Zef Ahmeti: Pse jemi kështu si jemi
| E Diel, 08.07.2018, 11:09 AM |

Pse jemi kështu si jemi

ose një qasje psikologjike për jetën e rreme shqiptare duke u mbështetur në psikoanalistin dhe psikiatrin e njohur gjerman Hans-Joachim Maaz

Nga Zef Ahmeti

Ka kohë që po përpiqem të kuptoj se si dhe pse ka ndodhur që për dekada jetuan shqiptarët si jetuan në atë sistem diktatorial komunist, dhe as sot mbas dy dekadash e gjysmë askush nuk e mban vetën për fajtor. Sikur në këtë vend dhe në atë sistem të kishin qenë populli e sunduesit jashtëtokësorë. Nga e kaluara dhe e sotmja kam kuptua se grupet radikale, ekstremiste ideologjike u ofrojnë njerëzve me vete të ç’ shthurur struktura hierarkike që u mundësojnë mbështetje dhe orientim. Mungesa e njohjes së vetes, njeriun e bën të rrëshqasë në ideologji apo t`i takojë një grupi të caktuar n`kuadër të së cilit mund të fitojë reputacion.

Nëse i shikojmë nevojat themelore të njeriut në gjenezën e tyre, ato ndahen në kërkesa trupore, mentale, sociale dhe shpirtërore. Trupi kërkon oksigjenin, ushqimin, ujin, rregullatorin e ngrohjes, lëvizjen, seksin dhe sekrecionin. Mentalja kërkon mirëkuptim, vërtetim, nxitje, përkrahje, inkurajim, mbrojte, ngushëllim dhe kufizim- ndryshe dashuri. Ndërsa ekzistenca jonë si qenie sociale kërkon kontaktin, pasqyrimin, bashkësinë, domethënien, njohjen dhe kritikën. Ndërsa shpirtërorja kërkon kuptimin, realizimin dhe përvojën për ndërlidhjen me marrëdhëniet më të larta - vendlindja, kombi, njerëzimi, natyra e zoti. Dhe shpesh të gjitha këto nevoja bazike paraqiten te njeriu shpesh në tensione emocionale dhe secili ka nevojat e veta. Ju kujtohet si bënte Sigurimi duke i shfrytëzuar këto nevoja themelore me sugjestion: Ti je i rëndësishëm. Ajo çfarë ke për të na treguar është për ne një çështje e mirë, se do jetë edhe në shërbim të familjes që ti i përket.

Disa kanë nevojë për më shumë kontakte sociale, disa të tjerë kanë nevojë për besim e meditim, disa të tjerë përjetimet në natyrë plotësojnë nevojën e besimit. Mirëpo një gjë është e sigurt se një ditë, herët a vonë, do “demaskohet” te secili njeri nëse një nga këto nevoja themelore nuk është e plotësuar. Nëse një nga këto nevojat themelore mbetet e parealizuar atëherë kërkohet një “zëvendësim” që nuk e kënaq kurrë nevojën themelore origjinale, andaj kemi një shtyrje përherë që të rritet kërkesa për këto kënaqësi të zëvendësueshme.

Si krijesë sociale që është, njeriu marrëdhëniet i vendos për zhvillimin e tij ndërsa kultura e marrëdhënieve përcakton cilësinë e jetesës. Menjëherë pas lindjes njeriu është subjekt i marrëdhënieve. Ndërkohë fëmija i lindur me kohë programohet nga ndikimet e prindërve. Zhvillimi i shëndoshë fëmijës lidhet ngushtë me aftësinë e prindërve në detyrën e tyre. Është e pranishme bindja se fëmija është objekt i edukimit që duhet t`i mësohet çka është mirë e çka është keq. Fëmijës  i ekspozohet edukimit sipas mendimeve të familjes dhe në kuadër të normave që ofron shoqëria dhe pritjeve zhvillimore të saja. Edukimi bëhet sipas shtypjes autoritare, frikësimit, manipulimit, lavdërimit dhe dënimit duke përfunduar në nënshtrimin e fëmijës ndaj vullnetit të të rriturve. Kjo  nuk është e huaj dhe as e re për rrethanat shqiptare. Kjo mënyrë e edukimit shpesh nxit edhe rebelimin e fëmijëve dhe mbase edhe shkakton sëmundje si pasojë e ndrydhjes në vete të nevojave personale.

Sot është e njohur se shanset e zhvillimit të mirë të femijës varen thellësisht nga raportet e tij që ka me prindërit, vëllezërit e motrat, gjyshërit, çerdhet se sa janë të aftë të kuptojnë saktë marrëdhëniet me fëmijët ata, për t`i kuptuar drejtë dhe për të reaguar në mënyrë preferuese adekuate që do të thotë kënaqësi optimale në cilësi dhe sasi në nevojat e demonstruara, optimale në ndjesitë e fëmijës dhe jo sipas mendimeve dhe gjykimeve të kujdestarit. Si qëndron kjo në shoqëritë shqiptare? Si edukohet sot fëmija apo më saktë si programohet sot fëmija shqiptar? Për fëmijën, thonë studimet psikologjike, cilësia e marrëdhënieve të hershme me nënën është shumë e rëndësishëm për mirëqenien e mëvonshme të tij.

Fati i një shoqërie varet krejtësisht nga një pyetje krejt vendimtare se si sillemi me fëmijët se, a duhet të edukohen apo të reflektojmë me marrëdhënie optimale. Në fakt ne jemi mësuar të dëgjojmë se fëmija duhet të edukohet. Këtë e dëgjojmë gjithandej. Sipas kësaj na del se edukimi prodhon fëmijë të mirë apo të këqinj, fitues apo humbës, fëmijë me sjellje të mira apo të këqija. Kështu që edukimi është edhe fajtor për zhvillime të deformuara shoqërore. Dhe kjo vlen edhe për fëmijën shqiptar, ai del i edukuar mirë apo keq, i sjellshëm apo i pasjellshëm.

Në anën tjetër marrëdhëniet mes prindërve dhe fëmijëve nuk kanë synime zhvillimore dhe vlerësime, por kërkojnë nxitjen e mirëkuptimit, vlerëson dallimet, fuqizon vlerën për vetën, e mundëson integrimin social dhe, nëse thjeshtësohet edhe më shumë ky dallim, atëherë këtu mund të thuhet: dashuri e jo pushtet, komunitet në vend të konkurrencës.

Shpesh prindërit shqiptarë dëgjohen duke u arsyetuar se, fëmijëve u dëshirojnë vetëm më të mirën ndërsa fëmijët në fakt përjetojnë krejt të kundërtën, nëse nuk kuptohet ndjesia dhe nevojat e tij. Lidhja e hershme emocionale luan një rol vendimtar në zhvillimin e shëndoshë të tij dhe nuk mund të zëvendësohet me edukim. Kështu që një fëmijë me shthurje emocionale dhe programime me mangësi psikosociale mund të ketë më vonë një edukim të mirë, porse mbetet një person me mangësi që do përpiqet t`i zëvendësojë në moshën e rritur me veprime tjera që do sqarohen më poshtë.

Cilësia e marrëdhënieve të të rriturve me fëmijët është një qëndrim i brendshëm që i ndërmjetësohet fëmijës në mënyrë energjike të brendshme dhe emocionale. Një edukim me ndikim represiv dhe autoritar shpien në një zhvillim deformues. Si e kemi gjendjen e familjes shqiptare në këtë aspekt sot? Si ishte kjo dje?

Disa sqarime konceptuale

Në vijim do bëjmë një dallim që do përdoret këtu: vetja dhe uni nuk janë të njëjta. Të sqarojmë.

Përderisa vetja është struktura e personit i cili që nga lindja është i dallueshëm, i dhënë që mund të formohet vetëm në jetën e hershme – deri në moshën trevjeçare. Vetja si shprehje e strukturës së personalitetit ndikohet në zhvillimin e tij nga rrethanat ndikuese. Kështu që cilësia e hershme e marrëdhënieve që fëmijët i përjetojnë para, gjatë dhe pas lindjes, është formues në vetëzhvillim. Kësaj i shtohet uni si funksion shpirtëror që përpiqet të baraspeshojë pengesat e vetes, ato t`i rregullojë, kompensojë si dhe të ndërmjetësojë e pajtojë mes çarjeve dhe fragmenteve të vetes. Uni ndërmjetëson kontributet sekondare psiko-sociale për të ndërmjetësuar mes mundësive strukturore dhe kërkesave të realitetit; uni ndihmon përshtatjen, ndryshimin dhe zhvillimin me rrezikun që kontributet e unit largohen shumë nga baza strukturore e vetes.  Kurse po u bë  ngatërrimi  mes unit dhe vetes, atëherë lindin problemet.

Ta shikojmë veten si dhuratë që nuk mundemi ta refuzojmë e që përbën bazën e individualitetit, unikal të ekzistencës sonë.

Për ta kuptuar më mirë se ku dëshirojmë të shkojmë, le të vazhdojmë më tutje me rëndësinë e madhe që ka vetja që e përshkruam, se si bëhet formësimi i vetes së një fëmije deri në moshën trevjeçare e që është vendimtare për sjelljet e mëvonshme të njeriut të pjekur. Çrregullimet e vetes ndikohen nga disa faktorë: kërcënimet e nënës që më vonë i përjetojmë si kërcënime të vetes; kapja prej nënës që në moshën e pjekur përjetohet si vete e torturuar; mungesa e nënës që më vonë kalon në padashurinë e vetes; helmimi i nënës që ka për pasojë varësinë e vetes; terrorit atëror me rezultat të mëvonshëm frenimin e vetes; mallkimi atëror me pasojën e mëvonshme të neglizhimit të vetës; keqpërdorimi atëror që ka rezultat veten e mbingarkuar.

Po çka kuptojmë me këto? Duken shumë të thata andaj kanë nevojë për shpjegime të mëtejshme.

Kërcënimi i vetes vjen si pasojë e ndjenjës së fituar në fëmijëri nga “kërcënimet e nënës” si rezultat i refuzimit të një fëmije si të padëshiruar, që ka përjetuar dhunë fizike dhe psikike, në zhvillimin e tij do bëhet i pasigurt, labil, dhe mbetet i fragmentuar e do ndjehet i kërcënuar dhe kjo shprehet me mendimet: nuk jam i autorizuar, jam i padurueshëm, unë nuk mundem të jem. Këtu për t`u bërë i aftë për jetesë uni i vetes ka dy mundësi: identifikimi me kërcënimin ekzistencial ku zhvillon sjellje destruktive - konsumi i alkoolit, drogës – apo edhe me provokimin e konflikteve të ashpra, dhunë. Kështu me sjelljen e tij i jep të drejtë sjelljes refuzuese të nënës ndaj tij – bëhet i padurueshëm real. Ose si rrugë e dytë kërkon rrugë dhe mjete për t`u hakmarrë që duke u bërë vetë kryes i një vepre që të mos jetë më viktimë. Tragjike është qenia e tij në fëmijëri viktimë (si refuzim i hershëm ekzistencial) individualisht nuk mund të kuptohet më. Kërcënimi i brendshëm brendashpirtëror në fakt bëhet burimi i vërtetë i çdo radikalizmi dhe ushtrimit të dhunës. Çdo autor  dhune  fillimisht ka qenë vetë viktimë e dhunës psikike apo fizike. Andaj radikalizimet nuk mund të mënjanohen me përjashtime apo dënime, por vetëm me ndihmë psikosociale afatgjate - si parandalim. Kështu për t`i ikur kërcënimit të vetes, kërcënon vetë dhe është i gatshëm për dhunë.

Kapja prej nënës do të thotë së një nëne i duhet fëmija si vërtetim për rëndësin e saj dhe rivlerësim të unit por edhe si shpërqendrim dhe kompensim. Dhe kjo shprehet në shprehjet: ti je i imi, ti je prej meje, unë mundem të bëj me ty çfarë të dua, ti je pronë e imja. Kjo tendencë pronësie nuk vërehet nga nëna me arsyetimin se ajo fëmijëve u dëshiron vetëm më të mirën. Nënat e tilla keqpërdorin energjinë e jetës së fëmijëve – përderisa nga jashtë duket se ato po bëjnë gjithçka të mundshme për fëmijët. Nëna “helmon” fëmijën që të sillet si i pëlqen asaj, ai manipulohet ashtu që t`i ndjej dhe plotësojë dëshirat e nënës, ose i ofrohet kinse dashuri fëmijës por nuk ka asnjë ndjenjë empatie për ndjesinë e fëmijës. Në fakt disa prej tyre shkojnë aq larg sa u marrin peng shpirtin e fëmijëve, dhe nuk është për t`u habitur nëse fëmijët e prekur kalojnë në heshtje, tërhiqen, mënjanojnë apo e refuzojnë kontaktin, bëjnë vetëm njoftime të kontrolluara sepse nuk mundin të shprehin çka vërtetë mendojnë. Në momentin kur nëna gjen zëvendësim për t`u marrë me dikënd a diçka tjetër, fëmija harrohet e kështu mandej te ai shkaktohet një konfuzion dhe paaftësi orientimi.

Mungesa e nënës  lidhet ngushtë me mungesën e kujdesit, i mbrojtjes, të qenit i dëshiruar, i kuptuar dhe këto marrëdhënien ndryshe mund të shpjegohen me një fjalë të vetme: me qenë i dashur prej nënës. Po mungoi kjo, atëherë njeriu në moshën e pjekur ka ndjenjën e padashuri ndaj vetes. Dashuria e nënës ndaj fëmijës nënkupton t`i jepet fëmijë dashuri, kujdes, mbrojtje, kureshtje dhe atë për ta kuptuar e njohur. Një dashurie e pakushtëzuar, që fatkeqësisht shpesh mungon te shumë raporte prindër-fëmijë. Duke pasur parasysh se nëna ka edhe detyrime e nevoja tjera, përveç fëmijëve, atëherë shtrohet pyetja se si duhet t`i shpjegohet fëmijës, që ai të mos ndjejë se nuk është dashur dhe i refuzuar. Një rol të madh luan edhe ndjenja e brendshme – empatike - përballë fëmijës: a është ajo egoiste apo shpreh energji dashurie. Shumë nëna vuajnë nga deficitet narciste të cilat fëmijën e keqpërdorin si dëmshpërblim, si super - nënë të cilës ai përherë duhet t`i jetë falënderues. Dashuria e nënës është një parakusht vendimtar për një zhvillimin psiko-social të fëmijës. Sidomos tri vitet e para të fëmijës janë vendimtar për zhvillimin e vetjes së mëvonshme. Në këtë ndërlidhje dashuria – e vërtetë e nënës - është të lirosh, të kujdesesh që ai të jetë mirë, i aftë të jetojë vetëm me të gjitha mundësitë, veçoritë dhe kufizimet. Ata njerëz që kanë përjetuar padashurinë kanë frikën më të madhe se mund të duhen vërtetë prej ndonjë personi sepse një gjë e tillë do të “provokonte” kujtesën e dhimbshme se sa si plotësim të dashurisë së munguar.

Në anën tjetër kush nuk ka dëshirë të jetë i pavarur dhe i lirë? Paralel me dashurinë, liria është një prej dëshirave më të mëdha. Kurse përgjegjës për përvojën e lirisë së brendshme dhe autonomisë së fëmijës është qëndrimi parimor i nënës ndaj tij: të bëhet kush është e çfarë dëshiron apo ajo, ka pritje nga fëmija dhe edukohet: bëhu si dua unë të të kem e si më nevojitesh, helmimi i nënës që ka për pasojë varësinë vetes së fëmijës. Kjo gjë nga nënat e tilla nuk është në fakt fare problem e as nuk e ndjejn si të tillë sepse e ka të trashëguar ndër breza të njëjtën bindje. Në rastet e tilla fëmija i përshtatet ndjesive  dhe nevojave të së ëmës dhe mirëqenia e tij varet edhe nga gjendja e nënës. Ndërsa mamatë e tilla nuk kanë idenë se çfarë u bëjnë fëmijëve. Përderisa ky lloj edukimi ndikon në largimin nga orientimi i brendshëm i fëmijës, nënat e tilla nuk e shohin tjetërsimin tragjik të tij. Kështu në vend se të dëgjojë nevojat e brendshme personale që ka fëmija, ai mësohet të orientohet nga ndikimet e jashtme. Dhe për të fituar njohje, vëmendje ose të paktën të mos dënohet, ai bën jetë parimisht të varur nga jashtë. Mëson të bëjë e veprojë atë çka dikush e pret prej tij dhe e harron vetveten. Kështu që në fillim ngufatet zhvillimi i vetes dhe nuk do ja dalë të mësojë se kush është ai vërtetë. Me bllokimin e përjetimit të vetes nuk mund të zhvillohet autonomia e me këtë humbet edhe liria e brendshme. Kështu vetja e rreme përpiqet të gjejë rrugë të tjera kompensimi të mungesës me para, pushtet, besim, ideologji. Kështu që liria e brendshme nuk mund të vihet në një linjë me lirinë e jashtme. Kështu bie fjala të drejtat e njeriut apo të qytetarit nuk sigurojnë edhe lirinë e brendshme.

Edhe shqiptarët gjatë komunizmit për “mungesën e lirisë” tyre mund të thuhet se kanë qenë për të ardhur keq. Lirisë së jashtme i është dhënë edhe nivel gati sa ideologjik duke mendua se me kalim në demokraci liberale do arrihet liria. Kur ngushtimi psikik zbukurohet me lirinë e jashtme, atëherë kemi një situatë groteske dhe të rrezikshme. Zëvendësimi i mungesës së lirisë së brendshme bëhet viktimë e varësisë nga kompensimet e jashtme, konsum, modë, luks. Kështu që vetja nuk ka mundësi të zhvillohet lirshëm. Shumë njerëz nuk e dinë kush janë e çfarë kërkojnë sepse kanë humbur ndjenjën me veten. Vetja e varur ka nevojë përherë për “ushqim” nga jashtë, ndryshe mund të përfundojë në paqëndrueshmëri. Nga kjo rezulton që personat e tillë përherë përpiqen të përshtaten, bëhet ndjekës, bëjnë karrierë si bashkëfajtorë, apo edhe pësojnë shmangie duke konsumuar mjete që mund të jenë të dëmshme si interneti, TV, droga.

Vetëzhvillimi i një fëmie varet edhe nga kurioziteti dashamirës me personat e parë me të cilët ka raporte marrëdhëniesh, pra me prindërit. Se fëmija duhet të ketë kufizime kur ka të bëjë me sigurinë e tij, nuk ka dyshim. Mirëpo shpesh nuk është lehtë të përcaktosh, ndash se çka është e rrezikshme e çka penguese në vetëzhvillimin e fëmijës. Prindërit kanë zakonisht vështirësi të pranojnë tipare personaliteti të fëmijëve të tyre që janë ndryshe nga ato që i njohin dhe i vlerësojnë si të mira apo të këqija. Zakonisht prindërit thirren në normat, rregullat, ligjet që i njohin nga përvoja e tyre jetësore që në fakt nuk mund t`i ketë edhe fëmija i tyre. Ata kanë frikë nga të rejat, të panjohurat, të huajat. Vetëzhvillimi pengohet zakonisht nga baballarët autoritarë dhe të ashpër. Me ashpërsinë e tyre ata zakonisht shpalosin mallin e pashuar që kanë për nënën, të cilën pa e ditur, e kanë bartur te gratë e tyre. Dhe padyshim deri në momentin sa nuk ka lindur fëmija, ata janë trajtuar nga gratë e tyre si zëvendësim i nënave. Kështu këta burra që kanë mall amënor e kanë bartur atë te gratë e tyre, me lindjen e fëmijës e shohin atë si konkurrent në favorin amënor. Kjo situatë zakonisht është e pavetëdijshme dhe bëhet pa mundësi reflektimi. Në vend se të shihet problemi te vetja, sulmohet fëmija. Ai frikësohet, shahet, nënçmohet me pasojë pengimin e vetëzhvillimit të fëmijës, terrorit atëror me rezultat të mëvonshëm frenimin e vetes së fëmijës. Ky frenim shpie në pasigurinë e vetes së fëmijës, tërheqje dhe kujdes si dhe në rastet ekstreme në sjellje të ngurta. Jeta më nuk jetohet por vetëm i shkohet mbrapa asaj çka i kërkohet dhe jetohet duke penguar e shtypur jetën e vet.

Përderisa vetja e frenuar në zhvillimin e fëmijës pengohet në mënyrë aktive, vetja e lënë pas nuk përjeton nxitje, përkrahje, inkurajim. Nëpërmjet komoditetit dhe përtacisë shmang aventurat e jetës, humb mundësin e vetëzhvillimit. Kështu që për fëmijën është shumë i rëndësishëm roli i atëror si një kopsht zhvillimi njerëzor. Nga ky kopsht atëror i ati mund të ndihmojë fëmijën duke nxitur, inkurajuar për të provuar e për të marrë përvoja – sepse në aspektin psikik-social janë nevoja themelore. Me mungesën promotorimit te fëmija lenë deficite shpirtërore. Përkrahja e fëmijës nuk duhet ngatërruar me kërkesa të gabueshme që shkaktojnë vetëm varësi. Përkrahje do të thotë të nxitësh talentet dhe aspektet ekzistuese te fëmija. Përderisa kërkesat paraqesin mundim dhe prodhojnë maje suksesesh në shpinë të raporteve të shëndosha. Mallkimi atëror me pasojën e mëvonshme të neglizhimit të vetes. Andaj një raport stimulues përkrahës, jo kërkues, atëror i talenteve dhe potencialeve tjera te fëmija është shumë i rëndësishëm për një sistem shoqëror.

Kështu vetja e mbingarkuar është rezultat tragjik i një personi me arritje e suksese sepse shpie te një vetëfryrje ku shpesh është tejet i suksesshëm në jetën e rreme, por njëkohësisht edhe në një krizë të rëndë vetëvlerësimi posa të shpërthejë flluska e suksesit. Shpesh nuk dallohet mes zhvillimit të talentit por vetëm suksesi. Këtu luan rol humbja ose fitorja. Te këta njerëz tragjedia është e dyfishtë keqpërdorimi i talenteve ekzistuese dhe mospërfillja e raporteve në njërën anë dhe në anën tjetër iluzionet e sukseseve që shpien në fitimin e çmimeve dhe mirënjohjeve por jo në paqen shpirtërore dhe çlodhje. Vetja mbetet edhe më tutje e vuajtur dhe e përndjekur. Frika e përhershme për mbajtjen e niveli të suksesit apo edhe nga frika e pamundësisë së rritjes së këtij niveli. Si pasojë kemi mungesën e vetërealizimit  dhe vetëdashurisë. Këto të fundit fitohen me dashurinë e hershme që u jepet fëmijëve nga prindërit. Paraja dhe  lavdia nuk e zëvendësojnë dashurinë. Kështu që kjo që thamë është keqpërdorimi atëror që mund t`i bëhet fëmijës e si pasojë ka mbingarkesën e vetë fëmijës.

Jeta e rreme

Gjithë këto janë elementë që ndërtojnë mure të një jete të rreme të vetes së rreme. Nëse nevojat themelore të vetes nuk pranohen apo nuk shuhen e kënaqen rregullisht në mënyrë adekuate nga ana e prindërve, krijohet një presion tensioni, një gjendje mungese vullneti që kërkon çlirim. Kur mungon një kënaqje e nevojave themelore, atëherë kërkohet një zëvendësim. Kjo rrugë e zëvendësuar shfrytëzon mundësitë ekzistuese reale. Në fëmijëri janë dëshirat vazhdimisht të bezdisshme, uria për ëmbëlsira, lojërat e pafundme – në kompjuter, interneti i pakufizuar, shpesh shpijnë në varësi të rrezikshme. Mandej në aspektin e sjelljes në mungesë të marrëdhënies së dëshiruar, kalohen në tërheqje, refuzim, sjellje të shthurura në arsimin parashkollor, në shkollë dhe në kohën e lirë provokojnë vëmendje dhe ushtrohet hakmarrje kundër prindërve. Në moshat e mëvonshme bëhet marrja e ushqimit si zëvendësim për dashurinë e munguar, paraja duhet të sjell mungesën e njohjes, pafuqia dhe papërkrahja në moshën e pjekur të jetës së rreme neutralizohen me pushtet dhe pozita drejtuese. Përherë bëhet fjalë për zëvendësimin e nevojave themelore me gjëra të jashtme, veprime zëvendësimi, meqë përmbushja e atyre themelore është e pamundur. Kështu shpesh kalohet në varësi: ngrënje, pirje, punë dhe rezultate, seks, përpjekja për njohje bëhet si lloj droge. Mandej shkaktohen mbase edhe varësi alkooli, droge, lakmia në konsum, suksesi egoist që shpie në dëmtimin armiqësor të sjelljes sociale, keqpërdorim i pushtetit, mospërfillja dhe keqpërdorimi i interesave publike. Kështu që një demokraci që ka për bazë strukturat e pushtetit me njerëz të cilët mbështeten në këto nevoja kompensuese të personave si mungesë e dashurisë dhe marrëdhënieve të shëndosha në fëmijëri, ndihmojnë marrjen e vendimeve të rrezikshme me anë të mjeteve demokratike. Fëmijës që i ka munguar dashuria amënore i mbetet si një therë në këmbë, si dhembje nxitëse për të arritur rezultate dhe fituar vëmendjen. Mungesa e dashurisë mund të jetë vdekjeprurëse si rezultat i përpjekjeve të pandërprera për ta arritur zëvendësimin e dashurisë së munguar me karrierë, pushtet. Kështu që përpjekjet për arritje janë të shëndosha përderisa nuk tejkalojnë kufijtë e mundësive për t`u shpalosur. Një vete e rreme tejkalon shkallën normale duke kërkuar kompensimin për dashurinë e amnore të munguar e që mund të nxisë pasoja të ndryshme shëndetësorë fizike e kriza psikike.

Ndikimet tjera të jetës së rreme

Të kesh një lidhje me familje, vendlindjen, komb është normale dhe si qenie sociale që është njeriu, ka nevojë të jetojë në lidhje sociale, t`i takojë një trupi social. Personat me veten e kërcënuar në proceset e hapjes ndaj të panjohurave reagojnë në vetëmbrojte duke qëndruar në distancë dhe përherë i gatshëm për “luftë”. Vetja e torturuar i ikën dinamikës së përshtatjes duke u tërhequr, me refuzim. Në anën tjetër vetja e varur është kampione e përshtatjes si strategji e mbijetesës. Këtu kujtohen përshtatjet në kohën e fëmijërisë që i bëhen pritjeve të nënës, edhe si i rritur ngritën në formë karakteri dhe gjatë gjithë jetës kanë nevojë për udhëzime, udhëheqje, këshillime, sepse nuk arrihet asnjëherë të mund të gjejnë atë të veten. Kështu nga këta njerëz përfitojnë, reklamat, religjionet, udhëheqjet politike. Reduktimi i aftësisë së përshtatjes në varësi, u ofron komuniteteve ndjekës të mjaftueshëm që u tregohet se çfarë është mirë e çfarë është keq, se çfarë duhet bërë e çfarë jo.

Personat me vete të rreme bëjnë një jetë për të tjerët. Në raste tilla jeta e vërtetë nuk është e vdekur – vetëm se është e shtypur, e mbuluar. Herë pas here ia del të dalë në sipërfaqe. Kjo shpesh bëhet me ndihmën e terapive psikologjike për t`i kuptuar sinjalet autentike të jetës por edhe për ta gjetur të vërtetën shpirtërore. Jeta e rreme njoftohet edhe në forma të tjera pa qenë detyrimisht i sëmurë, me anë të pakënaqësive, tensioneve të brendshme, nervozizëm, ankesave të shumëfishta, konflikte psiko-sociale të fyerjeve (prekjeve), lëndimeve, nervozizëm, dëshpërimit, me akuza dhe disponim për grindje. Mandej çështja torturuese e kuptimit, ndjenja se diçka po humbet (po humbin mundësitë). Këta njerëz kanë turp të madh nga qetësia, janë jo të qetë, inatosur, me plot akuza. Kanë frikë të komunikojnë me jetën e vërtetë andaj përherë kërkojnë zhvendosje vëmendjeje për nevojat themelore të dhimbshme, dhe kanë dëshirë të zjarrtë për një jetë tjetër - kështu kalohet në aventura me partner/e të ri/re, aventura seksuale, ndërrohen vendet e punës, banimet. Shpesh në situata të tilla merren rrugë alternative duke u futur në kaheje ideologjike dhe fetare si zëvendësim për zbrazëtirën e brendshme, vuhet nga detyrimet për të bërë përherë diçka. Një nga elementet moderne të largimit të vëmendjes nga dhembjet e brendshme bëhet me konsumimin e mediave si interneti, rrjeteve sociale si mundësi për të qetësuar agresivitetin e akumuluar apo për t’a shprehur atë me akuza e ofendime.

Vetja e rreme – që del si rezultat i marrëdhënieve që kanë prindërit me fëmijët e tyre deri në moshën trevjeçare - sikur detyron për një sjellje që përdorë fallsifikimin dhe mbrohet nga të kuptuarit të së vërtetës dhe të vërtetës. Vetja e rreme ka nevojë për armiq që i ndihmojnë për ta shpjeguar sikletin e jetës personale dhe për t`u mbrojtur në rregullimin e jetës së rreme.

Njeriu që jeton një jetë të rreme si produkt i vetes së rreme ndodhet në një luftë të brendshme shpirtërore të përhershme mes nevojave që duhet të shuhen dhe tendencave zhvillimore ekzistuese që kërkojnë të zhvillohen në njërën anë dhe ndikimeve negative nga marrëdhëniet e dëmtuara nga fëmijëria. Dhe kjo shpesh bëhet shkaktare e sëmundjeve të ndryshme. Një zhvillim i shëndoshë i vetes mundësohet me vetënjohjen reflektuese. Një vete e vërtetë kërkon pasqyrim, vërtetim, pranim dhe kritikë në kuadër të një kulture marrëdhëniesh empatike, liruese, dashamirëse.

Frika e hershme e përjetuar ekzistenciale formon një ndjenjë parimore kërcënuese e cila mund të aktivizohet edhe në moshë të madhe edhe atëherë kur nuk ka ndonjë rrezik të drejtpërdrejtë. Shpesh një kritikë e vogël shikohet si një perceptim rrezikues që menjëherë kërkon aktivizimin preventiv sa njeriu bën një jetë me mjaft konflikte. Një jetë e bërë në raporte në distancë – ri reagim për t`i mbrojtur nga lëndimet e mundshme. Shpesh si rezultat e kësaj, marrëdhëniet me njerëzit janë tejet të ngarkuara dhe asnjë punë nuk e plotëson kuptimin e jetës; pra jeta bëhet një fushëbetejë dhe nuk ka aftësi për të mbajtur marrëveshjet, të jetë i besueshëm. Nga ngarkesa shpirtërore ngritët urrejtja si përgjigje e brendshme e cila shpërthen në dy drejtime. Me veprime shkatërruese në drejtim të brendshëm ose të jashtëm me qëndrime armiqësore dhe duke përdorur dhunën. Kështu kërkohen armiq, figura armiqësore, ideologjie, grupe radikale, predikues urrejtës, figura drejtuese demagogjike. Aktet e dhunës lehtësohen me përkrahjen e dinamikës në grup dhe mbase merr edhe lëvdata për veprën, kështu që kalohet nga vetja e kërcënuar në kërcënues.

Liria dhe dashuria janë dëshirimet më të mëdha të njeriut por njëkohësisht edhe, fatkeqësisht, iluzionet më të mëdha. Helmimet e nënës ndikojnë në varësinë e vetes ose me kërcënimin me refuzim, nënçmime, e dënim apo edhe “vetëm” me heqje apo ndërprerje të dashurisë. Ndjenja e brendshme e fituar nga e fëmijëve në fëmijëri nga helmimet amënore se, “nëse nuk i plotësoj dëshirat e kërkesat e nënës, atëherë do mbetem në vetmi” mund të kenë pasoja kërcënuese për jetën. Me kohë këta fëmijë nuk dinë kush janë e çfarë duan nga jeta, porse mbeten në varësinë e njohjeve të jashtme, lavdërimeve e kritikave. Ndërsa shpesh kritika dhe akuzat injorohen, me rëndësi është që njeriu ka ndjenjën se në një mënyrë është i rëndësishëm. Kështu ndodh që njerëzit e varur orientohen në atë çfarë bën masa dhe orientohet sipas asaj, pra çfarë bënë shumica bëhet elementi kryesor për orientim. Kështu që këtë e përdorin propagandat politike, fetare.

Vetja e frenuar është përherë në frenim kështu që nuk guxon të jetohet jeta jote. Në jetë nuk provohet, nuk rrezikohet, u iket vetiniciativave, u largohet aventurave, mungojnë eksperimentimet,  - gjithçka e re është e mbuluar me plot frikë. Këto hezitime vijnë si rezultat i edukimeve autoritare, kështu që duhet të veprohet çfarë i thuhet.  Në një mënyrë kjo duket se siguron qëndrueshmëri jetësore, mirëpo në anën tjetër pengon zhvillimin e jetës personale. Një pedagogji e zezë që detyron dëgjesë dhe disiplina e njëkohësisht edhe tërbim e urrejtje si dhe dëshirë për hakmarrje. Agresiviteti i grumbulluar nga druajtja dhe frikësimi janë mandej reagimi kundër “fajtorëve” të jashtëm. Njerëzit me vete të frenuar mbajnë në vetvete një sasi të madhe urrejtjeje që shpesh vetë e mohojnë sipas thënies “ujku në lëkurën e qengjit”. Në fakt vetja e frenuar vjen si rezultat i edukatës atërore të ashpër dhe frikësuese. Ashtu edhe normat sociale e të menduar për arritje e suksese, që demonstrojnë pushtet dhe pasuri, provokojnë hezitim nëse nuk arrihen qëllimet e kërkuara.

Një person me vete të neglizhuar është si një bimë pa kujdesje që zhvillohet egërsisht pa qëllim e rend. Në njërën anë një vete e neglizhuar demonstrohet si dobësi, pafuqi me një karakter apeli të fuqishëm. Andaj një vete e neglizhuar mund të dobësohet dhe pengohet aq shumë sa nuk mund të shkojë përpara pa ndihmë dhe ndihmues. Në anën tjetër vetja e neglizhuar mund të paraqitet në skenë me një pamje tjetër, nëse një fëmijë nuk përkrahet nga prindërit në mënyrë adekuate, ai kërkon, posa t`i mundësohet, ndihmues, bartës idesh dhe përkrahës që për qëllime personale instrumentalizojnë duke rekrutuar njerëz pa orientime dhe nevojtarë sa mbështetësit shkojnë deri në shkallët më të larta të fanatizmit politik, fetar apo sektar. Kjo bëhet e mundshme sepse vetja e venitur papritmas hasë në interesim dhe fiton vëmendje. Në fakt bëhet një vetëmashtrim sepse nuk bëhet një zhvillim i potencialit vetjak, porse kalohet te një zëvendësim i vetes në interes të mbrotjes apo në interes të abuzuesit. Dobësia në veten e neglizhuar mbetet edhe më tutje, vetëm se shtypet duke u mashtuar me shanset e avancimit në karrierë apo duke u bërë pjesë e një grupi, duke e ndjerë vetën pjesë të një grupi të caktuar. Në rrethana të tilla edhe budallai më i dobët mund të bëhet drejtues apo hero në një shoqëri që në një mënyrë kultivon veten e rreme. Vetëm një vete e pazhvilluar ndjehet mirë në pranimin e urdhërave dhe bëhet i dëgjueshëm me paskrupulli morale -sepse morali në një vete të tillë as nuk ka mundur të lëshojë rrënjë – dhe është i gatshëm të bëjë edhe vepra kriminale. Duke u bërë pjesë e një grupi – edhe atëherë kur ky grup është njëkohësisht grup krimi – vetes së neglizhuar i jepen krahë. Atë çfarë individi i tillë nuk e posedon në veten e tij, zëvendësohet me energjinë sociale të grupit. Një vete e tillë lëngon nga dobësitë, pasiviteti, pafuqia, hutia, mungesa e orientimit dhe sëmuret nga pasojat psikosociale të komoditetit, koprracisë se i mungojnë ndjesitë për saktësi si dhe përgjegjësitë e detyrave.

Si mundem të kuptoj se bëhet fjalë për veten time të rrejshme?

Ka disa mundësi. Nëse shpesh ndjehesh i kërcënuar, edhe në raste krejt të vogla, kur ndjehen kërcënimet e jashtme si ikja e partnerit, kriza financiare etj., shpërthejnë reagimet e ashpra. Kur ofendohesh shpejt dhe lehtë, gjë që vërehet sidomos te njerëzit që kanë problem me narcizmin, ndjehen detyrimisht të shtyrë të qetësojnë pasigurinë dhe inferioritetin e tyre të thellë. Njerëzit e tillë sukseset e tyre të mrekullueshme që mund t`i arrijnë nuk dinë t`i shijojnë, ose vetëm në mënyrë të kufizuar, ndërsa nga kritikat edhe më të vogla lëndohen dhe ofendohen. Një refuzim peshon më shumë se njëqind pëlqime, nuk e përballojnë ironinë dhe përherë e vendosin veten në qendër të vëmendjes. Nëse një njeri e ka vështirë të jetë vetëm dhe nuk ka guxim të veprojë e të vendosë i pavarur por pengohet, nëse ai me atë çfarë bën, a do i kënaqë të tjerët – në fëmijëri prindërit, më vonë mësuesin, gruan a burrin, shokët? Kështu këta njerëz nuk dinë çfarë vërtetë munden e çfarë vërtetë dëshirojnë. Në çdo vendim  jete përjeton një krizë kur nuk e ka askënd afër t`i tregojë se çfarë është mirë e çfarë është keq, sepse janë mësuar përherë të drejtohen nga dikush tjetër. Mandej kur njeriu nuk ka guxim të realizojë mundësitë e veta, nuk rrezikon e as nuk provon asgjë, nuk ka inkurajim për rrugë të reja. Njeriu i frenuar mëton kujdesin dhe të përmbahet, ka mëdyshje, është një frikacak. Çdo ndryshim në jetë përjetohet si rrezik, frika shkaktohet me humbja e strukturave në të cilat është mësuar. Kur njeriu nuk dëshiron të marrë përgjegjësi, refuzon detyrimin, nuk është i përpiktë. Mossuksesi i bëhet kulturë jete dhe kërcënon prindërit ose shfrytëzohet shteti social. Atëherë njeriu kurrë nuk është i kënaqur, sepse nuk ngopet dot, kur një sukses përfundon e thërret atë menjëherë shtytja e brendshme e detyrueshme për suksesin tjetër. Një ambicie e ekzagjeruar që të bën të sëmurë dhe prodhon stresin e përhershëm. Me kërkesat dhe pritjet që e mundojnë pa ndërprerë njeriun, nga frika se dikush pret diçka nga ai dhe se nuk ka se si t`i ikë kësaj kërkese. Jeta e rreme bëhet edhe atëherë kur mendohet se njeriu mendon se duhet patjetër të jetë përherë perfekt dhe i suksesshëm, atëherë kur nuk tregon dobësi dhe kufizime si dhe në çdo mënyrë kërkon të mënjanojë gabimet dhe frikën. Dhe nëse për të jashtmen dhe para e karrierë i shpërfill fëmijët, atëherë jetën e rreme e barti më tutje te fëmijët.

Si në rastet e diktaturave po ashtu edhe në sistemet demokratike mund të vuajnë nga ata që bëjnë jetën e rreme e janë në pozita udhëheqëse. Elita narcisë politike drejtuese është një rrezik i madh për zhvillimet shoqërore nëse në pjesën dërmuese ndjekin qëllime e vlera për të mbuluar veten e rreme.

Aty ku ekzistojnë raportet e mira ndërnjerëzore, tkurret fuqia e parave. Si mund të arrihet të kuptohet kjo? Duke e kuptuar vetveten dhe burimin e sjelljeve tona. Gjithçka e thekuar dhe demonstruar nga jashtë – paratë, prona, pushteti, lavdia – janë të përshtatshme për të përfunduar në një jetë të rreme, përderisa gjithçka që orientohet me perceptimin e brendshëm, rezonancën, autenticitetin, ofrojnë mundësitë për momente të vetvetes së vërtetë, që lejjnë të kuptohen rrethanat e zhvillimit, lëndimet, kërcënimet, ofendimet dhe frikësimet emocionale, të përpunohen emocionalisht e kjo do të thotë që zemërimin dhe urrejtjen, dhembjen shpirtërore dhe mërzinë t’i shprehim duke u shoqëruar dhe mbrojtur.

Kushdo që nuk mund ose nuk do e shprehë urrejtjen e vet legjitime, për atë çdo shans për dhunë është i mirëseardhur. Ai që nuk ja lejon vetes vuajtjen shpirtërore, do mbetet përherë me mungesë të kësaj nevoje e kështu edhe viktimë potenciale e mirëseardhur për premtime- karrieriste dhe konsumet në vete. Kush nuk ka mësuar të mbajë zi mbetet i pa hareshëm dhe kështu kujdeset vetë për fatkeqësi.

Reflektimi i vetes së rreme në jetën politike

Ka kohë që më ka munduar pyetja se si ka qenë e mundur që diktatura në Shqipëri për dekada e ngufati jetën e shqiptarit? Si ishte e mundur e gjithë ajo simpati e madhe dhe e gjithë ajo dhunë e paparë ndërsa masa ose heshti ose ndihmoi në mënyrë aktive? Aty dominonte konformizmi si prirje për t'iu përshtatur sa për sy e faqe qëllimeve, synimeve e interesave të më të fortëve a të shumicës! Mësohej në shkolla se si në mënyrë kolektive kishim luftuar në luftën antifashiste, se si tani me socializmin jemi njerëz më të mirë dhe se si duhet të luftohej elementi reaksionar imperialist e revanshizmi, se si këta kanë përndjekur fashistët italianë e gjermanë. Megjithëse e kaluara e këtij populli nuk ishte kuptuar fare nga regjimi antihuman i instaluar në emër të njeriut- sepse përditshmëria e njeriut dhe sistemit të ri nuk ishte fare më e mirë, më paqësore dhe e drejtë se ajo fashiste. Tani e drejta, pushteti, privilegjet por edhe përndjekja e atyre që mendonin ndryshe ishte rindarë ndryshe, në duart e strukturave të reja. E kishte kapluar psikologjia e manipulimit leninist e stalinist si mjet për ta mbajtur pushtetin madje duke shpikur përherë armiq të jashtëm. Kishin ardhur në pushtet njerëzit me shthurje psiko-sociale e cila nuk hetohej.

Sot kam kuptuar se me njerëzit nëpërmjet normave edukative, represionit ideologjik politik, mund të ngrihet një sëmundje kolektive e cila askush më nuk do e perceptojë si të tillë - e edhe më pak t’a kuptoj atë. E ata që janë përpjekur të thonë diçka tjetër, janë përndjekur e lëçitur, sharë e kështu është realizuar përshtatja, konformizmi dhe formimi i dëshirës për tu bërë pjesë për mos të mbetur jashtë. Kështu në një shoqëri krijohet një shumicë me vete të rreme, që verbohet ideologjikisht e që përshkohet nga një varësi ekonomike. Kështu që nga një klimë e tillë, duke pasur parasysh edhe nevojën substanciale të njeriut për të qenë pjesë e një bashkësie sociale, ndjekësve dhe bashkëpunëtorëve që janë në shumicë, u mungon edhe ndjenja e vetëdijes së fajësisë. Kjo përshtatje në mendimet e shumicës dhe pozicioneve të tyre reflekton se nuk bëhet fjalë se ato janë të vërteta, porse për më tepër se jeta e rreme në këtë mënyrë fshihet dhe mohohet më së miri; sipas parimit: çfarë masa mendon me siguri nuk mund të jetë gabim!

Sot një protestë sa më e dukshme dhe e theksuar të jetë, aq më e nevojshme dhe më e theksuar duhet të jetë analiza kritike edhe për shkaqet e gjenezës së saj. Politikanët që shajnë protestuesit në vend që ata të përpiqen për t`i kuptuar, lëndojnë detyrën politike që kanë, ndërsa sharja dhe ofendimi janë një shenjë e jetës së rreme, sepse ndjehen të kërcënuar nga kritika. Dhe ato forca e persona politikë që e mbajnë vetën pa alternativë në jetën politike, janë varrosës të demokracisë.

Kështu që vetja e kërcënuar përpiqet përherë të gjejë armiq të jashtëm për ta sulmuar me urrejtjen e tij, nga të qenit i kërcënuar kalon në kërcënues, një vete e neglizhuar, e padashuri dëshiron të tregojë se atij i kanë ndodhur padrejtësi, me gjithë demonstrimin e dobësisë, përpiqet t`u kushtojë vëmendje të tjerëve. Një person pa dashuri ndaj vetes – mungesa e nënës - në një shoqëri ku kultura e përshtatjes së masës bëhet si normë, e bën të suksesshëm ose si rast social në një shtet social, ndërsa vetja e varur – helmimi i nënës - kërkon përherë eprorë sepse vetë nuk është gjoja në gjendje të vendosë. Personat e tillë me vete të varur kanë nevojë për drejtues si persona apo në grupe, parti, institucione. Këta njerëz janë simpatizantë potencialë për mënyrat e të menduarit turmore. Një person që ka vuajtur nga terrorit atëror me rezultat të mëvonshëm frenimin e vetes bëhet një i dëgjueshëm i shkëlqyeshëm, një person që realizon urdhërat dhe rekomandimet dhe përpiqet përherë të notojë në/me masën që të mos bierë në sy, dëshiron ta ketë qetësinë e vet, mundësisht të mos mendojë shumë. Mirëpo pas kësaj maske kemi një kolonë ndjenjash të akumuluara me plot agresivitet për shkak të represionit të përjetuar, kështu një baba “shembull” një “bashkëshort besnik” papritmas shkon me një grua tjetër. ; mallkimi atëror me pasojën e mëvonshme të neglizhimit të vetes mbetet në gjumë, i pa përkrahur, mbetët edhe më tutje pasiv, nuk e pëlqen përpjekjen dhe nuk merr përgjegjësi dhe detyrime. Në mungesë orientimi dhe mungesë suksesi dhe njohjeje, bëhet një pengues ziliqar duke sulmuar të suksesshmit. Ndërsa keqpërdorimi atëror që ka rezultat veten e mbingarkuar nuk ka qetësi të vërtetë, ndoshta përherë në tension për suksese të mëtejshme duke vepruar shpesh edhe me arrogancë, duke ndjerë kënaqësi për humbësit. I mbingarkuari e mban vetën të ngritur, për një egoizëm dhe distancim social - i afërmi mbetet përherë konkurrent. Këta njerëz vuajnë nga lakmia e fitimi.  Ajo çfarë e karakterizon një vete të rreme janë çrregullimet e raporteve me njerëzit me një potencial agresiviteti të theksuar.

E gjitha kjo është e rëndësishme për të kuptuar psiko-dinamikën  e shoqërisë shqiptare në të kaluarën dhe të tashmen. Por edhe sistemi diktatorial komunist shpjegohet si konsekuencë e shumicës me vete të kërcënuar dhe me vete padashuri. Dhe nëse analizojmë edhe vetë fëmijërinë e Enver Hoxhës na del me ato mangësi që i kanë lënë raportet e prindërve të tij me atë si fëmijë. Të kujtojmë vetëm dhunën dhe represaliet sistematike që i bënte sistemi komunist, përkatësisht “nacionalçlirimtarët” ndaj “armiqve të brendshëm” dhe në emër të luftës së klasave. Sa oficerë, ushtarë, hetues, prokurorë, policë, funksionarë, leninistë, marksistë i ndoqën njerëzit në emër të ideologjisë komuniste si armiq, me një sadizëm sociopatik - e në fakt ishte për arsye të vetes së rrejshme përkatësisht jetës së rrejshme që bënin. Argumentet e mbushura me ideologji u shfrytëzuan si arsyetim që vetes së brendshme të kërcënuar t`i jepet një shpjegim i jashtëm për të kaluar vetë si kërcënues. Sa të sëmurë duhet të kenë qenë gjithë ata prindër e pasardhës tanë që u përfshinë në heshtje apo me vepra në të gjitha ato krime gjatë regjimit komunist shqiptar, me dhunë, vrasje, denoncime, shpifje, arrestime, burgosje të atyre që mendonin ndryshe, të të afërmve. Urrejtja e akumuluare e vetes së kërcënuar dhe padashuri kalon në një gjakmarrje kolektive.

Ne duhet të kuptojmë se pa akumulimin e fajit individual nuk mund të shpjegohet një zhvillim shoqërorë patologjik dhe se nuk ka pjekuri pa përpunimin dhe pa e kuptuar përfshirjen individuale në çmendin shkatërrimtare të krimit. Andaj nuk mund të ketë Shqipëri të “sëmurë” pa shqiptarë të “sëmurë”. Andaj edhe nga ky aspekt mund të kuptohet pse ky popull dhe drejtuesit e sistemit diktatorial përherë kërkonin armiq të brendshëm dhe të jashtëm. Në fakt zhvillimi deformues shoqëror në Shqipërinë komuniste ishte një vazhdimësi e një konformizmi turmor pararendëse me një fasadë tjetër, pra me kalimin në strukturat komuniste, ku pjesa dërmuese e individëve shqiptarë deklaroheshin si antifashistë. Me strukturën e re sunduese komuniste – u instalua një ideologji mashtruese duke përhapur frikë nga spiunazhi, denoncimi, dënimi. Përsëri përndjekeshin ata që mendonin ndryshe. Përshtatja dhe nënshtrimi shpërblehej me karrierë. Kështu gjejnë veten ata me kërcënime të vetes; me veten e torturuar; me padashurinë e vetes; me varësin e vetes; me frenimin e vetes.

Edhe pas kthesës demokratike kjo do të vijojë të ekzistojë më tutje në forma tjera. Kryesisht bëhet fjalë për mohimin e përfshirjes individuale në patologjinë shoqërore. Edhe lirimi nga diktatura, si liri e jashtme, mungesa e lirive të brendshme mbetet edhe më tutje në forma të ndryshme. Andaj mungesa e qetësisë politike vjen edhe si rezultat i manipulimit të jetës së rreme individuale, sepse me të “ikur” të armiqve të jashtëm fillon marrja me vetveten dhe marrja me vetvete nxjerr situata ku shpreh, nxjerr në pah jetën e rreme. Ose manipulimi i kësaj jete të rrejshme duke vrapuar mbas pasurisë materiale, pastaj varësia dhe lakmia shprehin po ashtu jetën tonë të rrejshme.

Kthesa politike u imponua nga rrethanat e jashtme. Popullata papritmas filloi të pranojë sipërfaqësisht rendin e ri shoqëror dhe askush nuk ishte fajtor për atë çfarë kishte ndodhur secili duke i pastruar duart si i pafajshëm – nuk kam dashur, nuk e kam ditur, sistemi ishte i tillë, nuk kishte mundësi tjera apo edhe me arsyetimin se fajtor ishin komunistët jugosllavë dhe mandej Enver Hoxha etj.. Apo edhe me argumentin: ta lëmë të kaluarën, të shikojmë përpara. Mirëpo të gjithë e dinë se pa i njohur, kuptuar dhe pastruar gabimet e së kaluarës nuk mund të ketë ardhmëri të mirë. Fundja pa një pjekuri mentale e shpirtërore në kuptimin e një demokratizimi të brendshëm (mental e shpirtëror) nuk mund të flitet për sukses e kthesë politike, mbase edhe si hap i domosdoshëm – si një prej parakushteve - për një demokratizim të vërtetë. Në vend të vetënjohjes ngrihen figura të reja armiqësore, energjia kriminale shfaqen gjithandej, duke u marrë me simptome e njëkohësisht duke mos e vërejtur mungesën e pjekurisë psiko-sociale.  Kështu demokracia e jashtme ka nevojë për armiq për ta mbuluar papjekurinë e brendshme, përkatësisht demokratizimin e brendshëm shpirtëror dhe për të larguar vëmendjen nga papjekuria dhe tensionet e brendshme. Populli ka vërejtur në skenën politike se për politikanin shqiptar më me rëndësi është kompensimi psikik, individual se sa mirëqenia e popullit.

Ofendimet, sharjet, akuzat mes kundërshtarëve politikë rrjedhin si të vetëkuptueshme pa u marrë seriozisht me përmbajtjen. Sipas kësaj që u tha, skena politike shqiptare dominohet nga politikanë me vete të rreme duke kërkuar zëvendësimin e dashurisë së vërtetë të munguar prindërore në fëmijërinë e hershme të tyre. Liria e jashtme ka nevojë të plotësohet me lirinë e brendshme që ajo t`mos keqpërdoret. Do ishte tejet naive të mendohet se një shoqëri që ka përjetuar me dekada një autoritet diktatorial të dhunshëm e të frikshëm në rrethana sociale katastrofë, të mund të gjejë qetësinë pa u liruar nga ngushtimet shpirtërore mentale familjare, kulturore dhe fetare – pa një punë psiko-sociale.

 

Lëvizjet protestuese si pasqyrim i jetës së rreme

Protesta në një shoqëri demokratike është element legjitim për të shprehur pakënaqësi. Në anën tjetër duhet bërë një diferencim të protestave të tilla se çfarë është emocionale (e rreme) e çfarë përmbajtjesore (të vërtetë).

Protestat me përmbajte të arsyetuara, logjike dhe të kuptueshme janë të kategorisë së vërtetë – përmbajtjesore. Protestat e tilla kanë qëllim të qartë dhe kërkojnë të bëjnë një ndryshim real, është jo egoiste, e më tepër e përgjithshme, protestat e vërteta mëtojnë integrim dhe janë në shërbim të zgjidhjeve optimale për të gjithë të prekurit dhe kërkon kompromise të mira, ndërsa protestat e rreme ngrihen e zhvillohen në afekt - që mbrojnë jetën e rreme - janë irracionale, pa përmbajtje, emocionale dhe refuzojnë diskutimin përmbajtjesor. Zihen pozicionet dhe palët nuk është asnjëherë të gatshme të pranojnë gabime. Nuk bëhet fjalë për zgjidhje të përbashkëta e aq më pak për kompromise por për marrje pushteti apo për përmirësim apo ristabilizim të pozitës personale. Në fakt protestat e tilla janë retorike, ideologjike, demagogjike dhe armiqësore kundruall mendimeve tjera.

Ndërsa me injorimin e ndonjë proteste me qëndrim opozitar kritik, duke nënvlerësuar apo fyer nga të kritikuarit, nuk mund të arrihet asgjë mbase vetëm se tregojnë simptome të një jete të rrejshme që e bëjnë.

Protestat për t`u kuptuar mirë duhet të analizohen në tri nivele: për motivet individuale (nuk po merrem seriozisht, ndjehem i indinjuar, nuk kam ndikim në vendimet politike, ndjehem i tradhtuar, i kërcënuar, nuk ndjehem i sigurt); moti sociale (ekzistenca, puna, sigurimi i statusit, ku do të mbetem nesër, çfarë do të punoj nesër, si do të jetoj nesër); dhe motivi shoqëror që lidhet me çështjet kritike për zhvillimet e demokracisë dhe formës së determinuar kapitaliste (rritja e varfërisë, ruajtja e ambientit, ndryshimet klimatike, vendlindja, kombi, tradita, kultura).

Me këto shpjegime që bëmë mund të fitojmë një qasje ndryshe të disa problemeve madhore e krizave të ndryshme politike që po e tronditin me vite shoqërinë shqiptare gjithandej ku jeton.  Nga kjo që e thamë nuk përjashtohen as edhe popujt tjerë që jetojnë në fqinjësi me shqiptarët por as edhe ata në Europën politike.

Zef Ahmeti

St. Gallen, korrik 2018.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: