Fritz Radovani: ''Historianët'' e Haxhi Qamilit
| E Diel, 04.01.2009, 03:19 PM |

Fritz Radovani
Fritz Radovani
''Historianët'' e Haxhi Qamilit

Nga Fritz Radovani

Më falni! Gabova!..Haxhi Lleshit e Bilbil Klosit, që ju kanë dhanë titujt...Enver Hoxhës që ju ka dhanë edhe dekoratat...Mehmet Shehut, që ju ka pague shpërblimet...dhe, Ramiz Alis, që ju ka futë në enciklopedinë e Akademisë e falsifikatorëve të historisë!...Gati harrova... Kadri Hazbiun, që ju ka sigurue t’ardhmën tuej të turpëshme si spijun dhe informator të Sigurimit komunist, titull me të cilin po mbyllni jetën tuej të flliqtë, tue i shërbye “gjithkujt” përveç: Atdheut!

          Fjalori Enciklopedik Shqiptar: Akademia e Shkencave e RPSSH. Kryeredaktori prof. Aleks Buda. Shtypur: Kombinati Poligrafik Shtypshkronja e Re, Tiranë, 1985.

          Redaksia e Historisë së Mesjetës, të Kohës së Re dhe të Sotme: Stefanaq Pollo, Aleks Buda, Selami Pulaha, Muin Çami, Kristaq Prifti, Arben Puto, Koço Bozhori, Stavri Naçi, Kristo Frashëri, Ligor Mile, Zija Shkodra, Hysni Myzyri, Viron Koka, Mentar Belegu, Iljaz Fishta, Lefter Nasi, Zamir Shtylla, Marenglen Verli,...të gjithë prof. e dr. shk.

(VI, VII) dhe, vazhdon lista e tyne nga Shkodra: Gazmend Shpuza, Xhevat Repishti, Kahreman Ulqini, Mahir Hoti, Jup Kastrati, Shefik Osmani, Vehbi Bala, Mikel Prennushi, Mumtaz Shehu, Sami Kraja, Gjovalin Gruda. (fq.1217).

          Ne faqe 886, shkruhet: “Qamili Haxhi (1876 – 1915) Udhëheqësi kryesor i Kryengritjes  Fshatare të Shqipërisë së mesme të viteve 1914 - 1915. Fjala e parë rrenë apo gënjeshtër. Një kriminel, vagabond, plaçkitës, hajdut, terrorist dhe asgja ma pak se lavdruesi i tij E.Hoxha, i cili thotë për te: Fshatarët zgjodhën...“njeriun më të besuar, më trimin, më të vendosurin, më të thjeshtin...” (E.H. Vep. 23, fq. 141).

Sigurisht, kështu do të shprehej ai dhe gjithë spijunët e tij të shitun, mbasi pikërisht ky asht ai dallkauk i turqve që shkoi tek çela e Don Nikoll Kaçorrit dhe në mungesë të Tij, i dogji çelën bashkë me sherbyesin mbrenda saj, tue kthye në pluhun e hi një nga bibliotekat ma të pasuna në Shqipni, ku ruheshin shumë dokumenta të Qeverisë së Vlonës së 1912.

          Për këte kriminel historianët kanë shkrue plot 56 rreshta, ndërsa për Dedë Gjo’Lulin kanë shkrue 46 rreshta, ndër të cilat ka edhe shpifje, si: “Me 24 Shtator 1915..në bashpunim me reaksionin bajraktaro qifligar e klerikal vendas, e shtinë në dorë pabesisht dhe e vranë në Sheshëz afër Oroshit” (fq. 649, theksimi F.R.)

          Për Kishën e Shën Mërisë së Vaut të Dejës, (fq. 477) shkruhët: “...në dokumentin historik përmendet së pari me 1400, por nga ndertimi kuptohet që i takon fundit të shek. XIII...Eshtë e ndërtuar me gurë të skuadruar dhe të gdhendur...” – Ku asht? Ku gjindet kjo?

Prap rrenë tjetër dhe, nuk shënohët se: “Me kenë se në këte Kishë mendohet se asht kunorzue Heroi i ynë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skenderbeu, në vitin 1967 kjo u holl në erë me dinamit nga Fadil Ymeri, Kandidat i Komitetit Qendror të PPSH, i urdhnuem nga Ramiz Alia, i cili, si antikatolik i njohtun, ishte i ngarkuem nga Byroja Politike për zhvillimin me “sukses” të “Revolucionit Ideologjik dhe Kultural” në Shkoder...

          Pra, lufta e pasardhësve të Haxhi Qamilit, kundër Heroit tonë Kombëtar, të Madhit Gjergj Kastrioti Skenderbe dhe Flamurit të Tij, të ngritun nga Ai vetë në vitin 1443, dhe po Atij Flamuri të Shqipnisë me Shqipën Dykrenare mbi shtrojën e kuqe, të ngritun në Vlonën Heroike nga Plaku Ismail Qemali, në vitin 1912, Flamur i cili, gjithmonë ka përfaqsue të gjithë Shqiptarët e Trojeve tona dhe Shtetin Shqiptar, nuk asht se ka fillue me sulmet e ditve tona, por asht vazhdë e luftës së trathtarve të Kombit, ç’prej ditës së lindjes së Tij.

          Nëse do të shfletojmë dokumentat e pushtimit Shqipnisë nga Turqia, nga Relacionët e shekujve të kaluem, vllimi i I dhe II, të botueme nga Universiteti Shtetnor i Tiranës, në vitin 1965, do të gjejmë “për çudi” të shkrueme se:

•“...misionet e thanuna t’etënve të reformuem qenë pengue dhe, disa sish flijuen edhe jetën e vet mbi hunjt të turpshëm.”

(Relacione, Vll.II, Dok.79, Letër e Françesk Bolicës nga Kotorri me 1 Dhetor 1649, fq.373)

          •“...Shumë prej këtyne që ranë në dorën e forcës (turke) vdiqën tmerrësisht mbi hu.”

          (dok. 99, Leter e F. Bolicës, nga kotorri, me 25 Korrik 1650, fq. 419, po aty)

          •“Këto përpjekje kanë qenë për dam të krishtenve të shkretë, qoftë shpirtnisht qoftë korpnisht, sëpse shumë sish kanë qenë vumë në hu, u ka qenë shkurtue koka, kanë mbarue nën gurë dhe kanë qenë vra etj. si ndodhi në Tivar me 74 vetë në fillim e pastaj. Dhe, ajo që asht ma keq, të gjithë të krishtenët e qytetit e të varosheve, për të mos humbë jetën dhe plaçkat, kanë mohue besimin.”

(dok.103, Leter e fra Donatit Jeliq nga Raguza me 4 Nandor 1650. fq.427)

•“Të tërbuem djallëzisht, e nxorën jashtë prej asaj gjykatorje dhe e ngrehën rrëshqanë tue iu kërcnue, me shpatë në dorë se do ta vrisnin në se nuk i binte mboh Fesë menjëherë ...(omissis).

          Ai u qëndroi kërcnimëve, anmiqtë e therën për vdekje dhe e çuan në breg të Bunës me e qitë në ujë, por disa të krishtenë e blenë me pare dhe e varrosën në Kishën e Shën’Mërisë Madalenë.”

           Lezhë, vjeti 1624                                              Ipeshkvi Benedikt Orsini

          (Relacione Vol. I-re, fq. 349. Ark. Prop. Fide, SRCG, v, 262, fl. 177.)

 

          •“Një kalvar vuajtjesh dhe përsekutimesh pësoi Imzot Pjetër Bogdani, i cili u burgos tri herë, i dogjën rezidencën, u rrah, u kërcënua se do ta varin në derën e kishës, e shëtitën nëpër qytet të zhveshur lakuriq dhe pas vdekjës u zhvarros dhe kufoma e tij iu hodh qenve”

Petrika Thëngjilli “Krishtërimi ndër Shqiptarë”, fq.230. Shkodër, 2000.

 

          •“Don Andre Kalamashi, prift i Gjakovës kishte kundërshtuar fenë islame. Osmanët, më 1687, e torturuan, të lidhur duar dhe këmbë. Duke menduar se kish vdekur, ia zgjidhën duart dhe e varën në sheshin e qytetit. Pas njëfarë kohe prifti u çua në këmbë, largoi litarin nga fyti dhe bërtiti: “Qëndresë, qëndresë të krishterë, Jezu Krishti është më i fuqishmi!”.

Posa tha këto fjalë, ra i vdekur përpara turmës së tmerruar. Xhelati ia preu kokën dhe ia dërgoi bashkë me lëkurën e kokës Vezirit të Madh”. Petrika Thengjilli ( po aty ).

          •Ja dhe mbas 322 vjetësh çfarë kanë ba “vëllezërit e gjakut të tyre”, pasues të denjë dhe trashigimtarët e tyne të vërtetë,  drejtuesit e Shtetit shqiptar komunist:

          •“Don Mark Xhanin, në vitin 1946, mbasi e torturuan në qelitë e Sigurimit të Mirditës, e varën për shpatulla ndër trena, ma vonë, mbasi vdiq, ia hodhën me e ngranë qenve të fshatit Shpal, mbeturinat e tretuna i mori prroni ...”

          •At Serafin Kodës, hetuesit i nxjerrin gabzherrin me thonjë...

          •Papa Josif Papamihalin e mbysin tue e zhytë përsëgjalli në baltat e Maliqit.

          •Dijetarin Dr. Imz. Jul Bonattin e çojnë në një çmendi, ku e shkyjnë të çmendunit!..

          •Papa Pandi gjindet pranë një cungu në pyll, me kokë të këputun me spatë...

          •At Frano Kiri lidhet tri ditë e netë fëtyrë në fëtyrë me një të vdekun...

          •Don Lazër Shantojës i sharrojnë dy kambët me sharrë druevari...

          •Në vitin 1974, Don Mikel Beltojen e shkyen për kambësh katili Shyqyri Çoku, kur shkon me e marrë për me e pushkatue...

          E terrori e krimet vazhdojnë me 66 Klerikë Katolik, 31 Bektashinjë, 7 Klerikë Orthodoks dhe 7 Klerikë Musliman Sunit...të gjithë të vramë e të masakruem, vetëm se kanë punue dhe luftue për Shqipninë e Skenderbeut, Shqipninë Evropjane.

          Po intelektualët dhe njerëzit e thjeshtë që u shfarosën për këte Ideal? – Lista emnore asht një liber në vedi, pa hy me shkrue për Kosoven, Hotin, Gruden, Maqedoninë, Çamrinë e Vorio-epirin shqiptar, ku masakrat e dëbimet masive vazhdojnë përditë...E pse?

          Se kerkojnë në Trojet e Tyne Flamurin e Skenderbeut!

          I beson Evropa këto masakra dhe as nuk i ndihet zani!...Atëherë, mos të zemrohet nga vargjet e Fishtës:

                             “Uh Europë, ti kurva e motit,

                             Qi rae mohit besës Zotit,

                             Po a ky a sheji i qytetnisë:

                             Me da tokën e Shqypnis

                             Për me mbajt klysht’e Rusis?”

          Po ajo histori vazhdon!

          Pse Malazezët dënojnë At Mati Prennushin me varje në litar, se i çoi Flamurin në Deçiq Dedë Gjo Lulit në 1911, dhe po në 1926 i rrezikohet koka nga Mbreti Ahmet Zogu I, që erdhi në pushtet nga Serbia dhe, me 11 Mars 1948 po, Ai At Mati, pushkatohet nga klika komuniste e Serbisë në Shqipni, e kryesueme nga E.Hoxha, i ardhun në Pushtet nga serbët Dushan Mugosha e Miladin Popoviq?

          Kur At Gjergj Fishta, në 1913 vuni Flamurin e Shqipnisë në kompanjelin  e Kishës së Fretenve në Gjuhadol dhe e lidhi me kandila dritash me minarën e Xhamisë së Fushës së Çelës, në shenjë vllaznimi me Myslimanët shkodranë, pse u kërcnue me u gjuejt me top nëse nuk do të hiqej Flamuri nga konsulli de Philipps dhe për qejfin e kujt u kërkue zbritja?

          At Gjergj Fishta, i tha: “Jo, gjueni me top, se Flamuri ynë e ka për nderë me u gjuejt me top ”....se nuk kishte pak muej që Serbia e Mali i Zi kishin gjuejtë edhe Kathedralen...

          Por ka edhe ma keq! Me 29 Nandor 1944, “çlirimtarë” po n’atë kompanjel vendosën Flamurin me “yllin e kuq të komunistëve serb”...dhe, po atë ditë “cunguen” edhe strofat e Hymnit të Tij. Më dukët se çdo veprim i sherbëtorve të Serbisë flet vetë. Mos reagimi në kohë lejon edhe shpërdorimin që E.Hoxha i ka ba gjithnjë Popullit dhe Atdheut.

          Në vitin 1944, pse At Fishta u dënue për së vdekuni nga E.Hoxha dhe sherbëtor i kujt kje ky terrorist, që në 1967 “gjuejti me top” pikërisht Atë Kishë, që ishte simbol i vllaznimit mes besimtarve Mysliman e Katolik të Shkodres, tue kthye në kinema?

            Fotografisë Kel Marubit ku paraqitej Komisioni i Alfabetit Shqyp prej 11 vetash, komunistat ia hoqne ftyrat e Kryetarit Komisionit, At Gjergjit, si edhe Mit’hat Frashërit.  Kështu u botojshin tekstet e hartueme edhe t’aprovueme prej historianve qi edhe sot duen me dhânë mendimin e fundit rreth historisë : Kristo Frashëri, Arben Puto, Kristaq Prifti e Marenglen Verli me shokë !  A ka vênd sesi me u pranue ky realitet i sodit ?  Marenglen Verli a zen vênd me kênë sot Drejtor i Institutit të Historisë ? - Po aq sa ka vênd edhe Genc Pollo, i biri i Stefanaqit, (ish drejtorit të djeshëm të po atij institutit),

          Pse në asnjë faxmile të Dokumentit Historik të Pavarësisë së Shqipnisë, në Vlonë me 1912, mbas vitit 1944 nuk janë firmat e nënshkruesve dhe si u quejtën nga komunistët  shumë nga Ata Atdhetar, që punuen deri në vdekje për bashkimin e trojeve tona, tue fillue nga Mustafa Kruja, J.Karbunara, Qazim Kokoshi, Lef Nosi, Mid-hat Frashëri etj.?

          – Nuk kishte sesi të botohej se shumica e Tyne u shpallën “trathtarë”...

          Pse nuk u vue në Monumentin e Vlonës i Madhi Luigj Gurakuqi, pse kur Ismail Qemali ngurroi, Luigji futi dorën në xhep dhe, u tha: “Pa u ngritë sot Flamuri, asnjë nuk dalim të gjallë nga kjo shtëpi!...” (Shihni me kujdes foton në balkon ku, Luigji, vazhdon me kenë me dorë në xhep...). Guximi i Gurakuqit lidhet edhe me besnikrinë e Trimit Kosovës Isa Boletini, i cili me 300 Burra të armatosun kishte rrethue Sheshin ku u ngrit Flamuri. Ishte bash Ai Atdhetar, Ky Isa Boletin, që në vitin 1919 kur ruente në Paris Imzot Luigj Bumçin, që drejtonte Delegacionin Shqiptar në Lidhje të Kombëve, njëditë në mengjez, Ju drejtue me këto fjalë: “Pashë të Madhin Zot Imzot, ma shbërthe atë mallotë kur të hijsh në Pallat e ma nxirrë atë Kryq që ke të varun në fyt, që ta kuptojnë ata çka janë aty mbrendë, se nuk jemi të gjithë Musliman, se më duket se këta kujtojnë se Shqiptarët duen me i ndejë besnikë prap Turqisë!...”. E si u sollën komunistët me trashigimtarët e Isa Boletinit?

          Ashtu si  me familjen e Dedë Gjo’Lulit dhe të Bajram Currit, sëpse edhe Ky i fundit tue kenë edhe “Musliman”, kur erdhi në Shkoder në vitin 1923 – 24, fjet e u çue ndër fretën të Gjuhadolit...e në shtëpinë e Kel Marubit u takue edhe me Luigj Gurakuqin e Atdhetarët tjerë shkodranë të Opozitës...dhe për këte u vra ashtu si Avni Rustemi, Hasan Prishtina, etj.

Në vitin 1925, në korespondencën (e botueme në revistën “Hylli i Dritës”, nr. Special i vitit 1943), mes Nolit e Gurakuqit, Ky, i thotë Nolit: “....të gjitha po i durojmë, por, po na quejnë edhe komunistë. Kjo nuk durohet!”. Pra, këte e dinte Ramiz Alia, se kur shkoi në studjo tek skulptori Kristaq Rama, dhe i tha si në vesh: “Luigj Gurakuqi nuk duhet me qenë në këte Monument, se është qenë njeriu më besnik i klerit katolik dhe...” kështu,  të nesërmen “spatolat” kryene porosinë e bilbilit të serbëve komunistë të Tiranës...

Asnjë “historian” nuk boton të vërtetën e rrezikut grek në lidhje me Gjinokastrën dhe Korçën...Askush nuk e xen në gojë Imz. Luigj Bumçin dhe vepren e tij të madhe.

Imzot Bumçi u takue shumë shpejt me Presidentin Uillson dhe i vuni në dukje krimet e Serbisë kundrejt shqiptarëve të Plavës, Gucisë, Gjakovës, Pejës dhe i dorzoi listen e viktimave të Rugovës.

Me datën 29 Dhetor 1919, Imzot Luigj Bumçi u pat takue në Romë me Papën Benedikti XV, tue i kerkue me lutje n’emën të të gjithë shqiptarëve pa dallim feje “me na shpetue dy provincat shqiptare, Korçen e Gjinokastrën” si, dhe ruajtjen e Shtetit Shqiptar pa u coptue. Papa u takue urgjentisht me ambasadorët e Amerikës dhe t’Anglisë në Vatikan dhe, si pasojë dy krahinat e sipërme mbetën  shqiptare. (F.R. dorëshkrim “Kurrma si Ju!”).

 

Në vitin 1944, At Mati Prennushi ka thanë: “Çdo ateist asht trathtar, çdo trathtar i shokut asht edhe trathtar i Atdheut. Për me kenë komunist, duhet të jeshë edhe ateist edhe trathtarë.” (At K.Gjolaj, në librin “Çinarët” fq. 74.)

          E, për me kenë “historian”, duhej me kenë edhe antikatolik!

          Pse u pushkatuen të parët klerikë katolik në muejn Mars të vitit 1945, dy kolosët e kulturës shqiptare: Don Lazër Shantoja dhe Don Ndre Zadeja?

          Pse i pari, Don Lazri, deklaroi: “As ma pak e as ma shumë se ajo që kam dijtë me kohë se, komunistët janë veç trathtarë!”(me 26 Janar 1945, në Sheldi, kur u arrestue...)

          Ndërsa Don Ndreu, në të gjitha melodramet e tij përjetsoi historinë tonë kombëtare, tue i këndue Ilirve, Rozafës e “Rubës së kuqe” të Skenderbeut!

          Po Atdhetari Ndue Mirash Pali çka tha para togës së pushkatimit me 15 gusht 1945:

          “Nuk më vjen keq që unë po pushkatohëm prej vllazënve të mij. Jam i lumtum që Unë po vdes në Tokën teme Shqiptare, pas pesë vjet vuejtjesh që pata nga fashistët dhe nazistët. Shqipnia rron edhe pa Ndue Palin! Një fjalë dua t’ja drejtoj rinisë nacionaliste:

Punoni deri në vdekje për një Shqipni të lirë, indipëndente, me baza shoqnore moderne e demokratike. Rrnoftë Shqipnia e Shqiptarve. Të fala familjes!” (Dosja 1108, Arkivi i M.P. Mbrendshme Tiranë.) – Besoj e mban mend mirë këte thirrje prokurori që e ka shkrue me dorën e tij të zhytun në gjakun e pastër të Këtij Atdhetari, kur i ra edhe goditjen e fundit mbas kokës, krimineli handikap Aranit Çela, në Zallin e Kirit pranë Rrëmajit, në Shkoder!

Pikërisht këtij Araniti prokuror ia përplasi në sy gjatë gjyqit Ndue Pali faktin edhe akuzën   

që Araniti përshëndeste alafashistçe në Ventotene kurse, Ndoja jo, kurrë nuk pranonte me përshëndetë ashtu! Ja pra, me fakte trathtarët tue pushkatue Atdhetarët!

Atë kohë, Shkodra e dokumenton me 26 burgjet e ndodhuna në atë “Qytet Martirë”, ku, hetuesit komunistë serb ndihmoheshin nga sherbëtorët e tyne podgoriçan dhe vlleh... tue torturue e vra si e si me zhdukë vatren e qytetnimit evropjan. Pikërisht, për këte qellim ka funksionue në Degën e Mbrendshme të Shkodres, që në 1945 e deri në vitin 1991, i vetmi “Seksion Katolik”, ku kanë drejtue: Zoji Themeli, Kasem Troshani, Ali Xhunga, Xheudet Miloti, Hamdi Ulqinaku, Hilmi Seiti, Shyqyri Çoku, e sa e sa oficera fanatikë, sektarë e katila imoral të mbledhun nga gjithë Shqipnia, një pjesë e të cilve janë këta :

1.Aranit Çela, Angji Lubonja, Agron Tafa, Asllan Lici, Anastas Koroveshi, Bexhet Mema, Bedri Spahiu, Bilo Bregu, Delo Balili, Dilaver Bregasi, Dulaq Lekiqi, Dul Rrjolli, Dhosi Mborja, Dhimiter Shahini, Dhimiter Shkodrani, Dhimiter Berati, Edmond Vodica, Elham Xhika, Faik Minarolli, Nesti Kopali, Ali beg Bushati, Fadil Kapisyzi, Frederik Nosi, Feçor Shehu, Gjon Banushi, Hilmi Telegrafi, Hasan Ulqinaku, Haxhi Pela, Haxhi Gora, Hodo Habibi (toger Baba), Hazbi Lamçe, Hysni Ndoja, Irakli Kocani, Irakli Bozo, Ilo Pano, Isamedin Resmja, Isa Halili, Idris Çoba, Koçi Xoxe, Kadri Hasbiu, Kadri Ismailati, Ksenofon Nushi, Koço Josifi, Lefter Goga, Lefter Lakrori, Lilo Zeneli, Llambi Peçini, Mihallaq Ziçishti, Myftar Tare, Mustafa Iljazi, Muharrem Shehu, Mynyr Tirana, Mark Dodani, Mustafa Qilimi, Nevzat Hazdenari, Nesti Kerenxhi, Niko Çeta, Nexhat Hyseni, Ndreçi Plasari, Namik Qemali, Petrit Hakani, Qamil Mane, Qamil Gavoçi, Qamil Lamaj, Rexhep Kolli, Rasim Dedja, Rrapi Mino, Sabri Hoti, Siri Çarçani, Skënder Myftari, Shefqet Peçi, Shemsi Totozani, Shuap Panariti, Shkëlzen Bajraktari, Shkëlqim Zaloshnja, Tamaz Beqari, Thoma Karamelo, Vaske Koleci, Xhule Çiraku, Xhevdet Gavoci, Xhemal Selimi, Zoi Themeli, Hys Zaja, Zoi Shkurti, etj. që, secili prej tyne ka marrë jetën e një njeriu të pafajshëm e, për të cilët At Konrrad Gjolaj, shkruen: “Ky Seksion Katolik shyqyr që asht kenë formue, mbasi nuk len kurrkend me kundërshtue se Enver Hoxha me Sigurimin e Shtetit, ka krye GENOCID MBI POPULLSINE KATOLIKE SHQIPTARE, sëpse, edhe ai vetë ka kenë KRIMINEL ANADOLLAK.” “Çinarët”, fq. 93.

          Meqë këtij Seksioni i ka shërbye edhe “historiani” Sabri Godo, mos ndoshta ai sot asht kujtue se vepra për “Skënderbeun” nuk asht e tija, por asht përvehtësim nga kontrollet e shtëpijave të Shkodres, apo vjedhje nga bibliotekat e Klerit Katolik Françeskan e Jezuit, në vitët 1946, kur ky me shokë të Sigurimit të Shtetit sekuestroi nga këto biblioteka mbi njëmijë dorëshkrime dhe punime shkencore, që sot endè i disponon padrejtësisht Biblioteka Kombëtare në Tiranë. Janë ato materiale me të cilat shumë vetë që kanë emnat në listen e perpiluesve të Fjalorit Enciklopedik, kanë marrë “titujt e gradat shkencore”, tue vjedhë mundin e djersën e të tjerve, pra, të gjitha të pameritueme.

          Zhdukja e gjurmve të trashigimisë evropjane asht kenë një detyrë e vazhdueshme për komunistët, punë të cilën e vazhdojnë edhe sot pasardhësit e E.Hoxhës e R.Alisë.  

Kur do të ndërtohej hidrocentrali i Komanit, si u mahnit ingj. Besnik Bekteshi tue ndigjue nga “mendja e ndritun” e E.Hoxhës, se “me këte hidrocentral do të fundosën në liqenin artificial të tij, më shumë se 35 thëmele të Kishave që kanë qenë në atë zonë, kështu me këte rast do të zhdukim edhe gjurmët shekullore që kanë mbetur endè aty...”. Kjo besoj ju kujtohët kur Besniku i tregoi R. Alisë habinë e tij, se u pat dhanë edhe nga TV Shqiptar...

          Kujt i përkisnin Ato vepra monumentale dhe, kujt i interesonte zhdukja e Tyne?

          Vetëm fanatikve anadollakë të kryesuem nga E.Hoxha me trashigimtarët e fronit të tij, të mëshefun nën petkun e internacionalizmit proletar e marksist-leninist por, gjithmonë në sherbim të Serbisë shoveniste e Rusisë stalinjane.

 

          Këto ditë kur pashë fushatën e haptë dhe të turpëshme kundër Skenderbeut dhe të Flamurit të Tij, mu kujtue At Mati Prennushi... që tue ndigjue radion kur po jepej vendimi me vdekje për dijetarin At Gjon Shllaku, tha: “Ah... të lumtë o Serb, se ia dole me i diftue sot botës se na Shqiptarët, me bisht e pa bisht, jemi me të vërtetë egërsina!”...

          Dhe, me të vërtetë, Sabri Godoviq, Ardian Klosiq e njëfarë doktori Oliver Jens Schmitt, e sa të tjerë të “heshtun”, po donë me na mbushë menden se “Shtetin Shqiptar e ka formue gjakmarrja!...” pra, vritnju Burra sa të mundeni, se kështu, “forcohet” Shqipnia! Kështu, “shkoni” në Evropë, mbasi edhe Kaukazi kufi i Evropës asht,...ndonse, na “nuk jemi as Lindje as Përendim!”, ka thanë presidenti komunist serb i Shqipnisë, “shoku i juej” Ramiz Alia! Ja pra, heshtja... ja heshtja për Festën e Flamurit...

          Ja heshtja... “Për Eshtnat e At Fishtës...”!

          Mos ndoshta keni pritë që me ju shkrue emnin e Atdhetarit Gjon Gjergji, në gjuhën e të parve tuej: “Ivan Xhorxheviq”!?..Heshtëni e mos veproni pa urdhën të serbit!

          Heshtëni, të gjithë papërjashtim! Heshtëni si për Festën e Madhe të Flamurit!

          Mos ndoshta edhe Presidenti Topi, shkoi në Turqi me 28 Nandor për me i tregue:

“Mos kujtoni o vëllezër gjaku, se ne  nuk jem pasues të Plakut të Vlorës!...”

          E përnjëherë mendja më fluturoi në kuvendin Françeskan të kthyem në burg...

          E nuk shkoi shumë kohë e në dhomën e At Matisë, kur u arrestue Dul Rrjolli i tha:

- Hajt Padër Mati, nxirri armët e mos na vono!

- At Matia, iu përgjigj: “More qen, serbët të kanë çue me kërkue armë te na?”

Unë si sternip i tij po ju pyes: Sa miljon euro e dinar ju ka pague Serbi, me reaalizue andrrën e vjetër të tij, me këte shpikje në arkivat e Serbisë,... më falni, t’Austrisë?

Bani mirë me shkue në Kremlin, në qendren tuej... dhe me kërkue tek muri i tij, vorrin e babës suej “Stalinit”, se aty keni edhe Ivanin...e tmershëm,... babën e Stalinit, at gjyshin tuej, që ju e keni ngatrrue me babën e Gjergj Kastriotit Skenderbeut!

Ikni, ikni o pjellë e keqe! O pjellë haremesh! Ikni e konvertonju në “bizantin”, se nga koka deri në bel ju ka konvertue serbi e greku...o t’pa Atdhé!

E mos harroni, se edhe mbas vdekjes ka me ju ndjekë mallkimi i Imz. Pal Engjullit, Frangut të Bardhë e Marin Barlecit, Lekë Dukagjinit e Derës Gjomarkajve, Kristoforidhit e Naimit, Konicës e Shantojës, Gjeçovit e Imz. Frano Illisë, Namik Resulit e Koliqit, Paulin Palit e Muzafer Pipës, Kol Prelës e Qemal Draçinit, Arshi Pipës e  Martin Camajt, Ymer Berishës e Ibrahim Rrugovës dhe brez mbas brezi, deri sa të shuheni me fise e soje kanë për ti ndjekë pasardhësit tuej, rubat e futat e zeza të Norës Kelmendit, Tring Smajlës e Shote Galicës, Katrinë Tomës e nuseve të veja dhe, të Atyne mijra e mijra Nanave mbetë shkret nga dora e juej e harbueme, o katilë trathtarë e vëllavrasës. Lumenj gjaku e lotësh do të mbulojnë vorret tueja, e do t’ju ndjekin me mote virrmat e jetimve të mbetun rrugash në Tepelenë, Lushnje, Vloçisht, Kuç të Kurveleshit e anë e kand ku ishin kampët e shfarosjes. Si vullkan do të shpërthejnë djersa e derdhun në Maliq e Beden, Levan Fier e Ballsh, e deri në Sarandë dhe, si lavë përvluese do të derdhet mbi kokat tueja. I madh e i vogel do t’ju gjuejnë me gurë në Hot, Grudë e deri në rrënojat e Kosovës së Adem Jasharit, ku britmat e mnershme nuk kanë pushue endè sot...O t’pa Tenzonë!...

Edhe, kërkoni ndër kabaret e Evropës “arkivat”?

Arkivat i keni në Truellin e Skenderbeut e Nanë Terezëz...

I keni në të gjitha Kështjellat e qendresës heroike të Popullit Shqiptar!

I keni në Krujë e Mat, i keni në Lezhë, në Voskopojë e Butrint, i keni në Vlonën e Ismail beut, i keni në Himarë e Janinë, në Delvinë e Sarandë, në Korçë e Gjinokaster, në Manastir e Prishtinë, në Ohër e Gjakovë, në Diber e Prizren, në Mirditë e Dukagjin, në Hotin e Dedë Gjo’Lulit e Grudë, në Ulqin e Tivar...e, po ditët me lexue i keni të gjitha të arkivueme... në Zallin e Kirit...pranë Rrëmajit:

Në Shkoder!...

Vëllazën Shqiptar!

Kurrë ma aktuale se sot për fatet e Atdheut tonë nuk tingllon thirrja e Gjon Palit II, me 25 Maji 1993, në Sheshin “Skenderbej”:

“Shqipni, qëndro në naltësinë e kësaj beteje të madhe!”.

Melbourne, Dhetor 2008


Tribuna Shqiptare

(Vota: 2 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: