Gëzim Marku: Intervistë Ekskluzive me kampionin e botës Kreshnik Qato
| E Marte, 07.10.2008, 09:00 PM |

Intervistë ekskluzive me kampionin e botës Kreshnik Qato

Herkuli shqiptar i Londrës

Nga Gëzim Marku - Zemra Shqiptare

Si shumë të tjerë para tij, Qato i veshi dorezat që në moshë të re. E filloi karrierën e vet me ekipin e të rinjëve të qytetit të Durrësit ndërsa tranieri i tij i parë ishte Hekuran Shkaba. Në vitin 1992 mori pjesë për herë të parë në Kampionatin Kombëtar për të rinj ku fitoi dhe titullin si Kampion Vendi.

Gjatë viteve 1993 – 1997 Qato përfundoi shkollën e mesme të sportit mjeshtëror “Benardina Qeraxhiu” në Durrës. Nën kujdesin personal të tranierit Dilaver Koba, gjatë katër viteve të shkollës së mesme, ai realizoi 18 ndeshje te suksesshme. Në Kampionatin Kombëtar për të rritur  mori pjesë për herë të parë ne vitin 1996, ku u shpall si boksieri më i aftë i aktivitetit.

Pas përfundimit me sukses të studimeve Qato iu kushtua plotësisht boksit, dhe shumë shpejt u bë pjesë e ekipit përfaqësues të Shqipërisë.

Në vitin 1997 Qato u prezantua për herë të parë në arenën ndërkombëtare duke përfaqësuar Shqipërinë në turin vjetor “Dorezat e Arta” në Beograd, ku fitoi të gjitha ndeshjet, duke u shpallur Kampion Ballkani për peshat  67 – 71 kg. Ky aktivitet shënoi një fitore të dyfishtë për Qaton edhe për Shqipërinë. Me këtë rast Shqipëria fitoi medaljen e saj të parë në një aktivitet ndërkombëtar boksi për amatorë.

Gjatë viteve 1997 – 2000, Qato ndoqi studimet e larta në Akademinë e Edukimit Fizik “Vojo Kushi” në Tiranë, i profilizuar në degën e sportit të boksit. Në vitin 2000 u zgjodh si kandidat për të përfaqësuar Shqipërinë në Lojrat Olimpike që u zhvilluan në Sidnej (Australi).

Sot, Kreshniku Qato përbën një yll që vazhdon të shkëlqejë në ringun profesionist. Talentin e tij natyral e zbuloi krejt rastesisht Luigj Leo, një tranier profesionist i respektuar dhe i mirënjohur, i cili përfaqësoi vendin e vet, Shqipërinë në Lojërat Olimpike të Sidnej, ne vitin 2000.

Menjëherë, pas takimit të tij me Luigj Leo-n, i cili deri atëherë kishte qenë menaxher profesional  trajnimi i Qatos, Kreshniku vendosi te instalohej, te trajnohej dhe të jetonte në Londër. Këtu Qato është shndërruar në një emër të llogaritshëm në arenën e boksit ndërkombëtar.

Këmbëngulja e tij të luftojë  për ngjyrat e vendit të vetë i dha avantazhin të fitonte simpatinë e një grupi të madh tifozash dhe adhuruesish të cilët e ndjekin në çdo ndeshje duke krijuar një atmosferë të ngrohtë mbeshtetëse. Kreshniku përbën dritaren e parë dhe të vetme Shqiptare në botën e boksit profesionist, gjithëashtu ai është i pari dhe i vetmi Shqiptar KAMPION BOTE.

Qato përbën një shembull triumfi për pjesën tjetër të rinisë Shqiptare e cila aspiron të angazhohet me boksin profesionist. Zotësia e tij sportive është shndërruar në idhull për gjeneratat e reja shqiptare të cilat rriten sot në Londër. Figura e respektuar e Qatos si KAMPION BOTE nuk përkufizohet vetëm ne një pjesë te madhe te anëtarëve të komunitetit ose bashkëpatriotëve te vet të cilët jetojnë në Londër, por reputacioni i tij i mire përhapet dhe më tej, në te gjithë Mbretërinë e Bashkuar. Rezultat i stërvitjes së pashterrshme dhe të devotshme si dhe ai i  forcës psikologjike i falën pesë gjerdanë ndërkombëtar.

16 Tetor 2004

Në Jalta, Ukrainë pas një ndeshjeje spektakolare, Qato arriti të mundte kampionin e mirënjohur Rus Vladimir Zagorodniv duke fituar titullin si Kampion i Europës Lindore (KEL).

5 Mars 2005

Në qytetin e tij të lindjes në Durrës, pas 12 raundesh boksi perballe boksierit nga Ukraina Rizvan Magomedov, Qato fitoi titullin ‘’International Boxing Council Title (IBC)’’.

8 Dhjetor 2006

Në Dagenham, Londër, Qato fitoi perballë Simon Cuver në ndeshjen me 10 raunde, titullin “Southern Area Super-Middle-Weight Title” (ose sic quhet ndryshe Titullin e Anglisë Jugore).

3 Mars 2007

Në Tiranë, Shqipëri Qato realizoi 12 raunde kundrejt Rusit Aleksander Zaitsev dhe fitoi me pikë Titullin Europian ‘’EE-EBU’’.

4 Prill 2008

Kreshnik Qato fiton titullin botërorë perballë portugezit Vitor Sa (13-3). Qato dominoi në ndeshje duke fituar kështu Titullin e vet të parë Botërorë për Peshat e Mesme “WBF Midleweight World Title”.

Gjithesesi, ai nuk ka qenë për asnjë cast i shkëputur nga mbështetësit Shqiptarë dhe dashamirësit e sportit të boksit si Ylli Ndroqi, presidenti i kompanisë “Yldon shpk”, i cili aktualisht është dhe sponsorizuesi zyrtar i Qatos.

Kreshnik Qato, i egër në ring, por shumë i butë jashtë tij. I telentuar, me kulturë të gjerë. Ndryshe nga moti i Londrës në këtë vjeshtë, e cila në fakt nuk ndryshon shumë me verën, ku shiu është përditshmëri, Kreshnik Qato është shumë i kthjellët dhe optimist.

INTERVISTA

Mund të na flisni për femijërinë tuaj, deri tek momenti që Kreshniku u takua me boksin…

Femijeria ime ka qene e zhurmshme, pasi qe i vogel pelqeja te beja aventura te ndryshme dhe sidomos rreth moshes 10-11-vjec kur perpiqeshim te imitonim aktoret e filmave me karate. Nje nder deshirat e mia para se te takohesha me boksin, te cilen nuk e kam treguar ne asnje interviste tjeter, ka qene edhe vullneti per te mesuar nje vegel muzikore, por qe nuk arrita ta mesoja kurre, pasi njohja me sportin e boksit me terhoqi me shume.

Cili ishte reagimi i familjes suaj, pasi u thatë se do të merreni me boks?

Ne te vertete babai kete gje i’a kishte kerkuar vellait tim me te madh, pasi ne ate kohe une isha vetem 12-vjec. Pasi ai nuk deshironte qe te merej me boks dola une vullnetar, por qe babai nuk me lejoi pasi ai mendonte se une kisha nje fizik te vogel per kete sport, por deshira ime e madhe me beri qe une te shkoja ne stervitje fshehurazi. Gjithsesi ne momentin qe e zbuloi te verteten, babai u kenaq pasi edhe ai vete ka qene sportist. 9-here kampion i Shqiperise, ne sportin e peshengritjes.

Karrierë kampioni në Shqipëri…

E fillova karrierën me ekipin e të rinjëve në qytetin e Durrësit dhe trajneri im i pare ishte Hekuran Shkaba. Në vitin 1992, u aktivizova për herë të parë në Kampionatin Kombëtar për të rinj, ku fitova titullin Kampion i Vendit.

Studimet e mesme i bëra në vitet 1993 - 1997, në shkollën e mjeshtërisë sportive "Benardina Qeraxhiu" të Durrësit. Nën kujdestarinë personale të trajnerit Dylaver Coba, gjatë atyre kater viteve të jetës gjimnaziste, kam zhvilluar 18 ndeshje; të gjitha me fitore. Në Kampionatin Kombëtar për të rritur, për herë të parë u aktivizova në vitin 1996, ku u shpalla si boksieri më luftarak i aktivitetit. Pas studimeve të mesme, iu përkushtova boksit dhe shumë shpejt u aktivizova në ekipin përfaqësues të Shqipërisë.

Në arenën ndërkombëtare, u aktivizova për herë të parë në vitin 1997 duke përfaqësuar Shqipërinë në turneun e përvitshëm "Dorezë e Artë", në Beograd, ku dhe i fitova të gjitha ndeshjet duke u shpallur kampion ballkani për peshat 67 - 71 kg.

Ky aktivitet ishte një fitore e dyfishtë për mua dhe për Shqipërinë. Shqipëria fitonte kështu medaljen e parë në një aktivitet ndërkombëtar boksi, në nivel amatorësh. Studimet akademike i kreva në vitet 1997 - 2000, në Akademinë e Edukimit Fizik "Vojo Kushi" të Tiranës, dega e boksit.

Ne vitin 2000 u zgjodha kandidat për të përfaqësuar Shqipërinë në Lojërat Olimpike, që do të mbaheshin në Sidney të Australisë. Keto ishin fillimet e karieres sime si boksier nga ku mora edhe eksperiencen e duhur, si dhe sigurine per tu kthyer ne Boksier Profesionist.

Cilat emocione ju përshkruajnë në ring, kur ndiheni i rrethuar nga sportëdashës, flamuj dhe zemra shqiptare, që ju inkurajojnë deri në fund?

Gjej rastin ti falenderoj te gjithe ata tifoze qe me mbeshtesin dhe me shpirt u premtoj qe nuk do i zhgenjej kurre, megjithese nuk duhet harruar qe sporti i boksit ka edhe surpriza te paparashikuara, por gjithsesi per momentin them se nuk do ti pranoja ato lloj surprizash te padeshiruara nga asnje sportist.

Pjesa e emocioneve eshte shume e rendesishme dhe fatmiresisht tek une deri tani ka ndikuar per mire, dhe do te thoja qe pa mbeshtetjen e atyre zemrave shqiptare te veshura kuq e zi, unë nuk do ta kisha kete arritje dhe sukses qe kam sot.

Ndihet ndryshim nga një ndeshje e zhvilluar në Londër, me një në Durrës apo Tiranë?

Ndryshim.....! sigurisht qe ka ndryshim, por ju siguroj qe te dy keto ndryshime nderthuren shume bukur me njera tjetren. Ne Shqiperi me bejne pritje madheshtore e ndonjehere me llastojne me shume se c’duhet....Pallati i sportit tejmbushet me tifoze, brohoritjet jane te pafundme, por perseri ka dicka qe me mungon dhe kete e kuptoj pas mbarimit te ndeshjes, me mungojne urimet e mara nga tifoze nga krahina te ndryshme te shqiperise e kosoves, qe te cilen e gjej shume mire tek ndeshjet e zhvilluara ne Londer.

Ne Londer nuk kam nje eskorte personale qe me shoqeron, per ne qendren ku behet ndeshja, gjithashtu arena e boksit nuk mbipopullohet por ata tifoze qe me vijne nga pas e brohorasin e bejne kete gje me shume shpirt dhe me atdhetarizem te papare, dhe jane nga te gjitha krahinat e Shqiperise e Kosoves, gje te cilen nuk e gjej ne Tirane apo Durres, e kjo eshte ajo qe mi kthen ndeshjet e bera ne Londer, me me shume emocion.

Boksi është sporti më burrëror. Në Shqipëri bën pjesë tek një nga sportet më popullore. Ju boksierët, normalisht jeni të ashpër në ring... Por doja të di, në një ditë të zakonshme, çdomethënie ka ky sport për një boksier, është i pranishëm, apo thjeshtë boksi mbetet vetëm sporti i ringut?

Une mendoj qe kjo varet nga karakteri i individual i nje personi. Ne rastin tim boksi eshte vetem sporti i ringut. Ne ditet e zakonshme kur une kthehem nga stervitja e le egersine te mbyllur ne palester dhe kur kthehem ne shtepi jam i c’armatosur. Ne ditet normale me pelqen qe te merem dhe argetohem me femijet e mi dhe sigurisht qe le nje pjese te mire per tifozet dhe miqte e mi. Gjithashtu me pelqen te merem dhe te bej ndryshime ne websitin dhe my space-in tim personal, gjithashtu me pelqen te merrem edhe me fjalekryqe, sidomos kur ndihem nervoz.

Le të ndalemi në një pike jo të zakonshme: Shqiptari kundër shqiptarit në arenën ndërkombëtare! Një grup i vogël shqiptarësh të kritikonin dhe shpifnin në mënyrë tepër të turpshme. Në Londër ngrihej flamuri shqiptar nga Qato Kampion dhe ndjenjë e pastër krenarie pushtoi mbarë shqiptarët në Britani dhe më gjërë, por triumfi yt, njekohësisht edhe triumfi ynë, ishte tmerr për grupin në fjalë. Ndoshta ky ‘’grup’’ përbëhej vetëm nga një anëtar i fshehur pas disa nofkave...Sidoqoftë, si e ke përjetuar këtë ligësi?

Nuk do te isha i sinqerte ne se do te thoja qe nuk me kane interesuar keto opinione dashakeqese, por ne nje fare menyre kane ndikuar edhe per mire ne formimin e karakterit tim, pasi me kane mesuar qe me pune dhe perkushtim mundesh qe ti mposhtesh gojet e liga. Ne fillim merzitesha kur i degjoja, por duke pare opinionet e njerezve te cilet me te vertete me kane vleresuar dhe inkurajuar, tani mund te them me krenari qe njeriun e tregon koha dhe puna e tij.

Je shqiptari i parë që Shqipërinë e ngre lart, i dhuron një titull botëror. Emri yt, tashmë ka hyrë në histori, ose më saktë, ti je historia e boksit shqiptar në arenën ndërkombëtare, sepse askush deri më sot nuk është shpallur Kampion Bote në asnjë kategori, duke përfaqësuar vendin tonë. S’ka dyshim që populli shqiptar të ka përkrahur vazhdimisht, por qeveria shqiptare, është përfaqësuese e denjë e popullit dhe a ka dhënë ajo kontributin që keni pritur të japë...

Tifozet shqiptare me te vertete qe me kane perkrahur kudo qe une kam shkuar, madje ne kete pike do te doja te shtoja nje pjese nga pushimet e mia ne Sarande kete vere. Ishte e mahniteshme dhe mbreselenese se si njerezit atje me njihnin kudo qe une ndalesha dhe me uronin akoma per fitoren, edhe pse kishte kaluar nje kohe e gjate pas ndeshjes, mahnitesha kur me thonin qe jemi gjithmone me ty vetem ti vazhdo e ndero vendin e flamurin tone. Por gjithashtu nuk mundem qe te them me qe qeveria apo institucionet perkatese te sportit nuk po me ndihmojne. Eshte e vertete qe ne fillimet e mia nuk kam pasur as edhe nje lloje ndihme nga shteti shqiptar, por tashme kjo gje ka ndryshuar dhe me te vertete dua qe ti falenderoj.

Në Londër keni shumë tifozë shqiptarë nga Kosova, të cilët të kanë përkrahur, njëkohësisht kanë shprehur dëshirën, gjë te cilën e ke bërë edhe ti, që një nga ndeshjet e ardhëshme ta zhvillosh në Kosovë. Eshtë e realizueshme?

Tifozet shqiptare nga Kosova jane pjese e karrieres sime ketu ne Londer. Ata i kam kudo, neper ndeshje ne shoqeri dhe disa prej tyre edhe ne shoqerine e perditshme. Realizimi i nje ndeshjeje ne Kosove, eshte ne objektivat e mia dhe te sponsorit tim dhe kjo mbetet vetem ceshtje kohe, pra une mendoj qe shume shpejt do te realizohet.

C’mund të na thoni për boksin profesionist shqiptar?

Boksi profesionist shqiptar per momentin nuk ka shume per te thene, pasi per momentin ekziston vetem federata, por nuk ka boksiere qe te sterviten ne Shqiperi, dhe kjo ben qe te mos kete shume seriozitet. Por shpresoj qe ne te ardhmen gjerat te ndryshojne dhe te krijohen kushte per formimin e ambjenteve ku te setrviten boksiere profesioniste shqiptare.

Sic e dimë të gjithë, përsa i përket kushteve të trajnimit të sportisteve në Shqipëri, shpesh herë janë të papërshtatshme në krahasim me standartet Europiane. Pikërisht për këtë arsye plus dhe kontratave të arta, shumë sportistë shqiptarë, kanë pranuar të përfaqesojnë shtete të tjera. Cili është mendimi juaj në lidhje me këtë dhe nëse ju ka shkuar ndonjëherë ndërmend të përfaqësonit një vend tjetër?

Ne se do te flisja si atdhetar dhe si amator qe nuk e njeh sportin, do te thoja qe ata sportiste, qe konkurojne per vende te tjera dhe joshen nga kontrata te arta, jane tradhetare ose nuk kane ndienje atdhetarizmi, por ne se do te flisja si nje njeri qe e njeh shume mire sportin dhe i ka hequr ne kurriz veshtiresite qe gjendeshin ne Shqiperi, do te thoja qe ne nje fare menyre, nuk kane zgjidhje tjeter dhe do te shikojne interesin personal, pasi per shume sportiste sporti eshte pune, dhe te punosh pa u paguar nuk eshte e drejte. Por gjithsesi, them se tashme gjerat kane filluar te permiresohen edhe ne Shqiperi dhe sportisteve u jepen me shume mundesira. Pra me pak veshtiresi dhe shume vullnet duhet qe te garojme nen ngjyrat e flamurit tone.

Kur Kreshniku ndodhet në ring, i rrethuar nga mijëra veshtrime agonie, admirimi etj. Përpjekja për të dalë kampion, deri në një farë mënyre nuk shndërrohet dhe në një ndjenjë përgjegjësie, d.m.th përvec dëshirës personale për të fituar, të krenoni edhe tifozët, të cilët ju ndjekin në cdo hap...

Sigurisht qe ndjenja e pergjegjesise ndaj tifozeve me ndjek ngado. E vetmja gje qe mendoj gjat rruges per ne ring, eshte te luftoj me shpirt dhe vetem keta njerez te mos i zhgenjej, madje kur rri e mendoj ne disa momente qetesie kur jam vetem, them si do te perballem me tifozet nese ndodh ajo qe askush nuk e pret, por pastaj e heq mendjen dhe them‘kam lindur vetem per te fituar.

Edhe pse keni ende shumë rrugë përpara...si çdo sport tjetër dhe boksi ka një "datë skadence". A keni menduar se ku do të ofroni kontributin tuaj më pas, të supozojmë në shërbim të gjeneratës së re te boksierëve?

Sigurisht qe edhe une e kam menduar ate ‚date skadence‘ dhe them se jeta ime edhe pas perfundimit te boksimit, do te jete e lidhur me sportin e boksit dhe pikerisht me realizimin e nje ekipi boksi amator e profesionist ne Shqiperi.

Duke e parë nga këndvështrimi profesional, a mendoni se sporti i boksit vlerësohet aq sa duhet, duke pasur parasysh vetë faktin, që kopertinat e gazetave/revistave të ndryshme i pushtojnë futbollistët dhe më pak boksierët ose peshëngritësit. Nuk e them vetëm për çështje reklamimi, por duhet të pranojmë se media e shkruar, përben një burim të rëndësishem në informimin e publikut të gjerë. Keshtu që pikerisht aty "lindin" idhujt dhe interesimi i shoqerisë përballë sportit në përgjithësi dhe jo vetëm...?

Ky eshte realitet, edhe pse une nuk mund te ankohem pasi ne shume raste kame qene pjese e ketij reklamimi. Per mendimin tim kjo ndodh ngaqe futbolli eshte sport me popullor dhe me i ndjekur ne Shqiperi dhe futbollistet dalin me shpesh ne publik, dhe eshte fakt qe boksi ne shqiperi po reklamohet vetem nje here ne vit dhe kjo ben qe gjerat te jene me ne heshtje.

Z. Qato, pothuajse në të gjitha ndeshjet tuaja, ju kemi parë të shoqëruar nga bashkëshortja juaj. Sa ndikon mbështetja e familjarëve në psikologjinë e një boksieri?

Mbeshtetja e familiareve ndikon me shume nga c’mund te mendohet, pasi ajo mbeshtetje nuk eshte vetem ne momentin qe nje boksier ngjitet ne ring, por fillon qe ne momentet e para te seancave stervitore, ne kthimin ne nje ambient te ngrohte ne shtepi, ne pregatitjen me kujdes te dietave, ne menyren e dialogimit dhe pershtatjen e mungesave ne familje, kur jam i detyruar te shkoj ne kamp stervitor. Te gjitha keto bashkohen dhe kordinohen bashke me aq kujdes, saqe kur vjen momenti te ngjitem ne ring anen psikologjike e kam shume te forte pasi ne fund te fundit, po bej dicka te mire edhe per familjen time.

Ju keni një djalë, nuk e di nëse ka trashëguar talentin tuaj, gjithësesi do të kishit dëshirë që kur të rritej të merrej me boks, apo e konsideroni si një vendim personal dhe nuk do të ndërhynit në vendimin e tij?

Ne pergjithesi kur ma drejtojne kete pyetje, preferoj te them qe eshte nje vendim personal dhe nuk do te ishte mire qe te nderhyja, por thelle brenda meje kame shume deshire qe ai te ndjeke hapat e mi, por nuk e di se si mund ta perballoje nena e tij nje gje te tille....‘Dy boksiere ne nje shtepi‘ pak e veshtire.

Pra me mire te vendosi vete.

Ambicia e cdo sportisti është arritja e suksesit maksimal. Sipas mendimit tuaj, që ta realizoj dikush këtë, përvec talentit c'gjë tjetër nevojitet?

Talenti dhe ambicia jane te lidhura ngushte dhe shume te rendesishme ne karieren e nje sportisti, por nuk mund te lihet mbrapa per nga rendesia edhe shtysa dhe perkrahja e tifozeve, njerezve te dashur, miqve dhe familjareve. Gjithashtu gjetja e trainereve te duhur dhe manaxhereve te duhur, eshte nje pike shume e rendesishme.

I përkisni kategorisë së boksierëve, te cilët përkufizohen brenda sportit që i përkasin, apo interesoheni te informoheni, pse jo dhe të adhuroni kampiona të sporteve të tjera?

Fatkeqesisht i perkas kategorise se boksiereve qe u intereson vetem sporti i boksit, me pelqen qe te ndjek edhe sporte te tjera gjate kohes se lire, por jo qe te fiksohem pas tyre ose pas emrave konkret. Kur kam qene ne shkolle me pelqente te luaja basketboll, por jo qe te ishte ne preferencat e mia si boksi.

Të arrini  të jeni kaq i suksesshëm, përkrahë talentit mendoj se keni patur dhe mbështetjen e disa njerëzve të dashur të cilët jo vetëm ju kanë ndihmuar, por dhe ju kanë stimuluar që të bëni një hap më tej, dhe në këtë pikë nuk i referohem vetëm familjes, por dhe atyre jashtë saj të cilëve ndoshta u  jeni mirenjohes, mund të na përmëndni ndonjë emër?

Mirenjohes u jame te gjithe tifozeve te mi si ne Angli, ashtu edhe ne Shqiperi dhe sigurisht qe eshte nje emer i vecante te cilin nuk mundem qe ta le pa permendur dhe falenderuar, ky eshte Z.Ylli Ndroqi, njeriu i cili realizoi endrrat e mia ne lidhje me boksin. Pa ndihmesen dhe sponsorizimin e tij, arritjet e mia nuk do te ishin te mundura dhe ne kete nivel te larte.

Cilat janë ndryshimet bazë midis boksit profesionist dhe atij amator?

1. Regjimi

2. Stervitia

3. Pershtatja

Per mendimin tim, qe te treja keto jane elementet baze qe bejne ndryshimin midis boksit amator dhe atij profesionist. Regjimi – ne boksin profesionist regjimi eshte themelor dhe c’do abuzim i tij con drejt deshtimit, nderkohe qe ne boksin amator eshte me i lehte konceptimi i fjales regjim. Stervitja- ne boksin profesionist stervitja eshte me intensive pasi gjat te gjithe kohes synon te stervitesh dhe pregatitesh per me shume se 6-raunde, nderkohe qe ne ate amator stervitesh vetem per te perballuar 4-raunde. Pershtatja- nje fjale e vetme qe ka shume nenkuptime ne vetvete, nje nder me kryesoret eshte pershtatja nga boksi amator ne ate profesionist pa kokore, me shume raunde, raundi nga 2-min ne 3-min, si dhe pershtatja me provokimet e kundershtarit pasi ne boksin profesionist ato jane me te pa kontrolluara se ne ate amator.

Dua të më thoni realisht, kur filluat të merreshit me boksin mendonit se do të arrinit deri këtu, pavarësisht se sic thone "shpresa vdes gjithmonë e fundit", thellë në vetvete me shumë e shpresonit, apo e besonit këtë ndjenjen e suksesit të arritur?

Kur fillova te merresha me boks enderroja shume pasi sic ju kam thene edhe me lart, heronjte neper filma ishin idhujt e mi dhe mundohesha t'i imitoja, me kalimin e moshes dhe pasi dola disa here ne ring si amator enderroja te behesha boksier profesionist, e pasi u bera i tille enderroja te merja vetem nje rrip-kampioni e pasi e mora edhe rripin e pare, shpresoja qe te beja nje ndeshje per kampion nje federate boterore, kurse tani shpresoj dhe e dua me patjeter te ndeshem ne federaten me prestigjoze WBC.

Ndodh që në rrugën e gjate të jetës për të fituar diku, flijojme dicka tjetër. Në rastin tuaj ekziston kjo gjë?

Jo nuk ekziston, me te vertete qe jo, te pakten une ndihem pak a shume i realizuar dhe nuk besoj se kam flijuar dicka tjeter, per te fituar kete qe une jam sot.

Planet e ardhshme të Kreshnikut në lidhje me boksin janë...?

Mbrojtja e titullit WBF e me pas... viti i ri me ide te reja.

Kur Kreshniku ka dëshirë të përgjigjet shkurt

Sporti? (Përvec Boksit)

Basketbolli

Aktori?

Sylvester Stallone

Politikani?

Ilir Meta

Keni frikë nga…

Nga asgje

Pika e fortë?

Kembengulja

Pika e dobët?

Keqardhja

Stina?

Pranvera

Pija?

Stardon - Energy drink

Ushqimi?

Bifteku

E urreni apo nuk e pëlqeni të keqen?

Nuk e pelqej

Gjëndja shpirtërore?

E plotesuar

Figura më e shquar shqiptare gjatë të gjitha kohrave?

Skenderbeu

Ju falenderojmë për këtë intervistë kaq domethënëse që dhatë për ne, si dhe lexuesin e Zemrës Shqiptare, duke ju uruar suksese te mëtejshme në rrugën e boksit dhe që emri juaj dhe flamuri ynë të vazhdojnë triumfin.

Vizitoni: www.qato.co.uk


© www.zemrashqiptare.net

(Vota: 12 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: