Rexhep Ramaj, një nga majat e sportit shqiptar
| E Enjte, 25.09.2008, 11:34 PM |

Rexhep Ramaj
Rexhep Ramaj
Me qindra sportiste të nivelit të lartë ruajnë kujtimet më pozitive për Profesor Rexhepin. Ai ishte shumë njerëzor ndaj dhe spikaste në autoritetin e tij të plotë

Nga Agron Sejamini

Ishte viti 1945. Shqipëria sapo ishte çliruar dhe gjithçka duhej rindërtuar. Pjesë e jetës së saj ishte edhe sporti. Një pjesë e efektivit të brigadave partizane, kryesisht të rinjtë, ishte dhënë urdhër që të paraqiteshin në ambjentet e Shkollës së Bashkuar. Këtu niste përzgjedhja për drejtimin që do merrte e ardhmja e tyre... I lumturuar nga ky shans, një përzgjedhje tjetër, kishte filluar të bënte Rexhep Ramaj. Duke i ledhatuar dhe ju buzëqeshur, veçoj më të gjatët dhe ata që dallonin më tepër se shokët, për fizikun e tyre... Pasdite filloi nga stërvitja duke u thënë se ata nga ai çast quheshin basketbollistë... Punoi vetë ditët e para me ta. Më pas, një pjesë të stërvitjes së tyre ia besoi, Izet Canit. Vetë u përqëndrua në një gazermë duke bërë ndarjet e nevojshme, për të filluar javën tjetër sportin e skermës... Në vazhdim, një kapanon të gjatë dhe të betonuar mirë nga të dy anët, e përshtati për poligon qitje... Pa kaluar muaji i parë, ishin tre sporte që nisën udhën e tyre. Shto edhe ekipin e boksit që stërvitej nga një i ri tjetër edhe ky i pa dëgjuar por i apasionuar, me emrin, Ali Kastrati. Ishte herët dhe nuk kishte kush, merak e mëndje të merrej me këtë punë, por "merakçinjtë" pa ua caktuar kush këtë mision, në kohën e lirë dhe krejt vullnetarisht e nisën këtë udhë... Ishin hapat e parë të rilindjes së sportit shqiptar ose thënë ndryshe rreshtat e parë të një ditari që do bëhej pjesë e denjë e identitetit kombëtar. Natyrshëm, fati për të shënuar emrin i pari në këtë histori, me meritë i takoi Rexhep Ramajt.

Shikojeni hijeshinë dhe madhështinë e fizikut të tij, në këtë fotografi që po botojmë. Vetvetiu të lind mendimi se këtë djalosh, Zoti e ka sjellë në jetë për të bërë sportin... Dhe ai këtë mision e besim e justifikoi. Ishte fat për Shqipërinë që në atë periudhë rilindjeje, kishte në gjirin e saj, Rexhep Ramajn. Një njeri i shkolluar dhe i përgatitur që do ishte lluks mbase edhe për shtetet e zhvilluara perëndimore. Mbaruar Akademinë Ushtarake në Milano, i paisur me njohuri të gjera dhe informacion shkencor për zhvillimin e sportit, zotërues i katër gjuhëve të huaja dhe mbi të gjitha një atdhetar i përkushtuar për të ecur sa më përpara kombi. Jo pak i motivuar edhe nga fakti i vendlindjes së tij, Martinaj i Plavë-Gucisë. Specialist dhe njohës i shkëlqyer, drejtues dhe organizator i palodhur, filloi të lërë gjurmë në jetën sportive të kryeqytetit. Dëgjon mbresat dhe kujtimet e bashkëkohësve të vet dhe të duket sikur shprehjeve qitje, not, kalorsi, basketboll, peshëngritje, skermë, mundje, atletikë, boks... kuptim dhe jetë u ka dhënë fillimisht Rexhepi. Inspektor i Fizkulturës në Komitetin e Tiranës ishte emërimi si vend pune. Por puna dhe vendndodhja e tij, ishte çdo shkollë dhe shtëpi tiranase... Ikte klasë më klasë për të zbuluar sportistin e ardhshëm. Nuk ndjente lodhje dhe bezdi në këtë përzgjedhje talentesh. Pjesa më e vështirë ishte të bindje prindërit që fëmija e tyre duhej të fillonte sportin. Sidomos kur bëhej fjalë për femrat. Kishte koncepte por dhe mungesë kulture dhe informacioni. Por këtë defiçit dinte ta plotësonte shumë mirë Rexhepi... I sqaronte se në radhë të parë sporti është shëndet. "Vajza juaj duke patur fizik të rregullt dhe të fuqishëm, do ta ketë më të lehtë për të lindur dhe rritur edhe fëmijë... Mes shoqesh dhe nëpërmjet sportit ajo do fitoj energji dhe besim për jetën, kulturë dhe emër të nderuar për familjen dhe shoqërinë. Asnjë të keqe, veçse të mirave do shijoni dhe gëzoni nga sporti..."

Nuk kishte si të dyshonte kush në atë ligjëratë të Rexhepit sepse kishte sinqeritet, kulturë, fisnikëri dhe pastërti. Ndryshe edhe atij nuk do i ecte puna aq mbarë. Ndryshe edhe ai nuk do ta kishte shkruar këtë histori të nderuar që ka lënë pas... Nga viti 1946 deri në vitin 1956 ka punuar si trainer i ekipit "Tirana" të basketbollit për femra. 10 vjet rresht kampion i vendit pa njohur humbjen. Po në vitin 1946 dha kontribut themeltar për ngritjen e klubit sportiv "Partizani". Gjyqtar dhe më së shumti kryegjyqtar në aktivitete të shumëllojshme sportive. Është i pari gjyqtar ndërkombëtar shqiptar në basketboll dhe qitje sportive. Jo për të fyer të dytin se sa për të kuptuar nivelin e të parit, këtë titull Federata Botërore e Basketbollit e ka akorduar përsëri, pas njëzet vjetësh. Lektor dhe referues i përhershëm te specialistët dhe trainerët përmes teksteve, programeve, sesioneve dhe takimeve shkencore. Sekretar i Federatës në Komitetin Shtetëror të Kulturës Fizike e Sporteve, për sportet e Rënda dhe Qitjen. Shef i katedrës së edukimit fizik në shkollën e mesme ekonomike. Nxitës dhe promovues i krijimit të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar si dhe anëtar i Komitetit të tij Ekzekutiv për vite me radhë. Në vijim për tre mandate ishte President i Federatës së Qitjes. Ka marrë titullin "Mësues i Popullit" dhe atë "Urdhri Olimpik". Sapo mësuam për nderimet e radhës... Kohët e fundit Presidenti i Republikës i ka akorduar titullin "Mjeshtër i Madh" dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka vendosur që poligoni i qitjes së klubit sportiv "Studenti" të mbajë emrin e tij të nderuar...

Dhe përsëri bashkëbiseduesit tanë, janë "të pakënaqur" sepse Rexhep Ramaj, i ka dhënë disa herë më shumë sportit, se sa i ka dhënë shoqëria atij... Ndaj dhe nuk rreshtin së foluri, për këtë figurë të nderuar dhe të respektuar. Nuk janë thjesht mbresa e kujtime por është portreti dhe personaliteti i një njeriu që të ngjall emocion dhe mirënjohje. Të një njeriu që shkëlqeu në karakterin e tij të pastër. Se edhe sistemi, nuk është se e respektonte dhe e donte por... e shfrytëzonte. Të gjitha programet mësimore të edukimit fizik dhe ushtarak që Ministria e Arsimit, u dërgonte shkollave të mesme përgatiteshin nga Rexhep Ramaj. Por në asnjërin prej tyre, nuk u vendos emri i autorit të vertetë. Njihen edhe sot ata njerëz që duke vënë emrin e tyre, kanë fituar tituj dhe grada shkencore. Ky ka qënë edhe vetë morali dhe e vërteta e asaj propagande dhe politike që trumpetohej me të madhe.

Në çdo festim jubilar apo parakalim të përvitshëm, para tribunës më 1 maj, kuadrati që binte më në sy për seriozitetin, disiplinën dhe estetikën ishte ai i Shkollës së Mesme Ekonomike. Me orë të tëra, dërsinte mësuesi i edukimit fizik, Rexhep Ramaj që ky manifestim, të ishte sa më dinjitoz. Por, në drejtorinë e shkollës, qëndronte edhe një shënim, ku Partia kishte urdhëruar që në asnjë mënyrë, nuk duhet të parakalonte me ta mësuesi i tyre. Kështu, një dorë e padukshme e tërhiqte mënjanë atë ditë feste, që biografia e tij të mos dëmtonte imazhin e Partisë, paçka se ai kuadrat i përgatitur nga Rexhepi, kënaqte dhe shlodhte sytë e udhëheqësve... Nuk ka se si të mos i ketë kuptuar dhe ndjerë ato poshtërime, ai njeri i mënçëm por fisnikëria e tij i jepte forcë dhe qetësi pasi gjithçka e bënte në emër të rritjes së cilësisë dhe nivelit të sportit. Ai ishte shumë i ndjeshëm dhe i njerëzishëm. I dashur dhe i afërt me miqtë dhe shokët. Dinte të nderonte por edhe të nderohej. Paçka se në një rast ai është thirrur në Komitetitn e Partisë të rajonit dhe i është dhënë vërejtje. Dhe pse? Sepse, drejtoi kolektivin dhe nxënësit e shkollës në një ceremoni mortore të babait të një kolegu. Sepse, ai homazh i organizuar me aq kulturë dhe njerëzillëk nuk duhej t'i bëhej edhe një njeriu të thjeshtë (!?)

Fakti që gjatë karierës së tij, në të shumtën e rasteve, ka qënë kryegjyqtar në shumë gara sportive, dëshmon më së mirë për shkallën e saktësisë dhe të drejtësisë. Ishte i qetë sportisti në konkurim dhe i sigurtë se nuk do guxonte t'i hante kush hakun e djersës dhe mundit, për sa kohë do ishte nën vëzhgimin dhe gjykimin e tij. Ndryshe nuk do të kishte dhe garë, nuk do të kishte dhe ambicje, nuk do të kishte dhe arritje. Le të gëzonte gjithësecili atë që meritonte. Shumë herë edhe është ndjerë ngushtë apo është provokuar. Asnjëherë nuk ka njollosur veten ndërkohë që ka shpëtuar edhe kolegët, nga ndonjë vendim i padrejtë, për të cilën ndërgjegjja do e vriste gjithë jetën. Sepse edhe autoriteti dhe personaliteti si në çdo fushë të jetës arrihet me sinqeritet dhe korektësi.

Ende shumë miq të tij, nuk e kanë harruar një xhest që dëshmon për personalitetin absolut të karakterit të tij. Aty ku sot ndodhet këndi i lojrave për fëmijë "Shtatë xhuxhat", në atë kohë ka qënë një kompleks sportiv. Rreth viteve '60, aty u zhvillua një takim i rëndësishëm boksi mes ekipit tonë përfaqësues dhe një ekipi hungarez. Interesimi ishte i jashtëzakonshëm për më tepër kur dhe niveli i boksierëve tanë ishte i rangut evropian. Faktori i fushës dhe i gjyqtarëve që ishin vendas, rriste shansin për të mundësuar një rezultat tjetër pozitiv për sportistët tanë. Qëlloi që takimi i fundit të ishte mes dy boksierëve më të fortë, pikë të cilat ndikonin edhe në klasifikimin përfundimtar. Kur katër gjyqtarët anësorë ia dhanë pikët boksierit tonë, ndodhi e "papritura" dhe kryesori ia jep fitoren hungarezit. Pati edhe fërshëllima, pati edhe pëshpërima por kryegjyqtari nuk u lëkund. Ky gjykim i drejtë, i paanshëm i Rexhep Ramajt, vlejti sa për dhjetë fitore. Sepse, treguam që dimë jo vetëm të boksojmë por edhe të gjykojmë... Kjo ra në sy edhe te komentet e gazetave sportive hungareze... Kur dëshmonin për cilësinë dhe nivelin e sportit shqiptar, ku më shumë rreshta i kushtonin këtij virtyti që manifestoi kryegjyqtari...

Në një vështrim të parë të portertit të tij, krijohet përshtypja se ka qënë një njeri serioz dhe i ashpër. Por te asnjë nga bashkëbiseduesit tanë nuk e vërtetuam këtë imazh paragjykues. Madje, në mbresat e tyre ndjemë se kjo ashpërsi anonte nga ata. I tillë ka qënë një rast, kur në Berat zhvillohej një takim kombëtar i peshëngritjes. Në një nga ato ditë, njëri prej sportistëve ishte bërë shkak për një incident të pahijshëm dhe të dënueshëm. Të gjithë drejtuesit e aktivitetit, shprehën të njëjtin mendim që ai duhej të përjashtohej. Profesor Rexhepi, me atë kulturë nga ku i buronte fjala dhe mendimi imponues, u lutet kolegëve t'i besonin atij në një zgjidhje më të arsyeshme. Më se një herë ata e njihnin motivin e tij në këto rastesh se "sportisti jo vetëm duhej bindur por edhe nuk duhej humbur". E ndërsa ia pranuan atë lutje, u mjegulluan dhe disi u irrituan kur panë profesorin dhe peshëngritësin që darkonin sebashku dhe kuvendonin sy më sy... Por dhe ky inat nuk u zgjati shumë pasi të nesërmen sportisti i padisiplinuar, shënoi rezultat rekord...

Rrallë do i vinë sportit shqiptar organizues dhe drejtues si ai. Rrallë kush si ai, ka përfaqësuar denjësisht sportin kombëtar në takimet ndërkombëtare. Njohuritë dhe informacioni i shumët shkencor, metodat dhe praktikat e veçanta që ofronte në stërvitje e bënin atë që të mos e besonin kurrë se gjithçka ishte e tija.

-Ç'farë shkolle boksi kini ju: - e pyetën specialistët gjermanë në Berlin, kur ekipi ynë qëndroi aty një muaj e gjysëm.

-Shkollën shqiptare- u përgjigj Rexhepi.

Nuk e besuan gjermanët, paçka se edhe në këtë rast, ai nuk gënjeu...Dyshuan sepse në stërvitjen dhe veprimet e boksierëve tanë shikonin diçka tjetër. Natyrisht që nuk bëhej fjalë për shkollë shqiptare por ama ata punonin vërtetë shqiptarçe... Kur ekipi gjerman bënte gjumin e mëngjesit, shqiptarët falë vullnetit dhe pasionit, bënin dy orë vrap në natyrë. Gjermanët punonin me orar, këta tanët nuk shikonin kur ngrysej apo kur dilte dielli... E po ta plotësojmë këtë praktikë pune, me këshillat efikase dhe shkencore të Rexhepit, natyrisht që gjermanët kishin të drejtë të pyesnin, për llojin e shkollës. Nuk shkonte Rexhepi në sallat e tyre të stërvitjes, por ishin specialistët gjermanë që vinin dhe i qëndronin atij afër duke e pyetur herë pas here. Kuptohet të favorizuar edhe nga fakti se Rexhepi e fliste shumë mirë gjermanishten. Katër herë u ndeshën me ekipin kampion gjerman të Shveringut. Dy fitore, një barazim dhe një humbje arritën tanët...

Hajde po deshe dhe mos e quaj majë, të madhin Rexhep Ramaj për çka i dha sportit tonë kombëtar. Një majë që hijeshon vetwm madhështi dhe krenari...

I katërti ishte për t'u dënuar, jo ata të tre...

Mund të ishte katër, numri i atyre që përjashtoheshin nga Komitetit Shtetëror i Kulturës Fizike e Sporteve, atë gusht të vitit 1965. Për Rexhep Ramaj, Zef Hilën dhe Sabri Çelnikasin vendimi ishte i formës së prerë. Fshesa e luftës së klasave, këtë radhë kishte "pastruar" sportin nga ata që e kishin mëkëmbur dhe rritur, aq shëndetshëm deri në atë kohë...

Sapo kishte mbaruar një mbledhje e rëndësishme dhe veshi i kishte kapur atë që nuk mund ta mendonte e jo besonte. Troket në zyrën e kryetarit, për të sqaruar të vërtetën. Gjithçka ishte miratuar dhe vulosur.

-Ç'kini bërë more kështu? Keni hequr tre njerëzit më të mirë që ka Komiteti jonë. Tre shtyllat e sportit...

-Sh, sh, sh! - i ishte lutur, të ulte tonin bashkëbiseduesit. Është vendim i organizatës bazë të Partisë...

-Organizata bazë është një tufë të paaftësh - dhe si për të qënë pak "bomba" që kishte lëshuar, përplasi edhe derën, kur doli nga zyra e tij.

Nuk kishte si ta kapërdinte lehtë, këtë lajm të keq, punonjësi tjetër i këtij komiteti, legjenda e mikrofonit, Ismet Bellova. E ç'farë mund të bënte më shumë se kaq, për të nxjerrë dufet e këtij vendimi të shëmtuar. Dhe koha dëshmoi se atij kryetari, i ngelet borxh gjithë jetën për atë "kafshim gjuhe" që bëri. Sepse thënë ndryshe, Partia nga ato fjalë dëmtohej me të vërtetë dhe jo nga biografitë e atyre drejtuesve të shquar të sportit.

- Edhe sot, nuk besoj se kam folur aq ashpër në atë zyrë. Por dua të them edhe tjetrën, se të gjithë e përjetuan keq atë largim. Mes atyre miqve ishte edhe Rexhepi. Për dekada të tëra ka qënë udhërrefyesi dhe idhulli im. E kisha pikë orientimi dhe reference për kulturën e gjerë dhe të gjithanshme, për aftësitë e rralla organizative, drejtuese dhe tekniko-profesionale, për virtytet e larta njerëzore që manifestonte në jetë, - komenton Bellova...

Mjeshtri Ali Kastrati: Unë isha trainer por merita i takonte Rexhepit...

"Më parë, kisha punuar edhe me të tjerë, por kur njoha Rexhepin, ky ndryshonte si nata me ditën... E dallova që në bashkëbisedimin e parë që ishte kapacitet, ndaj nuk ju ndava... Më çudiste me ato që më tregonte dhe më këshillonte. Unë isha trainer por para tij e ndjeja veten sportist... Bashkë i bënim peshimet, matjet gjithçka. Dinte më të mirën për pozicionin e goditjes, të mbrojtjes, pozicionin e mbajtjes së këmbëve, duarve... Nuk ishte egoist por dashamirës dhe i dëshiruar për të përvetësuar sa më shpejt teknikat e reja... Dinte të mbante afër aq sa harroje të shkëputeshe prej tij.

Të nderonte, kudo që shkoje me të... Nuk kam për ta harruar atë vit, kur shkuam në Armeni. Nja dy ditë rresht, gazeta "Pravda" me shkronja të mëdha, shkruante se mbërriti në vendin tonë, për të mësuar dhe marrë përvojë ekipi shqiptar i boksit. Në protokoll ishte caktuar stërvitje e përbashkët dhe vetëm një takim zyrtar. Edhe kjo ishte bërë më shumë për miqësi se sa për vlerësim dhe konkurencë. Mirëpo ringu i nxorri të turpëruar sovjetikët... "Amatorët shqiptarë" me paraqitjen e tyre shumë dinjitoze, shkaktuan një shije të keqe te boksierët rusë. Në ditët në vazhdim, ndjenim se u kishte humbur ngrohtësia dhe buzëqeshja. Ishin inatçinj... Shikojmë që në ekip erdhën boksierë të tjerë nga Leningradi dhe Lituania. Ne u gëzuam, pasi i njihnim që ishin nga më të mirët e Bashkimit Sovjetik. Të stërviteshe me ta ishte fat. Mirëpo vonë, mësojmë se ata nuk i kishin sjellë, për të përfituar ne nga mjeshtëria e tyre por për tu përballur, në një takim tjetër, me ne. Deshën të çonin në vënd nderin e nëpërkëmbur me sa po nuhasnim... Një ditë na thërresin për takim Rexhepin si përgjegjës ekipi dhe mua si trainer. Na shprehin dëshirën që të organizojmë edhe një takim miqësor. Me thënë të drejtën, u kujtuam se protokolli zyrtar ishte realizuar dhe ky propozim është i paparashikuar... Mirëpo nuk ishte dhe aq mirë të kundërshtoje "vëllanë" e madh... Natyrisht, u treguam më pak agresiv dhe luftarak në takimin e dytë... Ju erdhi buzëqeshja dhe goja në ditët në vazhdim por jo se e kishin harruar krejt, shijen e takimit të parë.

Ja pse them që Rexhepi, ishte një njeri që të nderonte me aftësitë dhe njohuritë që zotëronte. Para tij, kam parë të bëhen memecë edhe specialistët më të mirë, të kujtdo vendi ku kemi qënë me ekipin tonë të boksit. Sa kisha kot emrin unë trainer, se gjithçka i takonte atij. Ndaj e kam patur mikun më të mirë dhe më të dashur...

Nga MARJETA ZAÇE

Mjeshtre e Merituar Sporti

Fillimet e demokracisë dhe ndryshimet konceptuale dhe funksionale në strukturat sportive, ashtu si në shumë vende të Europës, patën protoganistët e saj edhe në fushën e sportit. Një ndër ta ishte dhe Profesor Rexhep Rama, i cili edhe pse me një formim shumëdimensional (Ushtarake, Juridik dhe Edukim Fizik dhe Sportiv), të gjithë jetën me shumë oshilacione në karrierën e tij profesionale ja kushtoi fushës së edukimit fizik e sportit. Endra e tij e realizuar në vitet e demokracisë, me struktura te ngritura nëpërmjet zgjedhjeve të lira, u bë realitet. Në to, tashmë u përfshinë edhe ata të haruarit që ndoshta kishin studiuar jashtë vendit apo edhe kishin arritur me sportistët e tyre të arrinin rezultate të larta por vlerësimet që ju takonin, nuk i kishin marrë. Në këtë kontekst, unë kujtoj me shumë respekt Komitetin Ekzekutiv të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (1992-1996). Unë isha në rolin e Sekretares së Përgjithshme dhe pata fatin të punoj për zhvillimin e sportit me figura dhe personalitete të tillë si, Prof. Rexhep Ramaj, Zef Hila, Feti Borova etj., të përmasave të veçanta intelektuale dhe me një integritet moral e shoqëror që sistemi nuk kishte arritur t'i ndryshonte.

Ajo që unë dua të theksoj në mbresat e mija, për vlerat shumë të veçanta të profesor Rexhepit, kanë qënë njohuritë e tij shumë të thella, jo vetëm në fushën e sportit e cila i jepte atij avantazhin, të ishte shumë i saktë në mendimet që jepte, sidomos kur bëhej fjalë, për vendime të rëndësishme në fushën e sportit. Prof. Rexhepi ishte mbështetësi më i madh i talenteve, i nxitjes së figurave që i kishin dhënë realisht sportit shqiptar, në kategorinë e të cilëve, do e përfshija dhe unë veten. Ai ishte një libër i gjallë historie i figurave dhe personaliteteve të sportit shqiptar në vite, madje unë ndjej keqardhje që bashkë me humbjen e tij, kanë humbur edhe disa histori personalitetesh që ai ishte shumë xheneroz, për t'i përmendur gjithmonë. Ai dallohej për frymën dhe filozofinë olimpike që të ishte promovues i vlerave të njerëzve që dhanë dhe sakrifikuan për sportin. Ai deri në ditë e fundit të jetës, kishte një memorje të freskët që do ta kishte zili edhe një i ri i kohës së sotme. Ai i donte sportistët dhe përpiqej t'i ndihmonte ata, jo vetëm për problemet që kishin lidhje me sportin, por edhe për shqetësimet e tyre familjare. Ai ishte për ta një mësues, prind por edhe drejtues. Me qindra sportiste të nivelit të lartë të boksit, qitjes, mundjes dhe shume nxënës, ruajnë kujtimet më pozitive për Profesor Rexhepin. Mbi të gjitha ai ishte shumë njerëzor ndaj dhe spikaste në autoritetin e tij të plotë.

Por, do ta konsideroja edhe më tepër fat, njohjen me zonjën e bashkëshorten e tij, Mama Milica siç e thërrisnin mbesat e saj, që së bashku ishin një çift model, përsa i përket marrëdhënies se tyre, mënyrës së komunikimit dhe komportimit që ata përcillnin në familje e shoqëri. Ato cilësi, ata i pasqyronin në pamjen e tyre fisnike, të trashëguar fatmirësisht edhe tek fëmijët e tyre.


RD

(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: