Albert Karriqi: Infrastruktura sportive shqiptare është në pikë të hallit
| E Shtune, 08.11.2008, 10:21 AM |

Infrastruktura sportive shqiptare është në pikë të hallit

Nga prof.dr. Albert Karriqi - Sporti Shqiptar

Situata e sportit në vendin tonë është e tillë, që po ndryshon me ritme shumë të ngadalta. Kjo do të thotë se në shumë raste po punohet pak për përmirësimin e stilit të jetës. Dukuritë negative, sidomos droga, alkoli dhe tymosja, janë prezente edhe në mjediset e shkollave 9-vjeçare. Ritmet e zhvillimit të dukurive negative janë të tilla që shumë shpejt do të bëhen të frikshme. Kjo gjendje kërkon gjithpërfshirjen e rinisë në shoqëri sportive, e cila do të ishte pikënisja e një mënyre të jetuari plot gjallëri e me sens pozitiv për jetën. Ky përfundim bëhet më i domosdoshëm edhe për vetë faktin se populli ynë është me moshë shumë të re, më të renë në Europë. Sipas studimeve të INSTAD (2003) popullsia e vendit tonë ishte 3.126.153 banorë (1.570.227 femra dhe 1.555.926 meshkuj). Nga këto, mosha shkollore zë 30% të popullsisë, ndërsa mosha 0-49 vjeç kap shifrën e 79% të popullsisë. Pra, mosha mesatare e popullsisë në vendin tonë është 27.26 vjeç, moshë kjo mjaft vitale dhe me kërkesa për jetën.

Njëherësh duhet theksuar se pjesëmarrja në sportin cilësor (të liçensuar nëpër federata) është 21.876 sportistë. Krahasuar me numurin e popullsisë së vendit tonë, kjo shifër është 0.7%. Po të kemi parasysh se me sport për jetën aktivizohen edhe të tjerë, atëherë kjo shifër bëhet 4% e popullsisë. Po ta krahasojmë këtë shifër me shtete të tjera ballkanike do të konstatonim një diferencë mjaft të ndjeshme. Kështu, në Maqedoni e praktikojnë sportin për shëndetin 15.1% e popullsisë. Pra, rreth 4 herë më shumë se në vendin tonë. Po ta krahasojmë aktivizimin e njerëzve me sport në bazë prefekture do të konstatonim ndryshime shumë të ndjeshme. Tirana si qytet është jo shumë larg limiteve Ballkanike, por rrethinat e saj dhe, sidomos qytetet me popullsi jo të përqëndruar, janë në nivele shumë të ulta.

Cilat janë shkaqet e kësaj gjëndjeje? Sipas studimeve tona të kohëve të fundit, del se vendin kryesor e zënë terrenet sportive. Për këtë fakt do të analizojmë vetëm qytetin e Tiranës, i cili duhet thënë se është optimalisht i sensibilizuar për dobinë e sportit për shëndet dhe stilin e jetës.

Objekte Sportive publike të mbyllura janë 15.500 m2

Objekte Sportive të mbyllura nëpër shkolla janë 25.500 m2.

Gjithsej 41.000 m2

Po ta krahasojmë këtë shifër me numurin e popullsisë në qytetin e Tiranës, do të vërejmë një shifër shumë herë më të ulët se mesatarja e shteteve të gadishullit Ballkanik. Pra, në qytetin e Tiranës kemi një sipërfaqe të mbyllur sportive prej 41.000 m2 dhe një popullsi prej 772.000 banorë (INSTAD 2003). Kjo do të thotë se në kryeqytetin e vendit tonë ka një sipërfaqe prej rreth 0.08 m2 për banor kryeqytetas. Në shtetet ballkanike mesatarja është 2.7 m2 për banor. Në vendet skandinave kjo sipërfaqe arrin shifrat e 8 m2 (Strategy for Sport and Information- Clearin House 1995). Ndërkohë, trualli i hapur publik sportiv, në qytetin e Tiranës, ka një sipërfaqe prej 247.000 m2 (mjedis stërvitor dhe garimi në sipërfaqe të hapur). Nëse kësaj sipërfaqeje do t’i shtonim edhe mjediset e hapura të shkollave, të cilat janë afësisht 100.000 m2, atëhere do të kishim një sipërfaqe prej 347.000 m2, ose 0.5 m2 për banor, që do të thotë shumë herë më pak se sa ka sipërfaqe të mbyllura mesatarja e shteteve ballkanike për banor. 

Nga këto mangësi, lind problemi; sa dhe si i përgjigjen këto hapësira stërvitjeve individuale dhe në grupe? Në mjediset tona stërvitore dhe mësimore, në rang kombëtar, një subjekt ka në dispozicion vetëm 0.16 m2 hapësirë për t’u ushtruar, në një kohë që standartet ndërkombetare për stërvitje masive kërkojnë 7-9 m2, ndërsa për sportistët e nivelit të lartë kërkohet një standart metrik hapsinor 15 m2 për subjekt. Në shkollat tona këto standarte mjedisore jo vetëm që nuk funksionojnë, por paisjet e brendshme janë të papërshtateshme dhe në kushte shumë të këqija; palestrat janë të amortizuara e për pasojë ka shumë aksidente e trauma gjatë proçesit mësimor e stërvitor.

Ndërkohë, një rol të rëndësishëm për nxitjen e sportit ka ndërtimi i objekteve sportive komunale, si komplekse, pishina, stadiume, minimumi në çdo 3 km larg qendrave të banimit. Këto objekte sportive, nëpermjet një takse modeste, do t’u krijojnë mundësi çdo subjekti të përjetojë sfidën e kënaqësisë që të sjell stërvitja apo gara.

Mjediset ekzistuese në qytetin e Tiranës

Duke qenë se qyteti i Tiranës ka mjedise sportive 20 herë më pak se kryeqyteti i Maqedonisë dhe mbi 30 herë më pak se mesatarja e kryeqyteteve të shteteve ballkanike, kërkohet që të mos tjetërsohen objektet sportive dhe të punohet për të shtuar të tjera. Kjo është një domosdoshmëri e kohës, pasi mungesa e objekteve sportive sjell pasivitetin e rinisë dhe fëmijëve dhe pasiviteti sjell dëmtim të sistemeve nervore në tërësi, kardio-vaskular dhe të gjëndrave me sekrecion të brendshëm.

Ndërkohë, për ta bërë sa më të prekshme këtë konkluzion, po japim të gjitha objektet sportive që janë në pronësi të MTKRS dhe Bashkisë së Kryeqytetit.


Objektet në pronësi të Dikastereve

1. Stadiumi “Qemal Stafa”

2. Fusha Sportive prapa Stadiumit “Qemal Stafa”, në të cilën është parashikuar të ndërtohet selia qëndrore e Federatave Kombëtare dhe KOKSH-it, por edhe disa mjedise për stërvitje shumë të specializuar për sportistët cilësor dhe të tjerë që kërkojnë të ekzaminohen cilësisht për organizmin e tyre.

3. Pallati i Sportit “Asllan Rusi”.

4. Mjedisi prapa Pallatit të Sportit “Asllan Rusi”. Në këtë mjedis do të ndërtohen fusha stërvitore për basketboll, volejboll, minifutboll, tenis dhe salla aerobie e muskulimi. Zona përreth është shumë e banuar dhe nuk ka asnjë mjedis të tillë për stërvitjen e fëmijëve dhe të banorëve.

5. Pallati i mbyllur i atletikës. Në MTKRS po përgatitet projekti për përfundimin e punimeve në këtë objekt atletik të vetëm në vendin tonë.

6. Fushat sportive në Kamëz (pronësi e FSHF-së).

7. Pishinat pranë liqenit artificial të Tiranës.

8. Klubi Sportiv “Partizani” (duket se ka shkuar te pronarët).

9. Klubi Sportiv “Dinamo”, aktualisht në pronësi të Ministrisë së Rendit, por që duhet të kalojë në pronësi të MTKRS. Në këtë territor duhet të ndërtohen edhe objekte të tjera sportive, të cilat do të shërbejnë për mirëfunksionimin e qendrës kombëtare të shërbimit dhe përgatitjes së ekipeve kombëtare dhe do të shërbejë si një qendër e kualifikuar për sportin për shëndetin.

10. Mjediset sportive në qytetin Studenti. Është një terren, ku është parashikuar të ndërtohen objekte sportive, që do t’i shërbejnë Qytetit Studenti dhe stërvitjes së sportit në shkollë dhe universitete.  

11. Palestra “Studenti” pranë Pallatit të Kongreseve.

12. Fusha e futbollit dhe palestra në Akademinë Ushtarake.

13. AEFS “Vojo Kushi”.

14. Fusha e futbollit në Shkollën e Ministrisë së Rendit. Është parashikuar që në bashkëpunim me Ministrinë e Rendit të ndërtohen fusha sportive për sporte të tilla si minifutboll, basketboll, tennis, volejboll dhe palestër aerobie dhe muskulimi. 

15. Fusha e futbollit dhe palestra në Shkollën e mesme “Loro Boriçi”.


Objektete në pronësi të Bashkisë të Kryeqytetit

1. Stadiumi “Selman Stermasi”

2. Fusha e futbollit dhe basketbollit para stadiumit “S.Stërmasi”. Në bashkëpunim me MTKRS duhet që këto objekte të mbeten të tilla dhe të shtrohen me lëndë sindetike.

3. Pallati i sportit i hapur “Dajti”. Mendojmë se duhet t’i kalojë MTKRS-së, me qëllim që të kompletojë kompleksin sportiv, së bashku me Stadiumin e mbyllur të atletikës.

4. Stadiumi “Skënder Halili”.

5. Fusha e futbollit “Ali Demi”.

6. Stadiumi i futbollit “Dajti”.

7. Fusha e futbollit “Laprakë”.

8. Pallati i sportit “Farie Hoti”.

9. Fusha e futbollit prapa Hotel “Dajti”. Është parashikuar të kthehet në një mjedis publik për sportin e fëmijëve dhe sportin për shëndetin. Ky mjedis duhet të jetë pronë e Konfederatave Sportive.

10. Fusha e futbollit në Kombinat.

Në këtë formë duhet të evidentohen dhe hipotekohen pronat sportive në çdo qytet dhe komunë të vendit tonë. Kjo do të thotë se pronat sportive janë në nivelin më të ulët të mundshëm dhe se në çdo studim urbanistik që do t’u bëhet qyteteve tona, veçanërisht atyre kryesore, do të konstatohet disharmonia, që në rastin tonë është e lidhur me objektet sportive. Gjendja është alarmante dhe e tillë duhet të paraqitet në të gjithë instancat politike. Pra, drejtuesit e institucioneve sportive duhet t’i bëjmë prezente dukuritë, pasi deri më sot nuk janë trajtuar si të tilla, kurse makropolitika duhet të detyrohet t’i zbatojë. Qytetet tona, deri më sot, nuk plotësojnë kushtin më minimal për t’u quajtur qytete të shekullit të 21. Pa mjedise sportive nuk mund të kuptohet një qytet modern që i shërben banorëve dhe sidomos fëmijëve dhe të rinjve.



(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: