Lushaj: Adem Demaçi nuk është 'Mandela i Kosovës'
| E Diel, 29.07.2018, 11:13 AM |

ADEM DEMAÇI NUK ËSHTË “MANDELA I KOSOVËS”

Nga Ramiz LUSHAJ

Gjithandej, edhe në këto tre ditë zie të vdekjes së Adem Demaçit po flitet e shkruhet tuj e cilësue “Mandela i Kosovës”(!) Shumkush po mendo se kësisoj i ba ndopak nder e nderime Demaçit. Krejt e kundërta. Një krahasim i tillë nuk i ban nder as Demaçit në Kosovë, as Arbnorit në Shqipëri. Kurrkujt ndër shqiptarët, në shtete e treva etnike shqiptare.

Kurrgja nuk kam me emnin e figuren e Nelson Mandelës (1918-2013) si personalitet i madh jugafrikan e botëror, i nderuar me Çmimin Nobël (1993), me mbi 100 dekorata e tituj nëpër planetin tokësor, si dhe me “Urdhrin Lenin” në maj 1990, sikurse Stalini, Tito, Brezhnjevi. Me emrin e tij janë pagëzue shumçka në Afrikë e botë deri dhe Asambleja e Përgjithshme e OKB e shpalli ditëlindjen e tij, 18 korrik 2010, “Dita e Mandelës”. Sivjet, Mandela, do të ishte 100 vjeç.

Tashti po bahet gati një çerek shekulli kur isha në Afrikën e Jugut, në Johanesburg e Pretoria, në vitin 1994, asokohe kur Mandela ishte në kulmin e fushatës së tij të zgjedhjes së tij Presidenti i parë i zi në Afrikën e Jugut (1994-’99). Në emisione televizive të atyhit kuptonim se Mandela ishte revolucionar i madh, pasi ai dikur kishte qënë dhe antar ilegal i Partisë Komuniste (të ndaluar ligjërisht) të Afrikës së Jugut, etj. Ai ishte dhe President i Partisë Kombëtare të Kongresit Afrikan (1991-’97). Një ndër meritat e Mandelës ishte se kur u zgjodh President i Afrikës së Jugut e mori një të bardhë në detyrën e Zv/presidentit Frederik Williem de Klerk, rivalin e tij elektoral, (ish Presidentin e atij vendi në vitet 1989-’94), pasi ky shtet i ka mbi 5 milionë të bardhë e kryesisht në pesë qytetet ma të randësishmet.

Edhe në koft se i marrim për nga vitet e burgut Adem Demaçi i Kosovës ka pak ma shumë se Nelson Mandela i Afrikës së Jugut. Po kurrë e kurrsesi nuk mund të krahasohet burgimi i Mandelës me burgimin e vështirë deri në kushte sakrifice e mbijetese i Demaçit në Kosovë e Arbnorit në Shqipëri.

Nuk po due të ndalem te bindje politike të majta të njërit apo tjetrit, pasi këto i kanë disa të përbashkëta, po Mandela e Demaçi e kanë dhe një tjetër vlerësim të përbashkët, Çmimin “Saharov”, që e ndan Parlamenti Europian në 5 dhjetorin e çdo viti, në “Ditën e të Drejtave të Njeriut”, në nderim e kujtim të shkenctarit dissident rus, Andrej Saharov (1921-1989). Parlamenti Europian e nisi dhanien e këtij Çmimi me Nelson Mandelën më 1988 dhe më 1991 ia dha Adem Demaçit, tue iu ba nder Kosovës dhe Atij.

E, pa u zgat ma andejna, due me dijenue, çka thashë kryere, në fill të shkrimit: Pse Adem Demaçi nuk duhet me u thirr nga kurrkush e kurrnjiherë si “Mandela i Kosovës”.

Ma e para, se Mandela ishte në këtë botë e mbetet dhe në atë botë të përtejme si një lider që ishte kundër Lirisë e Pavarësisë së Kosovës, pasi në gjallje të tij krijoi me fjalë e veprime “një frymë kundër Kosovë” në Afrikën e Jugut. Kjo reflektohet dhe sot, në pasvdekjen e tij, pasi Afrika e Jugut është nga ato shtete të botës që nuk e ka njoft ende Republikën e Kosovën, shtetin e ri të Kosovës. E ka njoft dhe Mbretëria Losoto (më 11 shkurt 2014) që është krejtësisht brenda territorit shtetëror të Afrikës së Jugut, me një sipërfaqe pak ma të madhe se Shqipëria e me mbi 2 milionarë banorë, po nuk po e njef Afrika e Jugut me mbi 1 milionë km2 e mbi 50 milionë banorë!

E dyta, që ka lidhje me të paren, është fakti se Mandela ishte idealisht e praktikisht mik i njohur i Titos e mbasandejna dhe i afërt me Sllobodan Millosheviqin, dy liderët kryesorë të Beogradit që e deshën Kosovën nën Serbi e në Jugosllavinë e Tretë e të Katërt.

Mandela ishte haptas e ballas kundër Luftës së NATO-s në Kosovë në mars-qershor 1999. Njiherash, Mandela njihet dhe si një nga liderët e botës që shpeshtas e ashpërsisht ishte kundër Bushëve në Amerikë e Blerit në Britani, kundër dy miqëve të shquar të Kosovës.

Millosheveqi, ndër të gjithë miqtë e tij në botë, e zgjodhi më të parin Nelson Mandelën – presidentin në detyrë (deri më 16 qershor 1999) i Afrikës së Jugut për me kanë Negociator në mes NATO-s e Serbisë (Jugosllavisë së mbetur). Mandela, jo për shpirtin e tij prosllav, po ngaqë e kishte lanë takati i tij fizik i ktheu përgjigje Millosheviqit se mosha e tij mbi 80 vjeçare nuk ia mundësonte krerjen e këtij misioni diplomatik ndërkombëtar, pasi i duhet të kryente takime të shumta e të shpeshta me lëvizje në disa kontinente nga Afrika në Europë, Amerikë, Azi.

Në kulmin e Luftës së Kosovës (maj 1999) ishte Mandela që e ftonte Millosheviqin e Serbisë “për strehim politik” në Afrikën e Jugut, nëse e dëshironte apo ia kërkonin ose impononin situatat diplomatike, politike e ushtarake (ndër)kombëtare, që ai t’i shpëtonte gjykimit të Drejtësisë Ndërkombëtare për krimet ndaj popullsisë së Kosovës.

Ndërkohë, Afrika e Jugut e presidentit Mandela, e arrestoi më 1999, Mbretin Leka Zogu i Parë i Shqiptarëve, asokohe rezident në Johanesburg, për gjoja “mbajtje armësh”, të cilat ishin “trofe luftërash” e pjesë e një “muzue të tij privat”. Po, qëllimi i vërtetë i këtij arrestimi politik ishte fakti se kësokohe Serbia e Millosheviqit po luftonte për të shue çdo vatër të rezistencës ndaj tij deri në Afrikën e Jugut, pasi dhe Mbreti Leka Zogu I po niste një turne ndërkombëtar për Kosovën, nga Jordania e vende të tjera të gadishullit Arabik, në Mesdhe, etj. Tevona, kjo akuzë e fabrikuar u rrëzue nga drejtësia, prokurori përkatës u detyrue të jepte dorëheqje për shkak të paragjykimit të arrestimit të tij, etj.

Presidenti i Afrikës së Jugut, Nelson Mandela, kësokohe, 1998-1999, ishte i 19-ti Sekretar i Përgjithshëm i Organizatës së Vendeve të Pangazhuara (Non-Aligned Movement, NAM), e cila ishte themelue në vitin 1961 në Beograd nga J.B.Tito. Kjo me inisiativën e Titos, akt-krye me një Konferencë Ndërkombëtare të mbajtur më 1-6 shtator 1961 në Beograd të Serbisë e Jugosllavisë. I pari Sekretar i Përgjithshëm i kësaj Organizate ishte vet Tito (1961-’64). Jo vetëm në vitin 1999 kur e udhëhiqte Nelson Mandela, po dhe tevona kur e udhëhoqen Fidel Kastro e Raul Kastro të Kubës (2006-’09) apo Mahmoud Ahmadinejad e Hassan Rouhani të Iranit (2012-’16), etj. kjo Organizatë e Vendeve të Panagazhuara me 120 vende antare e 17 me statusin e vëzhguesit e me qendër në Xhakarta të Indonezisë, me nostalgji proTito e për Jugosllavi të Vjetër të Titos, është me një ndikim të madh për keq në njohjet e Pavarësisë së Kosovës, për çuarjen e saj drejt antarësimit në OKB.

Pas gjitha këtyre që fjala folëm për Nelson Mandelën, për kundërshtitë e mbrapshtitë e tij ndaj Kosovës së Lirë e të Pavarur, duhet me thanë se është e tepërt, e keqe, e gabuar, që Adem Demaçi të thirret edhe në përcjelljet e fundit si “Mandela i Kosovës”.

Përndryshe: Adem Demaçin kena qysh e thërrasim, kena çka e thërrasim, pasi Adem Demaçi është “Hero i Kosovës” (2010), “Nderi i Kombit” në Shqipëri, “Saharov” në Europë, po mbi të gjitha, para të gjithave, me të mirat e tij të mëdha e të metat e tij të rrugëtimit, Adem Demaçi është Adem Demaçi, është “Adem Demaçi i Kosovës”.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: