:

“E lodhur, e vjetëruar, konservatore, e tejkaluar nga koha, gati gati e asgjësuar prej saj, ta do mendja që vetë BFSSH-ja ka kuptuar gjithçka e me siguri është gati ta lëshojë vendin”.

Pa komentuar më tej po më duket më e drejtë për ta ribotuar sot këte shkrim të skanuar si frontespic, sepse pasqyron një stad epoke. Një muaj më parë i kisha ndërruar testaton (titullin) gazetës, duke e shndërruar nga “Sporti popullor” në “Sporti”, duke u bërë gazeta e dashur e rinisë, e para prej 8 gazetave kombëtare të Regjimit, që çlirohej prej emërtimit të saj komunist. E tash mbërrinte edhe ky editorial mohues i organizatës sportive të drejtuar nga Partia për bukur 43 vjet!

As njerin as tjetrin gjest nuk i quaj një trimëri. Ndonëse administrativisht mbi krye kisha një anëtar të Komitetit Qendror të PPSH, i cili pa mëdyshje mund të më kishte dhënë pushimin nga puna. Nuk ndodhi asgjë. Tashmâ litari i egër i diktaturës qe liruar jo pak, ndonëse PPSH “e demokratizuar”, me djallëzi mundohej të rezistonte, edhe pse kishte 8 muaj që pluralizmi qe pranuar, dhe zgjedhjet e para qenë fituar po prej saj dhe se sekretari i parë i KQ të PPSH, qe “zgjedhur” President i vendit.

Një shpirt olimpik ende i ndrydhur…

E megjithate shpirti olimpik shqiptar ende ndodhej i ndrydhur, dhe për çudi do të vononte edhe pak për t’ia dëgjuar rrahjet e zemrës së tij…

Duke u kthyer disa muaj më mbrapa, te fillimi i vitit 1990, me ecurinë e tij shpesh dhe kapriçioze, për një çast të dukej se nga ana e liberalizimit sportiv ai nuk ecën me ritmin e ndryshimeve të tjera. Madje për ta thënë më saktë, ndryshimi olimpik shqiptar më tepër se askund tjetër nxitej kryesisht nga gazeta. Megjithate, viti sportiv 1990, në të cilën Shqipëria po hynte duke patur plot 18 vjet pa iu afruar Lojërave Olimpike, kësisoji edhe vetë frymës olimpike, është ndër më interesantët.

Në numrin e saj të 13 korrikut të gazetës sportive kishim botuar editorialin me titullin e çuditshëm: “Në fillim Lojërat e 11-ta Mesdhetare dhe më tej ato të 25-ta Olimpike”. Ky është çasti kur për herë të parë mbas 18 vjetëve, dikush guxon të kujtojë për një pjesëmarrje të mundshme të Shqipërisë në Lojërat Olimpike.

Pak ditë më vonë, më 22 korrik 1990, Shqipëria shpallet Kampione e Ballkanit në peshëngritje për të rinj, një kampionat që zhvillohej në Korçë dhe ku ajo fiton 20 medalje ari, duke patur midis vetes dy emra të rinj, të saponjohur, të cilët mbas pak do të pushtonin mu atë çka ëndërronim ne: olimpin botëror, në këte rast olimpin botëror të peshëngritjes. Emrat e tyre ishin Pirro Dhima dhe Luan Shabani. Po aq edhe dy të tjerë: Viktor Mitro dhe Lorenc Gogaj. Një katërshe e racës shqiptare – Kampione e saposhpallur e Ballkanit, që me sa duket përfundojnë rrufeshëm në bllokun e shënimeve të presidentit të Federatës Greke të Peshëngritjes J.Zguros, i pranishëm në garat e Korçës, i cili e gjykon Shqipërinë në shkallën superlative. Në të vërtetë ai kishte shënuar në bllokun e tij elitën e ardhshme olimpike për Greqinë e tij me sportistë të krijuar dhe formuar prej Shqipërisë. Na duhet të bindemi se ky korrik 1990 ka qenë dita kur Greqia ka nisur sulmin e saj për t’i rrëmbyer Shqipërisë ajkën e sapoformuar olimpike të saj, që njinjisohej me sportin e peshëngritjes, i cili ishte pjesë e olimpit botëror qysh në Olimpiadën e parë, më 1896!

Jerarkët e Shqipërisë ende trembeshin prej olimpizmit. E dinin përveç të tjerave, që olimpizëm do të thoshte hapje. Nëse Shqipëria do të kishte deklaruar të paktën më 1990 pjesëmarrjen e saj në Olimpiadë, e pra të ishte vepruar siç vepronin të gjithë shtetet e tjerë, duke u paracaktuar sportistët olimpistë, duke nisur përgatitjet, duke iu siguruar atyre kushtet dhe përparësitë e duhura, ndoshta Pirro Dhima-t me shokë do t’i kishin dhuruar Shqipërisë medaljet e para të arta olimpike…

Për fat, do të mbërrinim mbas pak te “vjedhja” më moderne e që do t’i bëhej peshëngritjes shqiptare…

E, prapseprap, kështu hap mbas hapi po binin vargojtë e Shqipërisë komuniste edhe në sport. Më 10 gusht 1990, në “Sporti’ kërkoj të shkoj më tej. Vetëm një titull lakonik, “Tri dukuri”, në të cilën si me një të rënë të lapsit kërkoja: njohjen e historisë së sportit shqiptar të Paraluftës, vënien në vend të kampionateve kombëtare të kohës së Mbretërisë dhe ndryshimin e statusit të skuadrave të Ushtrisë dhe të Ministrisë së Punëve të Mbrendshme, Partizani e Dinamo. Ky është ndoshta shkrimi më i tejakluar për kohën. Atë ditë, shkrimtari Bardhyl Londo i “Dritës”, e cila gjithashtu kishte marrë flamurin e nxitjes së liberalizimit të Shqipërisë përmes shkrimeve të saj, disi i habitur për risinë dhe forcën e shkrimit, më miratonte gjithçka, ndërsa po përshëndeteshim rastësisht në barin e Hotel Tiranës, që të dukej se qe kthyer si një lloj klubi “Pëtef” për intelektualë të Tiranës, po në të njëjtën kohë duke shfaqur një farë shqetësimi për ndonjë pasojë. Në të vërtetë asgjë (thuajse rrufeshëm në “Sporti popullor” nisëm botimin e historisë së kampionateve të futbollit, atletikës së lehtë, notit të kohës së Mbretërisë) përveç ndonjë kërcënim mbas shpine të ndonjë sigurimsi, tifoz të vjetër dinamas, apo të ndonjë fanatiku partizanas, të cilët nuk e kuptonin jetën pa koloritin e vjetër “vezullues” të skuadrave të tyre asokohe aq partiake.

Dukej qartë tash se olimpizmi, me dashje apo pa dashje, po kërkonte të rilindte megjithate.

Dhe papritmas, më 8 gusht 1990, Këshilli i Ministrave miratonte për herë të parë mbas gati 35 vjetëve një vendim sensacional për Shqipërinë ende socialiste e komuniste bashkë: “Për dhënien e shpërblimeve e të stimujve materialë në sektorin e fizkulturës dhe të sporteve”, pa përmendur askund fjalën “lekë” apo “parâ” të zëvendësuar me dyfjalëshin dikur të frikshëm “stimuj materialë”.

Dhe befasitë që nuk ndalin.

Më 3 shtator 1990 botohet njoftimi mbi të ashtuquajturin “Konkursi i parashikimeve sportive”, një eufemizëm për “llotosportin”. Çudia ishte se katër muaj më parë, më 7 maj 1900, kisha botuar në gazetë shkrimin e gazetarit të “Zërit të popullit”, të mirënjohurit Albert Shala, shok i imi i Gjimnazit të Shkodrës, i cili pa i bër tërr syri, lëshonte pa mëshirë idenë “kapitaliste” që përmblidhej përmes titullit ”A mund të organizohet konkursi për parashikimin e ndeshjeve sportive?”, duke e quajtur madje mbrenda në shkrim, shkoqur “llotosport”!

Përsëri heshtje prej Partisë, e cila përmes kreut të saj, kohët e fundit fliste tash e parë “për demokratizimin e jetës së vendit”, natyrisht me terma gjithnjë të sofistikuara.

Eshtë vërtet e çuditshme se si ndodhte që megjithë ato probleme delikate të ekonomisë, të shfaqjeve jo të pakta të kundërshtimit popullor që në heshtje kishte nisur, PPSH, të gjente kohë të merrej edhe me sportin. Edhe sot nuk është e lehtë të përimtohet se si ka qenë e mundur që në këte situatë tejet të vështirë për te, më 2 shkurt 1990, Sekretariati i Komitetit Qerndror të PPSH të mblidhej posaçërisht për të diskutuar për “zhvillimin e kulturës fizike dhe sporteve”, madje edhe përmes një fjalimi “programatik” të sekretarit të parë të KQ të të PPSH, Ramiz Alia! A ishte kjo një tjetër djallëzi për të treguar normalitetin e jetës socialiste, kur vendi po bëhej gati të ndizej zjarr?...

“Ne kemi një rini të shëndetshme, të shkathët e të bukur, por duam ta kemi edhe më të shëndetshme, edhe më të shkathët e më të bukur”, siç përmblidhej në këte thënie të tij ideja e sekretarit të parë. Propagandë e vjetër, ndonëse mbrenda fjalës së tij ka edhe kërkesë llogarie për cilësinë sportive dhe për një farë pavarësie të institucioneve sportive, por duke sunduar në tanësi ideja e vjetër propagandistike e Partisë që “fizkultura dhe sportet të ndihmonin forcimin e shëndetit të rinisë”.

Lufta për të shpëtuar BFSSH-në…

Kur vjen 30 korriku 1990, do të ndodhemi përpara një befasie tjetër, që shfaqte sa “dëshirën” për “demokratizimin” nga ana e Partisë, po aq mosndryshimin. Me gjithë ato probleme të frikshme që ajo kishte, prap krejt befas ajo kujtohet për sportin. Mjaftojnë këto rradhë të shkruara kësisoji për të kuptuar “format e reja” që po përdorte diktatura për të rezistuar:

“Kohët e fundit nga organet dhe forumet e organizatës së BFSSH, janë analizuar detyrat e rëndësishme që kanë shtruar plenumet e fundit të Komitetit Qendror si dhe janë përcaktuar rrugët konkrete të zgjidhjes. Gjithashtu, në këte kuadër u bënë dhe disa ndryshime në përbërje të forumeve të organizatës së BFSSH”.

Duhej ende një vit për të mbërritur te editoriali ynë i sipërpërmendur…

Dhe mësohet ndërkaq, se janë zgjedhur dy nënkryetarë të rinj të Komitetit të KP të BFSSH, Hysen Domi e Marjeta Zaçe, të dy të pa parti, dhe se përtëriheshin të 15 Federatat sportive, duke vënë në krye të tyre 10 njerëz, gjithashtu të paparti, madje edhe të tillë të përndjekur si bie fjala, i nderuari Ali Ohri (Federata e Hipizmit), ndërkohë që disa prej nesh ruanin kryesimin e mëparshëm, siç ishte rasti i autorit të këtushëm në Federatën Shqiptare të Çiklizmit. Ndonëse si në një kontrapunkt në pentagram, në krye të futbollit, qitjes dhe volejbollit viheshin dy anëtarë të Komitetit Qendror të PPSH si dhe një sekretar i organizatës së BRPSH. Shënojmë për histori se pesëmbëdhjetëshja e kryetarëve (presidentëve) të Federatave sportive Shqiptare, “të përtërira” të vitit ’90, ishte kjo: Pandi Carapuli, Nimet Cani, Vojo Dervishi, Ilia Kongo, Ali Ohri, Qemal Shalësi, Arqile Marko, Skender Doçi, Kozma Grillo, Belul Hatibi, Besnik Dizdari, Bashkim Lika, Floran Vila, Besim Rizvanolli, Agron Reka. Ndërsa përsa i përket anëtarëve të kryesive të Federatave, këtu do të gjeje një mpleksje të habitshme midis specialistëve të aftë, shokëve të partisë apo dhe të ish sportistëve të dëgjuar.

Dukej qartë që Partia kërkonte ta mbante apo ta shpëtonte ende BFSSH-në, pa e përmendur asesi olimpizmin. Ndonëse fundi i saj po afronte, politikisht dhe ekonomikisht. Rezistenca e saj në të vërtetë ishte rezistenca e atij që po mbytej.

Ndërkaq, për herë të parë në histori, Ramiz Alia shkon në Nju Jork për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, dhe, midis takimeve të tij spikasin ai me ministrin e jashtëm të Bashkimit Sovjetik, Eduard Shevernadze dhe ai me presidentin e shoqërisë së madhe amerikane të naftës “Occidental Petroleum Corporation”, Armand Hamer. Shqipëria po shtrinte dorën tashmâ dhe ishin vendosur marrëdhëniet diplomatike edhe me BRSS, së cilës me sa dukej çuditërisht i kishte paraprirë diplomacia e volejbollit.

Në janar 1990 për herë të parë mbas gati tri dekadash Shqipëria do të vendoste të pranonte të ndeshej me një skuadër sovjetike: Uraloçka. Për fundoret e Kupës së Kampioneve të Evropës në volejboll për femra.

Kam kuptuar se ky vendim nuk duhet të ketë qenë i lehtë. Mbërriti puna që të thërrasin në sektorin e sporteve të KQ të PPSH edhe autorin e këtushëm për një argument që do të na çonte te pranimi i një ndeshje të mundshme shqiptaro-sovjetike. Mbaj mend që kam dërguar aty foton e Kampiones së Evropës, Elizabeta Karabolli në podiumin e tri medaljeve të Kampionatit Evropian së bashku me dy sovjetiket të cilat kishin zënë vendet e dytë dhe të tretë, ndërsa mbi krerët e tyre lartësohej flamuri kombëtar i Shqipërisë, i rrethuar nga dy flamuj kombëtarë të BRSS, të cilët për tragjizmin e historisë i bashkonte një yll i kuq mbi shqiponjën e Skenderbeut dhe mbi drapër e çekanin e Leninit! Me të qeshur thashë: “A nuk jemi këtu së bashku BRSS dhe Shqipëria qysh më 1978? Ndryshimi është se në volejboll duhet t’i japësh dorën kundërshtarëve para fillimit të ndeshjeve dhe të dyja skuadrat prekin të njëjtin top”. Shpërthyen të qeshurat dhe ndoshta në morinë e argumentave justifikues mund të jetë rreshtuar edhe ky i kësaj fotoje.

Dinamo shkon në fundoret e Forli (Itali), dhe ndeshja e parë BRSS – Shqipëri mbas plot 27 vjetëve (dhjetor 1963, CSKA e Moskës – Partizani 2-0, fundore dramatike me shtesë për turneun e futbollit të Hanoit) për fatalitet i përket ditës së Ushtrisë së Kuqe, asaj të 23 shkurtit! Por… Forli e Italisë, 23 shkurt 1990: Uraloçka Ekaterinburg – Dinamo e Tiranës 3-0 për Kupën e Kampioneve të Evropës. Në treshen e podiumit është dhe Dinamo, e drejtuar prej Kreshnik Tartarit, i cili nuk besoj se ato dit të Forli-t, mund të kishte menduar se jo shumë larg, mbas vetëm shtatë vjetëve, do të ngjitej në një “podium” tjetër, atë të zevendësministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të një Shqipëria krejt tjetër, asaj demokratike; për t’iu rikthyer këndej kah fundi i dekadës së parë të Shekullit XXI, përsëri volejbollit, përsëri si trajner, me skuadrën më të re të Shqipërisë 2009, një skuadër universitaresh, ndoshta të ëndërrimeve të një përtëritje të mundshme olimpike në pleqërinë që po na afron…

19 vjet më parë, shkurt 1990 me volejbolliste te vendit të tij ai kishte prekë vendin e tretë në Evropë në mënyrën më sensacionale, dhe për çudi, Shqipëria kalonte një vit të papamë sportiv, ndonëse në vështirësi të panumërta të jetës së saj! Vështroni kronikën e arritjeve kryesore të atij viti 1990, ndarës i madh i historisë:

* Dinamo – e treta në Kupën e Kampioneve në volejboll për femra.

* Luan Shabani - Nënkampion i Evropës në peshëngritje.

* Shqipëria – e treta në Kampionatin Evropian të peshëngritjes.

* Shqipëria – Kampione e Ballkanit në volejboll për femra.

* Shqipëria – Kampione e Ballkanit në peshëngritje për të rinj me 20 medalje ari.

* Shqipëria - e dyta në Kupën e Evropës në peshëngritje.

Ajo kishte zbuluar atë që nuk e kuptonte: sportin olimpik të saj: peshëngritjen. Pa u përmendur asesi olimpizmi. Ose duke u përmendur vetëm në një episod “të vogël” që i përkiste muajit dhjetor, kur në Shqipëri papritmas mbërrin slloveni Ivan Topllak, figurë e madhe në futbollin botëror, trajneri i famshëm i Crvena Zvezdës dhe i disa skuadrave të ndryshme kombëtare të Jugosllavisë. Ishte dërguar prej Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (CIO) për një seminar teoriko –praktik! Mos ishte edhe kjo një gjeopolitikë “djallëzore” e vetë CIO-s?...

Dhe vetëm kaq.

Për Partinë e Punës, BFSSH-ja ende ekzistonte megjithate, dhe ne ende nuk guxonim ta shkurorëzonim ate. Për të mbërritur te “trimëria” e editorialit tonë kundër saj, duheshin vetëm edhe tetë muaj

Olimpizmi shqiptar do ta niste rilindjen e tij vetëm mbas një viti, andej kah fundi i 1991…
 


Tema

(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: