Besnik Dizdari: 50 vjet të “epopesë” së Partizanit dhe “epika” e flamurtarit të tij Jani Lufi – gjeneral major i BRS
| E Hene, 29.09.2008, 04:12 PM |

Besnik Dizdari
50 vjet të “epopesë” së Partizanit dhe “epika” e flamurtarit të tij Jani Lufi – gjeneral major i BRS

Nga Besnik Dizdari

I.

Në përpjekjet vetjake për të luftuar harresat e mëdha të historisë sonë të njëqindvjetshit të fundit, e kisha paramenduar qysh para pak ditëve për të përkujtuar historinë e jashtëzakonshme të Partizanit të Shqipërisë 1958, ndryshe të 50 vjetëve më parë, si një nga ngjarjet sportive dhe futbollistike më të bujshme të Shqipërisë sportive, edhe pse modeste në arritjet e saj. Por ngjet që ngjarja e njohur të çon te një ngjarje e panjohur, ajo çka e di shumë mirë, papritmas të çon te ajo që ti nuk e di asesi, kujtesa apo arkivi yt në ecurinë e tyre po papritmas të çojnë te zbulimi i një të reje, ndonëse ajo aty ka qenë, e mbuluar me cipën e saj 50-vjeçare, e paprekur prej duarve që nuk duan të prekin e të shfletojnë.

Kështu pra, më ngjau që, ndërsa me mend po “shkruaja” për këte 50-vjetor të “epopesë” futbollistike të Partizanit të Shqipërisë 1958, papritmas në një librari të Tiranës u gjeta para një libri të një mbulese vezulluese prej prarimit që si një ar i vërtetë mbërrinte prej uniformës së një gjenerali. Aq më vezullues vinte kur kuptova se ishte fjala për një gjeneral të Ushtrisë Sovjetike, e cila sa me historinë e saj të lavdishme gjatë Luftës së Dytë Botërore, e po aq me traditën e saj impozante të paraqitjes së “frikshme”, e pse jo edhe pushtuese e agresive të Mbasluftës, për një çast mendova se titulli i librit “Partizani Shqiptar – Gjeneral i Ushtrisë Sovjetike”, nënkuptonte një libër nostalgjik të ndonjë ushtaraku veteran të Tiranës, kushtuar ndonjë prej ushtarakëve të lartë sovjetikë të Mbasluftës, të cilët morën pjesë jopak në ngritjen dhe modernizimin e Ushtrisë Popullore të Shqipërisë Komuniste, që dihet se qe sa ushtarake mirëfilli, po aq dhe ideologjike e partiake.

Hodha vështrimin te emri i autorit të librit: “Jani Kiço Lufi”! Befas ndjeva se diku ky emër ishte i njohur apo i dëgjuar prej meje. Dhe ndërsa në faqen 97 të tij, po befas, lexova se Jani Lufi kishte qenë një prej pjesëtarëve të delegacionit sportiv të Ushtrisë Shqiptare që mori pjesë në Spartakiadën e ashtuquajtur të Ushtrive Mike në Lajpcig më 1958, u binda edhe më fort. Flitej në veten e parë, e ndërkaq e mora me mend se ai qe vetë autori i librit. Mu Jani Lufi, emrin e të cilit e kisha në arkivin tim të të gjithë anëtarëve të delegacionit shqiptar, që më 1958 kishte qenë në Lajpcig. Jo më larg se një vit më parë për librin “Historia e Kampionateve të Shqipërisë 1955-59” kisha përimtuar gjithë delegacionin. Në ekipin e qitjes ishte i shënuar qartë edhe emri i Jani Lufit pa patur unë asnjë njohuri të veçantë për te!

Pa e zgjatur, sikur të kisha gjetë diçka tepër të çmueshme, bleva librin, tashmâ i bindur se kisha të bëja me librin autobiografik të vetë Jani Kiço Lufit: “Ot albanskovo partizana do sovjetskovo generala”, siç do ta shqiptonim ne që mësuam rusishten në shkollat shqiptare. Kisha “zbuluar” kësisoji mu njeriun, i cili në ceremoninë e çeljes së Spartakiadës së Ushtrive Mike të Lajpcigut 1958, ishte gjendur në krye të fillimit të parakalimit, duke qenë në mënyrën më të jashtëzakonshme i pari ai, i cili për shkak të alfabetit (Albania), i vetëm me flamurin shqiptar ndër duar, kishte kryesuar parakalimin e Lajpcigut për të gjithë shtetet pjesëmarrëse!

XXX

E përpiva librin e gjenaral majorit sovjetik Jani Kiço Lufi, në vetëm dy ditë. Një histori tronditëse prej të gjitha kaheve që ta marrësh, mu shpalos në mënyrën më mbresëlënëse dhe më të çuditshme njëkohësisht: Shqipëria i paska dhënë Ushtrisë së BRSS një gjeneral major! Në të vërtetë, Ushtria Sovjetike kishte ngritur në gradën e gjeneral majorit një oficer të shkolluar të Ushtrisë Shqiptare. Ky ishte gjeneral major Jani Lufi, i cili falë aftësive të tij të rralla ia kishte arritur të përshkohej në krejt rreptësinë e gradimit në ushtrinë ndër më të fuqishmet e botës, asaj të BRSS në këte ritmikë të pandalshme: “shef shtabi regjimenti me gradën major, komandant regjimenti me gradën nënkolonel, shef shtabi e komandant divizioni me gradën kolonel, e më pas gradohet gjeneral major me detyrën e shefit të shtabit të korpusit me qendër në Krasnodar”, siç po perifrazoj fjalë për fjalë ashtu siç e gjej të shkruar në mbasthënien e këtij librit të rrallë në gjininë e vet.

Ajo ishte një autobiografi e shkruar për lexuesin e tij rus prej gjeneral Jani Lufit, qitësit të klubit sportiv Partizani të Ushtrisë Popullore, kampionit dhe rekordmenit të Ushtrisë, shqiptare, kampionatet e qitjes të së cilës ishin baraz ose mbi kampionatet kombëtare të Shqipërisë. Kisha të bëja kështu me njeriun, i cili falë hapit të tij ushtarak, sportivitetit, shtatlartësisë së hijshme dhe elegante, seriozitetit dhe disiplinës së rrallë, qe përzgjedhur për të qenë flamurtari ceremonial i parakalimit madhështor të stadiumit njëqindmijësh të Lajpcigut.

Kujt mund të shkonte ndër mend atë ditë të 20 shtatorit 1958 se ky flamurtar “i panjohur” i cili hapte Spartakiadën e demostrimit të një aureole gjeopolitike të kohës, jo rastësisht në RDGJ, por të paramenduar për të sfiduar në një farë mënyre fare pranë vijës ndarëse ku ishte Gjermania tjetër, ajo e Republikës Federale e kampit të tjetër, atij kapitalist pra, mbas vetëm një dekade ai do të ishte një prej ushtarakëve të lartë dhe mbas pak gjeneral major i ushtrisë më gjigande të Evropës së Mbasluftës, asaj të BRSS?

Ai kishte lindur më 1931 në Sofratikë të Gjirokastrës prej një babai të pakicës greke, Kiço Lufi, dhe prej një nëne shqiptare të Qeparoit, Teodora Kopali, por që fati e desht që Jani Lufi të mbetej pa të jatin qysh në moshën shtatë vjeçare dhe mbas pak edhe pa të ëmën. Jetim 13 vjeçar, më 1944 ai rreshtohet si partizan i batalianit “Thanas Ziko”. Më 25 qershor 1945 është skënderbegas si të thuash i parë, në shkollën e mesme “Skënderbej”, për hir të së vërtetës një nga gjimnazet më të fortë të Mbasluftës në Shqipëri. Anëtar i PKSH më 1948, me hapjen e Shkollës së Bashkuar të Oficerave më 1950, Jani Lufi është midis 150 kadetëve të parë të saj. Komandant batalioni i kursantëve, më mbas komandant i truprojes së nderit të Republikës Popullore të Shqipërisë, atij do t’i takojë që në aeroportin e Tiranës të presë në paradë personazhe të tanë historikë, prej ministrave, gjeneralëve e herojve të famshëm Luftës së Dytë Botërore e deri te kryetarë qeverish; Pin De Huai, Velko Cervenkov, Anton Jugov, marshalli Zhukov, admiralët SG.Gorshgkov dhe V.A.Kasatanov… Dhe gjithka deri më 20 gusht 1959, kur kapiteni Jani Lufi me anijen “Bjelloostrov” lë portin e Durrësit për të studjuar në Akademinë e mirënjohur ushtarake “M.V.Frunze” në Moskë, pa menduar se po i largohej përgjithmonë Shqipërisë së tij për t’u bërë gjeneral major i Bashkimit Sovjetik.

Në këte çast nis karriera e rrallë sensacionale e kapitenit shqiptar Jani Lufi të cilit me vendimin Nr. 1048 të Këshillit të Ministrave të BRSS të 3 nëntorit 1983, do t’i jipej grada ushtarake Gjeneral Major i BRSS. Kishte qenë qitësi i Klubit Sportiv Partizani dhe flamurmbajtësi i tij në çeljen e Spartakiadës së Ushtrive Mike në Lajpcig më 1958!

Jani Lufi do të përshkohej kësisoji përmes një karriere thuajse dramatike të një ngjitje krejt spektakolare në Kaukazin Verior, duke u shndërruar nga partizani 13-vjeçar i Sofratikës, nga skënderbegasi dhe kadeti i Tiranës, nga kapiteni i Truprojes së Nderit të Republikës Popullore të Shqipërisë - kishte pritur në paradë, madje dhe shoqëruar në vizitat e tij në Shqipëri vetëm disa ditë para puçit të Hrushovit për shkarkimin e tij, mu komandantin legjendar të Luftës së Dytë Botërore, Mareshallin Zhukov - nga qitësi i Partizanit të Tiranës deri në gjeneral major i Bashkimit Sovjetik! “Edhe sot e kësaj dite krenohem për besimin e madh dhe nderin që m’u bë. Unë u bëra gjeneral i shtetit të madh”, shkruan ai në librin e tij.

Kjo është historia, së cilës askush nuk mund t’i lëvizë themelet siç ngjet ende në Shqipërinë tonë. Siç është “fshehur” deri më sot historia e gjeneral Lufit, për të cilin u hesht për e pakta 15 vjet mbas rënies së komunizmit, madje edhe në ardhjen e papritur të tij në Shqipëri vitet e fundit kur përsëri heshtja e plotë mbështolli këte ngjarje që më e pakta përbënte një lajm që nuk u dha.

XXX

Jani Lufi nuk ka një histori dashurie si shkak të moskthimit në Shqipëri më 1961 kur u bë kthimi i studentëve shqiptarë nga BRSS. Ai kishte vetëm një dëshirë: të studjonte dhe të mbaronte me dinjitet Akademinë “Frunze”, siç dhe e mbaroi. Nuk kthehet në Shqipëri si të gjithë të tjerë më 1961, sepse ndodhet në një senatoriam për kurim. Kur vjen në Moskë kupton gjithçka. Por Jani Lufi thotë: “Dëshiroj të vazhdoj studimet në Akademi”. Kaq. Tre vjet më mbas, më 26 qershor 1963, i sapodiplomuari Jani Lufi ftohet nga KQ i PK të BRSS dhe Këshilli i Ministrave në mbrëmbjen solemne të akademistëve në të famshmen sallë Gjeorgjevskaja në Kremlin në prani të Nikita Hrushovit. Atë natë nis dhe karriera e pandalshme e Jani Lufit, i sapo emëruar në qytetin Orxhonikidze (Vladikaukaz), kryeqytet i Osetisë së Veriut, për të mos u ndalur më falë një sekreti të vetëm, siç e shkruan me dorën e tij: “E mësova vehten të fle mbasmesnate, distancën tre kilometërshe nga shtëpia deri te shtabi, çdo ditë e bëja në këmbë. Fiks në orën 8.00 ulesha në karrige dhe e lija kabinetin në orën 9.00 të darkës. Kalitja fizike, ndjenja e lartë e përgjegjësisë në postin që më ishte besuar dhe entusiasmi në punë, ishin disa tipare për të kapërcyer çdo vështirësi”.

Çuditërisht shpresonte gjithnjë për rivendosjen e marrëdhënieve BRSS – Shqipëri. Në mbrendësi e ruajti shpresën deri më 1965, por natyrisht asgjë. Në këte vit ai vendos të krijojë familje dhe martohet me Julia Sergejevna Filaksenova, mjeke nga profesioni, bijë e një familje intelektuale ruse me të cilën ka dy djem Andrean dhe Kostandinin.

Dhe mandej pa ndalesë rradhazi në përkushtimin e profesonit të ushtarakut: komandant i Regjimentit 32 të motorizuar të Danubit të Divizionit 19, emër që vinte prej faktit se ky regjiment kishte kapërcyer Danubin dhe kishte çliruar Pragën; mandej komandant i Divizionit 197 të motorrizuar të Qarkut të Kaukazit Verior ku kishin komanduar Voroshollivi, Timoshenko, Konievi, Jeremenko, Plijevi - Heroj të Luftës së Dytë Botërore. Një Qark që ishte sa tri herë Shqipëria: 15 milion banorë! Nuk mjafton kjo shifër megjithate, për të kuptuar se çka ishte Divizioni 197 i motorizuar me komandant Jani Lufin.

Ishte ndër më të fuqishmit në botë, deri në atë shkallë sa tre regjimente të tillë të BRSS përbënin “një fuqi goditëse të aftë për të zhvilluar veprime mësymse vendimtare në thellësi… dhe se pasja në organikë e armës bërthamore dhe e mjeteve të transportimit të tyre në thellësinë 100 kilometra, më se 200 tanke, 120 njësi makinash luftarake dhe transportues të blinduar, 300 gryka zjarri artilerie të kalibrave të ndryshëm e bënin Divizionin e motorizuar një forcë të tmerrshme për një armik potencial”, siç shkruan gjeneral Lufi. E duke kaluar në diçka më njerëzore, i vë vulën shifra e prodhimit të 14 tonëve bukë në 24 orë për furnizimin e ushtarëve të Divizionit! Nuk ndal këtu. Më 1976 Jani Lufi arrin edhe më të lartën: Shef i Shtabit të Korpusit të 12-të Gjitharmësh të BRSS! Në Krasnodar. Jo korpus i Shqipërisë, por korpus i BRSS, një e gjashta e botës.

Duket se e militarizuam tejet këte shkrim që mëton të jetë një histori sportive, mirëpo, siç thashë në fillim, ndodh që “një ngjarje e njohur të çon te një e panjohur”, së cilës nuk mund të mos i dorëzohet një gazetar profesionist. Aq më tepër një gazetar si i nënshkruemi, i cili në 3 vjet e 17 ditë (1965-68) ka qenë i veshur me rrobën e ushtarit, madje për dy vjet në rolin e komandantit të togës. Për çudi gazetaria sportive në Shqipëria e ka jo aq të largët rrobën e ushtarakut. Përveç të sipërthënit, Ismet Bellova ka qenë pedagog në Shkollën “Skënderbej”, mu në vitet e togerit apo kapitenit Jani Lufi; Veli Rada ka mbaruar përveç të tjerave, edhe Shkollën “Skënderbej” edhe atë të Bashkuar të Oficerave; Ahmet Shqarri ka mbaruar Shkollën “Skënderbej”, e në gjithë këte klasifikim militar, autori i këtj shkrimi mbetet në vendin e katërt sepse në detyrën e komandantit të togës ka qenë vetëm një autodidakt!

Dhe i kthehem librit. Vlerave të tij letrare tregimtare të një stili të këndshëm, të një narracioni historik e të një dendësie e mori faktesh. Në çdo faqe gjen heroj të Luftës së Dytë Botërore, gjeneralë e marshallë zâmëdhej të fronteve flakërues të Luftës, ministra e shefa shtabesh të Traktatit të Varshavës, strategë e luftëtarë të Luftës po dhe pushtues të pamshirshëm të Mbasluftës, të cilët sillen tash e parë aty pranë në të njëjtin mjedis të gjeneral Lufit. Jeta dhe veprimtaria e të cilit, shpesh të duket se është një sfond, përderisa ai me mjeshtri ia ka rritur që të të japë në 340 faqe të plota se çka ka qenë në thelb një nga ushtritë më të mëdha të botës, ajo sovjetike në Mbasluftën, në gjithë kompleksin kundërshtues gjeopolitik të botës së ndarë në dy kampe.

Mpleksur me art në intermexo krejt të natyrshme, Jani Lufi i kthehet jorrallë Shqipërisë së tij, dhe me demaskimin argumentues, polemist dhe historik njëkohësisht, të veprës kriminale të regjimit komunist të Enver Hoxhës që sundoi Shqipërinë përmbi katër dekada, sidomos me qëndrimin brutal, vrasës që u mbajt edhe ndaj vetë lidershipit të asaj që u quajt Ushtria Popullore, autori i ka dhënë kështu librit meritën e njohjes së lexuesit të sotëm rus se çka qe në të vërtetë Shqipëria e ashtuquajtur socialiste.

Më 1966 Jani Lufi diplomohet edhe në letërsi në Institutin Shtetëror Pedagogjik të Osetisë Veriore, çka flet edhe për një vokacion letrar, pedagogjik dhe studjues të tij. Ky akademist ushtarak dhe diplomant i letërsisë, ky sportist ndër të parët i viteve ’50 të Shqipërisë, sot qytetar i Krasnodarit të Rusisë, i cili një herë kur sekretari i Komitetit të Partisë të Qarkut të Osetisë, B.E.Kaballajev, tha se “ne osetinët jemi një republikë e vogël, por në qoftë e nevojshme, një vend si Shqipërinë mund ta mundim”, iu kundërpërgjigj me krenari të pastërt kombëtare, duke e sfiduar në çast. I kujtoi mbi të gjitha virtytet e larta, qëndresën, talentin luftarak tradicional shqiptar dhe vetë trimërinë e shqiptarëve. Dashuria për Atdheun e lënë, respekti i pamatë për shokët dhe kolegët në Shqipëri, kujtimet e pashlyeshme, nderimi i madh për mësuesit e tij në shkollën shqiptare, prej një Enver Begeje e deri te një Qazim Kapizysi apo Teki Malindi, janë si një lajtmotiv i vetë librit të tij; që do të pasohet prej një libri studimor të specialitetit për qëndresën shqiptare të Skënderbeut, që shpejt do të jetë edhe në variantin e përkthyer shqip.

Përkthyesit e librit të gjeneral Jani Lufit “Partizani shqiptar Gjeneral i Ushtrisë Sovjetike”, Prof. As. Dr. Gjergj P.Titani dhe studjuesi Robert S.Vullkani, të cilët së bashku kanë qenë të burgosur politikë për mbi 40 vjet, kanë një meritë të veçantë, që me ndjenjën e atdhetarisë dhe prirjen e tyre letrare dhe atë historiko- ushtarake, i kanë dhënë lexuesit shqiptar, sidomos atyre të rinj, një histori të rrallë, madje unikale në gjininë, llojin dhe periudhën që përshkruan, duke hapur një dritare për te një e panjohur e madhe, ose te një e njohur e zhdukur jo pa qëllim. Çka vlen tejet për formimin e vërtetë historik sidomos të brezit të ri. Nuk mund të harrohet merita e Shtëpisë Botuese “Almera” që nën konsulencën e Maliq Sadushit, në të shkuarën një prej krerëve të goditur të Ushtrisë Shqiptare, dhe në ndihmesën e gjithë trupës së këtij botimi të pazakontë Mirando Gjyzeli, Nevrus F. Dervishaj, Frida Titani, Olti Përmeti, realizoi botimin e librit autobiografik të gjeneral majorit të Ushtrisë Sovjetike Jani Kiço Lufit.

XXX

Dhe përpara gjithë kësaj historie ushtarake, Jani Lufi kishte qenë i lidhur me historinë tonë të Lajpcigut të 50 vjetëve më parë…

20-28 shtator 1958. Lajpcig i RD Gjermane. E njohur zyrtarisht si Spartakiada e parë Verore e Ushtrive Mike. Synimi: “Për forcimin e bashkëpunimit vëllazëror të ushtrive mike”. Ndryshe për ne sot: demostrim i forcës së kampit komunist me në krye Bashkimin Sovjetik edhe përmes forcës sportive. Kjo e shndërroi Spartakiadën e Lajpcigut në një eveniment të vërtetë sportiv në Evropë. 12 shtete; BRSS, RDGJ, Bullgaria, Çekosllovakia, Hungaria, Kina, RD e Vietnamit, RDP e Koresë, Polonia, Shqipëria, Rumania, RP të Mongolisë. Në 12 sporte. Për Shqipërinë vetëm 6: futboll, basketboll, qitje, atletikë, boks, shumgarëshi ushtarak.

Dhe medalje bronzi prej boksjerit Abaz Alla, mbërrijtje në gjysmëfinale në kërcimin trehapësh (14.11 metra) prej të paharrueshmit Hysni Bebeziqi (vend i gjashtë i tij në garë me atletë kampionë e rekordmenë të botës e medalistë olimpikë). Por dhe vendi i tetë në qitjen me automatik breshëri 3x10 në 200 metra distancë, ku duhej të ketë qenë edhe personazhi ynë Jani Lufi. Kaq.

Në të tjerat vetëm futbolli, një sensacion i madh, që tërhoqi vemendjen në Evropë. Dhe ndërsa në sportet e tjerë, sidomos në atletikë Spartakiada kishte emra botërorë të tillë si Tokarev, Stepanov, Sitkin, Kshishkoviak, Foik, Pjatkovskij, Juntgvirt, Skobla, Mandlik, Iharosh e plot të tjerë, aq të njohur dhe të dashur për ne, 15-16 vjeçarët e vitit 1958, në futboll gjithçka arrin edhe më lart, sepse kemi të bëjmë pothuajse me Kombëtaret e këtyre vendeve të ashtuquajtura socialiste, çka do ta shohim më tej. Do ta shohim në një vështrim të ri të gjykimit të mbas pesëdhjetëvjetëve duke kujtuar sentencën që thotë se historia e vërtetë shkruhet më vonë.

Si në rastin e librit të gjeneral të Ushtrisë Sovjetike Jani Lufit, qitësit dhe flamurtarit të Partizanit të Shqipërisë në ate që ka mbetë në histori si “Spartakiada e parë Verore e Ushtrive Mike”. Ajo që është historia e madhe e të paharrueshmëve Rexhep Spahiu, Sllave Llambi, Refik Resmja, Besim Fagu, Kolec Kraja, Gani Merja, Simon Deda, Roza Haxhiu me shokë, të cilët vunë themele evropianë në futbollin shqiptar…


Tema

(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: