Organizimi struktural i lëvizjes Besëlidhja Kombëtare Demokratike Shqiptare - (BKDSH)
| E Diel, 28.09.2008, 11:20 AM |

KREU i - II – të

 

ORGANIZIMI STRUKTURAL i LËVIZJES B.K.D.SH.

 

Neni 16:

 

BKDSH, si lëvizje politike, ndërtohet mbi baza territori dhe organizimi i saj bëhet si vijon:

a)     anëtarë, individ dhe

b)     anëtarë të grumbulluar në Aktive, Nëndegë, Degë dhe

      Komitete Drejtuese.

 

Nga aspekti territorial, BKDSH ka këtë formë organizimi:

AKTIVI; krijohet si njësia bazë. Çdo Aktiv duhet t’i ketë së paku 15 anëtarë aktivë, kurse NËNDEGA përbëhet nga së paku tri Aktive, ndërsa DEGA përbëhet nga së paku tri Nëndegë.

 

Mënyra e përfaqësimit nga baza (Aktivi) deri në Qendër-(Komitet Kombëtar) bëhet në këtë formë:

Aktivi delegon përfaqësuesit e vet në Kuvendin e Nëndegës;

Nëndega delegon përfaqësuesit e vet në Kuvendin e Degës që i takon rajonalisht.

 

Dega delegon përfaqësuesit e vet në kuvendin e Komitetit Drejtues që i takon rajonit.

 

Komiteti Drejtues: kemi tre lloje Komitetesh Drejtuese dhe ato janë:

1.  Komiteti Drejtues i BKDSH për Shqipërinë

2. Komiteti Drejtues i BKDSH për Kosovën dhe viset e tjera 

     shqiptare nën okupacionin e ish – Jugosllavisë,

3. Komiteti Drejtues i BKDSH për Mërgim.

 

Këto tre Komitete Drejtuese, delegojnë nga 35 anëtarë nga gjiri i tyre në Komitetin Kombëtar të BKDSH.

 

Neni 17:

 

1. Organet e kësaj Lëvizjes ndahen në Komitete dhe në Këshilla

    Drejtuese apo Qendrore dhe periferike.

2. Komiteti Kombëtar i BKDSH është Organi më i lartë

     ekzekutiv dhe legjislativ i BKDSH.

3. Ky Komitet ka nën juridiksionin e vet tre Komitete

    Drejtuese:

    a) Komitetin Drejtues të BKDSH për   Shqipëri,                    

    b) Komitetin Drejtues të BKDSH për  Kosovë,

    c) Komiteti Drejtues i BKDSH  në Mërgim,

4. Organet qendrore të BKDSH janë:

    a) Kuvendi ose Kongresi i Përgjithshëm i anëtarëve të

        BKDSH;

    b) Komiteti Kombëtar i BKDSH;

    c) Kryesia e Komitetit Kombëtar të BKDSH;

     ç) tri  Komitetet Drejtuese të BKDSH (Shqipëri, Kosovë  

         dhe Mërgim).

 

Komiteti Kombëtar është Organi më i lartë i BKDSH i cili aktivitetin e tij e zhvillon përmes Kryesisë së Komitetit Kombëtar si dhe Seksioneve të krijuara në gjirin e tij.

 

Komiteti Drejtues (në të tre rastet) është Organi më i lartë ekzekutiv i BKDSH i cili aktivitetin e tij e zhvillon përmes Kryesisë së Komitetit Drejtues dhe të koordinatorëve të tyre.

 

 

Neni 18:

 

ORGANET PERIFERIKE

 

Organet Periferike të BKDSH janë Këshillat Drejtues. Këshilli Drejtues është Organi më i lartë ekzekutiv i atij Organi që e ka zgjedhur dhe këto Organe janë:

 

1. Këshilli Drejtues i Aktivit;

2. Këshilli Drejtues i Nëndegës;

3. Këshilli Drejtues i Degës.

 

Këto organe zgjidhen në Kuvendet Zgjedhore përkatëse dhe kanë mandat për dy vjet.

 

Kanë të drejtë rizgjedhjeje nëse gjatë mandatit të tyre kanë treguar sukses dhe aftësi në punë dhe aktivitet të gjallë.

 

PËRBËRJA E KËSHILLAVE DREJTUES

 

1. Këshilli Drejtues i Aktivit zgjidhet në këtë mënyrë:

    a. 3 anëtarë kur numri i anëtarëve të Aktivit nuk kalon

        numrin 15 të regjistruar rregullisht si anëtarë aktivë;

    b. 5 anëtarë kur numri i anëtarëve të këtij Aktivi kalon

         numrin 15 por nuk e arrin numrin 125;

    c. 7 anëtarë kur numri i anëtarëve të këtij Aktivi kalon

         numrin 125 të të gjithë anëtarëve aktivë të këtij         

 

A k t i v i

 

2. Këshilli Drejtues i Aktivit ka këtë përbërje:

    a) Kryetari

    b) Sekretari

    c) Arkëtari dhe dy deri në katër anëtarë të Këshillit Drejtues

         të Aktivit nëse numri i anëtarëve arrin nivelin e paraparë

         në pikën 2 e 3 të alinesë së tretë të këtij Neni.

3. Këshilli Drejtues i Nëndegës ka këtë përbërje:

    a) Kryetari

    b) Sekretari

    c) Arkëtari dhe dy deri në tetë anëtarë të Këshillit Drejtues

          të Nëndegës, çka varet nga numri i Aktiveve që përfshin

          në gjirin e vet. Pra, Këshilli Drejtues i Nëndegës ka këtë

          përbërje: 5-7-9-11 anëtarë.

 

Nuk mund të kalojë numrin 11 të anëtarëve të Këshillit Drejtues të Nëndegës.

 

4. Këshilli Drejtues i Degës ka këtë përbërje:

1. Kryetari,

2. Nënkryetari,

3. Sekretari,

4. Arkëtari,

5. Kryetari i Komisionit kontrollues të Arkës,

6. Anëtari i Komisionit kontrollues të Arkës,

7. Anëtari i Komisionit kontrollues të Arkës,

8. Kryetari i Gjyqit të Nderit të Degës,

9. Anëtari (gjykatësi) i Gjyqit të Nderit,

           10. Anëtari (gjykatësi) i Gjyqit të Nderit si dhe, një deri

                 në nëntë anëtarë të Këshillit Drejtues të Degës.

 

Nuk mund të kalojë numrin 19 të Anëtarëve të Këshillit Drejtues të Degës.

Mbi strukturën organizative, ofiqet dhe detyrat e secilës Degë, Nëndegë dhe Aktiv, do të rregullohen me një RREGULLORE të veçantë siç është RREGULLORJA E BRENDSHME E PUNËS së Aktiveve, Nëndegëve, Degëve dhe Komiteteve Drejtuese të BKDSH.

 

 

 

 

 

 

 

 

Neni 19:

 

FUSHËVEPRIMI I KUVENDIT (KONGRESIT) TË PËRGJITHSHËM KOMBËTAR TË ANËTARËVE TË L.B.K.D.SH.

 

Kuvendi apo Kongresi i Përgjithshëm i BKDSH, si organ më i lartë i kësaj Lëvizje:

 

1. Nxjerr Programin dhe Statutin e BKDSH si dhe të gjitha

    aktet e tjera juridike që kanë të bëjnë me aktivitetin e  

    BKDSH;

2. Zgjedh dhe shkarkon Komitetin Kombëtar të BKDSH si dhe

    Organin më të lartë ekzekutiv, Kryesinë e Komitetit

    Kombëtar dhe Kryetarin e Lëvizje;

 

3. Zgjedh dhe shkarkon Seksionet e Komitetit Kombëtar dhe

    Shërbimet e tjera siç janë: Redaksia e shtypit, Gjyqin e

    Nderit, Komisionin kontrollues të Arkës dhe Shërbime të

     tjera konform këtij Statuti;

4. Shqyrton dhe aprovon raportet lidhur me punën e Organeve

    të Kuvendit (Kongresit) të BKDSH;

5. Merr vendim për regjistrimin, ç’regjistrimin dhe shuarjen e

    BKDSH;

6. Aprovon ose refuzon marrëveshjet e Kryesisë së Komitetit

    Kombëtar të BKDSH me partitë simotra për koalicion;

7. Aprovon ose refuzon miratimin e Kryesisë së Komitetit

    Kombëtar për kandidatët e pushtetit lokal, krahinor dhe ata

    shtetërorë;

 

8. Aprovon planin financiar dhe llogarinë përfundimtare të

    BKDSH, gjatë periudhës së legjislacionit prej Kuvendit në

    Kuvend (Kongresi), pra ndërmjet dy Kuvendeve.

 

Neni 20:

 

1.      Kuvendi i Përgjithshëm - (Kongresi) i Anëtarëve të BKDSH është organi epror i Lëvizjes  sonë, i cili mblidhet zakonisht çdo 4 - (katër) vjet. Por, sipas ngjarjeve dhe rrethanave të imponuara politike qoftë nga jashtë apo nga brenda, KUVENDI mund të thirret edhe më parë. Ndërsa, në rast lufte ose ndonjë ndërlikimi me përmasa të gjera kombëtare, Kuvendi mund të shtyhet edhe për më vonë se sa është paraparë me afatin e sipërpërmendur.

2.      Kuvendi i P.K. i BKDSH, përveçse zgjedh dhe shkarkon Kryesinë si dhe mbarë Komitetin Kombëtar, ai shqyrton hollësisht veprimtarinë e zhvilluar gjatë periudhës së kaluar katërvjeçare apo nga Kuvendi (Kongresi) i kaluar e deri tek i riu që mbahet; shqyrton gjendjen financiare, jep udhëzime dhe drejtime në fushën politike dhe të iniciativave të ndryshme me karakter shoqëror - ekonomik dhe modifikon Statutin, Programin dhe Normat e tjera ligjore të Kanunores së BKDSH, nëse e gjykon të arsyeshme, në përputhje me gjendjen, rrethanat dhe evolucionin e kohës.

3.      Kuvendi (Kongresi) i Përgjithshëm i BKDSH mblidhet ku e ka selinë e vet Komiteti Kombëtar, ndërsa Kuvendet Zgjedhore të Komiteteve Drejtuese të Shqipërisë, Kosovës dhe ai i mërgimit mblidhen dhe mbahen aty ku e konsiderojnë më të përshtatshëm për rrethanat e tyre.

4.      Kuvendi i Përgjithshëm i Anëtarëve, në rastet e jashtëzakonshme ftohet në Kuvend:

a)     Nga Kryetari i BKDSH sa herë ta shohë të nevojshme, sidomos kur është në pyetje ekzistimi i Lëvizjes;

b)     Nga Komiteti Kombëtar i BKDSH kur ky vendos në mbledhjet e veta, qoftë të rregullta apo të jashtëzakonshme;

c)     Kur zyrtarisht (me shkrim) kërkohet nga të tre Kryesitë e Komiteteve Drejtuese.

Në rast konflikti, kërkesën mund ta paraqesë vetëm një nga Komitetet Drejtuese duke kërkuar nga Kryetari i Komitetit Kombëtar që ky të kërkojë pëlqimin edhe te komiteteve të tjera drejtuese që nuk i janë bashkangjitur kërkesës së paraqitur nga njëri prej atyre komiteteve drejtuese.

 

ç) Kur anëtarët e Komitetit Kombëtar të BKDSH së paku

    1/2 plus një, nënshkruajnë kërkesën për mbajtjen e

    Kuvendit (Kongresit) të Jashtëzakonshëm duke cekur 

    shkaqet dhe arsyet që i shtyjnë në këtë hap.

 

5.      Në të gjitha rastet e sipërshënuara, Kryesia e Komitetit  Kombëtar të BKDSH detyrohet të mbajë Mbledhjen e Kuvendit (Kongresit) të Përgjithshëm të Anëtarëve brenda 60 ditëve.

6.      Mbledhjen e Kongresit e thërret Kryesia e K.K. të BKDSH, gjegjësisht Kryetari, e në mungesë të tij, atëherë i autorizuari i tij që zakonisht duhet të jetë njëri nga tre nënkryetarët e K.K të cilët njëkohësisht janë edhe kryetarët e komiteteve drejtuese (përkatëse).

Në raste të jashtëzakonshme, Kuvendin e Përgjithshëm Kombëtar e thërret Sekretari i Përgjithshëm i BKDSH.

 

7.      Mbledhjen e Kuvendit (Kongresit), e udhëheq Kryetari, në bashkëpunim me tre Nënkryetarët dhe të tjerët që zgjidhen në fillim të Kuvendit. Në mungesë të Kryetarit, Kuvendin do ta hapë dhe udhëheqë njëri nga tre Nënkryetarët e Komitetit Kombëtar, ose në mungesë të tyre, atëherë këtë do ta kryejë Sekretari i Përgjithshëm i BKDSH

 

Kuvendin mund ta udhëheqë edhe ndonjë nga anëtarët me merita të veçanta të Komitetit Kombëtar që zgjidhet me aklamacion nga pjesëmarrësit e atij Kuvendi (Kongresi).

 

Përveç Kryetarit të Kuvendit që do të udhëheqë punën e atij Kuvendi dhe do të zbatojë Rendin e Ditës, për çdo Kuvend, qoftë i rregullt apo i jashtëzakonshëm, duhet të krijohet Kryesia e Punës e cila përbëhet prej Kryetarit, tre Ndihmësve të tij, Sekretarit të Përgjithshëm, Sekretaria e Procesverbalit të Kuvendit si dhe dy komisioneve:

 

a)     ai i verifikimit të Mandateve të Delegatëve dhe pjesëmarrësve të kuvendit

b)     Komisioni për verifikimin e votave e në raste të veçanta kur kërkohet ndryshimi i Statutit, Programit apo Parimeve Themelore, qoftë në tërësi apo pjesërisht, atëherë, formohet Komisioni i veçantë për verifikimin dhe hartimin e dokumenteve juridike, i cili pasi të shqyrtojë lëndën ia paraqet Kuvendit materialin përkatës që duhet aprovuar apo refuzuar nga ai Kuvend.

 

Kryesia e Punës së kuvendit të përgjithshëm Kombëtar të anëtarëve të BKDSH, ka për detyrë të mbajë në rregull Rendin e Ditës, t’i drejtojë bisedimet, të jetë i paanshëm dhe të shqyrtojë Procesverbalin e punimeve dhe të vendimeve të marra në atë Kuvend.

 

8.      Komiteti Kombëtar i BKDSH mban mbledhje të rregullta gjatë periudhës ndërmjet dy Kuvendeve (Kongreseve) së paku një herë në vit, që kanë karakter të vazhdimësisë së punimeve të Kuvendit që e ka zgjedhur atë Komitet Kombëtar.

9.      Kuvendi Kombëtar (Kongresi) i Anëtarëve të BKDSH, vendimet e veta i merr me shumicë votash.

10. Votat janë të fshehta

11. Sipas rastit, votat mund të jenë edhe të hapura - me aklamacion që d.m.th. me ngritje dore.

12. Votat i kontrollon, numëron dhe verifikon vlerësimin e tyre, Komisioni Kontrollues për verifikimin e votave, i cili ia paraqet listën definitive të votimeve, Kryetarit të Kuvendit, e ky e shpall publikisht duke i lexuar rezultatet e votimeve.

13. Çdo Delegat i Kuvendit Kombëtar të BKDSH që vjen nga Kosova dhe viset shqiptare të okupuara nga sllavët si dhe ata që vijnë nga mërgimi, përveç vetes së tyre, ata kanë të drejtë të përfaqësojnë me anë të një Fletëdelegimi - (autorizim me shkrim) edhe anëtarë të tjerë nga Degët, Komitetet Drejtuese si dhe Koordinatorë të ndryshëm që për arsye të justifikuara, nuk mund të marrin pjesë personalisht.

14. Anëtarët e largët të BKDSH që jetojnë në kontinente të ndryshme, mund të delegojnë, kur nuk ekziston Dega e BKDSH në atë vend, shtet ose kontinent ku ai jeton drejtpërsëdrejti, një person (anëtar) të Komitetit Drejtues përkatës nga Mërgimi, por kurrsesi Kryetarin e Partisë.

15. Kuvendi i Përgjithshëm (Kombëtar) i Anëtarëve të BKDSH për zgjedhjen e Komitetit Kombëtar si dhe Kryesisë së këtij Komiteti gjatë zhvillimit të punimeve të veta, kërkon nga tre Komitetet Drejtuese që të paraqesin secili prej tyre listën emërore të kandidatëve që janë zgjedhur paraprakisht nga Kuvendet zgjedhore të tyre e që secili paraqet nga 35 anëtarë të zgjedhur për Komitetin Kombëtar me këtë radhitje:

a)     Komiteti Drejtues i BKDSH për Shqipërinë delegon në Komitetin Kombëtar të BKDSH 35 anëtarë;

b)     Komiteti Drejtues i BKDSH për Kosovën dhe viset e tjera shqiptare të okupuara nga ish-Jugosllavia delegon në K.K. të BKDSH 35 anëtarë;

c)     Komiteti Drejtues i BKDSH për Mërgim në K.K. të BKDSH dërgon 35 anëtarë;

            PRA GJITHSEJ 105 anëtarë.

 

Këta janë zgjedhur nga Komitetet Drejtuese duke i autorizuar që të përfaqësojnë atë regjion të tyre në Komitetin Kombëtar të BKDSH.

 

16. Këta 105 anëtarë - delegatë, do të votojnë duke propozuar nga radhët e tyre kandidatët për Kryesinë e Komitetit Kombëtar.

 

Propozimet bëhen drejtpërsëdrejti gjatë Kuvendit duke përshkruar vlerat e secilit që propozohet për anëtar të kryesisë. Propozimi bëhet me gojë ose me shkrim.

 

17. Pasi të jetë plotësuar lista e kandidatëve të propozuar nga pjesëmarrësit e Kuvendit, Sekretaria e Kuvendit do t’i shtypë listat emërore dhe do t’ua shpërndajë delegatëve të Kuvendit për votim.

 

Në këto lista votuese shënohen më shumë emra sesa kërkon numri i anëtarëve që do të zgjidhen në Kryesi të Komitetit Kombëtar.

 

Nuk hyjnë në votime kryetarët e Komiteteve Drejtuese pasi ata sipas detyrës që ushtrojnë, automatikisht janë Nënkryetarë të Kryetarit të BKDSH.

 

18. Votimi kryhet duke shënuar (rrumbullaksuar) vetëm ata emra që propozohen. Ndërsa ata kandidatë që nuk doni t’i votoni, emri i tyre fshihet me laps.

 

Fletët e votimit, pasi të kryhet votimi, mblidhen dhe kontrollohen nga Komisioni verifikues i votimeve të Kuvendit, i cili ka për detyrë t’i kontrollojë dhe klasifikojë pikërisht, rezultatet e votimit.

 

Tani në bazë të shkallëzimit të votave, Kryetari i Kuvendit e deklaron të formuar Kryesinë e Komitetit Kombëtar. Pikërisht bëhet votimi për zgjedhjen e Kryetarit të Lëvizjes BKDSH për tërë trojet etnike shqiptare si dhe Mërgimin në bazë të propozimeve të dhëna nëpër Kuvendet Zgjedhore të Komiteteve Drejtuese si dhe vendimet e marra nga ata në formë të kërkesës me shkrim.

 

Neni 21:

 

KOMITETI KOMBËTAR I

 L.B.K.D.SH.

 

1.      Komiteti Kombëtar (më tutje lexo K.K) i BKDSH duke zbatuar udhëzimet, drejtimet dhe vendimet e Kuvendit të Përgjithshëm (Kongresit) të BKDSH si dhe duke u bazuar në Parimet Themelore të Kanunores partiake të këtij Statuti, përfaqëson, drejton dhe administron tërë Lëvizjen tonë BKDSH, mbikëqyr respektimin e Parimeve Themelore, aplikimin e Programit, Statutit dhe Rregullores së Brendshme të Punës së BKDSH.

 

 

Njëkohësisht, bashkërendon veprimtarinë e të tre Komiteteve Drejtuese të BKDSH si dhe veprimtarinë e Seksioneve siç janë: vjeljen e anëtarësisë vjetore dhe kontributeve të ndryshme si dhe disponon shpenzimet e ndryshme, mbikëqyr të gjitha dikasteret që veprojnë në kuadër të këtij Komiteti e që janë përfshirë në Rregulloren e Veçantë të Punës së Komitetit Kombëtar të BKDSH.

 

2.      Numri i anëtarëve të Komitetit Kombëtar fillimisht është përkufizuar në 105, mirëpo ky numër mund të ndryshojë në çdo Kongres (Kuvend) në varësi, se sa i madh do të jetë numri i tyre për atë periudhë legjislative, pasi varet nga numri i Degëve në terren që kanë deleguar dhe delegojnë në Komitetet Drejtuese si dhe këta të fundit që delegojnë në Komitetin Kombëtar të BKDSH.

3.      Anëtarët e Komitetit Kombëtar si dhe ata të Kryesisë së këtij Komiteti zgjidhen në Kuvendin e Përgjithshëm (Kombëtar) të Anëtarëve sipas normave ligjore të Nenit 20 të këtij Statuti; pra me propozim nga Delegatët e Kuvendit Kombëtar ndërsa këta janë deleguar nga Kuvendet Zgjedhore të Komiteteve Drejtuese në të tri rastet.

4.      Votimi bëhet i fshehtë.

5.      Shprehja e votës sipas rastit, mund të bëhet edhe me ngritje dore, pra me aklamacion.

6.      Votat e dhëna anëtarëve që nuk janë propozuar në listën e votimit janë të pavlefshme.

7.      Mandati i anëtarëve të K.K. që zgjidhen në Kuvend (Kongres) zgjat 4 (katër) vjet.

8.      Anëtarët e Legjislacionit të mëparshëm të K.K. mund të rizgjidhen me propozim të Delegatëve, ose të lirohen nga detyra, në rast se tregohet nevoja për një ndryshim të tillë.

9.      Veteranët dhe Themeluesit e kësaj Lëvizje gëzojnë imunitetin e veçantë si Anëtarë të Komitetit Kombëtar të BKDSH por mund të largohen nga K.K. vetëm:

a)     nëse ata vetë, për arsye personale, shëndetësore, juridike japin dorëheqje ose kërkojnë me shkrim të lirohen nga ky obligim;

b)     gjithashtu Veteranët mund të shkarkohen nga ky benificion edhe në raste të veçanta, kur ai person shkel dhe cënon keq Statutin, Programin dhe Parimet Themelore të BKDSH duke rrezikuar në këtë mënyrë qenien ose ekzistencën e kësaj Lëvizje.

 

Në raste të tilla ekstreme, në bazë të denoncimit të bërë nga Gjyqi i Nderit, Kryesia e K.K. të BKDSH merr vendim të prerë për këto raste.

 

 

 

 

 

 

 

 

Neni 22:

 

KRYESIA E KOMITETIT KOMBËTAR TË L.B.K.D.SH

 

Kryesia e K.K. është Organ politiko - ekzekutiv më i lartë i  L.BKDSH që vepron në mes dy Kuvendeve (Kongreseve) Zgjedhore;

 

Kryesia e Komitetit Kombëtar të LKDSH përbëhet nga:

1.      Kryetari i PBKDSH i cili zgjidhet në Kuvendin Kombëtar me propozimin e të tre Komiteteve Drejtuese të BKDSH;

2.      Tre Nënkryetarë të K.K. të cilët në fakt dekretohen nga ana e Komiteteve Drejtuese, pra Kryetari i K.D. është automatikisht Nënkryetar i Komitetit Kombëtar:          

a) Nënkryetari i parë:..............nga Shqipëria,

b) Nënkryetari i dytë:..............nga Kosova dhe viset 

     shqiptare ...  

      c) Nënkryetari i tretë:..............nga Mërgimi.

5. Sekretari i Përgjithshëm i  L.BKDSH;

6. Arkëtari kryesor i L.BKDSH;

7. Kryetari i i Seksionit për çështje ekonomiko-financiare;

8. Anëtari i Seksionit për çështje ekonomiko-financiare;

9. Anëtari i Seksionit për çështje ekonomiko-financiare;

10. Sekretari i Seksionit për çështje Ideore e politike; +

      Zëdhënësi i BKDSH-së,

11. Drejtori i Seksionit për Informim dhe propagandë

     (Përgjegjësi kryesor për shtypin partiak);

12. Sekretari i Seksionit për çështje organizative dhe të

     anëtarësisë;

13. Sekretari i Seksionit për marrëdhënie me botën;

14. Sekretari i Seksionit për çështje statutore;

15. Sekretari i Seksionit për ruajtjen e ambientit;

16. Sekretari i Seksionit për Politikë Sociale;

17. Sekretari i Seksionit për çështje juridike;

18. Sekretari i Seksionit për kulturë, shkencë, sport dhe

      edukatë fizike;

19. Sekretari i Seksionit për çështje fetare-kanunore;

20. Sekretari i Seksionit për çështjen e Rinisë (Forumi rinor i

      BKDSH);

21. Sekretarja e Seksionit për çështjen e Gruas në kuadër të

      BKDSH;

22. Sekretari i Seksionit për çështje disiplinore;

23. Kryetari i Gjyqit të Nderit të K.K. të BKDSH;

24. Gjykatësi i Parë i këtij Gjyqi nga Shqipëria;

25. Gjykatësi i Dytë i këtij Gjyqi nga Shqipëria;

26. Gjykatësi i Tretë i këtij Gjyqi nga Shqipëria;

27. Gjykatësi i Katërt i këtij Gjyqi nga Kosova ... ;

28. Gjykatësi i Pestë i këtij Gjyqi nga Mërgimi.

 

Kryesia e Komitetit Kombëtar të BKDSH ka gjithsej 28 (njëzetetetë) anëtarë.

 

Mbi funksionimin e Gjyqit të Nderit si dhe të gjitha Seksioneve të lartshënuara, janë dhënë udhëzime të detajuara në “Rregulloren e Brendshme të Punës së K.K të BKDSH”.

 

Mandati i Kryesisë së K.K. zgjat 4 (katër) vjet; me të drejtë rizgjedhje në Kuvendin e ardhshëm nëse propozohen nga kuvendet zgjedhore të të tre Komiteteve Drejtuese (secili K.D. voton veçmas për anëtarët e vet).

 

Kryetarin dhe Sekretarin e Përgjithshëm e zgjedh Kuvendi (Kongresi) Kombëtar pasi t’i ketë shqyrtuar kërkesat e parashtruara me shkrim të të tre Komiteteve Drejtuese se cilin kanë propozuar për kandidat dhe kundërkandidat, sepse është e domosdoshme që për çdo ofiq të ketë kundërkandidat në mënyrë të tillë që, të funksionojë më mirë forma demokratike e zgjedhjeve.

 

Ndërsa, tre Nënkryetarët e K.K. nuk zgjidhen por delegohen sipas funksioneve që ushtrojnë nga Komitetet Drejtuese të të tre Qendrave tona, kurse Anëtarët e tjerë të kryesisë zgjidhen dhe emërtohen drejt për së drejti nga Kuvendi Kombëtar, në rast se Kuvendi nuk ia lë këtë kompetencë Kryetarit, që ky t’i zgjedhë dhe emërojë funksionarët për udhëheqjen e Seksioneve të ndryshme si dhe për Redaksinë e organit qendror të BKDSH.

 

Kjo arrihet në marrëveshje gjatë Kuvendit ose vendoset në Mbledhjet Vjetore të Komitetit Kombëtar.

 

Kryesinë e Komitetit Kombëtar e zgjedh Kuvendi i Përgjithshëm i Anëtarëve me vota të fshehta.

 

Zgjidhet ai (ajo) Anëtar (e) i (e) Kryesisë i cili fiton më shumë vota.

 

Kryetari, tre Nënkryetarët, Sekretari i Përgjithshëm dhe anëtarët e tjerë të Kryesisë së K.K. mund të shkarkohen para se t’iu skadojë afati në rast se:

 

1.      kanë thyer rregullat e Statutit dhe Rregullores së Brendshme të Punës së BKDSH;

2.      në rast se japin vetë dorëheqje nga posti;

3.      kur bien në konflikt me normat ligjore të shtetit shqiptar dhe arrestohen e dënohen për veprimtari kundërligjore të shtetit shqiptar;

4.      kur vdesin ose pësojnë lëndime trupore që nuk janë në gjendje të kryejnë detyrën e besuar;

5.      kur nuk tregojnë kurrfarë interesi për kryerjen e obligimeve që kanë marrë mbi vete me rastin e zgjedhjes së tyre në funksione të tilla të larta partiake.

 

Sipas funksionit që marrin dhe ushtrojnë gjatë legjislaturës së tyre, të gjithë anëtarët e Kryesisë mund të emërohen, secili veçmas, në detyrën e Nënkryetarit të K.K. nëse mungojnë tre të parët, për fushat e caktuara.

 

Neni 23:

 

   Kryesia e Komitetit Kombëtar të B.K.DSH:

a)     merr vendimet politike nga fushëveprimi i kompetencave të veta në emër të mbarë Besëlidhjes sonë;

b)     përcakton nomenklaturën për punë teknike të kryesisë;

c)     formon Komisionin dhe Seksione të ndryshme profesionale;

ç)   harton Raportin e punës së vet dhe ia paraqet Kuvendit  

     (Kongresit) për shqyrtim dhe miratim.

d)     kryen edhe punë të tjera nga fushëveprimi i Kryesisë duke u angazhuar edhe në projektimin e veprimtarisë çlirimtare të Këshillit Ushtarak icili vepron në zonat e pushtuara të atdheut, pra në mënyrë ilegale. Kryesia e K. K., në këtë drejtim koordinon aktivitetet e saj në Këshillin Ushtarak “Mbrojtja e Shqipërisë Etnike”.  

 

 

Neni 24:

 

KRYETARI I KOMITETIT KOMBËTAR TË L.B.K.D.SH.

 

1.      Përfaqëson Lëvizjen tonë (BKDSH) brenda dhe jashtë trojeve, gëzon besimin e plotë të anëtarësisë së gjerë;

2.      Thërret Mbledhjen e Kryesisë së Komitetit Kombëtar si dhe lëshon Dekretin për thirrjen dhe mbajtjen e Kuvendit të përgjithshëm Kombëtar (Kongresit);

3.      Në raste të veçanta, kur nuk funksionon Kryesia e njërit nga tri Komitetet Drejtuese, Kryetari i K.K. ka të drejtë të urdhërojë mbajtjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm të atij Komiteti përkatës për t’u evituar pengesat e lindura në mirëvajtjen e punës partiake;

4.      Udhëheq mbledhjet e Kryesisë së K.K., ato të Kuvendit Kombëtar si dhe Mbledhjet Vjetore ndërmjet dy Kuvendeve Zgjedhore të këtij organi të lartë partiak;

5.      Nënshkruan aktet e Lëvizjes BKDSH;

6.      Depoziton nënshkrimin në bankë dhe Kontabilitetin shoqëror për nevojat partiake të BKDSH;

7.      Koordinon punën mes tre Komiteteve Drejtuese: të Shqipërisë, të Kosovës dhe viseve të tjera të okupuara si dhe atë në Mërgim që bashkërisht janë pjesë përbërëse e Komitetit Kombëtar të LKDSH;

8.      Kryetari i LBKDSH merr masat e duhura sanksionuese ndaj kryetarit si dhe tërë Këshillit Drejtues të ndonjë Aktivi, Nëndege, Dege apo edhe ndaj Kryesive si dhe Komiteteve Drejtuese, nëse ata, secili në rangun e tyre, nuk i zbatojnë detyrat e ngarkuara, pengojnë zhvillimin e aktivitetit, rrebelohen ose nuk tregojnë jetë partie.

 

Në raste të tilla, ata shkarkohen nga funksioni me dekret të kryetarit të K.K. dhe njëkohësisht kërkohet nga instancat më të larta që në këto raste të ndërhyjë me thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm, qoftë të Aktivit, Nëndegës, Degës apo Komitetit Drejtues dhe këta elementë shkarkohen nga çdo funksion e në vend të tyre zgjidhen njerëz vullnetmirë që i kryejnë obligimet partiake ndershmërisht dhe që nuk shkaktojnë pengesa të panevojshme e dëmprurëse për mbarë Besëlidhjen.

 

Urdhri i Kryetarit, i lëshuar me shkrim, bëhet ligj partiak i BKDSH i cili duhet zbatuar patjetër.

 

9.      Kryetari i Lëvozjes, me dekret të veçantë miraton listën e kandidatëve të Komitetit Kombëtar dhe atyre Drejtuese të cilat i kanë përgatitur në bazë të propozimeve të marra nga Degët për zgjedhjet lokale dhe parlamentare në vend.

 

Pa nënshkrimin dhe miratimin e Kryetarit të Lëvizjes, kandidatura e çdonjërit kandidat është e pavlefshme.

 

10. Në rast se ndonjë anëtar i BKDSH fiton në zgjedhjet lokale apo ato parlamentare dhe gjatë legjislacionit të tij largohet nga vija programore e BKDSH dhe e keqpërdor pozitën e fituar duke dëmtuar Lëvizjes; apo kalon në ndonjë parti tjetër politike, atëherë këtij i merret mandati i Partisë dhe me një shkresë zyrtare të Komitetit Kombëtar të BKDSH njoftohet Parlamenti, gjegjësisht forumi shtetëror lokal se atij personi i është marrë mandati dhe nuk përfaqëson më BKDSH në atë funksion që ky ushtron.

 

Kjo bëhet e plotfuqishme vetëm atëherë kur shkresa të jetë nënshkruar nga Kryetari i PBKDSH;

 

11. Çdo anëtar i Lëvizjes, pa marrë parasysh se çfarë funksioni ushtron në radhët e BKDSH duhet patjetër që të ketë nënshkruar Dëshminë e Betimit dhe të pajiset me librezë të rregullt të anëtarësisë të cilën e lëshon Kryesia e BKDSH dhe që mban nënshkrimin e Kryetarit të PBKDSH ose të ndonjë të autorizuari nga Kryetari i PBKDSH.

 

Nuk u lëshohen libreza vetëm atyre anëtarëve të BKDSH që jetojnë në trojet etnike të okupuara dhe që atje veprojnë ilegalisht. Atyre nuk u jepen librezat për shkak të sigurisë së tyre personale dhe mbrojtja nga represionet eventuale të organeve të dhunës okupatore

 

12. Kryetari i Lëvizjes së BKDSH gëzon të drejtën që në mënyrë simbolike me anë të ndonjë dhurate apo Fletënderimi të shpërblejë ndonjë anëtar, Aktiv, Nëndegë, Degë apo Komitet Drejtues për veprimtarinë e tyre patriotike dhe kombëtare që kanë zhvilluar në mjediset e tyre. Kjo bëhet në mënyrë publike dhe ceremoniale.

13. Kryetari i BKDSH në bazë të nenit 23, alineja 5, të këtij statuti sipas funksionit që ushtron, merr pjesë aktive në punët konkrete të Këshillit ushtarak “Mbrojtja e Shqipërisë Etnike” dhe bashkërendon veprimtarinë e tij sipas rregullores së veçantë të këtij organi.

 

Në raste të veçanta, Këshilli i lartpërmendur e emëron edhe për komandant të përgjithshëm të Forcave Luftarake të BKDSH kur komandanti i zgjedhur apo  emëruar nga Kryesia e K. K. mungon ose vritet gjatë zhvillimeve të aksioneve konkrete çlirimtare. 

 

Neni 25:

 

FUSHËVEPRIMI I TRE NËNKRYETARËVE TË KOMITETIT KOMBËTAR TË B.K.D.SH.

 

 

1.      Nënkryetari i Parë i K.K. nga Shqipëria, në rast mungese të Kryetarit, i merr të gjitha prerrogativat dhe udhëheq Komitetin Kombëtar për aq kohë sa Kryetari i BKDSH të mos jetë në gjendje t’i kryejë detyrat e veta.

 

Në rast se Kryetari pengohet vazhdimisht në kryerjen e detyrës së vet nga subjekte të ndryshme, qoftë të justifikuar apo të pajustifikuar e të dhunshëm, ai (Nënkryetari i Parë), do ta udhëheqë Komitetin Kombëtar deri në zgjedhjet e ardhshme kur Kuvendi (Kongresi) do të vendosë zgjedhjen e këtij problemi, qoftë me shkarkimin e Kryetarit të deritashëm, apo dorëheqjen ose vdekjen e tij dhe Kongresi do ta zgjedhë me vota të fshehta Kryetarin e ri të BKDSH.

 

2.      Nënkryetari i Dytë i K.K. nga Kosova dhe viset shqiptare të okupuara, përfaqëson dhe jep urdhra në emër të Kryetarit të BKDSH për atë hapësirë që mbulon Komiteti Drejtues i atyre trevave si dhe zhvillon aktivitete me pjesën e anëtarëve të Komitetit Kombëtar që fillimisht ka 35 anëtarë nga ato treva.

 

3.      Nënkryetari i tretë i K.K. nga Mërgimi vepron në Mërgim me pjesën e tretë të Komitetit Kombëtar që ka po ashtu, fillimisht 35 anëtarë, sipas urdhërave që merr nga Kryesia e K.K. dhe vetë Kryetari i BKDSH, si dhe udhëheq aktivitetin politik të Komitetit Drejtues për Mërgim dhe bashkërendon veprimtaritë politike, patriotike, humanitare, kulturore dhe çlirimtare me të gjitha pjesët e tjera të BKDSH në atdhe.

 

Neni 26:

 

FUSHËVEPRIMI I SEKRETARIT

TË PËRGJITHSHËM TË B.K.D.SH.

 

1.      Sekretari i Përgjithshëm i BKDSH përfaqëson BKDSH dhe Komitetin Kombëtar kur mungon prezenca e Kryetarit dhe Nënkryetarit të Parë si dhe administron punën e Kryesisë së K.K. në tërësinë e saj;

2.      Koordinon punët e Kryesisë së K.K. me ato të të tre Komiteteve Drejtuese: të Shqipërisë, të Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare të okupuara dhe të Mërgimit si dhe me Degët e ndryshme të BKDSH kudo që ato gjenden dhe veprojnë;

3.      Angazhon bashkëpunimin me partitë politike simotra;

4.      Nënshkruan akte të ndryshme zyrtare partiake të cilat bëhen ligj për zbatim nga BKDSH pasi që janë miratuar edhe nga Kryesia e K.K.;

5.      Depoziton nënshkrimin në bankë dhe kontabilitetin shoqëror-shtetëror bashkë me kryetarin dhe arkëtarin kryesor të BKDSH;

6.      Në gjendje të jashtëzakonshme, kur Kryetari dhe tre Nënkryetarët e K.K. nuk janë në gjendje t’i ushtrojnë detyrat e veta, atëherë Sekretari i Përgjithshëm e merr mbi vete udhëheqjen e tërë Lëvizjes  për aq kohë sa këta, katër të lartpërmendurit, të mos jenë në gjendje t’i kryejnë detyrat e veta sipas funksioneve që kanë;

7.      Sekretari i Përgjithshëm mund të shkarkohet nga funksioni para se t’i skadojë afati vetëm atëherë kur:

a.      ky shkel rregullat dhe normat ligjore të Statutit, Programit dhe Parimeve Themelore të BKDSH;

b.     kur vetë jep dorëheqje me shkrim dhe e arsyeton demisionin e vet;

c.      kur humb aftësitë psikike ose sëmuret rëndë dhe si pasojë për shkaqe shëndetësore është e pamundur të kryejë detyrën e vet;

ç.   kur qëllimisht nuk zhvillon kurrfarë aktiviteti politik

     dhe nuk bën jetë partie.

 

8.      Në raste të tilla, të sanksionuara në pikën 7-të të këtij Neni, Kryetari i Lëvizjes, në marrëveshje dhe me pëlqimin e Kryesisë së Komitetit Kombëtar, emëron ushtruesin e detyrës së Sekretarit të Përgjithshëm për një periudhë të shkurtër, deri sa të mbahet Mbledhja Vjetore e Komitetit Kombëtar, ku, në rendin e ditës, si pikë e parë do të jetë shqyrtimi i rastit të Sekretarit të Përgjithshëm dhe zgjedhja e këtij problemi duke liruar Sekretarin e Përgjithshëm të deritashëm dhe nominimi i Sekretarit të Përgjithshëm të ri, deri në Kuvendin e Përgjithshëm (Kongresin).

 

Varet nga vullneti i delegatëve në Kuvendin (Kongresin) e ardhshëm se a do të zgjidhet ky (i nominuari) apo ndonjë tjetër në postin e Sekretarit të Përgjithshëm të BKDSH.

 

9.      Sekretari i Përgjithshëm, gjatë ushtrimit të funksionit të tij, ndërmjet të tjerash, ka për detyrë të organizojë edhe konferenca shtypi në emër të partisë për masmediat kombëtare dhe ato ndërkombëtare, e posaçërisht të ndërhyjë atje ku duhet, tek organet shtetërore që Kryetari i Partisë me asistimin e S.P., të mbajë konferenca shtypi të rregullta si dhe të organizojë në emër të Partisë mitingje, protesta publike kur shfaqet nevoja për diçka të tillë, manifestime e seminare kulturore, shkencore, politike dhe sportive, etj.

 

Neni 27:

 

KOMITETET DREJTUESE TË L.B.K.D.SH.

PËR SHQIPËRI, KOSOVË DHE MËRGIM

 

  1. Komiteti Drejtues i LBKDSH (në të tre rastet) duke zbatuar udhëzimet, drejtimet dhe vendimet e Kuvendit Zgjedhor si dhe ato të komitetit Kombëtar të BKDSH, duke u bazuar në dokumentet partiake dhe të këtij Statuti, përfaqëson, drejton dhe administron atë pjesë të Lëvizjes që bie nën juridiksionin e tij; mbikëqyr respektimin e Rregullores së Punës së BKDSH, bashkërendon veprimtarinë e Degëve, Nëndegëve dhe Aktiveve të asaj hapësire, që mbulon, zhvillon aktivitete propaganduese për zgjerimin e radhëve të veta në ato hapësira, kujdeset për vjeljen e antarësisë vjetore dhe kontributeve të ndryshme si dhe disponon shpenzimet e ndryshme,  mbikëqyr të gjitha dikasteret që veprojnë në kuadër të këtij Komiteti;
  2. Komiteti Drejtues i LBKDSH ka Kuvendin e vet Zgjedhor i cili është organi epror i asaj pjese të Partisë që mbulon ajo hapësirë e atij Komiteti Drejtues, i cili mblidhet zakonisht çdo 4 vjet. Por sipas ngjarjeve dhe rrethanave të imponuara politike, qoftë jashtë apo brenda, KUVENDI ZGJEDHOR i këtyre K. D. mund të thirret edhe më parë. Ndërsa, në rast lufte ose ndonjë ndërlikimi me përmasa të gjera kombëtare, Kuvendi Zgjedhor i K.D. mund të shtyhet edhe më vonë se sa është paraparë me afatin e sipërpërmendur.
  3. Kuvendi Zgjedhor i K.D., përveç që zgjedh dhe shkarkon Kryesinë si dhe Komitetin Drejtues të asaj hapësire që përfaqëson, shqyrton hollësisht veprimtarinë e zhvilluar gjatë periudhës së kaluar katër vjeçare apo nga Kuvendi i kaluar e deri tek i riu që mbahet; shqyrton gjendjen financiare në hapësirën e tij, jep udhëzime dhe drejtime në lëminë politike dhe të iniciativave të ndryshme me karakter shoqëror-ekonomik dhe zbaton urdhrat dhe detyrat e Komitetit Kombëtar të BKDSH.
  4. Kuvendi Zgjedhor i Komitetit Drejtues mblidhet dhe mbahet atje ku secili Komitet Drejtues, veçmas, do të gjykojë të arsyeshme në konsiderim të rrethanave të ndryshme por, zakonisht preferohet të mbahen ku i kanë selitë Komitetet Drejtuese në fjalë.
  5. Kuvendin Zgjedhor të Komitetit Drejtues (në të tre rastet) e fton Kryetari i atij Komiteti Drejtues në marrëveshje me Kryesinë e K.D. si dhe aprovimin e Komitetit Kombëtar.

 

 

KRYESIA (KRYESITË) E KOMITETIT

DREJTUES TË L.B.K.D.SH.

 

PËR SHQIPËRI, KOSOVË DHE PËR MËRGIM

 

  1. Kryesia (Kryesitë) e Komitetit Drejtues të L.BKDSH është Organ politiko - ekzekutiv më i lartë i L.BKDSH në ato hapësira që përfshin juridiksioni i atij Komiteti, Kryesi e cila vepron në mes të dy Kuvendeve Zgjedhore.
  2. Kryesia si dhe tërë Komiteti Drejtues nga këto tre njësi politike, janë nën juridiksionin e Kryesisë së Komitetit Kombëtar të LBKDSH dhe vetëm para saj japin përgjegjësi morale, materiale, politike dhe juridike.

 

 

 

PËRBËRJA E KRYESISË SË KOMITETIT DREJTUES

 

  1. Kryesia e Komitetit Drejtues të L.BKDSH (në të tre rastet) përbëhet nga:

a) një Kryetar i Komitetit Drejtues,

b) një Nënkryetar i Komitetit Drejtues,

c) një Sekretar i Komitetit Drejtues,

ç) një Arkëtar,

d) tre Anëtarë të Komisionit Kontrollues të Arkës,

dh) tre Anëtarë të Gjyqit të Nderit të Komitetit

      Drejtues,

e) tre Anëtarë të Sektorit për Shtyp dhe Propagandë.

 

 

Pra Kryesia e Komitetit Drejtues të BKDSH përbëhet nga 13 anëtarë, ndërsa çdo Komitet Drejtues i ka së paku 19 anëtarë të zgjedhur në mënyrë të rregullt në Kuvendet Zgjedhore.

 

Numri i anëtarëve të Komitetit Drejtues (të tre) varet sipas numrit të Degëve (në atdhe) dhe të Nëndegëve e Degëve në Mërgim se sa delegatë do të delegojnë në Komitetin Drejtues përkatës.

 

  1. Mandati i këtyre Kryesive zgjat 4 vjet. Të gjithë anëtarët e këtyre Kryesive si dhe anëtarët e Komiteteve Drejtuese kanë të drejtë kandidimi për rizgjedhje të legjislaturës së ardhshme, pasi të skadojë afati i legjislaturës së parë.
  2. Kryetarin e Komitetit Drejtues të BKDSH (në të tre rastet) e zgjedh Kuvendi Zgjedhor me vota të lira dhe të fshehta, pasi bëhen propozime nga Delegatët fuqiplotë të Kuvendit, duke pasur gjithmonë edhe kundërkandidatin e vet për atë post të lartë, ndërsa Nënkryetarin, Sekretarin dhe organet e tjera të kësaj Kryesie që ngarkohen me detyra të udhëheqjeve të ndryshme, i zgjedh dhe i emëron Kryetari i Kryesisë së K.D. në bazë të votave të fituara.

 

Këtu mund të bëhen lëshime nga ky parim në marrëveshje me të gjithë anëtarët e Kryesisë, kur ata, pasi të kumtohen rezultatet e zgjedhjeve, mblidhen për t’i ndarë ofiqet dhe obligimet; në raste të tilla, Kryetari jep propozime në bazë të aftësive profesionale, intelektuale, vlerave morale të secilit anëtar të porsazgjedhur dhe, në harmoni e mirëkuptim e zgjedhin këtë problem dhe njoftojnë Kuvendin (Kryesinë e Punës) mbi vendimet e marra dhe përcaktimet e ofiqeve. Përndryshe, ai që fiton më së shumti pas Kryetarit, zgjidhet për Nënkryetar e pas tij vjen Sekretari, Arkëtari e me radhë, sipas alinesë 8 të këtij Neni

 

  1. Kryesinë e Komitetit Drejtues (në të tre rastet) prej më shumë kandidatëve sesa zgjidhen, e zgjedh Kuvendi Zgjedhor i atij Komiteti Drejtues me vota të fshehta, e në rast harmonie e mirëkuptimi, Kryesia e Punës së Kuvendit u drejtohet delegatëve duke kërkuar nga ata pëlqimin a mospëlqimin e tyre me ngritje dore (aklamacion), për çka Kryesia e Punës së Kuvendit duhen të numërojë dhe të regjistrojë votat për “pro” dhe “kundër” në procesverbalin e këtij Kuvendi.

 

Zgjidhet si anëtar i Komitetit Drejtues të BKDSH (në të tre rastet) ai person që fiton më shumë vota.

 

  1. Anëtarët e Kryesisë si dhe ata të Komitetit Drejtues të BKDSH (në të tre rastet tona) që nga Kryetari e deri tek anëtari i fundit mund të shkarkohen nga detyrat që ushtrojnë para se t’iu skadojë afati i caktuar në Zgjedhjet e rregullta.
  2. Mënyra e shkarkimit rregullohet me akte të veçanta, të cilat i cakton Kuvendi i Përgjithshëm (Kombëtar) i anëtarëve të BKDSH duke nxjerrë RREGULLOREN E BRENDSHME TË PUNËS veçmas për secilin Komitet Drejtues: të Shqipërisë, të Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare të okupuara dhe të Mërgimit.

 

Rregullorja në fjalë mund të jetë e përgjithshme dhe e përshtatshme për të tre pjesët e Komiteteve Drejtuese duke unifikuar punën, detyrat dhe të drejtat e të gjithëve, në një dokument të veçantë.

 

Sipas funksionit që marrin dhe ushtrojnë gjatë legjislaturës që janë zgjedhur, të gjithë antarët e kryesisë janë në nivelin e nënkryetarit nëse ai mungon për lamitë e caktuara.

 

 

  1. Numri i anëtarëve të Komitetit Drejtues të BKDSH (në të tre rastet) mund të jetë prej: 19 deri 29, por mund të jetë edhe më i madh, çka varet nga numri i të deleguarëve në K. D. nga bazat: Degët për Shqipërinë, Kosovën, kurse Nëndegët dhe Degët për Mërgim.
  2. Në Komitetin Drejtues në Mërgim bëjnë pjesë si anëtarë fuqiplotë edhe të gjithë Koordinatorët (ndërlidhësit) e BKDSH nga Mërgimi që përfaqësojnë njësitë tona partiake si dhe Degët tona në shtetet e ndryshme të botës.

 

KRYETARI I NDERIT i B.K.D.SH.

(Rasim  ZENELAJ)

 

  1. Kryetari i Nderit që jeton në ekzil, është automatikisht edhe anëtar i përhershëm i Komitetit Kombëtar bashkë me Veteranët dhe themeluesit e kësaj Besëlidhje, të cilët nuk ka nevojë të votohen e as të hyjnë në listat votuese apo të përsëritet emërimi i tyre në çdo kuvend, sepse titujt, Kryetar Nderi dhe Veteran, janë caktuar unanimisht me vendimet e marra në Kongresin (Kuvendin) e tretë të BKDSH, mbajtur në Shtutgart të Gjermanisë më 1984. Kjo u bë për shkak dhe në bazë të meritave të tyre të pakundërshtueshme për çështjen kombëtare si shenjë mirënjohje për punën dhe aktivitetin e tyre politik, kombëtar dhe humanitar.

 

Neni 28:

 

KOORDINATORËT E B.K.D.SH. NË MËRGIM

 

Kryetari i Komitetit Kombëtar të LKDSH emëron me dekret të veçantë Koordinatorin (Koordinatorët) e Komitetit Drejtues të Mërgimit në një shtet të huaj ku gjenden dhe jetojnë shumë shqiptarë që një numër i konsiderueshëm i tyre është përfshirë në radhët e LBKDSH

 

Detyra e tij është, siç e thotë edhe vetë titulli, t’i koordinojë punët partiake ndërmjet Komitetit Drejtues të mërgimit dhe asaj Dege apo Qendre të BKDSH në atë shtet ku gjendet dhe jeton ky Koordinator.

 

Posaçërisht Koordinatori angazhohet për mirëvajtjen e punës së asaj Dege, Nëndege apo Grupi anëtarësh të BKDSH në atë shtet ku ai jeton dhe vepron dhe ato aktivitete të zhvillohen në frymën e Statutit dhe Programit të LKDSH.

 

Këta, ka të drejtë t’i shkarkojë nga detyra Kryetari i BKDSH me shkresë - urdhëruese ku i merret mandati personit të autorizuar për këtë detyre duke ia sqaruar me shkrim shkaqet, të cilat zakonisht mund të jenë mosaktiviteti dhe mosinteresimi për kryerjen e detyrës së dhënë.



(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: