Gëzim Llojdia: Si e hoqi nga puna revolucioni kinez?
| E Diel, 29.07.2018, 08:15 AM |

SI E HOQI NGA PUNA REVOLUCIONI KULTUROR KINEZ  ?

Nga Gëzim Llojdia

1.

Historia vjen. Emri i Mexhit Haxhiut në qytetin e Vlorës është i skalitur thellësisht si njëri ndër sportistët, që bënte magji me topin. Por emri i Haxhiut u bë i njohur  për përndjekjet. Ruante dhuntin e Peles,magjitë e magjistarit,mendjen e shkencëtarit, për aftësitë e tij në Vlorë e thërrisnin”brigadieri”.

Haxhiu ka koleksionuar shumë tituj në demokraci .Në vjeshtën e fundit mori një tjetër titull nga Presidenti,mjeshtër i madh.Haxhiu,ose bukuria e sportistit të papërsëritshëm,në qytetin e tij i kanë dhënë titullin“Njeriu i shekullit”.Përpara këtij personaliteti mijëra tifozë nga ky qytet jugë-perëndimor edhe sot heqin kapelën. Madje kur kandidoi për të djathtën në vitin 2000,një sportist me bindje të majta erdhi me gjithë dëshirë në takimet e tij duke thënë “Nderojmë sportistin Mexhit Haxhiu “.

2.

Mexhit Haxhiu  ka këtë skedë , është pinjoll i një familje patriotësh ka një trung të shquar, me rrjedhje nga një familje autoktone vlonjate. Në historinë e shkruar emri i gjyshit të Mexhitit, Osman Haxhiu është lidhur me disa ngjarje të veçanta. Patriot, që ka punuar për Shqipërinë. Kryetar i komitetit të Mbrojtjes Kombëtare. Deputet i opozitës. Prefekti i Vlorës. Përhapës i arsimit. Poetët anonim figurën e tij e kanë përshkruar: “Në Vlorë foli prefekti/ Osman Haxhi Muhameti”.

3.

Përse nuk vinte për mirë regjimi?Haxhiu është rreth 80 vjeç. Motlindja është regjistruar  në një kohë trazimi, viti ‘43,fillim viti 3 janar, ditë acari. Në vogëlinë e tij nuk ka arritur dot të kuptojë ç’përbënte për familjen Haxhiu dimri i vitit ’44.

Ja një histori  e shkurtër,që gjithë jetën  e përndoqi.

Në nëntor 1944, Dalib Haxhiu ,i ati i Mexhitit ikën nga Shqipëria,arsyeja: nacionalist. Larguar me zemrën copë, ndërsa la në vatrën e tij, 3 fëmijë. Më i vogli 6 muajsh, ndërsa Mexhiti  ishte vecse 15 muajsh. Me sytë e ënjtur, Fatime klithi:” Mallkuar qofsh regjim i tillë“.Ai regjim nuk vinte për mirë për Haxhinjtë.

“Ndërkohë, shprehet Mexhiti në rrëfimin e tij, erdhën dajot dhe na morën në pronat e tyre në Ujin e Ftohtë. Buzë atij peizazhi detar përfundova shkollën tek “Zenel Murra”.Kur dëgjohej kërcëllima e anijeve të luftës në gjiun e Vlorës. Rreth vitit 1960 ai përfundoi gjimnazin “Ali Demi”.Një dimër tjetër nga këto vende do të shquhej qartazi lufta e heshtur .Përfundimi i shkollës ruajti peshën e rrezikut,rrëzuar 2 vjet pa punë.

Në diplomë shkëlqenin 10-tat, por me një rrëzëllim kërcënues, për të kërkuar arsimin e lartë.

4.

“Nuk guxova, shprehet ai, për të kërkuar arsimin e lartë. Për të mos harruar harresën ekzistenca jonë ishte nëna, që degdiset punëtore nga ullishta tek “P. Rexhepi”.

Në kthimin e kujtimeve, ai ruan klasën e parë. E dhimbshme ngjarja.

“Më zbritën nga makina, ku do të shkohej në mbrëmjen e Vitit të Ri. Në vendin tënd do të shkoj një tjetër. Atëherë, vazhdon ai, ndjeva se regjimi për ne kishte hapur një greminë.

Deri në vitin 1960, familja nuk ka mbajtur triskën e frontit. Sporti për Mexhit Haxhiun është një lloj arti, që fsheh magjinë e vet. Por ky art do t’i bëhej gjatë karrierës së tij,siç shprehet një shkrimtar, ferri i fatit të vet.

Si të gjithë fëmijët luante në sheshet e Ujit të Ftohtë. Ngjizjen me këtë art të bukur e ka bërë në fëmijërinë e tij. Vasillaq Ndini, dëshiron t’i zgjojë “ëndrrat e trembura” për t’u ngjitur pas këtij arti magjepës.

5.

Pas 47 vjetësh  takohet me të atin.“Kur iku nga Shqipëria në dimrin e ftohtë të ’44 na la të vegjël. Me shpirtin e lodhur nga dhimbja Dalip Haxhiu, jetoi 47 vjet në mërgim. Rrëzimi i mureve të ftohtë bëri, që të takojë tim atë. 72 vjeçar  jetonte në Francë, i vetëm në Versajë. Telefonin e tij të largët në Vlorë e mbytën lotët tanë. Në hapësirën e atij hoteli në Versajë në distancë më ka njohur duke ia treguar me gisht, një miku të vet:

” Ai atje, që po vjen është Mexhit Haxhiu”.

6.

Në vend të kartës së identitetit.Brenda këtij kurthimi politik,familja Haxhiu përcolli një regjim dhe gjysmën e jetës së vet.

Bashkëshortja e Mexhitit është një grua e respektuar labe. Me Mexhitin ka dy djem,që kërkuan ata famën e të atit sportistë dhe u tha se ishin po aq magjistarë,por fama si sqimtare nuk i ngjiti në ato lartësi,ku u ngrit prijsi i futbollit vlonjat Haxhiu.

Nëpër peripeci të kohës ka kaluar familja Haxhiu.”Të fejuarës, thotë ai, i bënin presion, i ushtronin trusni, që mos të martohej në asnjë rrethanë me Mexhit Haxhiun”.

Ishte vërtet  sportist i madh, por në brendi, biografia “e keqe” ishte një hije që e ndiqte pas çdo gjurme të mirë.Bashkëshortja pas martesës nuk i shpëtoi dot përndjekjeve. Një rrugëtim i vështirë mbijetese, punëtore tek Kombinati i Konservave, në NTUS, deri sa e hoqën fare.

7.

Taksa e kohës-dy herë ushtar.Rrugëtimi më i vështirë përmes ditëve ku prehej shpresa,çuditërisht fiket. Në kulmin e luftës së ftohtë, viti ’61. Ekipi i Ministrisë së Mbrojtjes “Partizanit” zgjidhte më të talentuarit nga ushtarët. Por historia e djaloshit Mexhit Haxhiu tek ky ekip mbetet me enigma. Thirret dy herë ushtar.Pasi kishte bërë betimin, komisari i klubit i tha: “Ti djalë je marrë gabimisht ushtar”. Ai kishte mësuar biografinë e tij. U kthye në qytetin e Vlorës. Pas një muaji e ri-thërrasin ushtar tek “Partizani”,kjo vulos vajtjen e dytë ushtar. Sapo kishte përfunduar ndeshjen e parë tek “Partizani”, dikush nga tribuna qendrore kishte pyetur se :kush ishte ai djaloshi, që vallëzonte kaq bukur me topin?

Sapo kishin mësuar emrin Mexhit dhe mbiemrin Haxhiu, ai kishte urdhëruar: “Ai djalë duhet të largohet nga skuadra”.

“Më degdisën në repartin e punës, në burgun 2200 në Lushnje, thotë Mexhiti.

Aty punonin të gjithë ata ushtarë, që e kishin biografinë si timen. Por kur shpresat, ishin fikur e thërrmuar thirret me urgjencë tek “Partizani”. ]E transferuan në Tiranë. Nuk qëndroi shumë, përveç disa ditëve. Pas 20 ditësh e thirrën përsëri: T’i je i transferuar në Vlorë”, i thanë.

8.

Enigmat.Enigmat që kanë mbuluar përplasjet  e Haxhiut ,tashmë nuk kanë më brenda atë mjegull të dikurshme. Një shprehje “Një hap para dy mbrapa,do të përshkonin ngjitje-zbritjet,nga sporti tek jeta personale. Për më tepër sa orvatej të ngjitej,zbritja mbetej prezente. Pas një thirrje urgjente ,mbrinte një kohë ndërprerje.

9.

Shkurt.

1-Tek strehëza e tij në Vlorë te “Flamurtarit” kur e larguan nga “Partizani”, por vetëm për një fazë kampionati.

2- Duke parë talentin e tij e afrojnë tek ekipi kombëtar, por e aktivizojnë vetëm në ndeshjet brenda vendit në Tiranë. Në ndeshjen me Algjerinë shënon gol.

3-Ndërsa ekipi kombëtar niset për në Rinas për të fluturuar drejt Irlandës, më vonë Holandës, Haxhiun nuk e përfshijnë fare në formacion.

“Kur erdhi Ramiz Alia për të përshëndetur skuadrën para nisjes, shpjegohet Mexhiti, i kërkova shpjegim, përse nuk më lejonin të shkoja jashtë shtetit me ekipin kombëtar, por luaja vetëm në Tiranë.

4-Por ndërsa afronte vera e vitit ’60, në qershor më lejuan të shkoja me ekipin kombëtar, por si për çudi zgjodhën dy ndeshjet në vendet Lindore me Bullgarinë dhe Rumaninë.

Urdhëron e kishin firmosur Kadri Hazbiu dhe Beqir Balluku, për të më lejuar udhëtimin me ekipin kombëtar.

10.

Kur binte muzgu për të qarë fatin e keq.Një rrëfim tronditës.”Në Varna të Bullgarisë, mjegulla pllakoste qytetin atë mbrëmje tmerruese.

Në hotel shoku im më i afërt, Muharrem Karriqi, pas një trazimi të jashtëzakonshëm më tha:” Dëgjo Mexhit. Duhet të ruash një sekret. Mua më kanë vendosur të të ruaj ty.

Mos ia thuaj askujt këtë, i kupton pasojat”.

Nga mbrëmja e Varnës mësova se ai djalë fisnik arriti ta tregonte “misionin e papërfunduar”, ndërsa dhjetëra të tjerë e kanë ruajtur të fshehtë. Çështja ime në sport ishte futur në një qerthull ku fatkeqësisht na përplaseshin mbi shpinë”.

11.

Revolucioni kinez dhe degëdisja nga sporti.Revolucioni kulturor kinez,ç’hije të rëndë që solli.”Dy ditë pas kthimit nga Varna, nisi revolucioni kulturor kinez.

“Hija” e tij u ndje shumë shpejt  në Shqipëri,ndonëse mbrinte nga pjesa aziatike me format dhe mënyrat maoiste.

“Më largojnë nga ekipi i “Partizanit” me sportistë të tjerë, që paguan po këtë taksë të kohës”.

Emrat e Mexhit Haxhiut, Vehap Xhindoles, kampionit të peshave të rënda, Fehmi Telegrafit, peshëngritësit dhe Nazmi Kryeziu, sot dëshmor i demokracisë rënë në 2 Prill ’91.

Kthimi në qytet u quajt një “ëndërr e thyer”, ndërsa sporti shkaktar i fatkeqësive të tij. Pritej të aktivizohej në sezonin e ri të kampionatit. Në vjeshtë, mes shtatorit ndeshja e parë përkonte me festën në Drashovicë, ndërsa pasdite shkonte në stadiumin e qytetit. Po vishte uniformën kur mbërrin në dhomat e sportistëve trajneri, Petrit Arapi. I nxirë nga fytyra: “T’i Mexhit nuk do të luash sot!

Tifozëria lart në tribunë prisnin me ankth se si do të veprohej me Haxhiun. Kur në fushë mungoi Haxhiu, thirrjet e tyre ishin të pakta, ç’fatkeqësi, ndeshjen e kemi humbur. 4 – 0, fitoi Elbasani.

Pas një kohe mundi të kapërcente “kufirin e fushës së blertë” për t’u aktivizuar me “Flamurtarin”. Kjo i atribohej edhe tifozërisë vlonjate. Transferohet tek bobinazhi, pas një kursi dy vjeçar bëhet elektricist. 25 vjet punon në këtë zanat. Aktivizimi i Mexhit Haxhiut tek skuadra e “Flamurtarit” përmbante një kusht. Ai nuk do të lejohej të shkonte në asnjë ndeshje jashtë vendit. Në udhëtimin e “Flamurtarit” drejt Kosovës në ‘73, ju mbyllën shtigjet  së bashku me Krenar Shakën ,Kastriot Çelën, nuk  i lejuan të shikonin ,por dhe të luanin në trojet shqiptare.



(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: