http://www.zemrashqiptare.net/
Zemra Shqiptare

Elvi Sidheri: Gratë për Gjergjin
| E Premte, 06.07.2018, 10:10 PM |

Gratë për Gjergjin

Nga Elvi Sidheri

Në vitin kombëtar të 550 vjetorit të kryetrimit tonë, Gjergj Kastriotit Skënderbeut, mes shumë iniciativave të vlerësueshme apo si rëndom të pllaquritura në suazat e patetizmit tipik të modelit “Më ka çu nana me la gojën” që nuk mungon kurrë në raste kremtesh të tilla kombëtare, një organizim i veçantë që u jetësua të mërkurën paradite të datës 5 korrik 2018, mund të shërbejë si vërtetim i të kundërtës së krejt mëdyshjeve lidhur me çiltërsinë artistike të përkujtimit festiv të 5 shekujve e gjysmë nga dita e mbylljes së syve të Skënderbeut.

Organizim ky, i marrë përsipër nga poetet dhe intelektualet Ilire Zajmi dhe Dije Demiri Frangu, i konceptuar mprehtësisht si një shpërfaqje poetike e përsiatjeve kastriotase në frymëzimin letrar të disa poeteshave bashkëkohore shqiptare, ku reminishencat e kryetrimit Gjergj, erdhën të përshtatura në forma, fanitje, shajni e përfytyrime stilistike të larmishme nga poetet e pranishme në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës në Prishtinë.

Ishte një ngjarje tërësisht e denjë për tematikën e epërme të përzgjedhur, dhe të gjitha poeteshat që e nderuan podiumin me praninë e tyre, ditën ta përvijonin mbresën e tyre kastriotase, përmes vargjeve të një sërë poezish që ngërthyen një diapazon të gjerë e shumëngjyrësh, ku ndërthureshin lirika, ngashënjimi, kujtesa e pashuar, zhuritja për trashëgiminë e kryetrimit, dhe rezultati do të mishërohej në një mozaik gjithëpërfshirës realizimi-epik të fisnikëruar nga horizontet e pashtershme të poetikës së pjesëmarrëseve  dhe fuqia krijuese që falë figurës mitike të Gjergj Kastriotit, përherë shprehet në formën më të arrirë.

Do të spikaste poezia e Naime Beqirajt, me një trajtim tejet bashkëkohor të vegimeve kastriotase, me një gjuhë ku bashkëjetonin afshet e magjepsjes ndaj figurës së kryetrimit, me një dozë brilante ironie poetike me mashkullin shqiptar të sotëm, që në shtjellimin e poetes, krijonin një metaforë të gjallë e tejet cytëse, përtej kohës e hapësirës, duke e sjellë Gjergjin porsi një shajni grishëse edhe në të tashmen e kujtimit të tij.

Të tjera poete e poezi do të linin gjurmë në këtë ngjarje poetike, nga dy poezitë e shkruara, sendërtuara dhe interpretuara mjeshtërisht nga poetja Valentina Saraçini, te një tjetër krijim mbresëlënës, si poezia rrëqethëse, e shenjuar nga zemërata, dhimbja për aktualitetin dhe rrezatimet e së shkuarës kastriotase, që erdhi për të pranishmit nga zëri dhe zjarrmia krijuese e Shefqete Gosalcit.

Nuk do të mungonin edhe poezitë e dy organizatoreve të kësaj ngjarje kaq të çmuar poetike femërore në përkujtim të kryetrimit tonë kombëtar, nga Ilire Zajmi me testamentin e saj për pasardhësit, të mbrujtur me epos kastriotas, ku ngjyhet e jetësohet vetë toka amë, si dhe nga Dije Demiri Frangu.

Gjithçka do të kalonte krejt këndshëm, ashtu siç ndodh përherë kur arti, poetika puqet vetvetiu me vlerat më të shquara të kombit, duke shpërfaqur, aq më tepër në një këndvështrim e pikëtakim kaq thelbësisht femëror, hapësirën ku farkëtohet kujtesa historike e Gjergj Kastriotit, filtruar dhe lartësuar përmes limfës krijuese të këtyre poeteve që i dhanë këtij viti jubilar të 550 vjetorit të Skënderbeut, ndoshta gjurmën e parë të përkujtimit të natyrshëm e poetik burimor, falë një inciative që shërben si shembull në këtë kontekst.