Besnik Dizdari: Emblema “e harruar” e sportistëve të vitit…
| E Enjte, 15.01.2009, 12:51 PM |

Besnik Dizdari
Besnik Dizdari
Emblema “e harruar” e sportistëve të vitit…

Nga Besnik Dizdari

Përcaktimin e 10 sportistëve më të mirë të vitit, Shqipëria e ka kopjuar nga Bashkimi Sovjetik qysh më 1957, më saktë, prej gazetës “Sovjetskij Sport” të Moskës. Autori i këtushëm si kryeredaktor i “Sportit popullor” (“Sporti Shqiptar”) ka organizuar dhe drejtuar 18 shpallje në 18 vite të 10 sportistëve më të mirë. Vitin që shkoi, në përpjekje për të ruajtur historinë sportive kombëtare për shkak të sulmit që i bëhet asaj prej të pandërgjegjshmëve dhe të paditurve, ai përcaktoi në mënyrë vetjake 10 më të mirët “e tij”, thjesht si përcaktim i një gazetari të vjetër dhe kaq. I mësuar prej gati katër dekadash me bilance sportive vjetore, nuk po heq dorë as sivjet duke u munduar që përmes gjykimit të tij të një përvoje, jo thjesht të caktojë të 10-tët, por të përpiqet të bëjë një përmbledhje të shpejtë përmes tyre në lidhje me atë që prodhoi viti 2008 në sportin shqiptar.

XXX

Dhe pa e zgjatur, dhjetëshja “e tij” e vitit 2008, ka këte rreshtim:

1. Romela BEGAJ (Peshëngritje)

2. Erkand QERIMAJ (Peshëngritje

3. Elis GURI (Mundje klasike)

4. Arian BEQAJ (Futboll)

5. Dorian Çollaku (Atletikë)

6. Lorik CANA (Futboll)

7. Daniel GODELLI (Peshëngritje)

8. Briken Çalja (Peshëngritje)

9. Admir BREGU (Atletikë)

10.Sidni HOXHA (Not)

E tash, nëse do të kërkonim të bënim një kronikë të sipërfaqëshme të asaj se çka kanë arritur këta gjatë vitit 2008, do të përshkohemi pak a shumë në këte ecuri kronikale:

Sportistja Romela Begaj i dha Shqipërisë titullin e parë të Kampiones së Evropës në historinë e peshëngritjes për femra. Begaj e arriti këte titull (14 prill në Kampionatin Evropian të peshëngritjes zhvilluar në Lignano Sabbiadoro të Italisë) në stilin e shtytjes të peshës 58 kg me shifrat 101 kg. Ajo fitoi edhe medaljen e argjendtë në dy garësh me 212 kg, po aq sa fituesja e vendit të parë si dhe medaljen e bronztë në shtytje me 111 kg. Renditja e garës së saj ishte kjo:

58 kg – Femra

1.Aleksandra KLEJNOWSKA / Polonia 212 kg (91 + 121)

2.Romela BEGAJ / Shqipëria 212 kg (101 + 111)

3.Roxana COCOS / Rumania 209 kg (89 + 120)

Por ajo që edhe për te është më e rëndësishmja, i përket Lojërave Olimpike të Pekinit, ku Begaj u rendit e 6-ta nën këte pamje;

11 gusht 2008: Peshëngritje – Femra 58 kg:

ROMELA BEGAJ: e 6-ta (216 kg (98 + 118))

Mbas saj vjen Erkand Qerimaj, sepse në Kampionati Evropian të Juniorëve (të Rinj) në Peshëngritje, zhvilluar në Tiranë, më 16-20 shtator 2008, ai ishte Kampion i trefishtë i Evropës simbas kësaj pamjeje:

Pesha 77 kg:

1. E.Qerimaj / Shqipëria 336 kg (151 + 185)

2. A.Molchanov / Rusia 332 kg (150 + 182)

3. A.Aghasyan / Armenia 327 kg (146 + 181)

Dhe jo vetëm kaq as për te. Në Lojërat Olimpike të Pekinit, duke zënë vendin e 13-të, çka asesi nuk është pak (është fjala për të 13-tin në botë) ky dy herë Kampion i Botës për të rinjtë, u shfaq përsëri si një peshëngritës i nivelit botëror!

I treti është Elis Guri, sepse i dha Shqipërisë medaljen e parë për një Kampionat Evropian. Ai u rendit i treti në peshën 96 kg të Kampionatit Evropian të Mundjes Klasike zhvilluar nga 1-6 prill në Tampere të Finlandës, mu në atë shtet ku 36 vjet më parë, më 1973, i jati i tij, për ne i famshmi Iljaz Guri, arriti rezultaltin më të lartë ndërkombëtar të mundjes klasike, duke u renditur në 6-ti në Kampionatin Evropian të Helsinkit. Ndeshjet e Gurit të Dytë, këtij të 2008, qenë këto:

GURI / Shqipëria – SEDMAK / Sllovenia 3-1

GURI / Shqipëria – ENGLICH / Gjermania 1-3

GURI / Shqipëria – RADOSLAVJEVIC / Mali i Zi 3-1

GURI / Shqipëria – TACYILDIZ / Turqia 5-0

Dhe në fundore për vendet 3-5: GURI / Shqipëria – Nabi / Estonia 3-1

Renditja përfundimtare (Pesha 96 kg):

1.KHYSHOV / Rusia

2.ENGLICH / Gjermania

3.GURI / Shqipëria

3.NOZADZE / Gjeorgjia

Jo vetëm kaq. Në Lojërat Olimpike të Pekinit ai konfirmoi në mënyrë bindëse se është një sportist i rangut botëror. U rendit i 8-ti në Olimpiadë:

14 gusht 2008: Mundje klasike – Meshkuj 96 kg:

ELIS GURI: i 8-ti ( 1 fitore, 1 humbje)

I katërti i dhjetëshes sonë është portjeri i Kombëtares, Arian Beqaj – përfaqësuesi më tipik i vitit futbollistik 2008 për çka bëri Kombëtarja në ndeshjet e saj për Kupën e Botës: Shqipëria –Suedia 0-0, Shqipëria – Malta 3-0, Hungaria – Shqipëria 2-0, Portugalia – Shqipëria 0-0.

Dorian Çollaku është i pesti në këte dhjetëshe. Ai theu rekordin 21 vjeçar të Ajet Toskës në hudhjen e çekiçit me shifrat e reja 76.96 metra në një garë të zhvilluar në Espoo-Lahti të Finandës, ndërkohë që rekordi i vjetër ishte 75.92, i vendosur më 22 gusht 1986 në Tiranë. Edhe në Olimpiadë, (15 gusht 2008: Atletikë – Çekiç – Meshkuj: DORIAN ÇOLLAKU: i 28-ti me 70.98 m.), Çollaku është krejt i pranueshëm, kur kujton se sa delikat është sporti, e sidomos atletika e lehtë.

Dhe mbërrin Nr. 6, mbrapa të cilit qëndron futbollisti Lorik Cana, po me arësyen e përzgjedhjes së Arian Beqajt, duke formuar së bashku dyshen më të fuqishme të Kombëtares së Shqipërisë. I pari përmes rekordit të vetëm 2 golave të pësuar dhe i dyti përmes barrës së rëndë që mbart falë universalizmit të tij në të gjitha ndeshjet e Kombëtares.

I shtati është peshëngritësi Daniel Godelli, thjesht për ato arësye që kanë të bëjnë me Kampionatin Evropian të të Rinjve, zhvilluar në Tiranë: tri here Kampion i Evropës! Për të rinj natyrisht, por e dini që të Rinjtë janë të Rriturit e vitit 2009:

Pesha 62 kg:

1. D.Godelli / Shqipëria 272 kg (121 + 151)

2. P.Sukhanov / Rusia 267 kg (117 + 150)

3. A.Spac / Moldavia 266 kg (121 + 145)

Mbas tij, i 8-ti është Briken Çalja, gjithashtu peshëngritës: medalje argjendi në shkëputje, bronzi në shtytje dhe tregarësh po në të njëjtin Kampionat të të Rinjve të Evropës:

Pesha 69 kg:

1. A.Mirzoyan / Armenia 310 kg (140 + 170)

2. R.Martin / Rumania 302 kg (135 + 167)

3. B.Çalja / Shqipëria 301 kg (136 + 165)

Atleti Admir Bregu është i 9-ti, ngaqë në Kampionatin Ballkanik të Atletikës së Lehtë, zhvilluar më 19-20 korrik në Kostur të Greqisë, fitoi medaljen e argjentë të Nënkampionit të Ballkanit në kërcimin së gjati me 7.75, duke thyer me 1 cm. rekordin e kombëtar të 24 vjetëve më pare të Gjergj Rulit.

Mbërrijmë kështu, tek i dhjeti, një 16-vjeçar, me emrin Sidni Hoxha, jo thjesht për këte tregues anagrafik dhe as për atë çka shfaqet kësisoji në Lojërat Olimpike të Pekinit: 14 gusht 2008: Not – Meshkuj, 50 m. stil i lirë: SIDNI HOXHA: i 64-ti (24.56 * RK).

Më tepër për diçka tjetër, të anës historike: ngaqë mbas gati 30 vjetësh ai na kujtoi se noti është ndër sportet më të vjetër në Shqipëri, me Kampionat Kombëtar qysh në vitet ’30 të përuruar nga Mbreti Zog. Dhe më tepër, sepse ky 16-vjeçar ka thyer gjatë vitit 2008 plot 36 rekorde të Shqipërisë, që përbën rastin e vetëm në historinë e sportit shqiptar! Por edhe më tej: djaloshi Sidni Hoxha sot mban 15 rekorde kombëtare të të rriturve në disa stile në pishinat 25 dhe 50 metra, çka gjithashtu përbën rastin e vetëm në historinë e sportit shqiptar! Përsërisim: është vetëm 16 vjeç!

XXX

Këta qenë 10 më të mirët e vitit 2008 për autorin e këtij shkrimi-bilanc, ku natyrisht peshëngritja është mbreti, sepse përfaqësohet me 4 prej 10 sportistëve. Me në krye Romela Begajn, e 6-ta e Olimpiadës, duke u shndërruar kjo vajzë në rastin e jashtëzakonshëm historik për sportin modest shqiptar. Për herë të parë në historinë e Shqipërisë, një sportiste e saj ka shënuar emrin në renditjet e larta të një Olimpiade. Më saktë, për herë të parë një sportiste shqiptare është përfshirë midis 6 më të mirave të historisë së Olimpiadave, duke hyrë në historinë e sportit kombëtar si femra e parë e cila rrëmben primatin e një arritjeje olimpike për sportin e Shqipërisë së vogël të 3.5 milion banorëve dhe të 28.754 kilometrave katrorë sipërfaqe.

Begaj është arritja më e madhe sportive e vitit 2008. Jemi të detyruar të flasim kësisoji për të kuptuar më mirë jo vetëm vlerat sportive të kohës, gjeopolitikën e zhvillimit të sportit botëror, por dhe rivalitetet e ashpra ndërkombëtare në sportin e Shekullit XXI, mbi të gjitha, përmasat “e frikshme” të një Olimpiade në varësi të rezultateve e synimeve të rreth 204 shteteve të cilët kanë shpalosë flamujt e tyre kombëtarë në Pekin 2008. Romela Begaj e Sportklub Tiranës me trajner Hektor Shaqirin, është konfirmimi më i ri i shndërrimit të peshëngritjes në sportin kombëtar të Shqipërisë. Kujtojmë: peshëngritja për femrat nuk ka mbushë dekadën e krijimit dhe të ushtrimit në Shqipëri!

Dhe jo vetëm ajo, por dhe Erkand Qerimaj, edhe Daniel Godelli, edhe Briken Çalja. Katër ndër dhjetë! E pra, nuk na mbetet gjë tjetër veçse të bindemi edhe më fort, ashtu si dhe 20 vjet më parë me rastet sensacionale Dhima-Shabani-Xhelili-Gogaj, se peshëngritja është sporti kombëtar olimpik i shqiptarëve. Viti 2008 qe vazhdimi i rifillimit në Shekullin XXI. Ka qenë vitit 2001…

Ndërkaq, pa na shkuar asesi ndër mend të jemi të njëanshëm, vetvetiu e ndjejmë për detyrë të një një gjykimi profesional, që të nënvizojmë se kandidimi për president i KOKSH i presidentit të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Presidentit të Konfederatës Mesdhetare të Peshëngritjes dhe i anëtarit të sapozgjedhur të Komitetit Ekzekutiv të Federatës Evropiane të Peshëngritjes, Esat Ademi, është krejt i natyrshëm në stadin e sotëm të sportit shqiptar. Më mbas do t’i vijë rradha edhe akademizmit olimpik, i cili deri më sot megjithë jo pak arritje që ka treguar, nuk ka mundur ta thotë me bindje të plotë fjalën e tij në dobi të zhvillimit të sporteve në Shqipëri.

Nëse do të shtyhemi më tej në moralin e fabulës sonë të këtij shkrimi, do t’i referohemi Referendumit që organizoi AIPS (Shoqata Ndërkombëtare e Shtypit Sportiv) për të përmbledhur sportistët më të mirë të shteteve anëtare të saj. Autori i këtushëm si president dhe themelues i ASPA (Shoqata Shqiptare e Shtypit Sportiv) përzgjodhi për Shqipërinë Romela Begajn për femrat dhe Erkand Qerimajn për meshkujt. E çmueshmja “La Gazzetta dello Sport” e Milanos bëri ndërkaq, një paraqitje të gjërë për këte Referendum, duke shpalosur 110 sportistët më të mirë të 65 shteteve të botës. Fillonte me emrat Erkand Qerimaj dhe Romela Begaj të Shqipërisë. Dhe fakti më domethënës: midis këtyre 110 sportistëve, kanë mundur të hyjnë vetëm pesë futbollistë: Kabungula i Angolës, Abd Rabou i Egjiptit, Cristiano Ronaldo i Portugalisë, Arshavin i Rusisë dhe Shepard i Trinidad Tabagos! Deri dhe Spanja që u shpall Kampione e Evropës në futboll, sportistë më të mirë shpalli Nadalin e tenisit dhe Miguel e Fuentes të notit të sinkronizuar.

Më tej komentetna duken të tepërta. Mendojmë se na duhet të bindemi edhe një here se edhe Shqipëria e vogël, diçka mund të bëjë në zhvillimin sportiv ndërkombëtar, e doemos edhe në atë kombëtar, kryesisht përmes sporteve vetjake (ndividuale). Kjo nuk do të thotë se një strategji e tillë do të bëhet në dëm të sporteve spektakolarë e të përmasave gjigande si bie fjala, futbolli apo sportet e tjerë kolektivë, të cilët edhe në dhjetëshen tonë janë të pranishëm me dy përfaqësues. Kështu apo ndryshe, duke ecur në këte këndvështrim, edhe rasti i Elis Gurit, me rezultatet e sipërpërmendura, është një tjetër konfirmim i kësaj ideje. Për fat të keq, është vërtet e çuditshme ndërkaq, se si gjatë gjithë vitit 2008, në mjedisin sportiv shqiptar ndodhi që të injoroheshin deri në skaj dy rekordet e Dorian Çollakut dhe Admir Bregut në çekiç e kërcim së gjati, arritja e të cilëve u shpërfill thuajse deri në mospërmendje!

Në fund të fundit, kjo flet edhe për rënien e dukshme të kulturës sportive në Shqipëri, rënie po e dukshme e kësaj kulture deri edhe ndër disa prej të cilët kanë vendosur të mbajnë familjet e tyre me gazetarinë sportive.

Kështu, në tanësi sikur e ndjen vetvetiu se bilanci sportiv i vitit 2008, na çon te emblema “e harruar” e sportistëve të vitit. Kur me “e harruar” nënkuptojmë mu atë: rrezikun e humbjes së kuptimit të vetë olimpizmit ndër ne…


TemA

(Vota: 1)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: