Kreshnik Qato per sfiden e 20 dhjetorit: E di si ta mund amerikanin
| E Shtune, 13.12.2008, 09:31 PM |

Shkruar nga Leonard Karaj    

Promotorët e bamirësisë, “Baby Girls Production” dhe “Yldon” Sh.p.k

Ky duel për kurorën e WBF-së zhvillohet nën kujdesin dhe financimin e kompanisë amerikane “Baby-Girl-Production” dhe asaj shqiptare, “Yldon” Sh.p.k dhe ka edhe një mision humanitar. “Baby-Girl-Production” është një projekt që, nëpërmjet boksit, synon t’i tërheqë të rinjtë, sidomos ata me ngjyrë, nga rruga dhe jeta kriminale. Ndërkaq, organizatori shqiptar, kompania “Yldon” Sh.p.k, ka sqaruar se nga pala amerikane është premtuar edhe prania e presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Obama, në kampus gjatë veprimtarive në kuadër të të cilave të do të zhvillohet edhe ndeshja e Qatos. Gjatë ndeshjes së Qatos, gjithçka do të zhvillohet duke respektuar flamujt, himnet dhe aspektet e tjera të vendeve të dy boksierëve. Me pak fjalë, Qato po e çon ëndrrën shqiptare drejt tokës së premtuar.

Kreshnik Qato tregon përgatitjet për sfidën e 20 dhjetorit në Amerikë ndaj David Estradas

Qato: E di si ta mund amerikanin

“Tifozët e “Yldon” Sh.p.k., mbështetja ime kryesore”

E ka thuajse të hipotekuar fitoren e 20 dhjetorit. Kjo vërehet nga optimizmi që karakterizon boksierin shqiptar, Kreshnik Qato, para kësaj përballjeje. Dueli i 30-vjeçarit shqiptar me amerikanin e me origjinë guatemalo-meksikane, David Estrada, do të zhvillohet në kompleksin sportiv “Burr Arena” të universitetit “Howard” në Uashington DC. Dhe pikërisht në “shtëpinë” e kundërshtarit, Qato kërkon të shkruajë historinë. “Jam këtu për të fituar dhe besoj shumë se do t’ia arrij të dal fitimtar nga kjo ndeshje”, ka pohuar në linjë telefonike ekskluzivisht për gazetën “Tirana Observer” Qato. 

Si po përgatitet Kreshnik Qato për sfidën e radhës këtë herë në Amerikë?

Për momentin jam në fazën kulmore të përgatitjes sime, pasi vetëm pak ditë më ndajnë nga mbrëmja e madhe. Stërvitja është intensive dhe dy herë në ditë, me përjashtim të së dielës, ku unë bëj vrapim të gjatë në terren të vështirë dhe malor. Gjatë javës zhvilloj tri deri në katër ndeshje përgatitore.

Kundërshtari juaj nuk ka fituar shumë takime, por ka nga 12 fitore 9 i ka K.O, çfarë mendoni të bëni që të fitoni ndaj tij?

David Estrada është një boksier me përvojë në ringun amerikan dhe shumicën e fitoreve të tij i ka mbyllur me “Knock Out”. Është boksier që preferon luftimin e hapur ose në distancë, dhe me sa kemi konstatuar, ai vihet në vështirësi nëse kundërshtari kundërvihet në luftim të afërt ose të mbyllur. Këtë gjë kam ndërmend të bëj ndaj tij dhe për të fituar ndeshjen.

Duket sikur e keni tashmë të fituar këtë takim, ngase ka një optimizëm në fjalët tuaja...

Në përgjithësi jam tip që nuk trembem lehtë dhe do të ishte e padenjë, nëse, pas gjithë kësaj stërvitje intensive, besimit që kam në forcat e mia dhe përkushtimin e trajnerëve, të thosha që kjo ndeshje më tremb. Unë do të futem në ring për të fituar dhe besoj shumë në aftësitë e mia. Më datë 16 dhjetor do të nisem me stafin tim për në Uashington dhe do të jemi atje në orën 8 të mbrëmjes. Të nesërmen, stafit tim do t’i bashkohet edhe sponsori im, Ylli Ndroqi, i cili vjen nga Tirana për të më mbështetur në një eveniment kaq të rëndësishëm për karrierën time. Ai më ka ndihmuar shumë gjatë karrierës sime dhe natyrisht që nuk do të doja ta zhgënjeja kurrsesi.

Estrada do të jetë në shtëpinë e tij pasi është amerikan, a do të ndikojë kjo tek ju?

Aspak. Mesa kam dijeni edhe unë do të kem mbështetjen e shqiptarëve të Amerikës, të cilët do të jenë të shumtë në numër. Edhe kur kam boksuar në Londër, ndonëse tifozët e mi kanë qenë më të paktë, në të gjitha rastet janë ndjerë më shumë, kështu që besoj se do të jetë e njëjta gjë edhe këtu në Amerikë.

Pas tërheqjes së Luan Krasniqit nga ringu, ju mbeteni në një farë mënyre një prej shqiptarëve më të famshëm në ringun botëror...

Më vjen keq, por Krasniqi nuk ka garuar për Shqipërinë. Madje e kam dëgjuar kur ka pohuar të thoshte se ishte krenar që boksonte për flamurin gjerman. Ndërsa unë kam qenë, jam dhe do mbetem gjithmonë shqiptar.
 
Kreshnik Qato
Datëlindja: 13.08.1978; Vendlindja: Durrës, Shqipëri; Shtetësia: Shqiptare; Divisioni: Pesha të mesme; Pozicioni: 43, nga 934 boksierë; Nofka: “The Eagle”; Rezidenca: Uembli, Londër, Angli;
Karriera: 23 ndeshje; 17 fitore (2 me K.O), 0 barazime dhe 6 humbje (2 me K.O)

David Estrada
Datëlindja: 09.06.1976; Vendlindja: Ilinois, USA; Shtetësia: Amerikane; Divisioni: Pesha të mesme; Pozicioni: 74 nga 934 boksierë; Nofka: “The Weezel”; Rezidenca: Chicago, USA;
Karriera: 22 ndeshje; 12 fitore (9 me K.O), 0 barazime, 10 humbje (4 me K.O)

Tirana Observer

***

Ndeshja: Kreshnik Qato (Albania) Vs David Estrada (USA)

 

Vendi: Washington DC, Howard University, Burr Arena (SHBA)

 

Data: 20 dhjetor 2008

 

Ora lokale: 19:00

 

Biletat mund t’i blini duke telefonuar në numërin:

 

Website:  www.babiegirlproduction.net

http://www.babiegirlproduction.net/bgpupevpropg.html



(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: