Teki Gjonzeneli: Një ëngjëll që nuk e lanë të fluturonte
| E Diel, 28.12.2008, 05:56 PM |

Drita Çomo (1958-1981)
Një ëngjëll që nuk e lanë të fluturonte

Si e strehoi “armiku i popullit” në shtëpinë e tij vajzën e vogël të ish-anëtares së Byrosë Politike, Liri Belishovës

Në këtë letër po i tregoj lexuesit dhe atyre që ende s’janë të bindur në egërsinë e regjimit komunist, një rast fare të zakonshëm kur Shqipëria sundohej prej baballarëve të socialistëve të sotëm, pa u ndalur tek historitë tashmë të mirënjohura të torturave, pushkatimeve e varjeve në litar, për burgjet e për kampet e internimit. Jo, po flas thjesht se si trajtohej një fëmijë i armikut të Partisë.

Le të jetë ky tregim edhe një thirrje ndërgjegjë për ambasadorin e nderuar të Shteteve të Bekuara të Amerikës në Tiranë, për të ditur se në cilën anë është ky njeri në anën e Drita Çomos dhe Teki Gjonzenelit, apo të atij oficerit te Sigurimit të Shtetit që flaku në mes të katër rrugëve nje fëmijë !?

Nga Teki Gjonzeneli, Nju-Jork

Në Hidrocentralin e Shkopetit

Ishte koha e diktaturës së egër komuniste. Po kryeja muajt e fundit të shërbimit të detyruar ushtarak në një repart pune, ku dërgoheshin vetëm djemtë e familjeve të cilësuara “armike të popullit”, antikomunistë... Duke qenë teknik i specializuar për përdorimin e vinçave të lartë, komanda e repartit më urdhëroi të punoja në këtë hidroçentral. Në këtë punë njoha disa inxhinjerë që drejtonin punimet atje si: A.Meksi, B.Selenica, N.Muço dhe në fund me inxhinierin elektrik Z. Fatmir Belishova. Motrën e Fatmir Belishovës, Liri Belishovën dhe të shoqin Maqo Çomon i kishin shpalluar “armiq” të Partisë dhe të popullit dhe i patën syrgjynosur dhe internuar. Nuk vonoi shumë dhe mua më komunikuan lirimin nga ushtria. Ndërsa isha duke pritur një kamjon për të udhëtuar për në Vlorë në shtëpinë time dëgjoj nga prapa një zë të njohur: Udhë të mbarë o vlonjat! Ishte inxhinier Fatmir Belishova dhe unë u gëzova shumë se në fakt nuk pretendoja të më përcillte njeri. E falenderova dhe u ndamë duke e përshëndetur njeri tjetrin me dorë deri sa kamjoni u zhduk pas një kthese.

Takim në Vlorë

Kishte kaluar më tepër se një muaj nga ajo ditë dhe për punë nuk ma vërshëllente njeri. Si gjithnjë vazhdonin të më shikonin me sy të shtrembër. Një të shtunë pasdite shëtitjen me shokët e vjetër e zgjatëm deri në Sheshin e Flamurit, në qendër të qytetit. Përkarshi hotel “Sazanit” ulur në anë të tortuarit më kapi syri inxhinier Fatmir Belishovën me një vajzë të vogël. U ndava nga shokët dhe u drejtova për andej.U afrova afër dhe fola me zë të ulët: Ç’e mirë ju solli në Vlorën tonë o inxhinier? Inxhinieri që duket më kishte ndjekur nga larg, u ngrit në këmbë dhe më përshëndeti buzagas: - E di që është juaja por nuk kam ardhur t`ua marr... Një hall më solli edhe mua në këto anë... U përqafuam duke i thënë, po ndofta kemi mundësi t‘ju ndihmojmësadopak për hallin tuaj, si jabanxhi që jeni... Pa e zgjatur muhabetin, inxhinieri u kthye pas nga hyrja e hotelit dhe më pyeti nëse njihja atë hotelxhiun tek hyrja? - E njoh nga larg, po si është puna? - i thashë. - Na duhet një dhomë hoteli sa për të fjetur sonte, po ai nuk e lejon mbesën, e kam vajzën e motrës këtë kukullën këtu. E kemi të ndaluar për fëmijët më tha. Na urinojnë në dyshek! Kur unë u mundova ta bind se, vajza nuk bën gjëra të tilla, ai m’u kthye me të egër: Ajo vajzë nuk është juaja po e armikes së popullit Liri Belishova. M’u duk sikur më ra tavani mbi kokë. Mbeta si i shushatur jo nga sjellja çnjerzore e tij por nga gatishmëria për të mbledhur informacionin në një kohë rekord! Dukej sheshit se unë isha nën ndjekjen e Sigurimit të Shtetit. Po është oficer sigurimi ai, o i dashur inxhinier dhe nuk flet dot me të, i thashë. E pashë që u pre në fytyrë por nuk e dha veten. I fërkoi kokën mbesës dhe i tha me ëmbëlsi: -Mos u mërzit, bija e dajos, do bëjmë si do bëjmë se behar është... Kuptohej qartë në tonin e atyre fjalëve jo vetëm brenga por edhe dhimbja që ndiente për mbesën,që ishte si një kukull dhe duhej të përballohej që në atë moshë me luftën e klasave... Ndjeva dhimbje për të dy sidomos për sidomos për vajzën e vogël... Kalova nëpër mend vite të shkuara. Afërsisht në atë moshë isha edhe unë, kur nëna e kësaj vajze Liri Belishova dhe babai i saj, Maqo Çomo kishin arrestuar babanë tim duke e akuzuar si “armik populli”. Edhe sot, pas dhjetra vitesh, në moshën e thyer 70 vjeçare që jam, një gjë më ka mbetur akoma e paqartë: E mendonte vallë në atë pragmbrëmje inxhinieri se, burimi i gjith këtyre vuajtjeve ishte diktatura e proletariatit për fitoren e së cilës patën luftuar dhe punuar edhe prindërit e asaj vajzë të vogël? Fjala diktaturë edhe kur e artikulon të duket sikur të bluan dhëmbë e dhëmballë ... Ajo makinë ogurzezë nuk kursente as fëmijët dhe as foshnjat e prindërve që shpalleshin armiq të Partisë dhe të popullit! E mblodha veten dhe i thashë inxhinierit: Vajzën do ta marr unë në shtëpinë time, paçka se kushtet nuk i kemi dhe aq të mira. Do flejë me motrën time të vogës. Inxhinjeri që nuk e pristë të merrtë këtë rrjedhë mgjarja,foli me gjysëm zëri:-E kush po pyet për kushte tani ... Nesër në mëngjes do ta shpie tek i ati në ishullin e Zvërnecit ku është i internuar, prandaj të lutem në orën tetë të mëngjezit ma sill këtu. E pyeta vajzën e vogël për emrin: Më quajnë Drita, foli me gjysëmzëri, si duket nga mallëngjimi që po ndahej me dajon. Duke u kthyer në shtëpi më shqetsonte mendimi nëse do t’i krijonim vajzës ngrohtësinë që ajo meritonte për moshën që kishte? Një fëmijë si ajo nuk mund të kuptonte gjendjen ku na kish katandisur lufta e klasave e shpalluar dhe e ekzekutuar prej prindërve të saj... Dielli kish marrë drejtimin për të perënduar mbi kanalin e Otrantos. Ishte një diell i madh dhe i ndezuar që përmbi ujërat e Sazanit dhe Karaburunit krijonte një hark me ngjyra të mahnitëshme... Kjo pamje e përsëritur me mijëra herë para syve të mi gjithnjë më ngjallte një frymëzim dhe ndjenjë njerzore. E pyeta Dritën e vogël, në se i pëlqente vendi ku ndodheshim. - Shumë u përgjegj mikesha e vogël si e hutuar nga ajo panje. Dukej me të vërtetë e emocionuar. Ndërsa unë falnderoja si përherë Zotin për këtë dhuratë madhështore të tij. Kur këmbët tona prekën rërën e plazhit të vjetër, vajza u shkëput nga unë dhe ja mori vrapit drejt bregut, ku dallgët e detit të qetë të mbrëmjes mezi arrinin të përplaseshin, duke lënë pas një shushurimë të lehtë dehëse... Drita mbushi prehërin e fustanit me xhixhivalle dhe u kthye tërë gëzim tëk unë. Do ia shpiesh mamit e pyeta unë me çiltërsi, po e kuptova shpejt mungesën e taktit dhe nuk vazhdova më tej... -Jo më tha, pa u keqkuptuar, tek mami isha dje midis ca maleve të lartë, shumë larg. Mamin tim nuk e lejojnë të vi në shtëpi dhe, unë nuk e di kur do e shoh përsëri.Qamë shumë kur u ndamë. I prekur nga sinqeriteti i vajzës fillova ta marr me të mirë... Tek “Aulona” u kthyem për ti marrë një akullore. Nuk më hiqej nga mëndja kjo vajzë dhe më vinte shumë keq për të, ndërsa ajo me pafajsinë e vet shijonte akulloren. Përse vallë ky ëngjëll duhej të paguante haraç vetëm për mendimet e prindërve të sajë ? Sa shumë armiq kishte kjo Parti! Familja ime filloi të vuante që më 1945 –ën efektin shkatërrimtar të diktaturës komuniste, dhe pas këtyre vuajtjeve pa fund edhe vdekja na dukej asgjë! Drita e vogël m’i shkëputi nga mendimet me pyetjen e saj: Çfarë e keni ju dajon tim? Kam punuar bashkë me të i thashë. Mirë tha Drita po unë si t‘ju thërras? Më thirr si të duash, i thashë. Afër shtëpisë, një shoku im pasi mori vesh për mysafiren e vogël më tha me zë të ulët dhe me frikë: Bërë mirë që e more vajzën në shtëpinë tënde . Do të ishte turp e mëkat që ajo vajzë këtu në Vlorë të flinte përjashta, por ki kujdes dhe ruaju se babai sapo ka dalë nga burgu, një vëlla t’u arratis vjet, një tjetër t’u burgos për motive politike, Sigurimi i Shtetit të përgjon dhe vetëm për këtë akt për strehimin r vajzëz mund të përfundosh edhe ti në burg!?

Në shtëpinë tonë

Kur arritëm tek dera e shtëpisë motra ime e vogël, Arrestimja, na doli përpara. Emrin sfidues dhe të çudiçëm, Arrestime, motra ime e kishte dhuratë prej babait tim të cilin e kishin arrestuar 16 vite më parë si antikomunist disa ditë përpara se motra të vinte në jetë. Motra nuk pyeti por e mori Dritën e vogël në krah duke e përkëdhelur. Ajo nuk ju nda mikes së vogël deri ditën e nesërme kur na përcolli përsëri... Edhe nëna ime e shumëvuajtur e mbuloi vajzën me përkëdheli sado që e mësoi në çast se e kujt ishte. Babai nuk u ndodh në shtëpi dhe unë prisja me shqetësim reagimin e tij. Nuk vonoi shumë dhe babai u kthye në shtëpi. Kur ia prezantova vajzën nuk foli asnjë fjalë por u drejtua i heshtur nga guzhina. Kur nënë i shpuri kafen ne dëgjuam këtë bashkbizetim midis tyre: Kini hak ti dhe Tekiu se nuk e dini mirë se kush ka qënë Liri Belishova dhe Maqo Çomo. Po gjynah nga perëndia, i thosh nëna, është fëmijë i pafajshëm dhe nuk mund ta linim rrugëve të Vlorës. Po për ty moj, kujt i erdhi gjynah më 1945-ën që me barkun tek goja dhe me një barrë fëmijë në kurriz të burgosën burrin pa faj, të morën gjith pasurinë, të nxorrën nga shtëpia dhe të lanë në mes të katër rrugëve, a nuk ta bënë këtë Liri Belishova dhe Maqo Çomo? Unë nuk ndërhyra në bisedën e tyre se e kuptoja revoltën e babait, por vetëm të nesërmen në mëngjes u binda se ai i mbrëmëshmi kish qënë vetëm një shpërthim i çastit. Babai bënte punë të rëndë fizike dhe nëna të vetmin privilegj që i bënte ishte një vezë e skuqur për drekë. Në mëngjes babaj para se të ikte për në punë e dëgjuam ti thosh nënës: -Vezën mos e përgatit për mua, zieja kësaj vogëlushes,dhe pasi i fërkoi kokën me përkëdheli u largua për punën e rëndë që e priste në fermë. Trupin tim e përshkroi një ndjënjë e ngrohtë dashurie për tim atë, për shpirtin njerzor të tij. Për darkë nëna na përgatiti syltjash me oris të bluar dhe qumësht pluhur. Vëllai im i vogël që nuk ishte ndier deri në atë çast iu drejtua mamasë: -Racionin tim dhe të Dritës na i hidh në një pjatë. Mamaja duke mos menduar për ndinjë prapësi të Muratit ashtu bëri. Duke ngrënë orizin me qumësht Murati iu drejtua Dritës së vogël duke i thënë: -Mos u habit moj vajzë që po hamë bashkë se “xhaxhi” Enver kështu na mëson,të gjith Shqipëtarët të hanë në një sahan!... Arrestimja i shtroi vajzës së vogël për të fjetur pranë divanit të vet tek dritarja. Iu lut vajzëz për të hequr fustanin por ajo nuk u bind. Pas mezit të natës vajza u trëmb përgjumësh, se e kish pickuar ndonjë insekt. U detyrua të hiqte fustanin dhe ti nënshtrohej mjekimit popullor me uthull dhe me ujë të ftohtë. Me gjith se e kish hequr fustanin ajo e shtërngonte fort në duar dhe kur e pyeti nëna ime se përse nuk e lëshonte fustanin nga dora ajo u përgjegj: Kam orën e babit. Ma qepi gjyshja në fustan dhe do t`ia jap nesër në kohën e takimit... E gjora vajzë... E mora në krahët e mi dhe duke e përkëdhelur me dhëmbshuri atrore e zuri gjumi. Nëna ime e ndjerë, duke fërkuar kokën me lot në sy i thosh me zë të butë: Zoti na e marrtë hakën moj bijë!...

Ndarja

Në mëngjes para se të ndaheshim, nëna e mori Dritën e vogël në krah dhe duke e mbuluar me të puthura e uroi: Diell t’u bëftë jeta moj bijë!... Arrestimja na përcolli deri jsht portës, kurse vëllai na shoqëroi deri në qëndër të qytetit. Duke pritur autobuzin urban, vëllai iu lut Dritës së vogël ti tregonte ndonjë përrallë nga ato që i kishin treguar prindërit asaj. Unë di shume iu përgjegj vajza por njera me partizanë më pëlqen shume dhe filloi të tregonte me entuziazëm fëminor: Partizanët ishin në luftë me Gjermanët. Midis tyre ndodhej një përrua i thellë.Partizanët filluan ti qëllojnë Gjermanët me gurë. Nga ana e Gjermanëve nuk kishte gurë por ishte një tokë ranishte. Ata filluan të gërmojnë në rërë me thonj, por në vënd të gurëve gjenin patate dhe filluan të qëllonin partizanët me patate. Partizanët e uritur u shqepën së ngrëni patate të pjekura, ndërsa Gjermanët vdiqën urije... Të pëlqeu? e pyeti vajza vëllanë tim. Shumë ia ktheu vëllaj im, po bëhu gati moj Dritë e vogël se kështu do na qëllojnë edhe mua edhe ty pasardhësit e partizanëve... Në fakt këto fjalë të vëllait tim Murat Gjonzeneli qëlluan profetike, pasi ai vuajti 19 vjet burg politik si “armik i popullit”!? ... Unë me Dritën hipëm në autobuzin e mbushur plot e përplotë. Një grua me të cilën njiheshim pasi e pa vogëlushen e bukur, e mori në prehërin e vet dhe duke i fërkuar kokën me dashuri e pyeti se e kujt ishte? E Maqo Çomos u përgjegj vajza pa droje. Gruaja sikur ta kish pickuar gjarpëri u hodh përpjetë e shtyti vajzën larg vetes dhe mu drejtua mua me egërsi: Merre Teki këtë “armike” se qenka e sojit tënd dhe na ktheu shpinën me urrejtje. Ja pra, u tregova një rast fare të zakonshëm për atë kohë dhe sikur të ishte vetëm një rast as që do merrja mundimin t‘ua tregoja, e gjith jeta në ferrin komunist qe e tillë çnjerzore.

Ç‘u bë Drita Çomo?

Drita e vogël u rrit në internim dhe në tortura psikologjike. Gjithsesi prej shpirtit të sajë të bukur rridhnin vargje plotë dashuri njerzore. Vajza shkruaante poezi që pas viteve 90-të tërhoqën edhe vëmendjen e Ismail Kadaresë. Ajo ishte një ëngjëll që nuk e lanë të fluturonte. Organizmin e saj të dobët e sulmoi kanceri dhe ajo vdiq pa mbushur 20 vjeçe, në mjerim të plotë,duke ju mohuar gjithçka edhe prania e nënës sajë të intërnuar në Cerrik dhe e babajt të burgosur në Burrel. Nga ajo kohë kanë kaluar dhjetra vjet aq sa mua më ka mbetur në kujtesë ai vegim i largët, jo pa kuptim për kohën e sotme. Le të jetë kjo histori njerëzore një homazh për Drita Çomon dhe për të gjithë fëmijët e brezit tim dhe të Dritës edhe për ata të gjorë që patën një jetë më të zezë se të Dritës, ata që vdiqën në kampet shfarosëse që ngritën baballarët e socialistëve të sotëm dhe që u humbi varri përgjithmonë. Le të jetë ky tregim edhe një thirrje ndërgjegjë për ambasadorin e nderuar të Shteteve të Bekuara të Amerikës në Tiranë, për të ditur se në cilën anë është ky njeri në anën e Drita Çomos dhe Teki Gjonzenelit, apo të atij oficerit te Sigurimit të Shtetit që flaku në mes të katër rrugëve nje fëmijë !?


Gazeta 55

(Vota: 1)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: