Nexhat Halimi - A vuan më pse nuk vuan
| E Marte, 07.08.2018, 06:13 PM |

Botime të reja

Nexhat Halimi

A vuan më pse nuk vuan

(“A vuan më pse nuk vuan” është libri  më i ri me poezi i Nexhat Halimit, botuar nga Shtëpia Botuese “FAD” në Prishtinë  2018)

Libri është një këndim i veçantë për jetën e vdekjen. Një këndim i dhembjes, këndim pikëllues dhe plot mallëngjim për nënën. Ajo qe lulja më e bukur e jetës e tashmë nuk është, është shuar. Si të pajtohet kjo rrjedhë me këtë të vërtetë, si të gëlltitet diçka kaq e rëndë brenda shpirtit që nuk e pranon atë çfarë ka ndodhur?! E duhet ta pranojë përfundimisht, sepse gjërat e kanë rrjedhën e vet dhe nuk ndryshojnë. E vërteta nuk ndryshon, por nuk këputen kujtimet, ato rrjedhin dhe herë – herë i krijojnë mozaikët tashmë të ikur, e zgjojnë ndonjë copëz të jetës, sado që koha kurrë më nuk kthehet.

Ja pse autori në jehun e dhembjes i flet në heshtje nënës “A vuan më pse nuk vuan”, duke e ndjerë

ashpërsinë e realitetit ...

Ky libër ka dyzetedy njësi poetike dhe një përkushtim. Të gjitha tekstet tematikë bosht e kanë dhembjen dhe pikëllimin e thellë për aktin e vdekjes, të vdekjes së nënës larg nga atdheu, në ShBA. Në mënyrë shumë të afërt, me figura të zgjedhura e metafora krijohen vargje të veçanta, kujtohen shumë çaste të jetës pranë nënës, sidomos në moshën e fëmijërisë në fshatin Dumnicë të Llapit, ku jetonin. Herë të lumtur e herë tjetër të ballafaquar me brigje e ashpërsi të së përditshmes. Të gjitha përjetimet e këputura nga jeta, janë realizuar në poezi me ndjesi dhe mjeshtri të madhe, natyrisht falë përvojës së madhe të autorit në krijimtarinë poetike, i cili ka një bagazh të madh veprash në të gjitha gjinitë letrare.

Nis nga vetë titulli i librit e me radhë – me secilën poezi veç e veç,  shpjegon përpjekjet, mundi dhe vragat e jetës, rrjedhat, çastet  e ndodhitë gjatë punës së rëndë të bërë në të përditshmen e jetës në fshat. Këtë e dëshmon secila nga poezitë e radhitura në këtë libër, si dhe përkujdesja e nënës për fëmijët me të cilën ata e thurnin jetën. ”A vuan më pse nuk vuan” e shpjegon tërë thellësinë , tërë bukurinë, plot ndjeshmëri, muzikë dhe mendim të shfaqur në këtë poezi. Pikërisht, të realizuar kështu, lexuesi do ta përjetojë fuqishëm secilin tekst letrar. Në të njëjtën kohë, prej poezisë në poezi vjen e shumëfishohet dhembja për mungesën e nënës, ndërsa kaq thellë përjetohen vargjet pse s` do të vish me shprehi / të më prekësh në netët e acarta / a i kam këmbët të ftohta / të më mishërosh me besim”.

Dhembja gjithnjë rritet, shtohet, ndërsa jeta vazhdon.

Libri përfundon me kurorën sonetike “E ca lule xheneti”, në të cilën autori evokon kujtime për ditët e ikura, ndërsa dilte nga mësimi në shkollën fillore të fshatit dhe me gëzim mblidhte narcisë të egjër, i bënte tufa e ia dërgonte nënës në shtëpi, t`i vejë ajo në gota me ujë e ta mbushin kështu ditë me radhë tërë shtëpinë me aromë të këndshme. Tash nuk mbledh lule më, sepse as nuk ka kujt t`ia dërgoj e të gëzohet nga e shikon nënën nga thithë aromë të luleve që ia ka mbledhur!

I dhemb shumë mungesa dhe harton vargje lidhur me këtë.

Ky libër është njëri nga më të suksesshmit të Nexhat Halimit, krijimtaria e të cilit është cilësuar e suksesshme në vazhdimësi, nga kritika, por edhe nga lexuesi.

Kaltërina Meka 



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: