Ali Mema: Unë, legjenda që eliminova Best dhe Bekenbauer
| E Marte, 30.12.2008, 11:03 AM |

Nga

Ali Mema
Ali Mema
Aimona Vogli

Emri i tij është i lidhur gjithë kohës me historinë e Tiranës dhe të ekipit kombëtar. Ali Mema, tashmë 66 vjeç, vazhdon të konsiderohet një shembull për pasionin që duhet të ndjekin ata që nisin rrugën e futbollit. Profesor Liu, siç e njohin të gjithë, vazhdon të jetë edhe tani pjesë e klubit Tirana. Si nga zyrtarët e këtij klubi, ai rrëfen një jetë të mbushur me suksese, por edhe me zhgënjime. Sepse, suksesi dhe zhgënjimi në botën e top-këmbës në atë periudhë, ndaheshin nga kufi j thuajse të tejdukshëm. Shqipëria eliminonte Irlandën e Xhorxh Best, por mjaftonte një humbje 6-0 me ermaninë e Bekenbauer, që të çonte në burgosjen e talenteve si Skënder Halili. E megjithatë, jeta e Ali Memës ka njohur më shumë suksese. Me një fizik prej “tanku”, ai fi toi katër kampionate me “17 Nëntorin” si futbollist. Një gjë e tillë nuk ishte aspak e lehtë në një periudhë ku çdo talent që nxirrte Tirana merrej ushtar, për t’u futur më pas me Partizanin. Më tej, Ali Mema qëndroi për 15 vjet në pankinën e ekipit bardheblu, shumicën e kohës si ndihmës. Dhe arriti të fi tonte dy tituj e tre kupa. Vërtet shumë në atë kohë.

Profesor, ta nisim nga fi llimet tuaja...

Datojnë në fund të vitit 1958, me të rinjtë e Tiranës. Një vit më pas, vetëm 16 vjeç, arrita të bëhem kampion për të rinj me këtë klub. Dhe normalisht erdhi thirrja te “17 Nëntori”. Një skuadër ku qëndrova deri më 1972, ndonëse gjatë kësaj kohe pata luajtur disa pjesë sezonesh edhe me Partizanin, Dinamon e Vllazninë.

Trajneri i parë?

Me të rinjtë, i madhi Xhavit Demneri.

Sa e vështirë ishte të luaje tek ai “17 Nëntor”?
Ne ishim një grup të rinjsh, isha unë, Sajmir Dauti, Riza Icka apo Xhaçka, pra 6-7 vetë që kaluam aty. Sepse, Tiranës i morën ushtarë emra si Ben Bukoviku, Panajot Pano, Osman Mema, vëllai im apo Skënder Halili. Ata shkuan te Partizani,
përveç Skënder Halilit që vajti te Dinamo. Dhe normalisht u hap rruga për ne. Ishim me ekipin e dytë, por në kampionatin 1960-1961 nuk luajta. Vazhduam me të rinjtë, ishte dhe Fatmir Frashëri.

Si arritët të dalloheshit në atë periudhë?

Në fakt, në vitin 1961 zhvillohej Kupa Ballkanike dhe atëherë duhet të dini që në këto turne ne shkonim si një kombëtare e vogël. Mua më mori Dinamo, skuadër që kishte marrë edhe Panajot Panon, Fatmir Frashërin, Xhavit Daiun apo Miço Dinen nga Partizani. Pasi u kthyem, mua më lanë të luaj me Tiranën (17 Nëntorin atëherë) si qendërmbrojtës. Kupa e 50-vjetorit të Pavarësisë ishte aktiviteti i parë. Ne ishim përpara Dinamos dhe Partizanit, por në tri ndeshjet e fundit nuk luajta dhe Kupën e mori Dinamo.

Kur erdhi trofeu i parë me Tiranën?

Ishte viti 1963, Tirana fitonte Kupën e Republikës për herë të parë pas Çlirimit. Ne patëm eliminuar Lushnjën, Shkumbinin, Partizanin dhe në finale përballeshim me Besën. Në ndeshjen e parë humbëm 3-2, ndërsa në Kavajë fituam 1-0. Atëherë nuk ishte rregulli i golit në fushë kundërshtare dhe shkoi me penallti.

Thuhet që keni qenë portier në atë takim...?

Neve na u vranë të dy portierët, madje kujtoj që Esat Beliut i thoshim rri sa për të qenë në portë. Në ato momente, çunat e tjerë të ekipit i thonë trajnerit të më fuste mua portier. “Liu ka luajtur portier”, tha njëri. U futa në portë dhe penalltitë për Besën do t’i gjuante Bit Rexha.

Atëherë mund t’i gjuante të pesta një person apo ajo?

Po, lejohej kjo. Për ne do t’i gjuante Ben Bukoviku. Unë e prita të parën, pasi të them të drejtën isha edhe pak i shkathët për të bërë hile. Beni shënoi për ne. Tek e dyta, isha i sigurt se Biti do të ndërronte këmbë dhe ashtu bëri. Arrita të pres tre penallti rresht, ndërsa Ben Bukoviku i realizoi të tria për ne dhe fituam Kupën. Kujtoj që Bit Rexha më tha një moment “aman më lër një gol!” dhe i lashë dy të fundit, pasi çdo gjë u vendos.

Në atë vit jeni thirrur edhe në kombëtare...?

Luanim me Danimarkën, trajner ishte Loro Boriçi. Arritëm të fitonim dhe aty mora titullin “Mjeshtër Sporti”. Nëse fitoje një ndeshje ndërkombëtare, e merrje direkt atë.

Si lindi Tirana e madhe e atyre viteve?

Ajo lindi pasi u liruan nga ushtria Fatmir Frashëri, Ben Bukoviku e Skënder Halili. Bëmë atë ekip që na e kishin zili të gjithë.

Më tej erdhën disa tituj kampionë...?

I pari ishte kampionati 1964-1965. Unë shënova golin e fundit, ndaj Flamurtarit, që na dha edhe titullin. Titull që ishim duke e humbur në Korçë, por edhe aty për fat pata shënuar unë. Më 1965-1966 erdhi kampionati i dytë, ndërsa në vitin 1967 më morën ushtar. Isha 3 vjet në Zall Herr. Njëkohësisht luaja edhe qendërmbrojtës me Tiranën.

Por, kjo nuk ishte e mundur apo jo?

Luajta me urdhër të ministrit, Petrit Dumes.

Si ndodhi që u shpërbëtë si ekip?

Ndikoi futja në burg e Skënder Halilit. U bë vetëm për të na dobësuar ne. Kur fituam kampionatin e parë, anëtarët e Byrosë erdhën na dhanë të gjithë duart në dushe, ndërsa tek i dyti nuk u duk më njeri. Kur u arrestua Skënderi ne ishim të grumbulluar për në Norvegji, por nuk na çuan.

Si ishin raportet me Petrit Dumen në atë periudhë?

Ai ishte një tifoz i zjarrtë, ishte shumë tifoz me Partizanin. Ai më mori te Partizani. Pas një fitoreje të Tiranës, na rreshtoi të gjithëve në repart dhe m’u drejtua: “Çfarë je ti? Ushtar? Pse ti lufton dhe këta jo?”. “Edhe këta luftojnë”, i thashë. “Dikur, sa të nxirrje fanelën e Partizanit, Tirana dorëzohej, ndërsa tani, këta këtu sa shohin atë fanelën me vija, tremben”. Kështu më tha. Ishte i mërzitur dhe i urdhëroi ushtarët të bënin hedhje me parashutë në Lushnjë. Për fat, mua më thirrën në kombëtare dhe nuk shkova.

Periudha te Vllaznia si ishte?

Shkova në kampionatin 1966-1967, në fazën e dytë. Tirana atë vit u përjashtua, sepse disa lojtarë ishin kapur se kishin sjellë ca plaçka nga jashtë. Në fakt, këtë e bënim të gjithë. Më tej, në 1968-1969, u ktheva prapë te Tirana. Fituam dy tituj rresht, ndërsa në sezonin 1970-1971 e mori Partizani.

Në atë kohë ishin edhe përballjet e mëdha në Kupat e Evropës...?

Më 1965 luajtëm me Kilmarnokun e Skocisë, këtu dolëm 0-0, ndërsa atje humbëm 1-0. më tej, më 1969 me Standartin e Liezhit, ekip shumë i madh. Por, ne ishim si një kombëtare, e thashë, megjithëse për atë ndeshje patëm marrë vetëm Panon. Në Belgjikë humbëm 3-0, këtu barazuam 1-1.

Na kujtoni pak atë përballje me Ajaksin e madh...

Ishte Ajaksi i Krujf, Surbier, Han, Krol. Ari Han, sot trajneri i kombëtares sonë, atëherë nuk luajti. Por, luajti ndihmësi i tij Vim Surbier.

Që shënoi edhe dy golat...?

Po, ishte mbrojtës i djathtë. Edhe unë isha i djathtë në skuadrën time. Shënoi dy gola shumë të bukur në pjesën e parë, ndërsa në të dytën ne barazuam 2-2. Para ndeshjes patëm edhe një histori, sepse na përjashtuan Kazanxhiun, pasi kishim këpucë me taka me gozhdë. Kazanxhiun s’e lanë të luante dhe futëm Iljaz Çeçon. Takave u vumë nga një shollë sipër.

Si hyri ai Ajaks i lojtarëve modernë në Shqipëri?

Nuk patën asnjë problem, s’i ngacmoi njeri. Lojtarët e Ajaksit ishin të gjithë me flokë të gjatë dhe u bë një debat i madh edhe në mediat europiane. “A do i qethin flokët lojtarët e Ajaksit apo jo?”, pyesnin të gjithë. Kur shkuam në Amsterdam, ishim të fokusuar edhe nga gazetarët, pasi barazuam 2-2. Na pyesnin si do luani? Në sulm apo në mbrojtje? Me ta gjithsesi u mor më shumë Fatmir Frashëri, pasi merrte vesh më shumë anglisht.

Me Ari Han patët një takim edhe në ditët e Asamblesë së Federatës. Mund të na zbuloni ndonjë detaj të bisedës?

Në fakt, Han nuk luajti në asnjë nga ato dy ndeshje. Por, u habit, sepse nuk kishte asnjë foto. Dhe nuk e njohu veten fare në ato fotografitë që i tregova. Por, si ai, si Surbier, e mbanin mend shumë mirë ndeshjen. Ka qenë Ajaksi i Rinus Mishels, ishte shumë e vështirë të përballeshe me të.

Më tej erdhi epoka si trajner...?

Për 15 vjet. Isha gjithnjë i dyti, ndihmës. Në fillim e nisa me Fatmir Frashërin. Arritëm të fitojmë 2 tituj kampionë dhe 3 Kupa atëherë. Si futbollist në fakt, kisha fituar 4 tituj kampionë.

Na flisni pak për kombëtaren e atyre viteve?

Thirrja e parë qe në vitin 1963 me Danimarkën, më pas luajtëm dy ndeshje me Olimpikun Bullgar. Kanë qenë edhe Resmja, Maliqati.

Në fakt, ajo kombëtare ka pasur shumë emra, por rezultatet kanë munguar. Pse?

Sepse ne na ngacmonin shumë në penallti. Na jepnin gjithmonë penallti kundra. Ç’mund të bënim?

Nuk ju mungonin as ndeshjet me ekipet e mëdha...?

Kishte shumë të tilla. Për shembull, do ndesheshim me Jugosllavinë. Atyre u duheshin 11 gola për të shkuar në Europian në Itali. Para stërvitjes, afër portës sonë ishin rreshtuar 11 topa dhe Mehdin Zhega i futi të gjithë në rrjetë. Ajo ishte fotoja e gazetave jugosllave ditën tjetër. Më tej, jemi ndeshur me Holandën, me të cilën kemi humbur 2-0 në të dy ndeshjet. Në fakt, duket e çuditshme, por Holanda e pati shumë të vështirë. Ne bëmë 27 korne dhe nuk hynte goli. Një gol e pësuam sepse Skënder Halili donte ta largonte topin me thembër.

Përballja me Irlandën dhe me Xhorxh Best, “Bitëllsin e fundit”...

Irlandën e Veriut e eliminuam. Me Bestin kam pasur disa histori. Në ndeshjen e vitit 1965 në Belfast i rashë në vend të keq dhe m’u vërsulën menjëherë katër vetë. E shtriva pak këmbën në fakt. E gjithë Irlanda atëherë luante në Angli dhe na mundën 4-1. Këtu doli 1-1. Pas ndeshjes, kishim banketin e zakonshëm dhe e kapa Bestin nga faqet. “Qenke si gocë”, i thashë, nisur edhe nga flokët. “Si gocë mos je ti”, më tha. Nuk piu asnjë gllënjkë alkool. Ishte lojtar i madh dhe nuk pinte. Dhe për çudi, vdiq i alkoolizuar. Kjo më ka habitur.

Na tregoni pak për ndeshjen me Gjermaninë. Keni firmosur se do mundnit skuadrën e Myler dhe të Bekenbauer...

Është e vërtetë. Luanim në Dortmund, ishte maj 1967. Sekretari i Federatës, Alfred Kazaxhi, na tha para ndeshjes të firmosnim se do t’i mundnim. Budallallëk. Megjithatë, pasi ndeshja vajti 2-0 po na thoshte “vazhdoni se jeni mirë”. Luanim në një terren të rënduar dhe unë me atë sedrën e sëmurë, doja që të fitonim. Në fund u mundëm 6-0 dhe Myler bëri 4 gola. Ditën tjetër kam qenë në faqen e parë të revistës “Kicker” së bashku me Lohër.

Por, këtu e eliminuam. Arritëm të barazonim 0-0...?

Në fakt, duhet të fitonim. Portieri i tyre, Volteri i famshëm, e kapi topin brenda. Arbitër ishte një austriak, të cilin e kam takuar vitet e fundit, kur vinte si vëzhgues në Shqipëri. Ma ka pranuar se ai ishte gol.

Sportistët atëherë ishin shumë të famshëm, sa ju ka ndihmuar kjo?

Më respektonin shumë, kam përfituar të them të drejtën. Isha Ali Mema dhe dera më hapej kudo. Më çuan në shkollë, në Institut të Fizkulturës, më dhanë shtëpi. Këto ishin atëherë.

Për aq sa mund të përdoret kjo shprehje, bënit jetë nate në atë periudhë?

Ka pasur, por jo për mua. Unë kam qenë shumë i dhënë pas futbollit. Plus që u martova i ri dhe që 23 vjeç isha me fëmijë. Shpesh, ku rrinte skuadra merrja edhe familjen dhe nuk më thoshte njeri gjë.

Kur jeni njohur me bashkëshorten tuaj të ardhshme?

Në vitin 1960, ishim në një klasë. Ajo ka qenë gjithashtu sportiste, ishte rekordmene për hedhje disku dhe shtize për të reja. Fatkeqësisht ka 4 vjet që më ka vdekur. E kam pasur shumë të bukur, megjithëse edhe vetë isha mirë. (qesh)

Tirana nuk ishte e dashur për shtetin në atë kohë, si ia bënit?

Ju thashë që pasi morëm kampionatin e dytë, anëtarët e Byrosë nuk erdhën më të na takonin, ndërsa herën e parë erdhën edhe në dushe. Megjithatë, unë arrita të luaja 80 ndeshje ndërkombëtare.

Kishit premio në atë kohë?

Zakonisht, kur fitonim me kombëtaren merrnim 3 mijë lekë premio. Por, kur luajtëm një turne në Egjipt dhe fituam 3 ndeshje, prisnim të merrnim 9 mijë. Aty pastaj doli shprehja: “Ia falim Partisë!”. Dhe nuk morëm më asnjë lek që atëherë.

Cila ishte cilësia që ju dallonte nga të tjerët?

Unë doja gjithmonë të fitojë, me këdo që luanim. S’më zinte gjumi natën nëse humbisja. Pastaj, kam luajtur gjithnjë me pastërti. Atëherë nuk kishte baste.

Por kishte “lëshime” apo jo?

Shikoni, mbaj mend që në vitin 1961, Partizani luftonte për titull me Dinamon. Dhe po të humbiste me ne, e humbiste edhe titullin. Besim Fagu, shefi i klubit Partizani, dërgoi vëllanë tim, Osman Memën (luante me Partizanin), që të më thoshte t’ia linim ndeshjen. Në fushë unë do isha kundra vëllait, por nuk i hapja rrugë, megjithëse isha më i vogël. Dolëm 2-2, duke e nxjerrë Partizanin në finale me Dinamon. Në fund fitoi Partizani.


G. Shqiptare

(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: