Ahmet Shqarri: Sporti kombëtar dhe anti-vlerat shqiptare!
| E Shtune, 20.09.2008, 09:45 AM |

Ahmet Shqarri
Sporti kombëtar dhe anti-vlerat shqiptare!
 
Nga Ahmet Shqarri

 
Kam përjetuar një çast pozitiv dhe tepër emocionues këto ditë në Durrës, kur në përurimin e garave të Kampionatit Evropian të të rinjve në peshëngritje, mes autoriteteve më të larta të këtij sporti nga vendi dhe kontinenti, pashë të ftuar si mysafirë edhe figura të ndritura të sportit shqiptar, gati të harruar nga "pluhuri" i kohës, si ish-kampioni i Botës në Mynih 1972, Ymer Pampuri, si dhe një nga më të mëdhenjtë e sportit tonë në vite, Agim Fagu! Me sa duket, drejtuesit e Federatës sonë të Peshëngritjes, të mësuar me suksese nëpër aktivitete ndërkombëtare, ndërkohë tashmë edhe të emancipuar, kanë arritur të vjelin prej botës së qytetëruar edhe eksperienca të tilla ku vlerat më të mira dinë t'i shfaqin jo vetëm me fitore medaljesh, si asnjë sport tjetër shqiptar deri tani, por edhe nëpërmjet pranisë së Ymer Pampurit dhe Agim Fagut nëpër aktivitete të nivelit të lartë, të denja për madhështinë e vetë këtyre protagonistëve!

Ndërsa në Durrës kam ndjerë kënaqësinë e pranisë në sallën e garave të dy emblemave nga më të shquarat e sportit tonë, befasinë e ndesha që disa ditë më parë në një nga sallat e hotel “Tiranës” në konferencën e shtypit të zhvilluar me rastin e Kampionatit Evropian. Atje, mes gazetarëve të shumtë dhe ekipit tonë përfaqësues të përbërë nga medalistë ndërkombëtarë që do të merrnin pjesë në këtë aktivitet, dallova edhe një nga mjeshtrat më të shquar të peshëngritjes, të parin dhe të vetmin kampion olimpik të Shqipërisë deri tani, Ymer Pampurin. Ishte befasi, sepse asnjëherë më parë nuk kishte ndodhur që mjeshtra të tillë veteranë, nga çdo lloj sporti tek ne, të vlerësoheshin kështu duke qenë të pranishëm në një aktivitet, ceremoni apo edhe konferencë shtypi, mes një elite të caktuar apo kampionësh aktualë?! Prania nëpër aktivitete të ndryshme e këtyre mjeshtrave, ("të harruar", sikur të mos kishin ekzistuar ndonjëherë në këtë vend?!), ka qenë një lloj herezie e pashpallur, por në fakt realiste për sportin shqiptar, deri ditën kur pashë në atë konferencë për shtyp Ymer Pampurin! Mungesa e vazhdueshme nëpër aktivitete të ndryshme e këtyre mjeshtrave, që kanë bërë historinë më të bukur të sportit tonë, për të mos shkuar shumë larg, është ndjerë edhe në ato ditë të përcjelljes plot bujë që Komiteti Olimpik Shqiptar organizoi për përfaqësuesit tanë në Lojërat Olmpike, Pekin 2008. Lloj-lloj njerëzish pamë ato ditë kur Presidenti i Republikës apo Kryeministri ynë prisnin e përcillnin delegacionin tonë olimpik, mes flamujve, fjalimeve dhe premtimeve entuziaste, ndërkohë që atje mungonin sportistë të tillë si Ymer Pampuri, shembull inkurajimi dhe frymëzimi për të rinjtë, më shumë sesa deklaratat pompoze që u bënë ato ditë dhe që në fakt dolën se ishin krejt artificiale pas përfundimit të Olimpiadës. Nuk është se prania e këtyre "veteranëve" të sportit nëpër pritje apo aktivitete të tilla, do të na siguronte patjetër një rezultat të lartë e të garantuar, sidoqoftë, gjesti i Federatës sonë të Peshëngritjes, për t'i pasur pranë këta mjeshtra dhe ish-kampionë të shquar, si në rastin e Ymer Pampurit dhe të Agim Fagut, përbën një kthim tek vlerat më të spikatura të sportit tonë, duke u shprehur atyre respekt dhe mirënjohje për atë kontribut të jashtëzakonshëm që kanë dhënë ndër vite... Më mirë vonë se kurrë. Sepse, ndryshe, po të vazhdohet siç po bëjnë në fakt federatat e tjera, duke injoruar historinë dhe protagonistët e saj, atëherë sporti ynë kombëtar, në vend të respektit për ta, përkundrazi, do të shfaqte antivlera! Për të mos bërë teori, por mbështetur në realitetin mohues të vlerave të vërteta të atyre që kanë shkruar historinë e sportit tonë, po riprodhoj një ngjarje aspak të këndshme të disa ditëve më parë. Ka qenë pikërisht ndeshja e asaj mbrëmjeje të mërkurë ndaj Suedisë, që do të zhvillonte ekipi ynë përfaqësues për eliminatoret e Botërorit 2010, kur, ndërsa po drejtohesha për në stadium, shoh që përkundruall meje po vinte kokulur dhe tepër i mërzitur ish-futbollisti i famshëm i Partizanit dhe i Kombëtares së viteve ‘60-të, Lin Shllaku. Pasi u përshëndetëm si miq të vjetër, përshtypja që më la rrëfimi i tij për atë çka i kishte ndodhur, ishte me të vërtetë shokuese! Atë, Lin Shllakun, të mbiquajturin "brigadier" për forcën dhe rivalitetin dinjitoz të treguar ndaj kundërshtarëve të tillë, të mëdhenj e të shquar si më të mirët e botës për atë kohë, si Xhorxh Best i Irlandës së Veriut apo Franc Bekenbauer të Gjermanisë; atë, Lin Shllakun që me lojën e tij në atë kohë bënte të oshtinin plot entuziazëm stadiumet e mbushura plot, nuk e kishin lejuar të futej në stadiumin "Qemal Stafa". – I tregova fletë-hyrjen me të cilën më ka pajisur Drejtoria e Stadiumit, por ma quajtën të pavlefshme, pasi duhej biletë; kështu ma mbyllën derën, prandaj po kthehem në shtëpi, - më tha gati i turpëruar dhe si i zënë në faj, ai, një nga mjeshtrat më të shquar të historisë së futbollit shqiptar, Lin Shllaku...

Nuk dua të zgjatem me "përpjekjet" që bëra për t’i kthyer mendjen mjeshtrit të shquar të futbollit tonë, duke i premtuar se do të mund ta shihnim ndeshjen nëpërmjet fletë-hyrjeve që na identifikonin, as nuk do të tregoj për vështirësitë që na u desh të kalonim tek porta e hyrjes për t’i mbushur mendjen rojeve të shumta që, ndërsa lejonin të futeshin lehtësisht në stadium lloj-lloj anonimësh, nga ana tjetër bënin të kundërtën, teksa bërtisnin e çirreshin, duke e shtyrë personalitetin e futbollit tonë, me fjalët fyese: "Ik xhaxho, mos na pengo, lëri njerëzit të kalojnë, se u ke zënë rrugën!...". Ajo që dua të them me këtë rast dhe që përbën një shqetësim të madh për bjerrjen e vlerave të këtij kombi, është se, atë mbrëmje kur Shqipëria "festonte" për faktin se Suedia nuk na bëri gol dhe ne i morëm barazimin, protagonisti i futbollit tonë të viteve ‘60-të, Lin Shllaku ndjehej i fyer deri në palcë! Nuk e di se çfarë ka ndodhur me të tjerë yje të dikurshëm si ai p.sh. me Panajot Panon, Ali Memën, Robert Jasharin, Iljaz Çeçon... A mund të kenë pasur edhe ata fatin e keq të mosfutjes në stadium?! Sidoqoftë, ajo ngjarje e asaj mbrëmjeje ishte një mohim i turpshëm i vlerave të protagonistit në fjalë dhe konfirmim i shfaqjes së antivlerave të sportit tonë kombëtar në përgjithësi. Sepse, po ju sjell një shembull tjetër ku vende me emancipim dhe respekt ndaj vlerave të tyre e tregojnë këtë edhe me mirënjohjen që u shprehin konkretisht protagonistëve të sportit që ata përfaqësojnë. Kështu, gjatë xhirimeve që po bënim në Itali për filmin "Lidhëset e Këpucëve", kushtuar kampionit të Serisë A, Naim Kryeziu dhe futbollistëve të tjerë të shquar shqiptarë, të viteve ‘30-‘40, ndesha në një fakt interesant, që ka të bëjë pikërisht me "shpërblimin" që klubi i Romës vazhdonte

t'i jepte edhe tani në moshën mbi 90-vjeçare, ish-futbollistit të tij shqiptar, që në vitin e largët 1942 kishte dalë kampion. Atë, jo vetëm që nuk e kishin harruar, siç ndodh këtu tek ne me protagonistët e dikurshëm, përkundrazi, në tribunën e nderit në stadiumin "Olimpik" të Romës, ish-futbollisti i 6 dekadave më parë, Naim Kryeziu kishte vendin e tij të siguruar për gjithmonë, të cilin tani, për shkak të vështirësisë së moshës, ia zinte shpesh i biri, Marko... Nuk di ç'të them tjetër për këtë histori të trishtë të antivlerave të shfaqura në sportin tonë kombëtar, që m'u kujtua atë ditë kur pashë një rreze shprese për ndryshim nga Federata Shqiptare e Peshëngritjes, e cila kishte ftuar në festën e saj të ceremonisë së hapjes së Kampionatit Evropian të të rinjve edhe dy nga përfaqësuesit më në zë të vlerave më të spikatura të sportit shqiptar, Ymer Pampurin dhe Agim Fagun... 


G. Standard

(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: