Pierre-Pandeli Simsia: Nuk i dua lulet e tua
| E Marte, 31.07.2018, 07:15 PM |

NUK I DUA LULET E TUA

Tregim nga Pierre-Pandeli Simsia

Ai ngjiti me ngadalë shkallët që të çonin në katin e dytë të apartamentit të tij të banimit.

Ndjeu dhimbje në gilcat e gjunjve; "shenjë reumatizme" - mendoi.

Qendroi një grimë në pragun jashtë derës së apartamentit. Vështroi buqetën me lule që mbante në duar. Hapi derën me ngadalë; iu bë se dera kuisi vajtueshëm. Eci me hapa të ngadaltë në koridorin e aderuar këndshëm. Në krye të koridorit iu shfaq bashkëshortja. Ishte çuar menjëherë nga ndenjësja ku rinte ulur sapo dëgjoi hapjen e derës. Një buzagaz ia shndriste fytyrën. Eci drejt tij, hapi krahët si çdo herë kur takoheshin për t'u përqafuar.

I shoqi u afrua me hapa të druajtur. Sajoi një buzëqeshje të rremë edhe pse shpirtërisht po ndihej se ishte i paaftë ti përgjigjej me buzëqeshje të shoqes; zgjati dorën duke i dhuruar buqetën me lule.

- Po këto? - foli ajo buzagaz dhe një shprehje habie u dallua në fytyrën e saj.

- Për ty, e dashur. E di që të pëlqejnë shumë lulet, siç po e shikon, janë luledielli, sepse ti e meriton, je vërtet diell për mua.

- Oh, i dashuri im, shumë faleminderit.

Atij iu duk, se e shoqja e pa si me mosbesim të dukshëm, ndërsa ajo afroi kokën pranë kokës së tij|; dy buzët e tyre u bashkuan. Për pak çaste ata të dy burrë e grua po shijonin ëmbëlsinë e puthjeve që po i dhuronin njëra tjetrit në atë kënd të sallonit të shtëpisë.

- Djali, po fle? - e pyeti ai; pyetje që ia bënte çdo ditë sapo hynte në shtëpi.

Sigurisht, po fle - iu përgjigj ajo, ndërsa në duar mbante buqetën me lule.

Ai eci drejt dhomës ku flinte i biri tre vjeçar.

E shoqja i hodhi një shikim buqetës. U përpoq të fshihte emocionin e atij çasti edhe pse fytyrës së saj i kishte rënë një tis kënaqësie. "Luledielli" - foli me vete. Buzagazi!

Që kur kishin ardhur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të ndërtuar jetën e re bashkëshortore, midis shumllojshmërisë së luleve të bukura në pikat e shitjes, kishte parë edhe luledielli që amerikanët i preferojnë shumë.

Ishte habitur. Ajo ishte vajzë e lindur dhe e rritur në fshat. Sa herë në kopështin e shtëpisë së tyre kishin mbjellë e kishin korrur luledielli.

Nuk e kishte menduar ndonjëherë që luledielli të ishin lule të preferuara për dhurata të ndryshme, për më tepër, t'ia sillte bashkëshorti i saj.

Nuk i kishte sjellë ndonjëherë lule. Ishte si një marrëveshje e heshtur në jetën e tyre bashkëshortore mosdhurimi i luleve njeri tjetrit.

Edhe para një jave kur kishin festuar bashkë me djalin e tyre tre vjeçar datlindjen e bashkëshortit, ajo nuk i kishte dhuruar lule, përveçse ndezjes dhe shuarjes së qirinjve në tortën tradicionale të datlindjes.

Mendimi se nuk i kishte dhuruar bashkëshortit lule për datlindje atë çast iu duk se ai po e ironizonte, megjithëse nuk ishte në natyrën e tij ironia. I hodhi një shikim kënaqësie buqetës që mbante në duar.

"Le të rrinë kështu sonte të mbështjella me letrën e shndritshme, ashtu siç ishin blerë" - mendoi.

Nesër që në mëngjes, sapo të përcillte të shoqin për në punë, do t'i çmbështillte lulet, madje, për të ruajtur freskinë disa ditore, mendoi të fuste edhe një kokër aspirinë, sipas një thënie të një shoqes së saj.

* * *

Nata në shtratin e tyre bashkëshortor ndriçuar nga ngjyra e trëndafiltë e abazhurit mbi komodinën pranë krevatit, nuk ishte ashtu siç ajo e kishte menduar që kur kishte vendosur buqetën me lule në vazon me ujë të freskët në tavolinën në dhomën e ndënjies.

E dehur nga kënaqësia e buqetës me lule, atë natë të mbuluar me yje, me një dëshirë të papërmbajtshme, donte të dehej  në dashuri me bashkëshortin e saj. Zemra i regëtinte nga kënaqësia. Iu avit të shoqit më pranë; ndjeu një erë të lehtë alkoholi në frymëmarrjen e tij. Kaloi dorën e saj të lëmuar mbi trupin e tij, derisa dora e saj me ngadalë rëshkiti në organin e tij mashkullor. U ndje e zhgënjyer, ndërsa vazhdonte t'ia ledhatonte organin që në ato çaste dukej më shumë se i përgjumur apo i raskapitur.

I shoqi, jashtë dëshirës së tij, u mundua t'i dhurojë disa ledhatime trupit të saj të shoqëruara me puthje të lehta; ndjeu rëndim në qepallat e syve.

"Uuufff! - Nxorri ai një ofshamë të pakontrolluar.

- Ndjehesh mirë, i dashur? - pyeti ajo ndërsa vazhdonte ta ledhatonte.

- Sigurisht, e dashur, ndjehem disi i lodhur. Kam patur shumë punë sot. Shkoi vonë. Sa është ora?

- Nuk është edhe shumë vonë i dashur. Kemi patur edhe raste të tjera që kemi fjetur edhe më vonë.

Ndjenja e të bërit dashuri, sikur iu avit. I puthi kraharorin, ndërsa ai afroi buzët pranë buzëve të saja dhe, pasi shijuan ëmbëlsinë e buzëve të njëri tjetrit, me zë të ngadaltë foli. - Flejmë tani, e dashur.

Ajo nuk iu përgjigj; afroi përsëri buzët e saja pranë buzëve të tij dhe prap preku organin e tij që ishte në të njëjtin pozicion si pak çaste më parë.

- Flejmë! - iu përgjigj me zë të lehtë drithëronjës disi e turpëruar.

Ndërsa i shoqi ishte zhytur në një gjumë të thellë dhe ajo i dëgjonte frymëmarrjen të shoqëruara me gërhitje, ajo u kthye në anën tjetër. Ashtu qendroi derisa iu rënduan qepallat. E zuri një gjumë i trazuar.

* * *

Në mëngjesin e ditës tjetër, i shoqi, para se të ikte në punë, si përherë, u përqafua me të shoqen duke mos munguar t'i dhuronin njëri tjetrit edhe puthjet e tyre përshëndetëse, i hodhi një shikim shkarazi buqetës me lule mbi tavolinë dhe eci drejt derës së apartamentit.

Ajo e shoqëroi nga pas dhe, në sheshpushimin e katit të dytë, e shoqëroi me sy të shoqin derisa ai doli nga porta e pallatit.

Hyri brenda dhe shkoi në dhomën e të birit. E shikonte me kënaqësinë më të madhe që ndjen një nënë për krijesën e saj, ndërsa i biri flinte si një engjëll i bukur në gjumin e tij foshnjor.

Në raftin ku mbante qelqurinat e ndryshme, qendroi pak çaste duke vështruar. Ishin tri vazo qelqi për të vendosur lulet, por ajo zgjodhi atë, që asaj iu duk më e përshtatshme me ngjyrën e luleve.

Me vazon e qelqtë në dorë, eci drejt tavolinës; e mori buqetën dhe po e mbante në duar. Buzëqeshi, si të kishte pranë një krijesë frymore dhe me hapa të ngadaltë eci drejt guzhinës.

E çmbështolli buqetën nga letra e shndritshme me ngjyrë.

Në brendësi, në mes të luleve dalloi një si zarf të vogël. - Po kjo! - foli me vete dhe e mori në duar. E hapi. Nuk donte t'u besonte syve kur po lexonte ato çfarë ishin shkruar në të.

Me duart që po i dridheshin, e rilexoi edhe një herë:

"I dashuri im! Në pamundësi që ta festonim së bashku ditën e shenjtë të lindjes tënde edhe pse kanë kaluar shtatë ditë, sepse, ti sigurisht, e festove me bashkëshorten dhe djalin tuaj, por, më mirë vonë se kurrë, siç e thotë edhe shprehja e urtë popullore, le ta festojmë sonte atë vonesë datlindjeje. Sonte dua që e gjithë mbrëmja të jetë e jona; dua të dehem me ty, të dehem edhe duke pirë verë ashtu siç pijmë sa herë takohemi, dua të dehem në sex , në sex i dashur. Ti i njeh shumë mirë ndjenjat e mija të zjarrta që unë kam ndaj teje. Të dua shumë".

Ndjeu një goditje të rëndë prapa kokës. Çdo gjë përreth iu mjegullua; gjithçka iu shpërfytyrua.

Një zemërim i papërmbajtur ia kaploi gjithë qënien e saj.

Me duart që po i dridheshin i mori lulet dhe në brendësi të pjatalarëses, filloi ti shtrëngojë nëpër duar si të ishin ato fajtore për gjithçka kishte lexuar.

Nuk po mund të kontrollonte dot veten në ato çaste nervozizmi; mori në duar vazon e qelqtë dhe pa u menduar gjatë, me gjithë forcën e urrejtjes e hodhi përdhe.

Copat e kristaltë të vazos së thyer u shpërndanë pothuajse në të gjithë pjesët e dyshemesë së guzhinës.

Me trupin që po i dridhej, me këmbët që nuk po i ndjente të ishin të sajat, me hapa të rënduara nga pesha e dhimbjes dhe e urrejtjes së bashku, eci drejt dhomës së ndenjies dhe u plandos në kolltuk.

* * *

Ai iu afrua makinës që rrinte parkuar në rrugë; futi dorën në xhepin e pantallonave për të marrë çelsta e makinës. Atë çast, dëgjoi tingullin e telefonit celular që po e mbante në dorë.

Në ekranin e vogël të telefonit lexoi emrin e të dashurës, asaj, që një natë më parë i kishte dhuruar kënaqësinë dhe dehjen në dashuri të shoqëruara këto në fund me dhurimin e buqetës me lule.

- Mirmëngjes zemër; si m'a bëre gjumin mbrëmë? - e pyeti ai me një zë ledhatues.

- Kam bërë një gjumë jo të qetë, i dashur, madje një gjum të shprishur, vetëm se nuk kisha mundësi të të telefonoja ty.

- Çfarë të ka ndodhur zemër? - e pyeti sërish ai. Donte t'i thoshte atë që po mendonte. Kush të ka shqetësuar? Ti je një vajzë e divorcuar tani, jeton e vetme në apartamentin tënd të aderuar bukur dhe me shije. Ndjehem shpirtërisht dhe emocionalisht shumë rehat sa herë vij në apartamentin tënd, në praninë tënde.

- I dashuri im - vazhdoi ajo të flasë; i dëgjohej frymëmarrja e shpeshtë. - Ku ndodhesh tani? Je shumë larg banesës tënde?

- Jo, nuk jam shumë larg. Pse më pyet? Çfarë ka ndodhur, zemra ime, vogëlushja ime.

- I dashuri im! Mbrëmë, në mes buqetës me lule, të kam lënë edhe një letër me shënimin se sa shumë të dua. Nuk e di, nëse të shkoi ndër mend ta hapje buqetën e ta hiqje atë letër...

- Oh, shit! No! - ndërhyri ai pa e lënë atë të vazhdonte.

Pa u menduar gjatë, e fiku telefonin dhe me hapa të shpejtuara eci drejt shtëpisë.

Shkallët për t'u ngjitur në katin e dytë të banesës, i ngjiste dy e nga dy.

Me të shpejt hapi derën dhe eci drejt dhomës së ndenjies.

E pa të shoqen tek rrinte gjysëm shtrirë e plandosur në kolltuk. Syt i kishin marrë formë të shuar.

- Hhhh! - rrënkoi me vete. Iu afrua pranë. I hodhi vështrim të trembur

Ndjeu dhimbje, shumë dhimbje në qenien e tij. Syt e saj të pafajshëm gjysëm të hapur, i flisnin pafajësinë e saj, madje edhe pyetjen torturuese që atij iu bë sikur e dëgjoi pranë veshit: "Përse vepron kështu me bashkëshorten tënde, që të ka falur gjithë dashurinë e saj! Përse e tradhëton!" Një ndjesi të thellë faji po përjetonte në ato çaste.

Iu afrua edhe më pranë. Afroi kokën pranë kokës së saj. Ia kaloi gishtat nëpër flokë. E puthi lehtë duke ia ledhatuar me duar kokën. Pastaj dorën e kaloi në pjesën e qafës së saj. Po ia ledhatonte, ashtu siç vepronte nganjëherë kur ajo ankohej për dhimbje koke.

- Largohu! - i foli e shoqja me zë të dridhur disi vajtues.

- Largohu! - përsëriti prap të njëjtat fjalë! - Nuk i dua lulet e tua!

Buqeta me lule i ishte shfaqur përpara syve dhe nuk i shqitej. - Nuk i dua lulet e tua, ato lule të mallkuara. - I foli me zemërim të papërmbajtur.

Ai po dallonte në fytyrën e saj një rrezatim agresiv.

- Zemër, të lutem, qetësohu! Më lejo të të spjegohem!

- Po të lutem unë ty. Largohu tani nga mua!

- Zemër, qetësohu! - vazhdonte i shoqi t'i fliste me zë ledhatar.

- Të lutem, largohu! - foli ajo me ton të lartë. - Përse e ke shpërdoruar besimin dhe dashurinë time ndaj teje! - vazhdonte të fliste me ton të ashpër.

Nga dhoma tjetër u dëgjua e qara e djalit dhe lëvizja e krevatit të tij.

- Zemër, qetësohu, e dashur. Ule tonin e të folurit, u zgjua çuni, u tremb. - Fytyra i kishte marrë një shprehje dhimbje.

Ajo bëri një lëvizje sikur donte të çohej në këmbë, por ai i vuri duart përpara trupit të saj. - Mos u ço, të lutem. Rri aty. Qetësohu. - vazhdoi i shoqi të fliste me duke u përpjekur të fshihte emocionin dhe dhimbjen që po ndjente në ato çaste.

Asaj, në atë çast iu duk se po kalonte krizë nervore.

- Po të dhimbset djali ty? Po të dhimbsem unë ty? Kaq shumë na do ti neve?

Ai donte të fliste, por, tingulli i ziles së telefonit celular nuk e la të fliste. Jashtë dëshirës së tij, i hodhi një shikim shkarazi dhe dalloi përsëri emrin e të dashurës në ekranin e telefonit.

Në ato çaste, donte ta përplaste përtokë telefonin. Dashuria dhe dhimbja që po ndjente në ato çaste, ndërsa shihte dhe qendronte pranë bashkëshortes së tij, as ai vet nuk po e kuptonte, se ai emër i çfaqur në ekranin e telefonit celular, iu duk i neveritshëm.

Dhëmbsuria për bashkëshorten e tij sa vinte po i shtohej edhe më tepër.

E shtriu prap dorën mbi shpinën e saj. Filloi tia ledhatojë, ndërsa ajo, u çua menjëherë nga ndenjësja dhe eci me të shpejt drejt guzhinës.

I shoqi, i shqetësuar, i shkoi nga pas. Po e shihte pikëllueshëm.

- Ku shkon? - e pyeti. - Çfarë ke ndërmend të bësh?

Ajo nuk foli, vetëm ecte. Këmbët po i dridheshin, nuk po i ndjente ti kishte të sajat. Po ndihej e përhumbur. Iu avit pjatalarëses ku ishin lulet e dëmtuara. Me duart që po i dridheshin, mblodhi një pjesë të tyre.

- Meri lulet e tua që më solle. Meri këto lule të mallkuara! Të lutem! Meri lulet dhe çoja asaj, asaj... - Donte të përdorte fjalë të pista, por u përmbajt.

Toni i zërit të saj ishte i lartë.

- Zemër, qetësohu, të lutem. Flasim me qetësi, të lutem, jeta ime. Më lejo të të spjegohem.

- Unë të lutem ty - vazhdoi ajo të flasë me tonin e zërit të ngritur. - Do iki! Do iki, do iki nga shtëpia.

Ai e vështroi ngultas; ndjeu dhimbje në zërin e saj.

- Oohh! - nxori ajo një klithmë të çjerrë. Tisi i dhimbjes vazhdonte t'i ndehej mbi fytyrë.

Po ndjente dhimbje në gjithë qënien e tij, madje ajo dhimbje iu bë se ishte shtruar e gjitha në apartamentin e tyre.

Djali i vogël u shfaq përpara derës së dhomës ku flinte. Me ecjen e tij foshnjore, eci drejt së ëmës. E përqafoi nga kofshët e saja, aq sa e lejonte gjatësia e trupit të tij.

E ëma, u përkul dhe e mori në krahë.

Me duart e tij të vogla foshnjore, fëmija përqafoi të ëmën.

Ajo po ndjente lumturinë më të madhe siç ndjen çdo nënë nga prekja e duarve të fëmijëve të saj. Ia  mori duart dhe ia puthi.

Djali zgjati trupin për nga i ati. Shtriu njërin krahë, ndërsa krahun tjetër e mbante të përqafuar nga e ëma, dhe me dorën tjetër përqafoi të atin.

Ashtu ndejti disa çaste mes prindërve të tij.

I ati kishte mbyllur syt. Edhe ai po ndjente lumturinë më të madhe të prindit ndaj fëmijës së tij.

Ai do rrinte ndoshta disa çaste me sy të mbyllur, por përsëri tingulli i ziles së telefonit celular, ia prishi atë kënaqësi.

Pa u menduar, me të shpejtë, futi dorën në xhepin e pantallonave, nxorri telefonin dhe lexoi përsëri emrin e të dashurës së tij.

Seç foli disa fjalë nëpër dhëmbë që nuk u dëgjuan. Në nerva e sipër, pa u menduar gjatë, përplasi telefonin përdhe në dyshemenë e çimenttë të guzhinës.

- M'u hiq qafe edhe ti - foli prap, por që e dëgjoi edhe e shoqja.

Djali i trembur, u kthye nga e ëma, e përqafoi, si të kërkonte mbrojtje prej saj.

Fytyra e burrit shprehte dhimbje.

Iu afrua të shoqes; djali në krahët e të ëmës, zgjati trupin për nga i ati për ta përqafuar ashtu si më parë.

Ai ndjeu dhimbjen më të madhe që mund të ndjejë një bashkëshort, një baba.

Hapi krahët, përqafoi bashkëshorten dhe djalin e tij.

Me zë të ngashëryer, me buzët që po i dridheshin, shqiptoi me ngadalë fjalët: - Të përgjërohem grua! Më fal! Më fal e dashura ime grua, bashkëshorte e pafajshme, nënë shembullore, mamaja e fëmijës sim! Më fal!

Ashtu të përqafuar, i dha trupit para. - Shkojmë në dhomën e ndenjies të dashurit e mi. kam shumë nevojë për ju, ashtu siç keni edhe ju nevojë për mua. Ju dua shumë.

Ata të tre ecnin me hapa të ngadaltë. Nën këmbët e tyre ndjenin copëra të thërmuara qelqesh kristali, copërat e telefonit tashmë të dëmtuar.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: