Engjëll Koliqi: Ekspozitë e mrekullueshme
| E Diel, 05.08.2018, 01:41 PM |

NË ITALI U BË NJË EKSPOZITË E MREKULLUESHME E SKULPTORIT KOSOVAR NUE MARTINI

SHUMË KOMPLIMENTE DHE URIME NGA VIZITORËT E SHUMTË

Komuna e Cremeno-s, në Rrethin e Lecco-s, në Lombardi të Italisë, në lokalitetin Maggio, ka organizuar ekspozitën artistike "...format e fshehura në lisa...", me punimet e mrekullueshme të skulptorit kosovar Nue Martini, nga Stublla e Karadakut, komuna e Vitisë. Ekspozitën triditëshe e kanë vizituar qindëra, mbase mijëra artdashës nga mbarë rrethina e Leccos, edhe më gjërë, bile të ardhur edhe nga shteti fqinj Zvicra. Shumë nga vizitorët kanë lënë gjurmë në fletoren përkujtimore të hapur nga vetë autori i ekspozitës, me vlerësime, mbresa e përjetime, ku shihen shumë komplimente dhe urime për autorin dhe për artin e bukur kosovar. Ishte vërtetë kënaqësi e madhe kur lexoheshin shprehje komplimentesh nga skulptorë vendorë, duke thënë se përkulen para këtij autori të ri kosovar.

Shkruan: Engjëll KOLIQI

Të premten e 20 korrikut pasdite, në godinën shumë prestigjioze të veprimtarive artistike, drejtoria e kulturës e Komunës së Cremeno-s në krahinën malore të Lecco-s Valsassina, Villa Carnevali, në lokalitetin Maggio, ka hapur ekspozitën artistike të skulptorit kosovar Nue Martini, nga Stublla e Karadakut, komuna e Vitisë. Ekspozitën e hapur deri të dielën e 22 korrikut, në ora 22 e kanë vizituar qindëra, mbase edhe mijëra vizitorë artdashës, nga mbarë rrethina e Leccos, pastaj nga Bergamo, Milano, Como, Varese, Brescia e më larg, edhe nga shteti fqinj i Zvicrës. Autori i ekspozitës, Nou, kishte hapur një fletore përkujtimi, ku lenin gjurmë shumë vizitorë artdashës, madje edhe artistë të mirëfilltë e në zë, edhe duke  u shprehur se përkulen para këtij mjeshtri kosovar të artit figurativ në skulpturë, që po e çon larg zërin artistik të shtetit më të ri europian, të quajtur Republika e Kosovës.

Siç shkruan edhe në fletushkën palosëse të ekspozitës, Nue Martini, është i lindur në vitin 1979, në një fshat malor të Kosovës, në Stubëll të Vitisë, tani një qytezë shumë e bukur pitoreske e Karadakut. Është i treti, nga nëntë fëmijët e Martin dhe Natale Martinit. Nga terrori i tmerrshëm i pushtuesit serbian që u bë pas heqjes së autonomisë së Kosovës, Nou shumë i ri, 16 vjeç u detyrua ta lëshojë vendlindjen dhe në vitin 1995 emigroi në Itali, ku u vendos në Barzio, në rrethin e Lecco-s, në Lombardi, ku edhe sot jeton e punon. Krahas punës së tij si kopshtar-oborrtar, Nou merret edhe dhe skulpturën, duke bashkëpunuar ngushtë me skulptorët vendorë. Duke qenë se i ati Martini ishte marrë me zdrukthtari, Nou profesionin e gdhendjes së drurit e kishte mësuar nga babai, që në fëmijëri. Fati i tij ishte që njëri nga fqinjtë e tij italianë ishte skulptor i njohur. Nou filloi të bashkëpunojë me te, duke e mësuar mirë e bukur mjeshtrinë a gdhendjes artistike të drurit, megjithë karakteristikat që e përcjellin - zgjedhjen e llojit, të formës, të vjetërsisë etj.

Kemi biseduar gjerë e gjatë, me Noun, për ushtrimin e këtij zanati, që e ka bërë të hyjë mes skulptorëve më mirë aktualë që jetojnë e veprojnë në Itali. Ai na tha se së pari me gëdhendjen skulpturore të drurit është marrë, në moshën shumë të re, duke e kopjuar babain në bërjen e çiftelive, për të bërë tani forma shumë të ndërlikuara artistike, me domethënie shumë të vlefshme dhe interesante shpirtërore, emocionale e psikologjike, çfarë vëreheshin dhe vlerësoheshin shumë lartë në ekspozitë.

Disa ditë para ekspozitës, të ftuar nga ai, bashkë me veteranin stubllas në këto anë - Pashk Ballabanin, e bëmë një ndejë, në laboratorin ku ai punon skuplturat, në Pasturo të Lecco-s. Veç tjerash, Nou na kënaqi kur na kumtoi lajmin se ka vendosur ta bëjë një vepër artistike për Muzeun  e Shkollës së Parë Shqipe në Kosovë, në Stubllën tonë e të tij, ku ka lindur dhe është rritur. Bile edhe i dhamë të dhëna për shkollën e Dom Mikelit dhe e pajisëm me foto të Dom Mikelit dhe të bustit të tij në Stubëll. Ai na tregoi se për këtë ka siguruar një copë druri të arrës që ka mbi 300 vjet, me dimensione rreth 140 X 90 centimetra. Në atë dru po përgatiste një vizatim me motive nga një orë mësimore e Dom Mikel Mësues Tarabulluzit, që pastaj do ta gdhendte artistikisht dhe do e sillte në Muze, në vendlindjen e tij.



Lecco, 23 korrik 2018

(Vota: 3 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: