Besnik Dizdari: Në Prishtinë: një çmim në tre jubile gazetarie
| E Shtune, 08.11.2008, 12:41 PM |

Anton Mazreku (majtas) i dhuron Kupen e Shqiperise ekipit te Vllaznise (1946)
Në Prishtinë: një çmim në tre jubile gazetarie

 

Nga Besnik Dizdari

 

Një “Dossier” në 100-vjetorin e lindjes së Anton Mazrekut

 

“Takimi” i parë me Anton Mazrekun…

 

Nga afër Anton Mazrekun e kam njohur gati një gjysmë shekulli më parë. Duhet të ketë qenë pak mbas ndeshjes 17 Nëntori– Cerno More e Varnës 0-0 për Kupën Ballkanike, një fund vere 1964.

 

Ka qenë një takim disi jo i vogël, siç mund të konsiderohet për kohën, në sallën e atij që quhej Pallati i kulturës “Ali Kelmendi”, sot Universiteti “Ufo”. Një takim i Anton Mazrekut me sportdashës, lexues të “Sportit popullor” e dëgjues të transmetimeve të tij radiofonike. Mbaj mend se iu bë pyetja befasuese se cili kishte qenë simbas tij, futbollist më i madh, Riza Lushta apo Loro Boriçi. Pyetja ishte disi edhe naive natyrisht, në atë sallë të mbushur plot, kur mendoje se Lushtës së Barit, Juventusit e Napolit nuk mund t'i përmendej asesi emri! Po Mazreku, pas një pauze qetësije, u përgjigj me diplomaci, pa e ngritur njerin më fort se tjetrin, por duke i pëcaktuar të dy si të barabartë e si futbollistë të përmasave evropiane…

 

Katër-pesë vjet më vonë, andej nga viti 1968 apo 1969, jam gjetë pranë tij krejt rastësisht në zyrat e redaksisë së “Sportit popullor”. As Anton Mazreku dhe as unë kurrsesi nuk mund të shkonim ndërmënd atë shtator të dyzet vjetëve më parë se do të vinte një kohë që të kishte një çmim gazetarije me emrin e tij të krijuar prej këtij djali të ri, krejt të panjohur që po hynte i ndrojtur në zyrat e “Sportit”. Atë ditë të vitit ’68 apo ‘69 kur u pamë kështu krejt rastësisht në redaksinë e gazetës, ai tashmâ ishte deri diku në fund të rolit të tij të madh, ndërsa unë thjesht një i ri si gjithë të tjerët, ndonëse i dhënë mbas gazetarisë, teksa po rropatesha në hapat e mia të para. Episodi i rrallë për mua qe i vetëm pak çasteve, ashtu siç t'i krijon rastësia takimet e këtilla spontane. Ai me mirësjelljen e tij të rrallë, unë me ndrojtjen e të riut përballë një kollosi. Për një çast më mori për futbollist, ndoshta prej shtatgjatësisë sime, se nuk besoj se të krijoja përshtypjen e një futbollisti. Ai ishte i ulur diku në një karrige pranë një tryeze të zyrës së vetme të atyre 3-4 gazetarëve që kishte “Sporti popullor”, mu ajo gazetë që nja pesëmbëdhjetë më vonë fati do të ma barte mua mbi tryezën e drejtimit si kryeredaktor për bukur nja 17 vjet të mira. Ai ngriti sytë dhe me një mirësjellje çarmatosëse më vështroi duke më pyetur: “qendërmbrojtës apo qendërsulmues?” Unë mbeta disi keq, ndoshta paksa dhe i turpëruar dhe u përgjigja me gjysëm zëri: “as njeri as tjetri, por kam qejf me shkrue”. “Shumë bukur”, tha. Unë dola menjëherë. Ai ishte Mazreku i madh, siç e cilësonim ne të rinjtë dhe gjithë futbolldashësit. Unë isha ai që për fatthënie 28 vjet më vonë do të themeloja me mikun tim Tonin Paloka, falë nobilitetit të Ambasador Silvano Pedrollo, Çmimin “Anton Mazreku” në gazetari, pa e marrë vesht kurrnjiherë Anton Mazreku! Këto janë çuditë dhe përkimet e paspjegueshme të jetës…

 

Qysh atë ditë nuk kam mundur të kem kontakt me gazetarin e madh themelues. Ai vdiq parakohe, vetëm 61 vjeç, më 1969, i përcjellë me një nekrologji prej dhjetë rrjeshtash në gazetën që e kishte krijuar vetë dhe duke mbetur për vite të tana pa ndonjë nderim më të veçantë, përveçse të kujtimit popullor do të thosha, në biseda prej atij brezi të cilin ai e kishte emocionuar për vite me shkrimet, zërin dhe elokuencën e tij.

 

Cili ishte Anton Mazreku…

 

Kishte lindur në Shkodër më 1908. Futbollist me shoqëritë e para sportive të këtij qyteti. Futbollist i Skenderbeut të Korçës - kampione e Shqipërisë më 1933, kur ai studjonte në Liceun e Korçës. Qysh 17 vjeç (1925) kishte botuar shkrimet e para në “Gazetën e Sportit” të Palok Nikës e Musa Koplikut në Shkodër. Më 1935 Mbretëria e kishte caktuar të themelonte gazetën "Sporti Shqiptar" drejtor i së cilës do të jetë dhe të cilën e boton rradhazi deri më 1939. E riorganizon dhe e rifillon më 1945 botimin e gazetës sportive tashmâ me emrin "Sporti", ndërkohë që zgjidhet dhe kryetar i Federatës Sportive Shqiptare. Më vonë do të jetë nënkryetar Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, nënkryetar i Federatës Shqiptare të Futbollit, inspektor i saj deri në pension. Kishte qenë për pak kohë edhe mësues, një mësues të cilin kush e pati nuk e harroi kurr.

 

Organizator i madh i sporteve, përfaqësues i delegacioneve shqiptare deri në Olimpiadën e Berlinit më 1936, një nga drejtuesit kryesorë të Lojërave Ballkanike në Tiranë më 1946, poliedriku Anton Mazreku mund të konsiderohet pa mëdyshje një nga themeluesit e gazetarisë sportive të shkruar, dhe absolutisht themeluesi i vetëm i gazetarisë së folur në Shqipëri. Ai është autori i radiokronikës së parë më 1 shtator 1938 (SK Tirana - Iraklis Kavalla (Greqi) 7-0) në Radio Tirana; që do të thotë radiokronisti i parë dhe më i madh shqiptar, për shumë vite i vetmi në Shqipëri. Gazetar universal, njeri i spikatur i kulturës kombëtare, organizator i rrallë, madje një personazh historik, nga më popullorët në jetën shqiptare, letrar i mirfilltë, siç u pa në esenë studjuese kritike të Prof. Dr. Jup Kastratit në “TemA” të së martës së shkuar, Mazrekut për çudi, të gjitha këto nuk i ishin thënë askund as për së gjalli dhe për dekada as mbas vdekjes.

 

Ky themelues, i cili në vitet e fundit të jetës nuk ishte asgjë tjetër përveçse një pensionist ndër më pak të shpërblyerit, vinte si askushi në redaksinë e "Sportit popullor" që e kishte themeluar, për të sjellë komentin e kampionatit shqiptar të kategorisë së dytë!? Kaq i kishin caktuar "kolegët" e tij, të cilëve ai iu kishte mësuar profesionin. Kështu ngjet gjithmonë në këte “vendin tonë të vogël ballkanik”, në luftën midis të aftësisë dhe paaftësisë, luftë që rëndom dhe çuditërisht deri në ditët e sotme e fitojnë të paaftët, arrivistët, të përshtatunit e përulur, egoistët e një etje përfitimi të paskrupull.

 

Ai nuk jipej, ndonëse ishte historia e gjallë e sportit shqiptar dhe e gazetarisë sportive shqiptare. Anton Mazreku ishte gazetari te i cili përveçse mëndjen edhe blloqet i kishte të mbushura plot. Ishte nga ata të cilët e ndjenin mbi kurriz anën masakruese të këtij profesioni të mundishëm, po aq të bukur e fisnik. Dhe e përballonte vetë, jo me shërbëtorë. Ka qenë nga ajo racë gazetarësh, i cili i vetëm shkruante një gazetë të tanë dhe shpesh harronte me qëllim të vinte emrin e tij poshtë. Mendoni për një çast: shkrimi i tij i fundit ishte ai që i përket 15 korrikut të vitit 1969 me titull “Dinamo dhe Naftëtari fituan kupat e pionierëve”! Eshtë botuar në fund të faqes së tretë si të ishte një kronikë e rëndomtë e një korrespondenti vullnetar të ndonjë kooperative bujqësore të asokohe. Pak ditë më vonë, në gusht papritmas ai ndahet nga jeta dhe sidoqoftë, një nekrologji prej nja tridhjetë rreshtash u shfaq në faqen e katërt të “Sportit popullor”. Kurr në të parën!

 

Zbulimi i shkrimit të Dr. Samimit për Mazrekun…

 

Befasisht, duke hulumtuar në Arkivin e një organizatori më të parë të sportit shqiptar dhe madje të gazetarisë sportive shqiptare, Dr. Vasfi Samimit, për shkak të botmit të librit të ardhshëm për te, zbuluam një shkrim të shkurtër që Dr. Samimi kishte bërë me rastin e vdekjes së Mazrekut, më 1969. Nuk e di fatin “misterioz” të këtij shkrimi, ndonëse besoj se e di shumë mirë se ai nuk është botuar. Me siguri Dr. Samimit nuk ia kanë pranuar këte shkrim, sepse Doktori ynë si një tjetër themelues i madh i sportit shqiptar dhe i gazetarisë sportive shqiptare, nuk ishte fort i dashtun për Regjimin. Dhe fati e do që ky shkrim i Dr. Samimit të botohet për herë të parë, sot, 39 vjet mbas ndarjes nga jeta së Mazrekut. Tek është fjalë për fjalë:

 

“FUTBOLLISTI LETRAR!”

 

(Me rastin e vdekjes së Anton Mazrekut)

 

Dyzet vjet rresht (1929 1969) kisha njohur futbollistin letrar, shokun e dashur prof. Anton Mazrekun. Tani më kujtohet me pikëllim ndeshja e parë në Vlorë, që ishte njëkohësisht edhe kampionati i parë. Ai ishte përballë nesh, sulmonte, donte të bënte gol, por ndeshja nuk përfundoi në favor të Korçës. Erdhi dita e revanshit, një entuziazëm edhe nervozitet në Korçë. Edhe ndeshja e dytë përfundoi në barazim, kjo çështje i kushtoi shumë klasifikimit të skuadrës së Korçës, e cila ishte konkurrenti më i sigurt për titullin kampion. Dhe këtu u dallua një lojtar fin me një teknikë e stil të hollë. Më thanë se ishte një gazetar! Një gazetar, një student!

 

Atë më vonë e njohim vazhdimisht në shtypin kombëtar, në fushat edhe në stadiumet tona. Disa herë udhëton edhe jashtë atdheut dhe vazhdimisht kontribuonte për një kulturë të vërtetë futbolliste. Fitimet dhe humbjet për atë kanë qenë gjithmonë një ndeshje sportive dhe diçka e natyrshme. Dhe në çastet më të hidhura ai kishte një buzëqeshje tipike që karakterizonte besimin, gëzimin e veçanërisht dashurinë e madhe për futbollin, që tani mori një masivitet të madh, u bë një manifestim popullor fizik, jo vetëm ndër ne por edhe në të gjithë botën. Anton Mazreku 40 vjet rresht e ruajti këtë tiparin e tij karakteristik me të cilin fitoi jo vetëm admirimin e futbollistëve por edhe maratonin konsekuent të një publicistit futbollist në shtyp e në radio.

 

Ai luajti futboll në Shkodër e në Korçë me simpati e gëzim, me korrektesë e xhentilesë. Provoi zjarrin e luftës sportive, herën e fitoreve edhe së bashku dhimbjen e humbjeve. Rendi dhe djersoi me vite pas topit, por fiziku i tij nuk e lejoi të veshi kostumin e skuadrës kombëtare për të mbrojtur me dinjitet forcën rinore të bijve të shqiponjës. Talenti i tij kryesor, aftësia e tij e pashterur ishte destinuar e përqendruar në një fushë tjetër si publicist, ku do të kontribuonte gati gjysëm shekulli rresht për përhapjen e futbollit modern në vendin tonë. Punoi vazhdimisht në shtyp, në federatë, në përkthimet edhe pas çlirimit e gjeti një fushë të gjerë për një veprimtari më të gjerë në lëmin e futbollit. Ai ishte sinkronizuar me përparimet e situatës ndërkombëtare të futbollit. Po megjithkëtë nuk e përbuzi kurrë futbollin e vendit. Si një arsimtar i vyer e kishte njohur mirë ligjin bazë pedagogjik: "Se një fidan nuk ndreqet me shtrembërim e thyerje por me drejtim e shërbim".

 

Zotëronte tri gjuhë: italisht, frengjisht, gjermanisht, me të cilën formoi dhe zgjeroi kulturën e tij të shëndoshë. Me gëzim i kishte vënë si detyrë vetes që të bëhej një urë e dobishme në transmetimin e kulturës moderne të futbollit botëror në vendin tonë. Disa herë e përkthente terminologjinë dhe e pasuronte si në shtyp, ashtu edhe në transmetimin e letërsinë tonë futbollistike. Çdo studioz që e shfleton shtypin e vjetër edhe atë të pasçlirimit është në gjendje të konstatojë një ndryshim të madh pozitiv me të cilin ne sot jemi në gjendje të përshkruajmë, të analizojmë e të kritikojmë një ndeshje serioze. Në këtë lëmë kontributi i tij ka qenë i madh. Pastaj djersën e tij e shohim në shumë përkthime, rregullore, instruksione teknike dhe artikuj të studjuar. Kështu punoi me vite rresht pa u lodhur dhe pa u ndalur. Pas lufës zhvilloi dhe shpërtheu krejtësisht talentin e tij sa që gjatë 25 vjetëve nga një arsimtar i thjeshtë u bë një nga figurat kryesore në botën tonë të futbollit. Interesimi, gëzimi i tij nuk përqendroi vetëm rreth ndeshjeve të kategorive të para, por u zgjerua deri në kategorinë e dytë, e tretë dhe gjer në Kupën e Pionierëve. Ai fliste edhe shkruante me një pasion e pathos edhe për ndeshjet e vogla. Kështu fliste ai për futbollistët: e Korabit Kastriotit Sopotit Valbonës Tërbunit- Patosit Erzenit Naftëtarit dhe për skuadrën kooperativiste bujqësore të Krutjes në Lushnjë. Ai ishte për masivitetin e futbollit. E dinte se talentët e rinj, filizat e njoma e të panjohura fshiheshin në masë edhe këtu qëndronte e ardhmja e futbollit kombëtar. Eshtë interesant fakti se ai njëkohësisht edhe i shijonte këto ndeshje, kërkonte me insistim dhe gëzim të zbulonte talentet, që në të ardhmen të bëheshin yjet e skuadrës kombëtare, që edhe në stadiumin "Qemal Stafa" të tronditnin boshtin kurrizor të disa skuadrave të forta, të njohura edhe në kampionatin botëror. Ja p.sh. dy rrjeshta nga shkrimet e tij më të afërta e dedikuar në zhvillimin e Kupës së Republikës:

 

"Loja në Peshkopi ishte mjaft tërheqëse edhe u karakterizua nga sulme e kundërsulme të dëndura. Shnajpër më të mirë u treguan këtë radhë futbollistët e Korabit..."

 

Rreshta të këtillë nxitës i gjejmë me qindra e me mijra në publicitetin e tij, sepse ai e ndjente, dëshironte edhe ëndërronte që mundësisht gjithë Shqipëria të luajë futboll, në çdo fshat, në çdo kooperativë, në çdo fabrikë e uzinë të ngrihej një fushë e skuadër, të gjallërohej një kalendar edhe të radhoheshin ndeshjet edhe fitimet. Çdo kënd i Shqipërisë sonë mundësisht të bëhej një kopësht prej lule futbolli. Një futboll të vërtetë, modern e dinamik, në stilin e standartin botëror, pastaj mbi të gjithë këto një ëndërr e bukur e një dëshirë legjitime:

 

"Një skuadër kombëtare. Nivel i lartë tekniko taktik e morale. Valëvitje e flamurëve me në krye atë kuq e zi. Një atmosferë mbushur me hymin kombëtar, pastaj një marshim ngadhnjimtar. Një publik krejtësisht të mëkëmbur, brohoritje e hare për sportin tonë".

 

Ja ëndrra, dëshira e bukur edhe legjitime që ka ushqyer gjatë jetës së tij shoku ynë i dashur, i ndjeri prof. Anton Mazreku.

 

Kështu shkëlqeu qysh në moshën fëminore deri në 60 vjetët e tij. Kështu me shpirt e me zemër pa asnjë ndalesë punoi edhe shkriu jetën e tij në stadiumet e në shtypin si një meteor, duke ndriçuar vazhdimisht botën tonë sportive e futbollistike. Ne me respekt dhe me veneracion do të ruajmë kujtimin e tij. Do të ndjekim rrugën e tij të pastër që ndriçonte në buzëqeshjen e tij karakteristike plot me besim e dashuri për futbollin e vendit. Një lëndinë e gjelbër që mbulon varrin e tij, s'ka dyshim se është një copë nga stadiumi, nga tapeti i gjelbërt i stadiumit tonë kombëtar dhe besojmë se kjo është dhurata më e mirë për të ndjerin prof. Anton Mazrekun.

 

Ish portjeri i Vlorës dhe skuadrës përfaqësues

 

Dr. VASFI SAMIMI”

 

Themelimi dhe vazhdimësia e Çmimit “Anton Mazreku”…

 

Nga dita e ndarjes së tij nga jeta, Anton Mazreku duhej të priste plot 26 vjet për t’u nderuar. 17 maj 1995. Salla “Hollyvood” e Tiranës. Edicioni i parë i Çmimit “Anton Mazreku”…

 

Ideja për ta nderuar me një çmim gazetarije me emrin e tij, këte bir të Shkodrës, po dhe të Tiranës, të Korçës e të gjithë Shqipërisë, mbasi më kishte ngacmuar prej kohësh, do të gjente shprehjen e parë më 21 shkurt 1992 në gazetën “Sporti” që drejtoja ku shkruaja:

 

“… Propozoj të vendosim Çmimin “Anton Mazreku” për gazetarët sportivë më të mirë të vitit. Përveç të tjerave për të vënë në vend edhe personalitetin e tij, le ta themi, të lënë gati në heshtje në vitet e fundit të jetës së tij…”.

 

Do të duhej të kalonin edhe dy vjet për ta konkretizuar: 27 shtator 1994 kur e publikoj këte Çmim pa biseduar me askënd, në gazetën "Sporti Shqiptar", kryeredaktor i së cilës isha. Dhe shkrova duke parashikuar:

 

"Do të shpresojmë se shumë shpejt Çmimi "Anton Mazreku" do të shoqërohet edhe me një vlerësim material, sepse sponsorët do ta kenë për nder".

 

Drejt me e thënë, e mendoja fisnikun Silvano Pedrollo, i cili sapo kishte mbështetur shtypin shqiptar për të kaluar krizën e letrës, ndonëse prap nuk mund të parashikoja se përveç të tjerave, mbrenda pesë vjetëve Çmimi edhe do të ndërkombëtarizohej përmes një bashkëpunimi shqiptaro-italian tejet të frytëshëm. Ka një meritë të madhe Ing. Tonin Paloka, i cili kupton idenë time, të cilën arrin t'ia përçojë industralistit të madh veronez. Dhe mandej merita që kalon përtej kufirit. Zotni Silvano Pedrollo kupton idenë tonë dhe pranon me një gatishmëri të menjëherëshme, të jashtëzakonshme.

 

Çmimi "Anton Mazreku" është përuruar më 1995 falë mbështetjes bujare të Grupit Industrial "Pedrollo" të prodhimit të Elektropompave të San Bonifacios së Veronës së Italisë, personalisht të presidentit të tij, Ambasador Silvano Pedrollo. Ai është president i Grupit Industrial "Pedrollo" veprimtaria e të cilit është prodhimi i elektropompave, lider botëror në këte fushë. Z. Silvano Pedrollo i janë akorduar prej shtetit italian titujt e lartë "Cavaliere" dhe "Commendatore", përveçse është Ambasador i Urdhërit Maltez. Në këte vit 2008, ai është nderuar nga Shéjtnia e tij Papa Benedikti XVI, si “Cavaliere di Gran Croce dell’Ordine Equestre di San Gregorio Magno Papa”. Më 2006 Ambasador Pedrollo është dekoruar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu me Medaljen e Mirënjohjes “Për kontributin e tij të madh e të vazhdueshëm për rindërtimin fizik dhe konceptual të Universitetit Bujqësor të Tiranës mbas ngjarjeve të vitit 1997 si dhe për ndihmën në Universitetin Politeknik të Tiranës e në shumë njësi administrative të Shqipërisë“. Në Chitta Gong, kryeqytet ekonomik i Bangladeshit, një nga sheshet mban emrin e tij ("Pedrollo Plaza"). Në Ukrainë, i është akorduar diploma e pedagogut dhe i është dhënë titulli Profesor i Merituar, i zgjedhur anëtar ekzekutiv i "Akademisë Ukrainase të Shkencave dhe Progresit Kombëtar". Eshtë anëtar nderi i Senatit të Universitetit Bujqësor të Tiranës dhe Doctor H.C. i tij. Eshtë mbajtës i 4 titujve "Paul Harris Fellows" nga Rotary, dhe i shpallur "Industrialisti i Vitit” në Itali. Dhe përveç Çmimit “Anton Mazreku” ai është sponsorizues i Çmimit Letrar “Serembe” në poezi e prozë, Edicioni i 5-të i të cilit u mbajt javën që shkoi në Tetovë të Maqedonisë. Krejt i rrallë në gamën e veprimtarisë së tij filantropie, nuk mund të harrohet ndërtimi i plotë mirëfilli i Qendrës së Kulturës në Porto Romano në Durrës, apo ndërtimi befasues i shkollës së mesme në Cermjan të Gjakovës.

 

Dhe mandej ne, gazetarët sportivë të Shqipërisë dhe të Kosovës, të cilët ruajmë si një nder të pashlyeshëm diplomat e firmosura prej tij si dhe medaljet e fituesve të Çmimit me emrin e themeluesit tonë Anton Mazreku.

 

Duke vazhduar në argumentin e këtij Dossier-i tonin, shënoj ndërkaq se peripecitë me gazetën "Sporti Shqiptar", të cilit i riktheva titullin e gazetës së Anton Mazrekut të viteve ’30, bënë që me shumë kuptim ta sjellin Çmimin "Anton Mazreku" edhe në Shkodër edhe përmes Shoqatës Publicistike "Anton Mazreku" të krijuar nga Rifat Uruçi e shokët e tij. Kështu, më 1999, në Edicionin e 4-t, Çmimi mbrriti, si të thuash edhe fizikisht në Shkodër me ceremoninë unikale të Kalasë Rozafat, që mahniti miqtë e shumtë të ardhur posaçërisht nga Italia fqinje

 

60 gazetarë kanë fituar deri tani Çmimin "Anton Mazreku", duke u bërë ai një shtytje e madhe për vetë zhvillimin e gazetarisë sportive në Shqipëri. Mjafton të kujtosh për këte motivacionet e larmishme të dhënies së Çmimit për të kuptuar këte shtytje: zhanret informative, tematika historike dhe problematika e sporteve, radiokronika, telekronika, marrëdhëniet kombëtare dhe ndërkombëtare të sportit në Shqipëri, tradita, figurat e shquara, historia, evenimentet, përvoja, karriera, stili, cilësia, ngjarjet e vitit, e kaluara, e tashmja. Të gjitha këto përmbledhin asisoj, gjithë përmbajtjen e këtij Çmimi të vyer tashmâ, i cili shpejt u bë pikë referimi për ecurinë e gazetarisë sportive.

 

Me “Anton Mazrekun” në Kosovë…

 

Çmimi “Anton Mazreku” është Çmimi i parë kulture që ka mbërritur nga Shqipëria në Kosovë. Kjo është historike në vetë marrëdhëniet Shqipëri – Kosovë. Ka qenë korrik 1999. Vetëm 30 ditë mbas Luftës së Kosovës, mbas çlirimit të Kosovës. Pata titulluar “Kam qenë te Nana Kosovë!” i ndikuar prej librit të famshëm të Dr. Samimit “Shqipëria e vërtetë./Nëna Kosovë”.

 

Vërtet, kisha qenë te Nana Kosovë, siç e ka quajtur Dr. Samimi në librin e tij të famshëm për botimin e të cilit qe shpërblyer prej Regjimit me burgim politik. Dhe kisha hyrë disi me ndrojtje në gjirin e saj, ndonëse e dija se është e lirë. Sepse ishte një liri që vinte mbas një përgjakje. E kushedisata përgjakje. E megjithate Kosovën e pata gjeta ashtu siç e përshkruante Dr. Samimi 55 vjet më parë:

 

"Qielli i Kosovës ndriçon me rrezet e diellit që i veshin syrin njeriut, atmosfera e saj është e mbushur me një fuqi tërheqëse dhe në tokat e saja të shenjta valon një fuqi magjiplote. Në Kosovë, për të parën herë njeriu, e ndjen veten të hyjë në tempullin kombëtar."

 

Kjo është vendosmëria e burrit kosovar për të cilin Dr. Samimi thotë: "Eshtë i fortë, i pastër, fisnik, impozant, simboli më fisnik i shëndetit, fuqija jetike, sigurimi i racës dhe dinamoja biologjike e kombit."

 

Çuditërisht pata gjetë edhe një Kosovë të mendimit sportiv. Ata mendonin edhe për skuadrat e tyre, përshembull, për skuadrën e tyre të futbollit që quhet "Vllaznimi" i Gjakovës e që kishte 8 vjet pa e shkelur stadiumin e vet. As Gjermania naziste nuk i ka pasë ndalë futbollistët të luanin në stadiumet e tyre, madje i nxiste të luanin. Këto nuk ishin paradokset e Kosovës. Ishte burrëria kosovare përballë krimit serb. Burrëria e vetë Gjakovës me rrokjen e parë të saj rrënqethëse. Gjakova e cila rimkambjen çuditërisht e niste nga stadiumi i saj të cilin nuk e kishte shkelë prej 8 vjetëve dhe të cilin Serbia ia kishte shkatërruar si çdo tjetër.

 

Ne shkuam me “Anton Mazrekun” atë korrik 1999, vetëm 30 ditë mbas Luftës. Ishim të parët. Dhe shkuam përmes kulturës, kulturës së gazetarisë. Dhe nderuam dy kolegë: Agim Binakun dhe Hivzi Krasniqin të cilët ishin munduar të bënin gazetari sportive edhe nën krismat e armëve të pushtuesit serb. Kaq.

 

Pesë vjet më vonë, më 2004, ne erdhëm përsëri në Kosovë, po tashmâ pa asnjë ndrojtje. Erdhëm në një Kosovë tjetër, e cila në pesë vjet kishte zhdukur shkatërrimet. Ne shkuam për herë të parë në historinë e saj, duke sjellë me vete së bashku me kolegë kosovarë organizimin solemn të një Çmimi gazetarie mbarëkombëtar që shpalosej i gjithi në Kosovë. Kështu, kemi kaluar dy ditë të paharrueshme në Prishtinë mes kolegëve tanë shqiptarë të Kosovës, kemi organizuar ceremoninë e Çmimit “Anton Mazreku”, kemi biseduar, jemi takuar, kemi bashkëpunuar, jemi afruar edhe më, kemi ëndërruar…

 

Një histori që vazhdon: Prishtinë, tetor 2008. Katër vjet mbas. Kjo është diçka tjetër. Kjo ishte diçka tjetër. Sepse ne erdhëm në Kosovë për herë të tretë me “Anton Mazrekun”. Çuditërisht tash na u duk një ardhje krejt e zakonshme. Ngaqë zhvillonim një ceremoni për herë të tretë. E, për një çast, gjithnjë për çudi, edhe kjo herë e tretë na u duk disi si e herës së parë.

 

Gazeta “Lajmi”e Prishtinës” titullonte me shumë kuptim “Tre jubile në një ngjarje”.

 

Mu kjo ishte risia e organizimit të “Anton Mazrekut” në Prishtinë më 26 tetor 2008, çka përsëri njëkohësisht na e bënte jo dhe aq të zakonshme ardhjen tonë të tretë këtu. Ishte ashtu siç shkroi “Lajm” e Prishtinës përmes gazetarit të saj të pasionuar Driton Latifi: “Tre jubile në një ngjarje”: 100-vjetori i lindjes së Anton Mazrekut, Edicioni i 10-të i Çmimit “Anton Mazreku. 70-vjetori i radiokronikës së parë shqiptare. Përkime të rralla të një vitit të vetëm.

 

Tash nuk ishte viti 1999, ku Kosova ende nuk kishte asnjë gazetë sportive, asnjë kronikë sportive mirëfilli. As edhe një transmetim radiofonik sportiv. Doemos as edhe një transmetim televiziv sportiv e as edhe një rubrikë sportive televizive. Ndërsa tash ajo i kishte të gjitha. Madje më mirë e bukur. Kosova sportive është kthyer te tradita e gazetarisë së saj të dikurshme me një ndryshim të madh: me sundim të plotë të kombëtares në gazetari deri në pamatësi. Nuk e ka patur vështirë, sepse Kosova e ka shkollën e saj të gazetarisë, të përforcuar tejet Mbasluftës së dytë botërore, kur pendat kosovare u shquan tejet në këte lëmë dhe vunë themele: në shtypin e shkruar sportiv, në atë radiofonik dhe televiziv. Madje kur njihet mirë gjeopolitika e asokohe e shtetit jugosllav, me një shtrirje ndërkombëtare tejet më të gjërë se Shqipëria. Historia na thotë se gazetarët e Kosovës janë gazetarët e parë shqiptarë të cilët kanë ndjekur Kampionatet Botërore dhe Evropiane, si dhe Lojërat Olimpike. Para Shqipërisë. Mu për të gjitha këto është aq e natyrshme që Çmimi “Anton Mazreku” shkon edhe në Kosovë. Mu për këte ai nderon pendat e shquara themeluese të gazetarisë sportive kosovare deri te shembulli kuptimplotë i këtij tetori 2008 me Fehmi Sejdiun, Besim Dobroshin e Burim Hatibin të cilët shkrinë vitet më të shtrenjta të jetës së tyre për të nxitur sportin kosovar.

 

Nuk është temë e këtij shkrimi cilësia dhe gjëndja e gazetarisë sportive shqiptare, ndonëse është një temë mjaft interesante për t’u trajtuar sidomos sot. Veçse nuk po rri pa e thënë se në Kosovë ka përparësi të padiskutueshme informacioni sportiv, përkundër Shqipërisë për dëshirën e madhe të saj për koment e kundërkoment, për “analizë” televizive sidomos, e kundrëanalizë, çka për mendimin tonë ka çuar te një çbaraspeshë të vetë mendimit sportiv. Pa harruar ndërkaq transmetimet radiofonike sportive, ku radiokronika e e goditur keqas në Shqipëri, në Kosovë mbijeton mirë. Ndonëse Shqipëria me Mazrekun është themeluesja!

 

Gjashtëdhjetëegjashtë vjet më parë, Anton Mazreku, përveç të tjerave, miku i madh i Riza Lushtës dhe Naim Kryeziut, ka qenë në Kosovë, për të organizuar, drejtuar, gjykuar, shkruar ndeshjet e të vetmit Kampionat Mbarëkombëtar të Futbollit, me Prishtinë, Prizren e Pejë. Edhe në kujtim të asaj ngjarjeje, ne i blatuam ditës së sonë të Prishtinës të 26 tetorit 2008 në RTV 21, atë që nuk e kishim bërë ndonjëherë: ekspozenë historiko-publicistike të Anton Mazrekut përmes një kronologjie të 45 vjetëve veprimtari të profesionit prej tij. Spikasnin shkrimet e çmueshme të Mazrekut për Kosovën 1942. Për historianin ata janë shkrimet e para sportive “kosovare”. Kësisoji, në mëyrën e vet, Mazreku është po aq një pionier i gazetarisë sportive të Kosovës. Kështu u rikthye ai në Prishtinë më 2008. Eshtë rikthyer me autoritetin e emrit të Çmimit tonë fisnik, “Anton Mazreku”. Dhe gjeti përsëri një mikpritje të rrallë. Për dy ditë, selinë, studiot, mjedisin e Radiotelevizionit 21, falë drejtuesve të tij të talentuar e të palodhshëm, e të një shije të vërtetë gazetarije kontemporane, Afërdita Saraçini Këlmendi, Florin Këlmendi dhe të kolegut të zhanrit tonë Agim Binaku, i cili hap mbas hapi ndoqi gjithë organizimin, çka kulmoi me ditën e Çmimit, më 26 tetor, atë të “Sheshit 21” – një sallë sa funksionale aq dhe origjinale dhe elegante - ne i ndjemë si të ishin tonat.

 

Ndonëse, siç e kam thënë edhe një herë tjetër, nuk ka vend për epërsi të asnjerës palë. Më mirë është të thuash se jemi një palë: gazetarë sportivë “të gjuhës së bukur të shkruar e të folur shqipe”, siç thoshte Ambasador Silvano Pedrollo. Ky është bashkimi dhe barazia jonë, barazia e një kombi, ashtu siç jemi. Në të vërtetë kjo është kujtesa jonë. Siç thotë një gazetar i shquar, Enzo Biagi: "Kush nuk ka memorie nuk ka ndjenjën e e ekzistencës së tij". Kësisoji është dhe memorja (kujtesa) jonë e cila në të vërtetë është vetë ekzistenca e saj dalluese çka në fushën tonë ia blaton edhe Çmimi "Anton Mazreku" - mirënjohja më e re, e tash edhe “më e vjetër”, në historinë e pashterëshme të asj pjese të kulturës sonë kombëtare, që është edhe gazetaria

 

Prishtinë, tetor 2008

 

Fituesit e Edicionit të 10-të të Çmimit “Anton Mazreku” * Prishtinë (Kosovë), 26 tetor 2008

 

Burim Hatibi

 

Çmimi kombëtar i karrierës (mbas vdekjes) “Anton Mazreku” në gazetarinë sportive: duke ardhur nga futbollist i shquar i Prishtinës, kalon në gazetari me një kontribut të madh dhe risi në stil dhe kompetencë, duke u bërë një nga figurat më të shquara të gazetarisë sportive të Kosovës.

 

Fehmi Sejdiu

 

Çmimi kombëtar i karrierës “Anton Mazreku” në gazetarinë sportive: për kontributin e madh dhe të gjithanshëm prej një gjysëm shekulli në shtypin e Kosovës, duke qenë një nga themeluesit e zhanrit.

 

Besim Dobroshi

 

Çmimi kombëtar i karrierës “Anton Mazreku” në gazetarinë sportive: për kontributin e madh dhe të gjithanshëm prej një gjysëm shekulli në shtypin e Kosovës, duke qenë një nga themeluesit e zhanrit.

 

Ismet Bellova

 

Çmimi kombëtar “Anton Mazreku” si trashigues dhe vazhdues i radiokronikës mazrekiane, me një kontribut të spikatun në pesëdhjetë vjet në mikrofon, ende në vazhdim – rast unik në Evropë për brezin e tij.

 

Matish Gjeluci

 

Çmimi kombëtar “Anton Mazreku” në gazetarinë sportive për kontributin e shquar në vitet ’60-’70 në dobi të nxitjes së zhvillimit të futbollit në qytetin e Durrësit, përmes një stili origjinal, që kulmojnë në krijimtarinë e tij si shkrimtar, deri në romanin e e tij më të fundit “Rrjedhë” (2008).

 

Lekë Hoti

 

Çmimi kombëtar i karrierës “Anton Mazreku” në gazetarinë sportive: fotoreporter i shquar, për shumë vite firmë e mirënjohur e fotografisë sportive në Agjensinë Telegrafike Shqiptare (ATSH), me kontribut plot pasion e mjeshtri deri në ditët e sotme.


Tema

(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: