Besnik Dizdari: Shqipëria përballë ndeshjes më të rëndësishme në histori
| E Marte, 21.10.2008, 05:10 PM |

Besnik Dizdari
Shqipëria përballë ndeshjes më të rëndësishme në histori: Maltë, 11.02.2009

Nga Besnik Dizdari

Kurr nuk kam qenë i nështruar për te një humbje e sigurtë e Shqipërisë ndaj Portugalisë në Braga. Nuk e them tash që Shqipëria ka barazuar 0-0. Ua thashë të gjithëve me të cilët kemi biseduar deri një orë para ndeshjes. Dhe këte e kam thënë ngaqë për çudi edhe mbrenda meje gjithmonë ka një peshë të rëndë psikologjia e kombit tim. E cila shpesh të çarmatos me “sjelljet” e saj krejt të pamshirshme që krijon.

Dhjetë vjet më parë pata titulluar kështu një shkrim mbas një ndeshje të madhe të Kombëtares: “E madhe me të mëdhenjtë, e vogël me të vegjëlit”. Kam përshtypjen se kemi një karakteristikë që ndoshta na duhet ta pranojmë. Kësisoji mbase, ngaqë jemi të vegjël. E, të voglit shpesh i sillemi me epërsi të vetkënaqur. Ndërsa të madhit po aq sa i nënshtrohemi në plotfuqinë e tij, kur e shohim se është në rënie, i sulemi me mbifuqi. Në historinë e asaj që Regjimi e pat emërtuar “Lufta Nacional Çlirimtare” ka një rast që njihet si Operacioni i Dimrit që pothuajse i struku partizanët. Mandej kemi ate që historianët e “asaj” kohe e emërtuan si “Lufta legjendare për Çlirimin e Tiranës”, që me gjithë aktet e saj trimërore, më tepër qe një ndjekje nga mbrapa e pushtuesit nazist në ikje e sipër.

Kështu për një çast të duket se dolëm nga futbolli, por duke qenë se në futboll ka shumë terma luftarake si “taktikë”, “strategji”, “sulm”, “mbrojtje”, “mësymje”, “rezistencë”, “dorëzim”, “ndeshje”, “luftë”, “duel”, “shkatërrim”, “fitore”, “humbje”, “triumf”, “kundërshtar”, “çarmatosje”, “goditje”, “tronditje”, mu duk se ky krahasim mbrenda psikologjisë sonë, i shkonte edhe këtij shkrimi sportiv. Dhe se shumë prej kësaj terminologjie iu përshtat edhe ndeshjes Portugalia – Shqipëria të 15 tetorit në “AXA Stadium” të Bragës.

XXX

E ardhur mbas humbjes në Budapest, historikisht krejt normale, çka në Shqipëri prej një pjese të shtypit vendas, ende disi “rinor”, u cilësua si një tragjedi sportive kombëtare, papritmas, Shqipëria shkon e përshtatet në mënyrën më dinjitoze të mundshme te një barazim krejt origjinal (për autorin e këtyre rradhëve kurrsesi historik) në Braga me Portugalinë. Ngjarje që shkaktoi një eufori të papame (krejt e papranueshme, gjithnjë për autorin e këtyre rradhëve) që kushedi ku mund të na çojë…

Statistika historike na tregon ndërkaq, se ky barazim qëndrese të pazakontë është i katërti i arritur jashtë fushës në krejt historinë e 10 pjesëmarrjeve 45- vjeçare të Shqipërisë në Kupën e Botës, simbas kësaj kronologjie:

31.10.1984: Polonia – Shqipëria 2-2
15.05.1993: Letonia – Shqipëria 0-0
08.10.2005: Ukraina – Shqipëria 2-2
15.10.2008: Portugalia – Shqipëria 0-0

Nuk ka ku shkon histori më e varfër se kjo, më e zbehtë se kjo.

Interesant është se, ky i Portugalisë, nuk krahasohet fort me të mëparshmit. Madje nuk krahasohet as në kronikë, as në strategji, dhe deri diku as edhe në cilësi. Barazimi në Riga të Letonisë 15 vjet më parë, ka qenë një ndeshje thuajse e barabartë për të dy kundërshtarët, madje me një epërsi teknike të shqiptarëve. Ai i Dnjepropetrovskit i Ukrainës, ka qenë një spektakël i këndshëm, sulmues prej të dy kaheve, me gola emocionues dhe kthesa tejet dëfryese, por në fund të fundit, një barazim që nuk i prishte dhe as i ndreqte diçka ukrainasve. Barazimi 2-2 i Milecit të Polonisë ka qenë diçka krejt tjetër. Ai po, është historik me plotkuptimin e këtij përcaktimi.

Në “Libri i Kombëtares” kapitullin përkatës e kam titulluar “Sfida e dytë: Polonia e Bonjekut”. Ajo nuk ishte një Kombëtare si kjo e sotmja, ku siç shkroi një gazetë portugeze këto ditë, “vetëm dy lojtarë të Shqipërisë luajnë në kampionatin e saj kombëtar”, çka duhet nënkuptuar se sot kemi një Kombëtare të vërtetë profesioniste të stilit evropian tashmâ. Ajo e barazimit Poloni – Shqipëri 2-2 për Kupën e Botës 1986, ishte një Shqipëri e gjitha e Kampionatit Kombëtar. Dhe për te rifilluar pjesëmarrjen e saj në Kupën e Botës 1986, ajo Kombëtare e bukur mbërrinte jo si sot, por mbas plot 11 muajve pa zhvilluar asnjë ndeshje! Dhe administrata e sporteve shqiptare që për vite mbante nën kërcënim thuajse të gjithë trajnerët e Kombëtares, e mbyllur në kornizat e një politike krejt të mbrapshtë, rrinte megjithate e qetë në kolltukun e saj.

Kështu apo ndryshe, një natë të17 tetorit 1984, në Hejselin e dëgjuar të kryeqytetit belg, Shyqyri Rreli do të shfaqej me 11-shin e tij të ri, të fortë, shpresues. Do të ishte një humbje, 1-3, në pamje të jashtëme jo e pakët, por ecurija e 90 minutave të tregonte diçka tjetër: deri në të 84' rezultati është 1-1 dhe teksa po përjetonim barazimin e madh të mundshëm, mbrenda 4 minutave Shifo e Vurdekers, shkatërrojnë një ëndër të bukur shqiptare me dy gola “in extremis”: 84' e 88'!

Kur mbas dy javëve vjen 31 tetori 1984, në Mielec të Polonisë, qyteti që i kishte dhënë Botës, Laton, golshënuesin e madh të Botërorit të Gjermanisë 1974, do të shfaqej Shqipëria tjetër. Dukej sikur gjithçka ngjasonte me Belgjikën e paradyjavëve. Smolarek shënon në të 23', por Bedri Omuri barazon 1-1 në të 54' me golin që është një krijim i tanë vetjak i tij. Dhe mbas 22 minutash Agustin Kola ka shpërthimin e tij dhe 2-1 për Shqipërinë. Zmuda, Bonjek, Smolarek, Dzekanovski nuk durojnë. E ndërsa shqiptarët janë në një eufori të zgjatur, ata barazojnë pa kaluar 180 sekonda. Qysh nga ky çast, 2-2-shi merret në duart e Perlat Mustës i cili ka një ndeshje të rrallë, teksa i vetëm bëhet barrikadë i një sulmi të papërmbajtshëm polak. Ky është njeriu që firmos kësisoj një 2-2 të çuditshëm dhe skuadra e cila mbrrin në Shqipëri si fitimtare.

"France Football" do t’i kushtonte mbulesën (kopertinën) e tij mu portjerit Musta dhe Shqipërisë 1984. Dhe në renditjen e vitit të së çmueshmes së Parisit, Shqipërisë i jep vendin e 12-të midis 33 shteteve të Evropës së atëhershme, sot e kësaj dite një "rekord" i cili jo vetëm nuk është thyer, po që nuk ka guxuar t'i afrohet më as edhe çdo lloj Kombëtareje tjetër shqiptare.

Trajnerët Rreli dhe Zhega kishin ndërtuar një 11-sh krejt të pazakontë. Për herë të parë Shqipëria kishte specialistë të mbrojtjes ndërtuese, të tillë si Ferid Rragami, e mbi të gjithë Skender Hodja e Bedri Omuri. Demollari është zot i mesit të fushës dhe krahët e tij Haxhi Ballgjini e Mirel Josa pranë të cilëve është Shkëlqim Muça - një tjetër rregullator i aftë - i jepnin një harmoni sulmuese lojës së kësaj skuadre e cila në sulm ka një dyshe që shumë shpejt do të bëhej historike: Agustin Kola dhe i përherkujtueshmi Arben Minga. Ky po, është një barazim historik, me një skuadër si Polonia, e cila vetëm dy vjet më parë kishte qenë, dhe ishte ende, skuadra e tretë e Botës!

Ky është çasti kur në Shqipëri klima e futbollit papritmas ndizet tejet. Stadiumet janë epiqendra të papërshkrueshme. Ramazan Rragami e kishte bërë (1983) Vllazninë Kampione të Shqipërisë. Më 1984 një tjetër protagonist i mëparshëm i Kombëtares së Shqipërisë, Frederik Jorgaqi i paharrueshëm, falë drejtimit të tij të pagabueshëm, i jipte për herë të parë Labinotit të Elbasanit kurorën e Kampionit të Shqipërisë. Mbi të gjithë qëndronte skuadra e 17 Nëntorit, të cilën trajneri Enver Shehu e ngjit në dy Kupa të Shqipërisë (1983, 1984) të cilën do ta bëjë kampione më 1985. Kësisoji, duhet të jetë ajo baza e Kombëtares, ndërkohë që dyshja e Vllaznisë, ajo F.Rragami – Zmijani, ishte e palëvizëshme.

Kështu, si në një ankth të ri, jo i frikshëm, por më tepër enigmatik, gradualisht po mbrrinim te 22 dhjetori 1984, te Belgjika e Shifos dhe e trajnerit mitik të saj Gi Tis. 22 dhjetor 1984. një ditë tipike e dimrit të Tiranës, shi i imtë, të ftohtë, një terren disi i rrëshqitshëm në një stadium krejt të zi sterrë, të mbushur prej spektatorit të etur të Shqipërisë komuniste, së cilës dihej që në veshje i mungonte larmia. Ditë e errët të një dhjetori të atij viti ourellian 1984, kur kujton romanin e famshëm të Xhorxh Oruelli-t. Dhe 2-0 Belgjikës që nuk hyn në këte histori të sotme tonën krahasuese, sepse e kemi fjalën tek katër barazimet e vetme të jashtë fushës për Shqipërinë në Kupën e Botës.

Ku hyn edhe ky i Portugalisë, të cilin nuk guxoj ta vendos në krye të “Renditjes” s[ kat[r barazimeve, por në vend të dytë mbas atij 2-2 të Mielecit të Polonisë 1984. Madje në gjithçka: në kundërsulmin modern të Shqipërisë, në mosmbylljen në bedena kalaje, në elasticitetin e një futbolli që asokohe trondiste një prej skuadrave më të mira të botës.

Ajo që e veçon ndeshjen e Bragës së Portugalisë, është vendosmëria “fatale” shqiptare kundërportugeze, për t’i thirrur kushtrimit të të parëve mbasi në betejë qe humbur një luftëtar (Teli). Dhe me një forcë më pak, me në krye Lorik Canën e përmasave të nivelit botëror (e përveç të tjerave ai kurrsesi nuk është një prodhim mirëfilli i futbollit shqiptar, por i atij francez) vendos të mos e kalojë asesi për pesëdhjetë minuta të tana mesin e fushës. Dhe të qëndrojë në vetëm pesëdhjet[ metra blerim, n[ breg t[ Atlantikut, duke u shndërruar vërtet në mure të pakalueshëm kalaje! Ky është “catenaccio” i pastër shqiptar, kurrsesi holandez, me meritën e madhe se midis organizatorëve të tij ka disa mjeshtra dhe nxënës të mirë, emrat e të cilëve mund të jenë Beqaj, Cana, Vangjeli, Curri, Agolli, Beqiri, Bulku, Duro, Skela, Lala, Bogdani, Vrapi, Berisha, Teli. Pa harruar kështjellarin e parë me emrin Arie Haan.

Askush nuk e do “catenaccio”-n, ndonëse ky i Shqipërisë në Braga, nuk qe spontan, i ngatërruem, kotsëkoti. Përkundrazi, ishte krejt i organizuar, i qëndrueshëm, teknik në kalime topash, taktik në vendosje dhe i një sakrifice përballë nervozizmit portugez, i cili dihej se i këtillë do të ishte, kur kujton se pak më parë kjo skuadër në gjirin e së cilës ishte ylli botëror që quhej Cristiano Ronaldo, qe mposhtur në fushën e vet 2-3 prej Danimarkës. Kësisoji, psikologjia e Shqipërisë së vogël ishte në epërsi. Si e atij i cili nuk ka se çka të humbasë përballë një të madhi, të cilit nuk i lejohet të humbasë asesi. Merreni me mend tash se sa e rëndësishme, sa emocionale, sa e frikshme ishte për Portugalinë nga ana psikologjike kjo ndeshje. Ky është futbolli dhe këto skena i krijon befasia e tij.

Në taktikën e vet Shqipëria padyshim ka zhvilluar një nga ndeshjet më shembullore të saj, ndonëse fati kësaj rradhe ka qenë miku më i madh i saj. Duke përimtuar rastet për gola, të del raporti 7-2 për Portugalinë (fatal rasti i Berishës) dhe interesante është se thuajse të shtatë këto raste i kanë çuar topat mbrenda katërkëndshit të Beqajt. Ky ka pritur me këmbë (!) e pakta tre gola nga vetëm 3 metra largësi. Rast i rrallë!

Dhe 0-0 në Braga me Portugalinë dhe Renditja e Grupit 1 evropian të kualifikimeve të Africa 2010 që ka këte pamje:

1. Danimarka 7 2 1 0 6-2
2. Hungaria 7 2 1 1 4-2
3. Portugalia 5 1 2 1 6-3
4. Shqipëria 5 1 2 1 3-2
5. Suedia 5 1 2 0 2-1
6. Malta 0 0 0 4 0-11

Shqipëria e katërta, me çudinë më të madhe në histori për një renditje të mbas katër ndeshjesh: me vetëm 2 pikë larg të parit dhe në pikë të barabarta me dy të mëdhenj të futbollit të Shekullit XXI, siç është Portugalia, “Brazili i Evropës”, siç e kanë quajtur dhe Suedia e një ballkanasi të madh i cili nuk e humb kurr nordin e përftuar: Ibraimovic. Të trija me nga 5 pikë.

XXX

Tash, le ta lëmë mënjanë euforinë tipike të atij që padashur quhet “nacionalkomunizëm”, e për të cilin Partia Komuniste Shqiptare pat punuar fort për t’ia ngulitur këtij populli, synim të cilit natyrisht i shërbenim jo pa zell ne gazetarët e asokohe. Çka shfaqej me përdorimin e ndonjë suksesi sportiv për të ngritur lart moralin e popullit “të lumtur” shqiptar. Të vjen keq që aty këtu kjo enfazë futbollistike, nëse mund ta quanim kështu, prek edhe gazetarët e sotëm shqiptarë. E aq më keq kur prek disa njerëz të politikës, të cilët është vërtetë fantastike që nuk e kuptojnë se sa artficialë shfaqen kur televizione të përkulur keqas ndaj tyre, i thërrasin për të gjykuar futbollin, që dihet, nuk është lënda e tyre! Mëkat profesional!

Pa shumë eufori, pa vetkënaqësi, pa gjakim (pasion), ecuria kapricioze e shortit të Grupit 1 mbas barazimit zâmadh me Portugalinë, na çon te ndeshja e rradhës që është ajo me Maltën. Eshtë një ndeshje që i takon të luhet mbas shifrës së plotë të 110 ditëve: 11 shkurt 2009. Do të jetë ndeshja e vetme e atëditëshme e Grupit 1. Si autor i këtij shkrimi do t’i përballoj kundërshtimet, por këmbëngul se kjo është ndeshja më e rëndësishme që ka zhvilluar ndonjëherë Shqipëria për Kupën e Botës. Arësyetimi është krejt i thjeshtë: nëse Shqipëria fiton në Maltë, ngjitet në krye të Grupit 1 të “Africa 2010”! Dhe të gjitha përkimet do të jenë “të herës së parë”. Do t’i rreshtoj me kryeradhë të gjitha këto “për herë të parë” për të kuptuar thelbin e dukurisë:

* Do të ndodhë që për herë të parë në histori, Shqipëria mbrenda një gare kualifikuese të Kupës së Botës e madje edhe të Kupës së Evropës, të ngjitet dy herë në krye të Grupit të saj kualifikues.

* Do të ndodhë që për herë të parë në histori, Shqipëria të jetë kryesuese e Grupit të saj kualifikues mbas 5 ndeshjeve të zhvilluara.

* Do të ndodhë që për herë të parë në histori në gjysmë të rrugës kualifikuese për një Botëror apo Evropian, Shqipëria të kryesojë Grupin.

* Do të ndodhë që për herë të parë në histori, Shqipëria të ketë golaverazh pozitiv mbas 5 ndeshjeve.

* Do të ndodhë që për herë të parë në histori, Shqipëria të ketë fituar mesatarisht 1 pikë për ndeshje (me sistemin e 2 pikëve për fitore).

* Do të ndodhë që për herë të parë në histori, në gjysmë të rrugës Shqipëria të shndërrohet në mëtuese midis një bashkësie të përbërë e pakta prej katër shteteve të cilët futbollin e kanë një shkallë apo disa shkallë mbi Shqipërinë: Danimarka, Portugalia, Suedia, Hungaria!

Kësisoji, nuk ka kohë për gëzime që zgjasin më shumë se ç’duhet, aq më tepër që një fitore futbolli nuk ia vlen të zgjasë më fort se njëzetekatër orë, sepse menjëherë të shfaqet ndeshja tjetër me të gjithë rreptësinë e saj.

E rëndësishme është që Shqipëria të arrijë të fitojë 1-0, vetëm 1-0 në Maltë, nuk ka nevojë për më tepër, përballë një skuadre e cila qëndron më shumë se një shkallë poshtë saj. Vështroni tash, se si do të mund të jetë Renditja e Grupit 1 kualifikues të Evropës për Kupën e Botës “Africa 2010”, nëse Shqipëria fiton 1-0 kundër Maltës më 11 shkurt 2009:

1. Shqipëria 8 2 2 1 4-2
2. Danimarka 7 2 1 0 6-2
3. Hungaria 7 2 1 1 4-2
4. Portugalia 5 1 2 1 6-3
5. Suedia 5 1 2 0 2-1
6. Malta 0 0 0 4 0-11

Kjo po, do të jetë historike dhe nuk ka ndodhur kurrnjiherë në historinë e Kombëtares, deri më sot ende modeste, të Shqipërisë.

E pra? Nuk po më pëlqen me u endë më tej në këte përsiatje futbolli, vetëm po kujtoj se 45 ditë mbas Maltës, Shqipëria pret në Tiranë “të barabartin e vet” (siç ka guximin ta përcaktojnë ndër ne Kombëtaren e famshme danubiane, jo unë), Hungarinë pra. Asnjëherë Shqipëria nuk ka pasë situatë më të bukur, më nxitëse, më historike për të shkelë aty ku nuk ka shkelë kurr: në kufijtë e gjigandëve të futbollit.

Mu për këto që shkrova deri tash, këte shkrime e titullova: “Shqipëria përballë ndeshjes më të rëndësishme në histori: Maltë, 11.02.2009”.

Këte titull nuk e krijoj autori i përvǔjtë i këtushëm, siç thotë Sami Frashëri. Atë e krijoj barazimi zâmadh me Portugalinë. Ndodhemi kështu para një ëndërre të realizueshme të rikryesimit të mbas 110 ditëve…

Ndonëse prap ajo mbetet thjesht një ëndërr. Dhe ëndrra kurr nuk është realitet. Ose për të t’u shndërruar në realitet, kërkohet shumë mund, madje shpesh sakrifica dhe përpjekje mbinjerëzore.

Mu për këte ndeshja në Maltë është më e rëndësishmja në historinë e Kombëtares së Shqipërisë. Psikologjikisht më duket ndër më të vështirat. Pak a shumë po aq e vështirë sa ç’qe për Portugalinë ndeshja me Shqipërinë, që e dobësoi psikologjikisht. Asaj i duhej fitorja me çdo kusht përballë një të vogli të qetë dhe i cili nuk kishte se çka të humbte. Dhe 0-0. Po kështu, Shqipërisë i duhet fitorja me çdo kusht në Maltë përballë një të vogli të qetë dhe i cili nuk ka se çka të humbë. Do ta marrë?

Përsa kohë kjo lojë luhet me organin më pak të kultivuar të organizmit të njeriut që është këmba, gjithçka mund të ndodhë, siç thotë sentenca e përsëritur prej meje disa herë, që i përket një studjuesi të futbollit më të mêçëm se autori i këtushëm.

Nuk jam ndjellakeq megjithate. Kombëtarja është, dhe tash, me sa duket po kërkon me ngulm, mu ate që i mungon: historinë…


Tema

(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: