Ali Kastrati, 65 herë kampion kombëtar
| E Merkure, 01.10.2008, 11:58 AM |

Ali Kastrati
Qindra kampionë dhe rekordmenë në boks, mundje dhe peshëngritje ishin dora e tij

Nga Agron SEJAMINI

Ditën e shtatë të lindjes së tij, familja nisi udhën drejt Izmirit të Turqisë. Nuk mundi të mbajë mend Preshevën por krenaria e vendlindjes nuk ju nda për asnjë moment. Për fat Stambolli, aty ku mbaroi shkollën, kishte shumë shqiptarë. Kuptohet më shumë se sa gjuhën amëtare zotëronte turqishten. Qysh në klasën e parë ra në sy për thyerrjet disiplinore... Gjithmonë për të njëjtën arsye... Grindje dhe përleshje jo vetëm me shokët e klasës por edhe me ata më të rriturit. "Turk" ishte por dashurinë e kishte hedhur në shqiptarë. Nuk duronte dot shprehjen "Pis arnaut!". Mjerë kush e nxirrte nga goja atë sharje. Për dënim, me orë të tëra rrinte me një këmbë, në fund të klasës...Trupi i tij shumë i rregullt, me atë fizik të fortë e bënte që të dallohej në shkollë... Por autoriteti i tij u bë edhe më sundues sepse ai ishte nxënës shumë i mirë me mësime...Për mësuesen turke Neridan ai ishte nxënësi më i dashur dhe më i sjellshëm. Asnjëherë nuk bëhej shkak për prishje të rregullores në shkollë. Por kur dëgjonte atë ofendim harronte disiplinën, mësuesen, qëndrimin me një këmbë... Një fëmijë i lëvizshëm dhe i shkathët që dallonte nga bashkëmoshatarët. Nuk rrinte në qytet ditët e fundjavës, por shkonte kodrave dhe vendeve turistike. Jo më pak i dashur për të, ishte bërë deti që për fat e kishte afër. Porti i Stambollit, vaporët dhe anijet e shumta, ja ngacmuan së tepërmi dëshirën për të kaluar kohën e lirë. Ra në sy të peshkatarëve dhe marinarëve ai "peshkaqen" i vogël që më mirë ecte në det se në tokë. Një herë dy dhe dikush filloi edhe ta shfrytëzojë... Aq me vlerë ishte kjo punë sa ai filloi edhe të shpërblehej... Gjatë shkarkimit të mallrave qëllonte që të binin pa dashje arka në ujë... Hidheshin çengelat por duhej gjithë ajo kohë deri sa të mbërtheheshin nga ato nofulla metalike... Pa i thënë kush por me intuitën e një fëmije çapkën, në të dhjetat e sekondës fluturonte Aliu drejt objektit për shpëtim... Cili prindër nuk do lumturohej dhe gëzohej për atë fëmijë të mbarë?! Paradite u tregonte notat shumë të mira që kishte marë në mësime ndërsa pasdite u tregonte kartmonedhat që kishte fituar në port... Ndërkohë tek ky fëmijë ishte kultivuar ndjesia e të marrurit me sport. Ai vraponte, notonte dhe kur ishte rasti edhe boksonte...

Dhe prapë vjen një datë që tashmë shënohet në kujtesën e kësaj fëmije. 14 shkurt 1936 familja Kastrati shpërngulet nga Stambolli dhe udhëton drejt Shqipërisë. Dëshira për të qënë sa më afër vendlindjes dhe dhëmbshuria për atdheun amë detyron të rriturit e kësaj familje të lënë normalitetin dhe prekin të pabesueshmen. As në Sarandë nuk u afrua dot vapori me të cilën erdhën nga Stambolli. Hipën në tre barka dhe zbritën në portin e Sarandës. I vetmi ndriçim në atë errësirë pus ishte një kandil... Të nesërmen me kamionë erdhën të raskapitur dhe të tronditur në Tiranën që kishte 8 mijë banorë. Shyqyr që kishin parë fillimisht Sarandën....I vetmi prej tyre që gëzonte ishte Aliu. Ato kodra dhe male që aq shumë i dëshironte në Turqi këtu ndjeu se i kishte me shumicë... Shëtitjet dhe vrapimet në natyrë, ishin nga dëshirat më të mëdha në jetë. Por shansi nuk e ndihmoi shumë të realizonte këto ëndërra të moshës. Për më tepër kur edhe hallet dhe nevojat e familjes ishin jo të pakta. Një ish major i Zogut, duke parë që kjo familje e porsaardhur kishte shumë djemë i ofroi me qira një bar-kafe. Tashmë të gjithë të punësuarit këtu ishin të familjes Kastrati. Tashmë vlente më shumë se asnjëherë zotësia dhe shkathësia e Aliut. Përfundimisht Aliu fiton besimin e Ismet Farit për të qenë asistent i tij. Por interesi më i madh i mjekut dentist ishte që të mësonte turqishten nga ai djalosh. Aliu i mësoi turqishten ndërsa ai i dha disa punë nga zanati. Një pjesë e pacientëve, kur vinin për të hequr dhëmbë, i bënin shënjë Aliut... Kishte dorë të lehtë dhe nuk e ndjenin fare... Fakti që i kishte dalë nami i mirë tregonte se edhe ky profesion po i hynte në qejf...

Ky përkushtim dhe pasion për sa kohë ishte aty sepse sapo dilte nga ajo derë, frymën e mbante te Shallvaret... Harronte bukën, lekët gjithçka kur ndodhej në atë mjedis magjik. Edhe dy rojet e këtij kompleksi sportiv nuk e duronin dot me ato lutjet e besdishme dhe të përditshme për tu "futur pak brenda...". Por edhe këtë pengesë diti ta kalojë Aliu. Filloi miqësinë me mësuesin e fiskulturës së gjimnazit, Gaqo Goga. Një personalitet i shquar ky i kohës për kulturën sportive. Kishte mbaruar Akademinë e përgatitjes fizike në Gjermani. Filloi t'i rrinte afër e më afër pa kursyer as veten, as lodhjen... E ndihmonte në vijëzimin e fushave, në vendosjen e kaluçëve, të thasëve të boksit, rrjetave të volejbollit... Edhe pastrimin e palestrës e bënte me shumë dëshirë dhe qejf, mjafton që të kishte të sigurtë buzëqeshjen dhe përkrahjen e profesor Gaqos. Brenda një kohe të shkurtër Aliu fitoi më shumë se sa mendonte. Gaqoja i dha çelësin e palestrës por edhe të portës së jashtme duke fituar pavarësinë edhe ndaj dy rojeve. Nuk deshte më shumë për atë kohë ai djalosh. Ushtrohej në boks, në veglat gjimnastikore, vraponte... Me kalimin e ditëve, në palestër ftoi edhe shokët e vet më të ngushtë... Pjetër dhe Nikolin Kolën, Adem Stërmasin, Dum Murthin, Emrush Arapin, Hilmi Rekën, Vlash Curin... Edhe këta të rinj të dhënë me shpirt pas sportit. Jo vetëm pse kishte çelësat e palestrës por sepse e meritonte, Aliu u vu në krye të ekipit të porsangritur. Në vitet e mëvonëshme, emrat e tyre do të skaliteshin si figura të shquara të sportit shqiptar....

Me shumicën prej tyre ishte më shumë se sa shok dhe trainer. Nuk i ndante kurrë ndjesitë njerëzore nga ato për sportin. Në radhë të parë njeriu duhej të ishte fisnik, i ndershëm dhe i qetë shpirtërisht. Kështu ai do ta kishte edhe më lehtë për tu bërë edhe sportist i shquar. Lidhjet miqësore nuk ishin vetëm në ambjentet sportive por edhe në gjirin familjar. I ishte besuar Aliut misioni që të përzgjidhte talentet në të gjitha garnizonet e ushtrisë. Por ai thellë karakterit dhe personalitetit të tij ndjente edhe detyrimin e madh që kishte për ata individ. Nuk kishte se si t'u kërkonte rezultatet e larta, kur më parë nuk i kishte plotësuar nevojat dhe kushtet e domosdoshme të jetës. Ndaj dhe e ka patur të lehtë të vendosë ato rekorde të larta me ekipet e tij sepse para se të ishte trainer, sportisti e ka ndjerë edhe si prind, shok e vëlla. Nuk i sillte në Tiranë duke ju bërë karshillëk për shansin që u krijoi por para se t'i motivonte për rezultatet sportive duhej të zgjidhte problemet e tyre jetike. Dhe ka shumë shembuj që dëshmojnë më shumë se sa fjalët për këtë virtyt të Ali Kastratit. Mjeshtrave të shquar të sportit Hysen Shara, Ramiz Reka, Prokop Beqari, Nazmi Dauti u ka siguruar fillimisht ndjekjen e studimeve në Institutin e Fizkulturës pastaj u ka kërkuar fitoret në ring. Disa prej tyre u ka siguruar edhe punësimin dhe mundësinë për tu kualifikuar profesionalisht. Shoqëria sportive në të shumtën e rasteve ka vazhduar në miqësi familjare sepse i tillë ka qënë Ali Kastrati që e ka merituar këtë mirënjohje dhe respekt. Kujtojmë se në garnizonin e Korçës mes të përzgjedhurve për të ushtruar sportin ishte edhe Abas Balia. Me atë fizikun e fuqishëm, pasionin dhe sedrën e madhe arriti që të shpallet disa herë kampion në mundje. Kur u largua ju lut profesor Aliut që mundësisht të afronte edhe vëllanë e tij më të vogël, pranë klubit "Partizani". Mbase jo për ta bërë sportist por për ta patur nën kujdes dhe kontroll ngaqë e kishte shumë merak... Por për mjeshtrin Ali Kastrati, një porosi e dhënë nga një sportist i nderuar, ishte baras me një amanet. Jo vetëm e afroi por e bëri edhe sportist me emër. Madje më të dëgjuar dhe më rezultativ se i vëllai. Islam Balia, mundësi dhe peshëngritësi kampion i viteve 1958-1960, me rezultatet e larta arriti të bëhej Mjeshtër i Merituar i Sportit. Falë pasionit por pa harruar edhe ndihmën e trainerit të tij, të madhit Ali Kastrati. Ja dhe pse shkëlqen aq shumë emri i tij në historinë e artë të sportit shqiptar!

Shkëlqimi dhe fama në sport mund ta kenë shpëtuar nga burgu legjendën e boksit shqiptar por jo nga diskretitimi. Dy herë i është hequr tesera e Partisë për "faje të rënda" dhe gabime të pafalshme ideologjike qw nw atw kohw mund tw tw rrezikonin kokwn. Ndërsa kthehej nga Turqia me ekipin e futbollit të "Partizanit" i cili kishte luajtur takimin e radhës për Kupën e Kupave, 50 km afër Sofjes ndodh një aksident i rëndë automobilistik. Me të parw aksidentin tragjik, Aliu hap derën dhe vrapon për në vendin e ngjarjes. Në cep të rrugës shikon një grua që ulërin duke shkulur flokët. Falë bullgarishtes që e zotëronte mëson se në kanal, poshtë makinës ndodhej bashkëshorti i vet... Urdhëron shoferin e autobuzit të ekipit që të afrohet dhe t'i ndriçojë vendin, kur kishte harruar gabimin që kishte bërë ndërsa kishte zbritur pa urdhër... Arrin që të nxjerrë njeriun e aksidentuar fytyra e të cilit nuk dallohej nga gjaku. I heq me kujdes copat e xhamave, ia dizifekton fytyrën dhe duke e shoqëruar për krahu ia çon bashkëshortes duke e qetësuar... Të nesërmen gazetat bullgare në faqen e parë njoftonin për aksidentin dhe falenderonin që ndihmën e parë ia kishte dhënë një mjek shqiptar. I emocionuar nga kjo dhe kënaqësia që ishte shprehur mirënjohje edhe në shtypin e ditës, ble edhe Aliu një gazetë për ta patur si kujtim. Me tu kthyer në Atdhe, para tij nën derë i kishte shkuar njoftimi që të paraqitej urgjentisht në Komitetin e partisë të Rajonit. Iu komunikua vendimi i heqjes së teserës së Partisë si anëtar i padenjë. Ndihma e dhënë qytetarit të atij vendi revizionist ishte shkelje e rëndë disiplinore dhe tradhëti ndaj shtetit tonë socialist...

DATELINDJA: 20 Gusht 1922

VENDLINDJA: Preshevë

TITUJT SPORTIVE: Mjeshtër i Sporti, Trajner i Merituar (Kombëtar)

AKTIVIZIMI: Sportist e trajner, Klubi sportiv "Partizani"

SUKSESE SPORTIVE: 15 herë kampion kombëtar në boks, 16 herë në mundje dhe 15 herë në peshëngritje si trajner.

Fitues i të gjitha kupave të Republikës në mundje (1951-1966), në boks (1951-1963) dhe në peshëngritje (1949-1966), si trajner me Partizanin. Fitues i 3 medaljeve të arta si trajner në Spartakiadën e parë Kombëtare me Partizanin në të 3 sportet.

- Trajner i ekipeve kombëtare në boks, mundje e peshëngritje (1958,1960 dhe 1963).

- Mban 65 medalje të kampionit kombëtar.

- Ka zhvilluar 20 takime ndërkombëtare dhe rreth 300 ndeshje si boksier.

- Eshtë zgjedhur midis 12 sportistëve më të mëdhenj shqiptarë për të gjitha kohët (1998).

- Eshtë nderuar me medalionin "Nderi i Sportit Shqiptar"

- GJUHË TË HUAJA: bullgarisht, turqisht, serbokroatisht, italisht.

Ndeshjet e boksit me ish kampionin e Italisë Mario Deniska (1943), me kampionin e Gjermanisë Hufs Jan (1944), ndaj kampionit absolut të vendit Rafail Dishnica, në Tiranë (1947), i dhanë zemër dhe e bënë me fletë, duke i rritur besimin dhe duke e nxitur e frymëzuar për suksese e mjeshtëri më të lartë. Paskësaj kanë ardhur fitore të reja me boksierë të njohur, siç kanë qënë ato me boksierin Kristof në Bullgari (1947), në Poloni me Kolshmskm (1949), në Çekosllovaki me Tjurmen (1949), në Hungari me 2 boksierë të shquar vendas (1949). Kësisoj Aliu ka arritur të përfaqesojë Shqipërinë 20 herë në vende të ndryshme të Europës duke fituar 18 ndeshje. Në veprimtaritë kombëtare shifra e ndeshjeve të zhvilluara është rreth 300, kurse e titujve të kampionit kombëtar - 4 (1947, 1948,1949,1951).

Kanë thënë për Mjeshtrin e Merituar Ali Kastrati

Ai nuk ka moshë, ai ka preferuar ta sfidojë atë datë të lindjes në letrën e njoftimit, që duhej me kohë ta kish urdhëruar të rrinte ulur, i qetë, në një divan e të kujtonte me nostalgji rininë e tij.

MIKEL JANKU

Mjeshter i Merituar i Sportit

Mjafton të shihja Ali Kastratin dhe unë do ta kuptoja menjëherë mendimin e tij, dëshirën e tij për të deshifruar sa më parë këtë sekret, aftësinë që kishte të mos jepej përpara vështirësive. Ai ishte një pedagog dhe një psikolog.

NEPTUN BAJKO

Mjeshtër Sporti

Qindra kampionë dhe rekordmenë ishin dora e Ali Kastratit ndaj dhe mund të quhet Shkolla Sportive e Sporteve të Rënda "Ali Kastrati".

PETRIT MURZAKU

Mjeshtër i Merituar i Sportit

"Baba Aliu" s'është vetëm figurë poliedrike, por edhe figurë poliglote. Ai flet mirë italisht, turqisht, serbokroatisht dhe bullgarisht.

DR. QEMAL SHALSI

Nderi i Sportit Shqiptar

"Ali" do të buçiste fort nga gjokset tiranase, për të jehuar larg, shumë larg, që të mësohej se shqiptari i fuqishëm me emrin e shkurtër "Ali" kishte mposhtur në ring gjermanin...

AHMET GOLEMI

Mjeshtër i Merituar

Shembuj të tillë në jetë takon rrallë. Sa shumë mund të flitet për këtë figurë. Kam punuar shumë kohe me Aliun dhe gjithmonë kam mësuar. Njeri që s'ka pasaportë: Gjithmonë i ri, gjithmonë me sportin, gjithmonë pranë njerëzve. Do ta quaja të pazevendesueshëm "Baba Aliun".

BEJKUSH BIRÇE

Trajner Kombëtar

Klinika 67 vjeçare "Ali Kastrati"

87 vjeç është Ali Kastrati. "127 do jetoj"-pohon gjithë siguri mjeshtri duke të hequr dyshimin, se mos ka gabuar por edhe duke të shuar kurreshtjen se sa larg, mund të shkoj ky njeri. Kushdo, po të dojë le të vërë bast për 127-ën. Unë jo! Jo sepse e ndoqa në një seancë stërvitore. Energjik, rezistent, i pa lodhur... Aq sa të vinte turp të qëndroje para tij. Dhe më e çuditshmja se të gjitha ushtrimet i realizoi me një llastik komerdareje biçiklete të prerë rrumbullak. E pyetëm me ndrojtje pse stërvitej me atë send të thjeshtë ngaqë për një çast menduam se do ishte punë çmimi. Por, komoditeti i lartë i klinikës së tij të detyron të pyesësh për të vërtetën.

- Po të blesh atë kompletin që thoni ju, kushton 1800 euro dhe mund të kryesh 22 ushtrime. Ndërsa unë po të fal këtë llastik komardareje që të kryesh mbi 400 ushtrime- të thotë duke qeshur, fizoterapisti i shquar, Ali Kastrati. Dhe të rendit të mirat që të ndjekin nga pas... Normalizon, stabilizon funksionimin e zemrës; eleminon dhjamrat që ka trupi në gjithë pjesët e muskujve; kuron dhe ndihmon funksionimin e të gjitha organeve të brendshme, shton oreksin, siguron gjumë të rregullt dhe të qetë, përgatit të gjitha artikulacionet e trupit dhe forcon ligamentet, ruan në ngarkesë të plotë gjithë muskulaturën e trupit... Ose thënë ndryshe të rrosh sa dhe si Ali Kastrati!

Pranë maternitetit "Mbretëresha Geraldinë", në katin e pestë të një ndërtese 12 katëshe ndodhet klinika "Ali Kastrati". Më mirë do ishte t'i thoshe vend i shenjtë se sa klinikë. Sepse këtu nuk jepen receta. Madje ndërpret dhe këshillon që të mos përdorësh ilaçe. Skaner këtu janë duart e të madhit Ali Kastrati. 67 vjet pa u shkëputur asnjë ditë nga misioni i fizioterapistit, nuk janë pak. Ndaj këtu gjithçka ka garanci të plotë dhe nuk është e natyrës eksperimentale. Mjafton ky stazh i gjatë dhe ky emër legjendë dhe gjithçka kthehet në shpresë dhe besim. Ja pse nuk është vrarë mëndja për reklama të fuqishme ndriçuese apo televizive... Vetë rezultatet e shkëlqyera të marrin "për dore" dhe të sjellin në këtë klinikë...

Rastësisht ia hapi muhabetin në autobus bashkëshorti i Ages, qytetarit që kishte në sedilen pranë. Dhe ai pa u menduar e këshilloi të shkonte te klinika "Ali Kastrati". Me të pyetur mbërriti aty ku duhej. Kishte tre muaj, 45 vjeçarja Age, që nuk lëvizte nga shtrati prej spondeliatrozës. Aq sa kishte lënë edhe ushqimin që të mos bezdiste pjesëtarët e familjes. Iku Mjeshtri me stafin e klinikës dhe i filluan terapinë e tyre: masazhet dhe ushtrimet e duhura. Pas 12 ditësh Agia u çua në këmbë. Veç falenderimeve dhe mirënjohjeve të pa fund ajo familje e lumturuar ju bëri edhe një "vërejtje": Bëni një reklamë të paktën për të treguar adresën se ku ndodhet kjo klinikë aq e dëshiruar dhe e kërkuar nga qytetarët...

Kjo është "e keqja" më e madhe e kësaj klinike. Se për nivelin dhe rezultatet e shërbimit nuk ka nevojë për reklamë. Puna e Ali Kastratit ose do ngjalli habi te kolegët ose do gjejë emrin e tij pa pyetur pacientin. Kështu ndodhi edhe me Marianën, një e moshuar 70 vjeçare. Aksidentalisht rrëzohet dhe thyhen parakrahun në dy vende. Për fat të afërmit që dinin se ku ndodhej klinika e Aliut, e sjellin urgjentisht. Kjo bëri të mundur që ai të realizojë në kohë reabilitimin nëpërmjet kartonëve të fortë. Shto edhe shërbimet e tjera të nevojshme dhe pacientja në krye të muajit, u përmirësua tërësisht. E ndërsa iku të bënte grafinë, mjeku ndërsa shikonte që dy vendet e thyerrjes ishin ngjitur aq ekzaktësisht, shprehu habinë se ku kishte ikur për mjekim...

Mbresat dhe konsideratat e pacientëve për këtë klinikë janë të shumta. Ajo që i bashkon është rezultati. Nuk mbahet mënd kush, që të ketë hyrë me shqetësime dhe të mos ketë dalë i shëndetshëm. Madje jo pak prej tyre, dëshmojnë se këtë terapi kaq të suksesshme, nuk e kanë hasur as në Perëndim. Mes tyre është edhe Sherifja, zonja 55 vjeçare që ende nuk e beson shërimin e saj. Mezi u ishte bindur këmbënguljeve të të afërmëve të saj, për të ardhur në këtë klinikë. As vetë nuk e besonte, se atë që nuk gjeti në një nga klinikat më të specializuara të Londrës, ta gjente këtu. Gjithsesi, një ditë sëbashku me vajzën Mirën ju "dorëzuan" mjeshtrit Kastrati. Këshillave dhe përkujdesjeve fillimisht u besoi e bija, e cila kishte kohë që e shqetësonte spondeliartroza. Pas një jave që ajo ndjeu përmirësime të dukshme, bindi edhe të ëmën se duhet të shpresonte për ndonjë mrekulli. Me qafore dhe me bastun erdhi Sherifja nga operimi që kishte bërë në Angli... Pas 12 ditësh ajo i flaku, për të mos i parë kurrë me sy, të dyja "peshqeshet" e asaj sëmundje të bezdisshme dhe të tejzgjatur...

Mes fotografive të shumta në arkivin e Ali Kastratit na tërhoqi vëmëndjen edhe një përqafim i notarit të famshëm italian Paolo Pinto, i cili ka kaluar me not kanalin e Otrantos, Liqenin e Ohrit etj. Atë ditë që Pinto kishte mbërritur në Vlorë me aq bujë dhe kërshëri, krejt papritur pasdite në rezidencën e tij ku pushonte ishte rrëzuar dhe theu dy brinjë. Jo thjesht darka e madhe që po përgatitej do dështonte pa pjesëmarrjen e tij, por vetë pasojat e kësaj traume ngjallën panik në stafin e tij mjekësor personal të përbërë nga disa mjekë. Menjëherë, mëndja shkoi te mrekullia shqiptare, me emrin Ali Kastrati. Të gjitha kamerat televizive të kanaleve më prestigjioze italiane, fillo nga RAI UNO, në fokus vunë fizoterapistin shqiptar. Ashtu thjeshtë, pa bujë, me saktësi dhe shpejtësi vendosi situatën nën kontroll duke rringjallur qetësinë dhe entusiazmin te të gjithë të interesuarit. Dy çarçafë grisi për të sajuar ato lidhëse të forta, që do i mbanin të ngjitur pas trupit ilaçin popullor:qepë dhe kripë. Pas pak orësh, notarit famoz ju kthye buzëqeshja ngaqë ju bë e mundur largimi i dhimbjeve. I fashuar dhe i dërmuar nga ai rrëzim prej karriges së vendosur mbi tavolinë, Pinto asistoi në atë darkë madhështore duke patur oreksin dhe humorin e tij karakteristik. I pa parashikuar në protokoll, në krahun e djathtë të tij, qëndronte miku i tij më i ri dhe më i shtrenjtë Ali Kastrati. Të nesërmen jashtë çdo imagjinate, Aliu e detyroi që të hidheshin të dy për notim në det. Askush nuk do e besonte e jo më ta pranonte këtë "marëzi" nga grupi i tij i shoqërimit. Mirëpo ishte vetë notari i famshëm që u la të kuptonin, se tashmë ata vlenin më pak se sa ky shqiptar i magjishëm. Para se të përballeshin me dallgët, Aliu i vuri kushtin që nuk do notonte me pash por me not qeni... I prirë nga Aliu, Pinto "harroi" brinjët e thyera... Edhe pse nga toka dëgjonin thirrjet: "Kthehuni! Kthehuni!" ata minutë pas minute, zvogëloheshin gjithnjë e më shumë në sytë e stafit shoqërues. E mbajta më shumë se ç'duhej,- kujton tani mjeshtri, - pasi më kishte dalë fjale... Natën nuk i kishte vënë kompresat që e porosita. Për vite me radhë i shkrunate dhe i përcillte mirënjohje notari i shquar, përmes korrespondencave të rregullta. Madje edhe e ftoi për vizitë në Itali. Por, as vetë Aliu nuk do dëshironte që të përjashtohej për herë të tretë nga Partia... Ishin vitet '80.

Ndaj nuk merakoset kush të vendosë një reklamë ndriçuese apo të bëjë një reklamë televizive për këtë qendër fizioterapie me garanci suksesi njëqind për qind. Mjafton shqiptimi: Klinika "Ali Kastrati"... "Reklamën" e saj qytetarët e Tiranës dhe të Shqipërisë kanë 67 vjet që e shikojnë dhe e ndjejnë...


RD

(Vota: 1)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: