C.Ronaldo "Topi i Artë 2008"
| E Merkure, 03.12.2008, 11:31 PM |

Nga Ergi Lubani

 

Mesfushori portugez i Mançesterit shpallet futbollisti më i mirë i vitit nga prestigjozja "France Football"

 

Kristiano Ronaldo ka pohuar se dita e djeshme ishte më e bukura e jetës së tij, teksa ka fituar "Topin e Artë 2008" në orët e para të së martës. Futbollisti i Mançesterit u bë pasardhësi i Kakasë në fronin e lojtarit më të mirë të plantit, duke fituar bindshëm garën me Lionel Mesin dhe Fernando Torresit.

 

Nga 96 gazetarët më të rëndësishëm të Europës, të anketuar nga "France Football", 77 votuan portugezin, si numrin 1 për vitin që po mbaron; secili prej këtyre gazetarëve e vuri atë në "Top 3", pasi shënoi 42 gola në sezonin e kaluar, ku Mançester Junajtid fitoi Championsin dhe Premier Ligën. 23-vjeçari grumbulloi 446, një rekord në historinë e këtij çmimi, duke lënë në vendin e dytë Lionel Mesin me 281 vota. Më 179 vota Fernando Torres u rendit në vendin e tretë.

 

Kristiano Ronaldo bëhet portugezi i tretë që e fiton trofeun prestigjoz, pas Euzebios dhe Luis Figos, ndërkohë që është futbollisti i katërt me këtë previlegj në historinë e Mançester Junajtid, pas Xhorxh Besit, Deni Lout dhe Bobi Çarltonit. 28 kanë qenë futbollistët e votuar dhe Premier Liga mban vendin e parë me 11 përfaqësues. Pavarësisht nga bukuria e kampionatit anglez, Ronaldo bëhet futbollisti i dytë nga Premier Liga që e fiton këtë trofe, pas triumfit të Bestit më 1968-n. Tjetri ka qenë Majkëll Ouen në vitin 2001.

 

Ronaldo shënoi 42 gola sezonin e kaluar, duke i dhënë Mançesterit dy titujt më të rëndësishëm në nivel klubesh, kampionatin dhe Ligën e Kampioneve. Portugezi kaloi një verë aspak të qetë. Kombëtarja e tij u eliminua në çerekfinalet e Euro 2008-s; Reali i Madridit ofroi 100 milionë euro për ta marrë nga Mançesteri, ndërsa në mes të korrikut iu desh të bënte një operacion që e mbajti për dy muaj larg fushave të lojës.

 

Gjithsesi, ai është rikthyer lider dhe ka shënuar nëntë gola në 14 ndeshjet e fundit që ka luajtur. Ronaldo është shpallur edhe futbollisti më i mirë i sezonit në Premier Ligë dhe ka fituar çmimin "FIFPro", që jepet nga votat e futbollistëve. Javën e ardhshme pritet të shpallet edhe "FIFA World Player", ku anketohen trajnerët e ekipeve përfaqësuese.

 

Ronaldo, për "France Football":

 

"Eshtë dita më e bukur e jetës time. Fitorja e këtij trofeu është diçka që e kam imagjinuar që kur isha fëmijë. Jam i përfshirë nga një emocion i madh, të cilin nuk mundem ta përshkruaj. Falënderoj ata që më votuan, ata që më njohin dhe ata që jetojnë me mua. Nuk isha i shqetësuar, sepse e ndjeja se, me atë që kisha bërë gjatë sezonit isha më i miri. Meritë kanë shokët e skuadrës dhe klubi i Mançesterit. Dua ta fitoj përsëri këtë trofe, sepse ndihem tepër mirë. Megjithatë, nesër në mëngjes do të zgjohem duke i thënë vetes se duhet të përmirësohem."

 

Renditja e "Topit të Artë 2008"

 

1.K.Ronaldo (Man.Utd) 446 pikë

2.L.Mesi (Barcelona) 281

3.F.Torres (Liverpul) 179

4.I.Kasiljas (Real Madrid) 133

5.Ksavi (Barcelona) 97

6.A.Arshavin (Zenit) 64

7.D.Vila (Valencia) 55

8.Kakà (Milan) 31

9.Z.Ibrahimoviç (Inter) 30

10.S.Xherrard (Liverpul) 28

11.M.Sena (Vilareal) 16

12.E.Adebajor (Arsenal) 12

13.U.Runi (Man.Utd)11

14.S.Aguero (Atletiko M) 10

15.F.Lampard (Çelsi) 8

16.F.Riberi (Bajern M) 7

17.S.Eto (Barcelona) 6

18.Xh.Bufon (Juventus) 5

19.M.Balak (Çelsi) 4

20.Ç.Fabregas (Arsenal) 4

 

Një fitore me rekord votash

 

Lajmi më i bujshëm nuk ka qenë se Kristiano Ronaldo u shpall "Topi i Artë 2008", sepse të gjithë e prisnin diçka të tillë. Lajmi ka të bëjë me faktin se portugezi ka grumbulluar më shumë vota se kushdo tjetër në historinë e trofeut prestigjoz të Francë Footballit. Ai mori 446 vota, duke thyer me dy vota rekordin e vënë nga Kakà në vitin e kaluar. Gjithsesi, Kakà fitoi me 177 vota avantazh, ndërsa Kristiano kishte 165 vota më shumë se Mesi.

 

Rasti më interesant ka ndodhur në vitin 1966, kur Bobi Çarlton fitoi me vetëm një votë më shumë se Euzebio, pavarësisht se Anglia kishte fituar botërorin. Në 30 vitet e fundit vetëm Metjus, Belanov dhe Van Basten e kanë fituar trofeun pa i arritur 100 votat. Ky çmim jepet nga vota e gazetarëve europianë. Vetëm katër futbollistë: Ronaldo, Mesi, Kaka dhe Ibrahimoviç janë sërish në "Top 10" nga ata të sezonit të kaluar.

 

Ajo që bie në sy është edhe "pushimi spanjoll". Kampionët e Europës kanë pesë futbollistë ndërmjet 11 të parëve. Del nga rendita e "France Footballit" brezi i futbollistëve 30-vjeçarë, Drogba, Van Nisltëroi, Toti dhe Pirlo. Kristiano Ronaldo bëhet futbollisti i katërt në historinë e Mançesterit, që fiton "Topin e Artë". Kjo renditje kryesohet nga Juventusi me 9 "topa të artë", i ndjekur nga Milani dhe Barcelona me nga tetë.

 

 

Kombësitë e fituesve

 

1.Gjermania 7

2.Holanda 7

3.Franca 6

 

Klubet e fituesve

 

1.Juventus 9

2.Milan 8

3.Barcelona 8

 

Kampionatet e fituesve

 

1.Italia 20

2.Spanja 13

3.Bundesliga 9

 

Mourinjo: Ronaldo nuk e meritonte!

 

Trajneri Mourinjo ka nënqeshur, kur ka dëgjuar lajmin se Ronaldo fitoi trofeun prestigjioz, madje ka thënë se njëri prej lojtarëve të tij do ta meritonte më shumë atë titull. Trajneri i Interit, Hose Mourinjo, i ka çuditur të gjithë me përgjigjen e tij, kur e kanë pyetur se ç'mendonte për fitimin e trofeut nga Krsitiano Ronaldo. Lojtari i Mançester Junajtedit e fitoi trofeun, falë arritjeve me klubin e tij, fitues i Ligës së Kampionëve dhe i Premier Ligës.

 

Ronaldo bëhet kështu portugezi i tretë që e fiton këtë titull, pas Eusebios dhe Luis Figos, por Mourinjo e përqeshi këtë zgjedhje, duke preferuar se do të donte të shihte dikë tjetër duke ngritur atë trofe. I pyetur, në lidhje me suksesin e Ronaldos dhe për ndonjë koment përgëzues për yllin portugez, Mourinjo tha: "Jo, do të preferoja që "Topin e Artë" ta kishte marrë ndonjë nga lojtarët e mi të huaj". Interi është në krye të kampionatit italian, i shkëputur me gjashtë pikë nga Juventusi i vendit të dytë. Fjalët e Mourinjos pritet të krijojnë debate anembanë botës, pasi Mourinjo nuk e përgëzoi fare Ronaldon për arritjen, edhe pse janë të dy portugezë.


Shekulli

(Vota: 1)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: