Zyba Hysa: Mosmarrëveshja e Mukjes
| E Marte, 31.07.2018, 08:11 PM |

KUVENDI I MUKJES, NJË MARRËVESHJE PËR TË MOS U MARRË VESH KURRË…

(Në kuadër të 75 - vjetorit të Marrëveshjes së Mukjes, 1 - 3 gusht 1943 - gusht 2018)

NGA ZYBA HYSEN HYSA

Ne, shqiptarët përherë nënshkruajmë marrëveshje për të mos u marrë vesh kurrë, ndaj me të drejtë Kuvendin e Mukjes do ta quaj Mosmarrëveshja e Mukjes, se siç thote Prof. Dr. Isuf Luzaj: “Kuvendi i Mukjes, kjo përpjekje e të gjitha palëve për bashkim dhe një tradhëti e imponuar nga ata që gatuan Partinë Komuniste si e vetmja forcë rrënimi” si dhe vetë rrjedha e ngjarjeve pas mbarimit të saj më japin këtë të drejtë për t’i ndyshuar emrin, por jo vetëm kaq, por cdo marrëveshje që shkruhet e firmoset jashtë Shqipërisë, për shqiptarët, s’është marrëveshje, por përqeshje…

Kush thotë që punoj për kombin, duhet të shkojë të trokasë në portën e historisë së këtij kuvendi dhe të dëgjojë zërin e popullit me brohorima të forta sa u drodhën malet, më pas të shkojë portë më portë të shtërngojnë dorën njëri – tjetrit për t’u bërë bashkë dhe të ftojnë në bisedime shtetet që na coptuan dhe të këmbëngulin për zgjidhjen një herë e mirë të cështjes shqiptare, jo të hipin ballonës dhe të shkojnë nëpër botë sa për të dalë në foto, apo ne televizion duke qeshur me fatkeqësinë tonë.

Asnjëherë nuk u kuptuan marrëveshjet që janë firmosur nga “shqiptarë” për problemet e shqiptarëve kudo që janë bërë, por në këtë shkrim nuk do të zgjaten në këtë, por kerkoj nga lexuesit të nderojnë ata bij shqiptare që morën pjesë në këtë Marrëveshje dhe të mos flasim më me gjuhen e armikut: “Ti komunist”, “Ti ballist”, “Ti nacionalist”, “Ti demokrat”, “Ti…”,  por ta shohim njëri – tjetrin në sy si shqiptarë, si bij të një nëne, si zotër të vatanit, kush vazhdon rrugën e diskriminimit dhe urrejtjes mes njëri – tjetrit, dashje pa dashje punon kundër vetvetes, kundër zhvillimit dhe bashkiomit tonë kombëtar.

Lavdi firmëtarëve martirë të kësaj Marrëveshje!

Marrëveshja e Mukjes

Burime dokumentare, flasin për një përgatitje serioze të Mukjes. Çdo ngjarje, nuk ndodh spontanisht, ajo është fryt i një punë paraprake dhe lind si domosdoshmëri për të sistemuar arritjet dhe për të vendosur piketat e së ardhmes, kështu për të shkuar në Marrëveshjen e Mukjes, ishte bërë një përgatitje serioze nga patriotët e kohës, qoftë ata që ishin me Ballin Kombëtar, qoftë me Partinë Komuniste. Këtë gjë e vërtetojnë dokumente të ndryshme që na i sjellin të gjallë edhe sot përpjekjet për të shkuar në një marrëveshje e të gjithë shqiptarëve për të organizuar luftën kundër pushtuesve.

“Më 21 korrik 1943, zhvillohet një takim i përbashkët midis Mid’hat Frashërit dhe Hasan Dostit në njërën anë dhe Abaz Kupit e Mustafa Gjinishit nga krahu tjetër. Në këtë takim u vendos mbi kohën dhe vendin ku do të mbahej kuvendi, cila do të ishte platforma e përgjithshme që duhet të arrihej, njëherazi cilat mund të ishin parimet që i ndanin dhe i bashkonin të dy rrymat: po në këtë takim, Mid’hat Frashëri u kumtoi Gjinishit dhe Kupit, se ishte dakord me emrat e propozuara prej Shtabit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar në përbërjen e përfaqësuesve nacionalistë. Për më tej, ai i njohu këta atdhetarë, me traktin që rinia e Ballit Kombëtar kish shpërndarë ato ditë, ku pos të tjerave thuhej: “Nuk na besohet: Bashkim, Bashkim, Bashkim! O Zot i madh, po ne atë themi, atë kërkojmë, atë lusim, atë shpresojmë dhe atë po përpiqemi ta bëjmë, ai do të jetë fati më i lumtur i Atdheut. Dhe jemi ne, nacionalistët që po u themi komunistëve, të cilët, po e përsërisim, janë vëllezërit tanë, sepse janë bijë të njajtës nënë; Shqipërisë! Siç u shtrimë neve dorën e djathtë, ashtu shtrimani edhe juve dorën e djathtë, që t’jua shtrëngojmë me gjithë zemër” (Arkivi Qendror i Shtetit – Tiranë, Fondi 14, dosja “Trakte të Ballit Kombëtar ).

“Më pas takimi tjetër u zhvillua më 26 korrik 1943,në fshatin Tapizë, pak kilometra në veri të Tiranës, në shtëpinë e atdhetarit Ihsan Libohova. Në krye të delegacionit nacionalçlirimtar, në Tapizë ishin; Abaz Kupi, Myslim Peza, Mustafa Gjinishi dhe Ymer Dishnica. Ndërsa delegacioni i nacionalistëve përbëhej nga; Mid’hat Frashëri, Hasan Dosti dhe Faik Quku. Kryetar i këtij takimi, unanimisht u zgjodh Mid’hat Frashëri, i cili gëzonte reputacion në të dy krahët e pothuaj në gjithë Shqipërinë, ndërsa sekretar Mustafa Gjinishi. Gjithashtu me pëlqimin e të dy palëve, në këtë takim u lejuan si konsulentë për vendimet që do diskutoheshin: Ihsan Toptani, Kamber Qafëmolla, Gogo Nushi, Sali Vata, Et’hem Haxhiademi etj. Në rolin e kryetarit të këtij takimi, Mid’hat Frashëri u  përpoq të çonte mesazhin e madh të bashkimit të shqiptarëve, si i vetmi imperativ i ditës. Dhe kur prestarët e këtij takimi, murrën sihariqin e madh të rënies së Musolinit, atëherë ideatori dhe krijuesi i Ballit Kombëtar, Mid’hat Frashëri, ftoi burrat e tjerë shqiptarë të krahut tjetër, të kërkonin menjëherë, përpara organizatave ndërkombëtare dhe sidomos përpara Fuqive Aleate, vetëvendosjen e Kosovës dhe Maqedonisë shqiptare, si dhe bashkimin e tyre me shtetin amë. ”Pamvarsisht se lufta ka mbaruar (u shpreh Mid’hati) ne duhet të jemi të bashkuar qysh tani në këtë kërkesë publike, që nesër ajo të jetë e vështirë për t’u manipuluar”(Arkivi Qendror i Shtetit – Tiranë, Fondi 14, dosja “Trakte të Ballit Kombëtar”), (Arkivi Qendror i Shtetit – Tiranë, Fondi 14, dosja “Trakte të Ballit Kombëtar). Kështu nga këto takime dhe bisedime me krerët e ballit kombëtar dhe të Partisë Komuniste (Jo E. H se ai ishte përherë i shoqëruar me jugosllavët duke studiuar strategjinë antikombëtare), bënë të mundur që të realizohej me sukses organizimi dhe realizimi i Marrëveshjes së Mukjes, si kuvendi i fundit mbarëkombëtar, ku do e merrte në dorë pushtetin më vonë klika antishqiptare e Enver Hoxhës e më pas e pasuesve të tij pushtetarë, që nuk kanë marrë më një ndërmarrje tjetër me rëndësi të tillë Kombëtare. Për takimin, zhvillimin dhe vendimet e saj historike, ka shumë dokumente që flasin, kështu: “Më 3 gusht 1943, në lëndinat e fshatit Mukje, në veri të Tiranës, përqafoheshin të gjithë së bashku, nën emocionet e paharruara të asaj çfarë ishte arritur. Për të parën herë qysh prej vitit 1912, shqiptarët po merreshin vesh me njeri – tjetrin, madje nacionalistë e komunistë formuan dhe shpallën Komitetin Provizor për Shpëtimin e Shqipërisë, i cili do të çonte shumë shpejt në krijimin e një qeverie provizore” (Arkivi Qendror i Shtetit – Tiranë. Fondi 270, dosja 11, fleta 18 ).

“Pas tre – katër ditëve, me 2 gusht 1943, na komunikuan mbledhjen e Mukjes, ku kishin marre pjese Balli Kombëtar dhe Partia Komuniste. Nga ana e Ballit Kombëtar ishte Mit’hat Frashri, Isuf Luzi, Thoma Orollogai, nga komunistet: Ymer Dishnica, Mustafa Gjinishi” (P. Velo, “Një dritare burgu”).

“Tani le të shkojmë drejtpërdrejt në Konferenca e Mukjes (1 – 3 gusht 1943), në prag të kapitullimit të Italisë fashiste. Kjo është më e njohur nga lexuesi ynë i zakonshëm. Por ajo që meriton të theksohet është se Thoma Orollogai, me vota unanime (të nacionalistëve dhe të nacionalçlirimtarëve), u zgjodh për të drejtuar punimet e Kuvendit. Në një dokument kam lexuar se fillimisht u zgjodhën më shumë delegatë të nacionalistëve, për shkak të epërsisë së lëvizjes Nacionaliste në shkallë vendi dhe në sajë të shtrirjes së saj, në krahasim me lëvizjen Nacionalçlirimtare, deri në atë kohë. Atëherë dilte objektivisht nga n. çl. – ët kjo e vërtetë: se kolaboracionistët ishin tepër të rrallë. Kjo u tha edhe në Konferencën e Mukjes. Dokumentet konfirmuese janë të shumta, por nuk mungojnë edhe ditarët: ai i Haki Stërmillit, për shembull (por jo ai i manipuluari!). Këshilli i Përgj. N. çlirimtar e propozoi vetë Thoma Orolloganë si bashkëbisedues në Mukje dhe si kryesues të Kuvendit. Mustafa Gjinishi ishte ndër personalitetet më të shquara në Mukje” (“Historiografisë së përdhosur po i vjen koha të spastrohet”  (“Infoarkiv”, më 21 Mars 2013).

Kushdo që ka shkruar për problemin e vëllavrasjes shqiptare, nuk ka lënë pa u referuar Konferencës së Mukjes, që për fatin e mirë dhe të keq të kombit tonë, ishte ngjarja më e rëndësishme që vuri themelet e një bashkëpunimi të gjithë shqiptarëve pa dallim feje, krahine e bindje politike, në luftë kundër pushtuesve dhe çuarja e vendit drejt zgjedhjeve të lira dhe demokratike pas lufte, por ishte dhe fati tragjik i shqiptarëve i prishjes së kësaj marrëveshjeje dhe fillimi i vëllavrasjes që për fat të keq, vazhdon edhe në ditët tona. Për këtë ngjarje kaq të folur e përfolur nga shumë studiues, historianë… dua të jap të plotë mendimin që ka shprehur Prof. Dr. Isuf Luzaj në intervistën dhënë Vehbi Bajramit, ku ndër të tjera thekson: “Konferenca e Mukjes, në vitin 1943, është ngjarja pa të cilën është vështirë të flitet për historinë e asaj kohe. Ata që morën pjesë në të, me të vërtetë ishin përfaqësues të popullit. Në të merrnin pjesë edhe kosovarët, edhe çamët, edhe komandantët e forcave të armatosura. 12 përfaqësues kishte Balli, e po aq kishte edhe Partia Komuniste. Idenë për mbajtjen e Konferencës e dha Mit’hat Frashëri me Ali Këlcyrën. Mit’hati më pat thënë se idenë e kishte diskutuar edhe me Lef Nosin e Fuat Bej Dibrën. Ky i dyti dikur kishte 5 restorante në Paris. I kishte dhënë Ismail Qemalit 30 mijë napolona floriri që të shëtiste botën dhe i paguante gazetat që të botonte artikuj në dobi të çështjes tonë kombëtare. Erdhi koha që kur u kthye në Shqipëri nuk kishte ku të flinte. Mori me qira një shtëpi në Tiranën e vjetër. Në Konferencën e Mukjes, përveç këtyre të dyve, mbaj mend këta persona nga ana e Ballit: Mit’hat Frashërin, kryetar, Ali Këlcyrën, nënkryetar, Hasan Dostin, sekretar, Hysni Lepenicën dhe Hysni Muçën. Nga ana e Partisë Komuniste ishin: dr. Ymer Dishnica, Abaz Kupi, i cili më vonë braktisi PK për shkak të çështjes së Kosovës, Mustafa Gjinushi dhe Mustafa Kaçaçi. Të tjerët nuk i njihja se kush ishin. Merrnin pjesë mijëra veta që rrinin nën ullinj, se aty nuk kishte shtëpi. Kishte vetëm një mulli atje afër ku flinte Mit’hat Beu i sëmurë nga kolla. Në shesh ishin vendosur 24 veta, ndërsa të tjerët rrinin anash. U bisedua tërë ditën çështja e Kosovës dhe më në fund komunistët dërguan kasnecin që merrte urdhra nga Enver Hoxha: u pranua Marrëveshja. Kur u mor vendimi i përbashkët nga përfaqësuesit e Ballit dhe PK, që Kosova të jetë pjesë e Shqipërisë etnike, jehuan kodrat e fushat nga duartrokitjet e turmës, së cilës nuk i shihej fundi. Gëzim më të madh në jetë nuk kam pasur. Më vonë, siç e dini, nga presioni i komunistëve jugosllavë, komunistët shqiptarë na e kthyen shpinën”.

“Të dy këto formacione luftarake, që deri asaj kohe kishin qenë protagonistë të luftës antifashiste kundër okupatorit italian, në Mukje u përfaqsuan nga këto burra:

Balli Kombëtar nga: Av. Hasan Dosti, z. Mid’hat Frashëri, Av. Thoma Orollogai, komandant Hysni Lepenica, profesor Isuf Luzaj, komandant Kadri Cakrani, major Rauf Fratari, prof Nexhat Peshkëpia, av.Halil Mëniku, komandant Ismail Petrela, prof. Vasil Andoni.

Dhe po sipas procesverbaleve të “Lidhjes së Mukajt”, delegacioni i Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Nacionalçlirimtare, përbëhej nga: Major Abaz Kupi, nënkolonel Iahja Caçi, komandant Myslim Peza, dr. Ymer Dishnica, z. Mustafa Gjinishi, dr. Omer Nishani, dr. Sulo Bogdo, z. Stefan Plumbi, z. Shefqet Beja, z. Mehdar Shtylla, z. Haki Stërmilli dhe Gogo Nushi.

Kryetar i delegacionit të Ballit Kombëtar ishte Mid’hat Frashëri, ndërsa ai i nacionalçlirimtarëve, Ymer Dishnica. Ndërkaq, nga të dy grupimet politike, pati edhe përfaqsues me votë konsulltative, të cilët ishin; Ihsan Toptani, Zef Pali, Ramazan Jarani, Faik Quku, Et’hem Haxhiademi, Xhemal Herri, Neshat Kolonja, Osman Kazazi, Mid’hat Araniti, Spiro Koleka, Nonda Bulka, Patër Lek Luli etj.

Pasi u bë prezantimi i delegacionit, me votë unanime u vendos që z. Thoma Orollogai, ish kryetar i komisionit të përgatitjes së legjislacionit modern të shtetit shqiptar, të drejtonte Lidhjen e Mukjes, ndërsa sekretar u zgjodh Mustafa Gjinishi. Takimin e çeli Hasan Dosti, i cili, duke qenë ndër nismëtarët e Taipzës, ekspozoi projekt marrëveshjen e arritur atje, që ma parë, e më tej, ftoi të pranishmit, të diskutonin nen për nen, çdo gjë që lidhet me bashkimin e forcave politike si dhe vetë ardhmërinë e kombit tonë. Këtu duhet të them se, në shumë nene të projekt marrëveshjes së Tapizës, kuvendi madhor i Mukjes, i bashkoi përfaqësuesit e Ballit Kombëtar ma atë të lëvizjes nacionalçlirimtare. Në këtë rrafsh dy palët, për hir të fateve të Shqipërisë, pranuan të bashkëpunojnë pa kushte, duke u përpjekur të luajnë misionin e madh në vorbullën e luftës botërore. E vetmja pikë e akt – marrëveshjes, e konstatuar prej përfaqësuesve të lëvizjes nacionalçlirimtare, ishte padyshim çështja e Kosovës. Qëndrimi i nacionalistëve në këtë rrafsh, ishte sa i prerë aq edhe largpamës. Ata kërkuan që të vendosej për të luftuar më tej, për të shporrur okupatorin dhe për të zbatuar parimin e njohur të vetëvendosjes së kombeve, sipas Kartës së Atlantikut, dhe për të rifituar Shqipërinë Etnike. Sapo komunistët e nisën debatin lidhur me këtë pikë, e mori fjalën Mid’hat Frashëri, i cili shpjegoi marrëdhëniet e acaruara shqiptaro – serbe, si dhe faktorët e përhershëm që mbajnë  të ndezur këtë armiqësi. Ai u kujtoi të pranishmëve përpjekjet e mëdha të shqiptarëve,në vitet 1919 – 1939, për t’i treguar Evropës se kufijtë e vitit 1913, do ishin plagë kurdoherë e hapur. Mendimit të gabuar të nacionalçlirimtarëve se “Nuk e kërkojmë Kosovën, pasi atë e ka kërkuar edhe Mustafa Kruja që ishte i lidhur me okupatorin”, Mid’hati i kundërvuri arsyen e fortë sipas së cilës, ajo është një  e drejtë e ligjshme, ku emra të caktuar nuk mund të shpërfillin kërkesa të tilla madhore. Në “ndihmë” të Mid’hat Frashërit u hodhën në këtë polemikë edhe Hasan Dosti, Thoma Orollogai e Hysni Lepenica, fjala e të cilëve u dëgjua me vëmendje dhe u vlerësua. Por në krah të Mid’hatit, u radhitën edhe Abaz Kupi, Ymer Dishnica, Mustafa Gjinishi. Ndërsa Gogo Nushi, një i “sëmurë proletar” i ndikuar nga miqësia “e përjetshme” me serbosllavët, këmbëngulte që “Ne do të përpiqemi që Kosova të vetëvendosë e të bashkohet me Shqipërinë” (Arkivi Qendror i Shtetit – Tiranë. Fondi 270, dosja 11, fleta 18).

“Ditën e dytë m’u dha fjala mua (tregonte babai) si pjesë e delegacionit të Ballit  Kombëtar.  Fola për një Shqipëri Etnike, as të vogël as të madhe dhe mënyrën e votimit që do bëhej më vonë.  Në mes të fjalës sime u ngrit Mustafa Gjinishi i Nacionales dhe më ka puthur në ballë.  Ju e dini dhe duhet ta fiksoni se Mukja u sakrifikua vetëm që Enveri të rrinte në krye të Partisë Komuniste.  Ai s’kishte alternativë tjetër, ose të sakrifikonte Mukjen ose postin që i premtohej” (Kozeta Zylo). “Bisedë me poetin nga Vlora z. Dalan Luzaj”, gazeta “Dielli”, January 2012).

Prof. Dr. Isuf Luzaj kujton: “Kur u bë pajtimi mes ballistëve dhe komunistëve në Konferencën e Mukjes hartuam traktet; i hodhëm në Tiranë e gjetkë dhe së bashku me Mit’hat Frashërin, Fiqri Dinen, Fuat Beun dhe Lef Nosin vajtëm në Dibër. Më emëruan përfaqësues të çetave të Ballit Kombëtar. Unë duhej t’u jepja urdhër çetave sesi duhej të vepronin dhe t’i raportoja Komitetit. Hysni Lepenica u emërua komandant i çetave të Ballit në Jug të vendit, ndërsa Skënder Muço ndërlidhës i çetave të Ballit me Komitetin Qendror. Në atë kohë italianët dogjën pallatin e Fiqri Dines. Ai pallat i bukur, me katër kate, bëri dy javë derisa u dogj. Filluam luftën kundër italianëve. Me ne ishte edhe Cen Elezi, i biri i Isuf Elezit. U mblodhëm 180 bajraktarë dhe formuam “Besën dibrane”. Mbajti një fjalim Mit’hat Beu. Fola edhe unë. Dëshpërimin më të madh në jetë e kam pasur atje, kur e kuptova se ata që udhëhiqnin Ballin ishin bejlerë. Fatkeqësia më e madhe ishte se disa prej tyre kishin bashkëpunuar me qeverinë italiane, siç ishin Gjon Marka Gjoni, Pjetër Llaci, Mustafa Kruja… Dhe ata ishin këshilltarët e Ballit Kombëtar. Në Dibër gjetëm edhe një prefekt nga Kurveleshi që, po ashtu, kishte bashkëpunuar me italianët. Kështu, “Besa dibrane” u shua, ndërsa italianët vranë Qazim Koculin në Vlorë. Vdekja e tij ishte edhe vdekje e Ballit, sepse ai ishte si Perëndia i Labërisë. Kur i thosha popullit që të shkojmë në luftë, më pyesnin: “Ç’thotë Qazimi?”. Po të mos vritej ai, mendoj se nuk do të fitonte as Partia Komuniste”.

Prishja e Marrëveshjes së Mukjes:

Fill pas Marrëveshjes së Mukjes, me një ngazëllim të pa shoq në zemër, patriotët e vërtetë filluan të marrin kontakte për të koordinuar luftën e përbashkët kundër pushtuesve. Kështu (meqë Shtabi i Përgjithshëm i Nacionalçlirimtares ishte në Librazhd (Orenjë), u la që të bëhej një takim gjithëpërfshirës, ku do merrte pjesë, ndër të tjerë  edhe Isuf Luzaj.

“Në datën 8 gusht 1943, u la një tjetër takim midis komunistëve dhe delegacionit të Ballit Kombëtar, lidhur me vendimin e “Lidhjes së Mukjes” për të caktuar në mënyrë definitive, detyrat e Komitetit të Shpëtimit. Në 7 gusht, komunistët u kërkuan prijësve të Ballit Kombëtar që ky afat të shtyhet për gjashtë ditë. Vendi i takimit, u caktua fshati Orenjë i Çermenikës (Librazhd), afër të cilit ndodhej Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare. E vërteta është se përfaqësuesit e Ballit Kombëtar, Vasil Andoni, Isuf luzaj, Abaz Omari, Et’hem Haxhiademi dhe Halil Mëniku, që më 14 gusht shkuan në Orenjë. Ata pritën aty katër ditë me radhë të vetmuar, duke shpresuar më kot, kuvendimin e mundshëm. Për turp të komunistëve, ”Lidhja e Mukjes” ishte tradhtuar. Ç’farë kishte ndodhur në të vërtetë? Dy prej pjesëmarrësve në kampin komunist të asaj kohe, N. Kerenzhi dhe Ymer Dishnica, kanë hedhur dritë mbi ngjarjen. Ata tregojnë se si është turbulluar dhe çorrur Mugosha në sy të komunistëve shqiptarë, ashtu si kundër ka sharë poshtë e lartë Popoviçi. Të dy emisarët jugosllavë, duke pasur si vegël të bindur në duart e tyre, E. Hoxhën, mblodhën në fshatin Vithkuq të Korçës, në mënyrë urgjente klikën komuniste të Tiranës. Në këtë takim konspirativ dhe urgjent, Mugosha, i pari e dënoi marrëveshjen e arritur në Mukje, madje kërkoi të merren masa ekstreme për përfaqësuesit e delegacionit nacionalçlirimtar. Ndërsa serbi tjetër, Popoviçi duke folur mbi rrezikun që kishin teza të tilla si ajo e Shqipërisë Etnike, shkoi më tutje. Ai u propozoi komunistëve shqiptarë, luftë të hapur dhe të armatosur, ndërsa përfaqësuesit e Ballit Kombëtar, prisnin në Orenjë, të diskutonin me komunistët, këta, prej Vithkuqi, më 8 gusht 1943, porositën veç të tjerave, komitetin qarkor të Vlorës, ku patën filluar luftëra të përbashkëta kundër italianëve: “Lajmërohemi se ju është dërguar nga Tirana një trakt për t’u shpërndarë, i firmosur prej Komitetit për Shpëtimin  e Shqipërisë, ku flitet për bashkimin e plotë të arritur në mes të KNÇL dhe Ballit Kombëtar. Ky trakt është në kundërshtim me vijën nacionalçlirimtare dhe nuk aprovohet nga K. Q. i Partisë. Prandaj në rast se nuk e kini shpërndarë, griseni dhe të mos flitet më, për të”. (Arkivi Qendror i Shtetit – Tiranë. Fondi 14 , dosja 11, fleta 4 ).

“Ndërsa nga ana e tyre, emisarët jugosllavë, i dërguan një mesazh K. Q. të PKJ – së ku mes tjerash thuhet: “Kemi ndikuar fuqimisht tek udhëheqja e Partisë Komuniste Shqiptare dhe në përgjithësi tek Lëvizja Nacionalçlirimtare, që të prishin marrëveshjen e Mukjes” (R. Rajovi, ”Autonomia Kosovo” Beograd 1985 ).

“Sipas modeleve të shumta bolshevike dhe të udhëzuara në çdo moment nga Beogradi, klika komuniste shqiptare, nuk vonoi të nxjerrë “tradhtarët” nga radhët e saj, të cilët, në vend që t’i fusnin Ballit Kombëtar dy këmbët në një këpucë, ranë në ndikimin e tyre për Shqipërinë Etnike. Kështu Mustafa Gjinishi, i cili, kundërshtoi deri në fund, për kinse tradhtinë e Mukjes, u pushkatua një vit më pas, ndërsa Ymer Dishnica u kalb burgjeve, pa folur për Abaz Kupin që një vit më vonë u dënua me vdekje. Në fakt merret vesh lehtë nëse studion dokumentet e Mukjes, se këta assesi nuk mund të jenë “tradhtarët” e Mukjes, të tjerë ishin ata, të kryesuar nga kolaboratori i sllavëve Enver Hoxha dhe radha e atyre komunistëve, që filluan luftën vëllavrasëse, vetëm e vetëm për të siguruar pushtetin bolshevik në duart e tyre. Historia vërtetoi më së miri tradhtinë e “nacional – çlirimtarëve” shqiptar. Ata u puthën e përqafuan me sllavokomunizmin bolshevik, duke i ngulur thikën pas shpine nacionalizmit shqiptar, ndërsa Kosova dhe viset tjera etnike shqiptare për më se pesë decenie me radhë kulluan dhe kullojnë gjak të pastër shqiptari. Por ndërsa Kosova e pa ditën e bardhë më vitin 1999, atëherë kur gjaku vaditi lirinë, ndërsa viset tjera etnike  po përpiqen ta zënë atë, me trishtimin e historisë. Sidoqoftë mbetet vendosmëria, atdhetaria dhe patriotizmi i individëve për të dëshmuar se kufijtë e atdhetarizmit janë të padukshëm. Mukja ngel dhe më tej një mësim për gjeneratat e ardhshme se si luftohet e si fitohet por edhe se si dhe kujt duhet ti besohet (Shqipni e lirë, Gusht 1943), (Arkivi Qendror i Shtetit, Tiranë. Fondi 270, dosja 5, fleta 2 – 4 ).

E pse gjatë kohës së diktaturës nuk është përmendua asnjëherë ky bashkëpunim në luftë kundër Italisë fashiste, dokumentet vërtetojnë se luftimet vazhduan kështu derisa dolën hapur kundra Ballit Kombëtar, strategji kjo e serbëve që në Luftën Ballkanike, ku thirrja nuk ishte “Vrisni turq, por shfarosni shqiptaret!”, po kjo ishte thirrja e Partisë Komuniste përmes mësimeve të Dushan Mugoshës dhe Miladin Popovicit: “Vrisni sa më shumë ballistët!”

Kjo tregon qartë rolin tepër armiqësor të ndërkombëtarëve, ku përgjegjës kryesorë janë shtetet e mëdha evropiane që e përligjën taktikën e tyre skllavëruese ndaj kombit tonë që në vitin 1913, me copëtimin e trojeve etnike shqiptare. Sot më shumë se kurrë, pas 100 e ca vjet nën copëtim, këto shtete duhet ta tregojnë veten që janë demokratizuar dhe matës për to është dhënia e të drejtës për vetëvendosje të kombeve në bazë të Kartës së Atllantikur të Veriut, se ajo është e drejtë për të gjithë, jo vetëm për serbët e veriut të Kosovës që po” tunden” mediet për “bisedimet” frutdhënëse të Kosovës me Jugosllavinë. Ne hyjmë në bisedime, jo për të fituar, por për të humbur, apo për të fituar kohë për strategji të reja antishqiptare. Çështja shqiptare paraqitet përherë e vështirë, por ajo është çështje e zgjidhur, kufijtë dihen, vetëm duhet një takim botëror për të nënshkruar mëvetësinë dhe atëherë Ballkani do provojë për herë të parë paqe dhe mirëkuptim midis komeve dhe kombësive si njerëz të qytetëruar dhe Evropa do marrë një portret demokratik tashme të shpalosur e të vërtetë.

Prishja e Marrëveshjes së Mukjes, nuk mund të pengonte përkohësisht bashkëpunimin luftarak midis forcave të Ballit Kombëtar dhe Nacionalçlirimtares, se do të ishte me pasoja të rënda për komunistët, ndaj ata pezulluan marrëveshjen, por luftimet vazhduan të bëheshin së bashku. Ngazëllimi i Marrëveshjes i ngriti zemrat peshë patriotëve, të cilët ishin rreshtuar, si në Ballin Kombëtar, ashtu edhe në Nacionalçlirimtare, ku shumica e tyre, as që e kishin idenë se ç’është komunizmi, por të prirur për të vazhduar luftën për liri, gjë që komunistët ishin në një pikëpamje me nacionalistët në atë kohë, apo më mirë të themi, kjo u përdor si mashtrim për popullin, për t’u radhitur pas partisë Komuniste. Kështu ky bashkim i shumëpritur dha rezultatet e luftërave të organizuara duke i sjellë humbje të njëpasnjëshme fashistëve italianë.

Po të shfletojmë historinë në bazë të dokumenteve, vërejmë se luftërat e përbashkëta kundër pushtuesve vazhduan edhe pas prishjes së marrëveshjes së Mukjes e pse kurrë në historinë e diktaturës nuk u përmendën. Mendoj se kjo luftë përsëri u shfrytëzua nga krerët e Partisë Komuniste dhe misionarëve jugosllave për dy qëllime:

I trembeshin humbjes ndaj pushtuesve pa nacionalistët që kishin edhe forca, edhe mjete financiare, por edhe besim në popull.

Ishte shpejt për të dalë hapur me popullin, ishte në kuadër të diskriminimit të kokave të partive akoma, pra të bëhej diskriminimi i udhëheqësve të nacionalizmit, më pas, të bëhej thirrja që të bashkoheshin me Partinë Komuniste.

Në librin “Sharrajt në Jetën e Kombit” faqe 103, në rrëfimet e Istref Mustafaraj ndër të tjera ai tregon vrasjen e Hazis Sharrës, vrasje që shënon vëllavrasjen, apo fillimin e luftës civile në Shqipëri. “Sipas vendimit të Qarkorit dhe të njësitit gueril, urdhrin me shkrim për vrasjen e Haziz Sharrës të nënshkruar nga Mihal Prifti (Prof. në Tregtaren e Vlorës) dhe P. RR, ma dorëzoi mua në dorë shoku ynë Miço Emini në mëngjesin e 6 tetorit 1943. Pas njohjes me urdhrin për vrasjen e Haziz Sharrës të cilin e njihja që nga prilli i 1939 kur së bashku me Mitaq Sallatën, Azbi Tepelenën, Nuri Arapin etj kishim shkuar për të kërkuar armë për të luftuar në Bestrovë, ne nisëm të mendonim vetëm për kryerjen e tij, sepse për ta diskutuar atë urdhër as që bëhej fjalë. Atë kohë në praktikën e njësitit gueril kur të ngarkohej ndonjë atentat apo aksion tjetër, kurrsesi nuk duhet të kërkoje shpjegime, por vetëm duhet ta zbatoje atë që të ngarkohej. Kështu pas marrjes së urdhrit për kryerjen e atentatit, në mëngjesin e shtatë tetorit 1943, unë së bashku me dy shokët e mi Elham Doçi dhe Jonuz Peja, të mbështetur dhe nga tre katër pjesëtarë të njësitit i zumë pritë Haziz Sharrës i cili pasi doli nga shtëpia e tij aty pranë Sheshit të Flamurit, u nis për në drejtim të Rrugës Muradie (sot Rruga Muze). Duke e ditur se Hazizi ishte një djalë trim e shumë i fuqishëm ku të gjithë mundoheshin t’i evitonin përplasjet me të, edhe ne kishim menduar që të mos përballeshim dhe pasi ta linim të kalonte, do ta qëllonim nga pas”, kjo qe edhe ndarja përfundimtare e luftimeve të përbashkëta të forcave nacionaliste me nacionalçlirimtaren. Kjo vrasje do ishte shigjeta e helmatisur nga jugosllavët dhe e hedhur me dorën e komunistëve shqiptarë, kështu u prishën përfundimisht ekuilibrat e patriotizmit shqiptar, këtu do ndërpritej aspirata e luftës së popullit tonë për pavarësi kombëtare, këtu nuk u lejua më të përdorej termi “Shqipëri Etnike”.

Për nga rëndësia e Marrëveshjes së Mukjes, nuk do rrinte pa shprehur opinion edhe vetë pjesëtari i kësaj marrëveshje, Isuf Luzaj: “Konferenca e Mukjes, më 1943, është ngjarja pa të cilën është vështirë të flitet për historinë e asaj kohe. Ata që morën pjesë në të, me të vërtete ishin përfaqësues të popullit. Në të merrnin pjesë edhe kosovarët e çamët dhe komandantët e forcave të armatosura. 12 përfaqësues kishte Balli e po aq kishte edhe PK – ja. Idenë për mbajtjen e Konferencës e dha Mit’hat Frashëri me Ali Këlcyrën. Mit’hati më pat thënë se idenë e kishte diskutuar edhe me Lef Nosin e Fuat Bej Dibrën. Ky i dyti dikur kishte 5 restorante në Paris. I kishte dhënë Ismail Qemalit 30 mijë napoleonë florinj që të shëtiste botën dhe i paguante gazetat që të botonte artikuj në dobi të çështjes sonë kombëtare. Erdhi koha që kur u kthye në Shqipëri, nuk kishte ku të flinte. Mori me qira një shtëpi në Tiranën e vjetër. Në Konferencën e Mukjes, përveç këtyre të dyve, mbaj mend këta persona nga ana e Ballit: Mit’hat Frashërin, kryetar, Ali Këlcyrën, nënkryetar, Hasan Dostin, sekretar, Hysni Lepenicën dhe Hysni Muçën. Nga ana e PK – së ishin: Dr. Ymer Dishnica, Abas Kupi, i cili me vone braktisi PK – në për shkak të çështjes së Kosovës, Mustafa Gjinushin dhe Mustafa Kacaci. Të tjerët nuk i njihja se kush ishin. Merrnin pjesë mijëra vetë që rrinin nën ullinj, se aty nuk kishte shtëpi. Kishte vetëm një mulli atje afër, ku flinte Mit’hat Beu i sëmurë nga kolla. Në shesh ishin vendosur 24 veta, ndërsa të tjerët rrinin anash. U bisedua tërë ditën çështja e Kosovës dhe më në fund komunistët dërguan kasnecin që merrte urdhra nga Enver Hoxha: u pranua marrëveshja. Kur u mor vendimi i përbashkët, nga përfaqësuesit e Ballit dhe PK – së, që Kosova të jetë pjesë e Shqipërisë etnike, jehuan kodrat e fushat nga duartrokitjet e turmës, të cilës nuk i shihej fundi. Gëzim më të madh në jetë nuk kam pasur. Më vonë, siç e dini, nga presioni i komunistëve jugosllavë, komunistët shqiptarë na e kthyen shpinën”.

Ne, shqiptarët, duhet të kuptojmë mirë besën, kujt ia japim dhe si ta ruajmë këtë besë. Për fat të keq, edhe sot më shumë dëgjohen dhe besohen të huajt se sa besojmë dhe dëgjojmë njëri – tjetrin. Nëse nuk do arrijmë të kuptojmë shenjtërinë e këtij virtyti të trashëguar ndër breza, ne kurrë nuk do ecim përpara, ne do mbetemi skllav i të huajve dhe armiq të njëri – tjetrit.



(Vota: 1)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: