Vllaznia shpallet kampione e dimrit
| E Hene, 22.12.2008, 05:14 PM |

Tirana humbet në Vlorë, tashmë +7 nga shkodranët. Shkumbini thyen 2-1 Elbasanin

Vllaznia fiton edhe në Ballsh përballë Bylisit vendas dhe shpallet "kampione e dimrit". Me rezultatin 2-1, shkodranët e drejtuar nga Agim Canaj regjistrojnë fitoren e katërt radhazi në Kategorinë Superiore. Kuqeblutë nuk njohin humbje prej afro dy muajsh (që prej 26 tetorit, ku u mposhtën 1-0 në fushën e Besës), ndërkohë që ky është rezultati i tetë pozitiv: që prej asaj periudhe Vllaznia ka fituar 7 takime dhe barazuar vetëm një. Pas një pjesë të parë relativisht të qetë, për të "thyer akullin" në stadiumin "Adush Muça" ka menduar i përhershmi Vioresin Sinani. Në të 48-ën, goleadori shfrytëzoi gabimin e mbrojtësit të Bylisit, Johan Drizës, dhe me shumë klas e dërgon topin në rrjetë. Goli i tetë për Sinanin në këtë pjesë të parë të sezonit, që ndiqet nga Memelli dhe Plaku në klasifikimin e golashënuesve (të dy me një gol më pak). Miqtë dyfishojnë rezultatin vetëm tre minuta më vonë, edhe këtë herë duke përfituar nga gabimi i një mbrojtësi. Gjatë një kundërsulmi të shpejtë të shkodranëve, Maringlen Kapaj gabon dhe e devijon sferën në portën e tij. Miqtë shkurtojnë shifrat në të 85-ën me afrikanin Kabore Mousa, por minutat e pakta të mbetura në dispozicion e bëjnë të pamundur barazimin.

Përveç "kurorës" simbolike, tashmë Vllaznia ka filluar arratisjen nga ekipet e tjera pretendente. Të besuarit e Canajt e shohin vetën me 7 pikë më shumë nga ndjekësja më e afër, Tirana. Bardheblutë nuk arritën të mbajnë hapin e rivalëve dhe janë dorëzuar në Vlorë, përballë Flamurtarit vendas. Edhe pse regjistroi disa raste të mira përpara portës, skuadra e Agustin Kolës nuk arriti të kalonte në avantazh. Agolli e Lila tentuan në fraksionin e parë të lojës, pa mundur ta dërgojnë topin pas shpinës së portierit Moçka. Kur kronometri tregonte 61 minuta lojë, Mema kalon bregdetarët në avantazh, pas një asisti të bukur të Brajkoviç. Deri në minutat e fundit, miqtë kërkuan me ngulm avantazhin dhe mundësia më e mirë iu paraqit Muzakës, që i vetëm me portierin shpërdoron. Dëshira për të barazuar bëri që bardheblutë të linin shumë hapësira në mbrojtje dhe pikërisht këtu Flamurtari godet sërish. Në sekondat e fundit të kohës së rregullt është Rustemi ai që pasi driblon edhe portierin Nallbani shënon golin e dytë që sjell edhe "knock out"-in e Tiranës.

Një tjetër ndeshje shumë e rëndësishme e javës së 16-të ishte derbi i Prefekturës, ku Shkumbini priti në fushën e tij Elbasanin. Vendasit dominuan totalisht takimin dhe në fund triumfuan 2-1. Shenaj në të nëntën dhe Mustafa në të 50-ën, e bënë të pavlefshëm golin e mbrojtësit të kombëtares, Endri Vrapi për verdheblutë. Fiton edhe Dinamo, që ngjitet në vendin e tretë. Edhe pse në letër dukej një ndeshje e lehtë, blutë kanë vuajtur shumë përballë Lushnjës dhe vendimtar ishte goli i mbrojtësit Diop.

Superiore / Java 16


Të shtunën

Apolonia-Partizani 3-1

Bërkiç 20‘, Asllani 60‘, Dhrami 90‘+1‘/ Malota 2‘

Teuta-Besa 0-1

Haliti 82‘


Dje

Shkumbini-Elbasani 2-1

Shenaj 9‘, Mustafa 50‘ / Vrapi 62‘

Dinamo-Lushnja 1-0

Diop 89‘

Bylis-Vllaznia 1-2

Kabore 85‘ / Sinani 48‘, Kapaj (ag) 51‘

Flamurtari-Tirana 2-0

Mema 61‘, Rrustemi 90‘


KLASIFIKIMI

Skuadra N F B H gol. Pikë

1. Vllaznia 16 10 4 2 25-13 34

2. Tirana 16 7 6 3 19-12 27

3. Dinamo 16 6 8 2 19-11 26

4. Besa 16 7 4 5 17-15 25

5. Teuta 16 6 6 4 12-9 24

6. Shkumbini 16 6 5 5 18-15 23

7. Flamurtari 16 6 5 5 13-10 23

8. Elbasani 16 4 8 4 13-14 20

9. Bylis 16 4 5 7 12-19 17

10. Apolonia 16 4 3 9 16-25 15

11. Lushnja 16 3 3 10 11-22 12

12. Partizani 16 1 7 8 10-20 10


G. Shqip

(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: