Kadri Kadiu: Kur të martonte kooperativa
| E Diel, 12.08.2018, 12:00 PM |

KUR TË MARTONTE KOOPERATIVA

Nga Kadri Kadiu

Ka ndodhur në fshatin tim në Mançurisht të Devollit aty nga vitet 50-të:  Në fisin tonë të madh ishte dhe një familje fisnike e përbërë nga tre djem dhe nëna e tyre. Djemtë ishin njëri më i mirë se tjetri, ishin punëtorë duarartë dhe punonin në Kooperativë, po gjendja ekonomike e familjes nuk ishte aq e mirë pasi të ardhurat nga Kooperativa ishin të pakta.Në atë periudhë që kooperativat ishin në fazën fillestare të tyre, anëtarëve të Kooperativës iu lejohej që të mbanin nga një lopë kurse bagëti të imta mund të mbanin pa kufizim. Mirëpo këta kushërinjtë tanë, siç e thashë, kishin rënë nga vafti dhe hauri i tyre i madh kishte mbetur vetëm me tri dhi.

Djali i madh po bëhej 30 vjet por nuk po gjente nuse. E ëma e djemve një ditë e thërret babain tim, Safetin, dhe ia qau këtë hall: O safet, i thotë, më i madhi i djemve mu bë 30 vjet por nuk po gjejmë dot nuse pasi familjet ku kemi kërkuar ne, vijnë e pyesin në fshat por nerëzit i thonë se " djali është i mirë por nga ekonoia nuk janë aq mirë". Unë jam në merak o Safet pasi edhe dy djemtë e tjerë e mbaruan ushtrinë dhe janë në moshë për martesë por po nuk e martuam të madhin, nuk u hapet rruga dy të tjerëve. Prandaj të thirra o Safet, që si kushëri që të kemi, të na ndihmosh për këtë problem.

Babai im në atë kohë ishte  Kryetar i Kooperativës dhe helbete  edhe fjala i dëgjohej më shumë. E po mirë, i thotë babai im, do të intersohem edhe unë dhe djemtë e tu nuk do të mbeten pa martuar pasi vërtet i ke djem të mbarë, të tre i ke si xhevahirë.

Ashtu është o Safet, unë i falem Zotit që m'i bëri kaq të mbarë, se ti e di që imshoq m'i la të vegjël dhe i kam rritur me njëqind halle.

Filloi kërkimet për nuse babai im dhe më në fund e rekomanduan për një vajzë në një fshat të fushës së Korçës.

Pas ca ditësh Safeti hypi kalin dhe mbrëmja e zuri në fshatin ku do të kërkonte nuse. Shkoi në shtëpinë e babait të vajzës, u prezantua dhe, sipas rregullave të mblesërisë, i paraqiti kërkesën. Babai i vajzës, krushku i ardhshëm,  pasi e dëgjoi me vëmendje, filloi nga pyetjet e tij të panumërta. Tërë merakun e kishte tek kandidati për dhëndër, sa i saktë ishte ai për të mbajtur familje dhe çfar karakteri kishte. Nga ana tjetër ishte shumë i interesuar për gjendjen ekonomike të familjes ku do të jepe vajzën. O Safet, i thoshte babait tim, unë vetë nuk të kam njohur por fjalë të mira kam dëgjuar për ty. Unë jo se nuk i besoj fjalët e tua, por gjërat duhet t'i verifikoj vetë pasi nuk dua që vajza ime nesër të heqë keq dhe të vuajë për bukën e gojës.

Po mirë mo "krushk", ia ktheu Safeti, kur të duash të vish në Mançurisht tek shtëpia ime, madje për darkë të shkojmë tek kjo familje që të rekomandova unë dhe ta njohish vetë djalin por dhe karakterin e tij dhe gjendjen ekonomike të familjes.

Ranë dakord me këtë propozim dhe caktuan ditën kur babai i vajzës do të vinte në Mançurisht.

Një ditë më parë se sa të vinte "Krushku", babai im shkoi tek kushërinjtë dhe dha porositë se si të vepronin të nesërmen:

Së pari, iu tha, bëni një pastrim të përgjitshëm të shtëpisë të oborrit dhe gjithë ambienteve, se helbete vjen një mik i ri.

Së dyti, nesër do të shkoni në magazinën e Kooperativës dhe do të merrni një dele që do të theret për këtë qëllim, të cilën do ta piqni në hell.

Së treti, kam porositur brigadierin e blegtorisë që një tufë delesh të Kooperativës me nja 100 krerë, t'i sjellë në mbrëmje dhe t'i futë në haurin tuaj, që t'i shohë ai krushku pasi kishte shumë merak se sa bagëti kini.

Së katërti, në darkë do të vijmë edhe nja 6 a 7 kushërinj, për ta nderuar krushkun me muhabet, me këngë e me valle.

Të gjitha këto porosi u zbatuan një për një dhe në mbrëmje im atë trokiti në portën e kushërinjve, i shoqëruar me krushkun e ri. Sipas porosisë së dhënë, në të njëjtën kohë kur krushku hyri në oborrin e shtëpisë, u hap dera e haurit dhe u fut aty tufa me 100 delet e Kooperativës por që krushkut iu mbush mendja se "kjo familje qenka e kamur".

Krushku u kënaq edhe më shumë në darkën e shtruar për nder të tij dhe i fjeti mendja jo vetëm për djalin që po bënte dhëndër por edhe për rregullin, pastërtinë e mikpritjen që gjeti në atë shtëpi, kështu që e prenë dhe ditën e dasmës.

Shkuan për ta marrë nusen rreth 25 krushq, që të gjithë me kuaj. Ata që nuk kishin kuaj të tyre, morën kuaj nga Kooperativa.

Unë isha nja 12-13 vjeç në atë kohë, mirëpo për ta nderuar babain tim si mbles, më caktuan edhe mua të shkoj krushk.

---------

Pasuria shkon e vjen, rëndësi ka që dhëndri e nusja të gjejnë dashuri e mirësi tek njeri-tjetri. E kjo martesë funksionoi për bukuri pasi jo vetë kushëriri jonë ishte njeri i ndershëm, i urtë e punëtor, por edhe nusja që morëm ishte për t'ia pirë dollinë. U bënë me fëmijë, i rritën e i edukuan si jo më mirë fëmijët, e ngritën ekonominë, u trashëguan e u plakën në harmoni dhe të lumtur ky çift shembullor në fshatin tim.

Nuk e pashë të arsyeshme t'i përmend emrat e tyre në këtë shkrim, por ata janë në zemrën time e në mendjen time si njerëzit e mi të afërt e të dashur.



(Vota: 1)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: