Ramiz Lushaj: Pozita e sotme “ta merr Amanetin”...!
| E Merkure, 01.08.2018, 07:59 PM |

Kjo Pozita e sotme, e Majta në Pushtet, “ta merr Amanetin”...!

Nga Ramiz LUSHAJ

Dje, në ma të fundit ditë të korrikut, Qeveria e Shqipërisë, mori një vendim të saj për sjelljen në Atdhe, nga New Yorku, të eshtrave të Mit’hat Frashërit (1880-1949), një gjeni i kombit shqiptar, bash në ditët e 110 vjetorit të Kongresit të Manastirit (14-22 nëntor 2018), në Vitin e Skënderbeut. Prej kaherit, në tre dekada të fundit të Demokracisë, është folë për këtë akt e fakt. Edhe Komiteti Ndërministror i 100 vjetorit të Pavarësisë e pati marrë këtë nismë. Qysh në gjallje të vet, ky njeri i madh kombëtar, më 4 prill 1929, e kërkonte një varr në tokën e vet, krejt të thjeshtë: me një gur të madh përmbi e një qiparis. Kurrnjiherë s’u bá, kurrkush se báni. Tashti merita i mbeti kryeministrit Edi Rama, qeverisë së tij të majtë. E gëzoftë! Hallall i koftë! Kisha me dvet: a thue për 32.394.000 lekë të reja mbeti pa varr në Atdheun e Tij, djali i Abdyl Frashërit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ish Firmtari i Shpalljes së Pavarësisë (1912), një nga ministrat e Qeverisë së Ismail Qemalit, kryetari i Kongresit të Manastirit (1908), albanologu i shquar, ambasadori shqiptar, publicisti e përkthyesi i rrallë, kryetari i Partisë së Ballit Kombëtar dhe i Komitetit “Shqipëria e Lirë”. Jo, ai u pá pothuaj gjithnji me dylbitë e 7-8 nëntorit, i duhej politikës për politikë – nga Nëntori i 1912-tës deri tek Nëntori i 2018-tës (!)

Para dy javësh, më 19 korrik 2018, në lulishten e Kuvendit të Shqipërisë, para hyrjes kryesore të Kuvendit, u përurua busti i Pjetër Arbnorit (1935-2006), ish kryetar i këtij Kuvendi (1992-’97), deputet (1991-2001), me 28 vite i burgosur politik – si rrallkush në Shqipëri, Ballkan, Europë, “Nderi i Kombit’, “Mësues i Popullit”, shkrimtar e politikan elitar. E, merita, jo e paktë, në mos kryesore, i përket kryetarit aktual të Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçit, një nga liderët kryesor historik e aktual i të majtës shqiptare. Veç përgëzime për nismen aktkryeme! E, për çka u lá pa u bá ma herët ky bust te Parlamenti, edhe para politikanëve të tjerë: Noli apo Godo! Seç m’u kujtue vepra e Pjetër Arbnorit “10.300 ditë e netë në burgjet komuniste”, për me thanë diçka tjetër: në koft se do e kishte dhanë shteti nga 1 Euro për këto ditë-netë të tij në burgimin politik apo për ditë-vitet e kontributet e tij në kohën e sotme të demokracisë, do iu kish bá kaherë e ma i madh e ma i mirë busti para Kuvendit të Shqipërisë.

E pse i mora këta dy shembuj kaq të afërt?! Se te dy janë simbole kombëtare shqiptare. Se te dy janë simbole të së Djathtës Shqiptare. Politikani Mit’hat Frashëri është i të Djathtës Historike, i Partisë së Ballit Kombëtar. Politikani Pjetër Arbnori është simbol i të Djathtës së re – i PD-së, i disidencës e rezistencës antikomuniste. Te dy kombëtarë: në udhët e politikës së djehit e të sodit, në Letrat Shqipe.

Deshta me dvet: çka i mbetet të Djathtës Shqiptare Historike e Aktuale në se Simbolet e Tyre si Mit’hat Frashëri e Pjetër Arbnori ua promovon e lartnon e Majta Shqiptare, kundërshtarët e tyre politik të kahershëm e të derisotëm?! Kur fillojnë e të ikin kështu e kësisoj Simbolet Politike, atëherit çka mbetet pas kësaj, për të sotmen e të nesermen politike të së Djathtës Shqiptare?!

Këto Dy Simbole tipike të së Djathtës Shqiptare janë dhe “Amanete” të Brezave dhe të Kohërave. Deshta të cek diçka biblike e kuranore, kanunore, të traditës shqiptare: "Amanetin nuk e tret as Dheu"; “Ai që nuk e ruan Amanetin, në të ka shenjë të Nifakut (hipokrizisë)”, “Kur të humb Amaneti, prite Kijametin”...

Po, si përmbyllje: këto dy raste, kaq afër njani-tjetrit në kohë e shembëllime, flasin se: E Majta Shqiptare në Pozitë po “ia merr dhe Amanetin” të Djathtës Shqiptare” në Opozitë...!


Dardani, 1 gusht 2018

(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: