Frank Shkreli: Japonia fitoi admirimin e botës
| E Merkure, 04.07.2018, 08:03 PM |

JAPONIA HUMBI BOTËRORIN POR FITOI ADMIRIMIN E BOTËS

Nga Frank Shkreli

Humbjen e Japonisë (3-2) në ndeshjen e Botërorit me Belgjikën të hënën që kaloi, trajneri i skuadrës kombëtare japoneze, Akira Nishino e cilësoi si “tragjike”.   Ishte hera e tretë, sipas vërejtësve të Botërorit, që Japonia u gjënd në prak të çerek finales së Botërorit, ndërkohë që disa prej lojtarëve në fund të lojës ranë në gjunjë duke u përlotur nga zhgënjimi i humbjes.   Ai shprehu zhgënjimin e tij të thellë për humbjen që skuadra e tij pësoi nga Belgjika, duke thënë se, “Nuk është se ne nuk luajtëm mirë, por duhej që t’a fitonim ndeshjen kundër Belgjikës.  Ne donim të fitonim, skuadra jonë ishte e fortë dhe ne mundëm të përballoheshim me Belgjikën dhe besoj se mund të fitonim”, u shpreh ai për median në mbarim të ndeshjes, ndërkohë që burrërisht mori përsipër përgjegjësinë për humbjen duke venë në dyshim taktikat e tija të përdorura në ndeshjen me skuadrën belge.

Sidoqoftë, Japonia humbi kundër Belgjikës me rezultatin 3-2 dhe si përfundim i këtij rezultati, është Belgjika ajo që do të përballet me Brazilin në fazën e ardhëshme të çerek finales së ndeshjeve të Botërorit për Kupën e Futbollit, 2018.

Thuhet se Botërori mund të konsiderohet si skena më e madhe botërore, ku çdo katër vjet, kombe nga mbarë bota paraqesin me krenari jo vetëm aftësitë sportive të lojtarëve dhe skuadrat më të mira futbollistike, por është edhe një rast i mirë për çdo komb pjesëmarrës në këto lojëra, të ndajnë me mbarë botën -- edhe pjesë të kulturës së tyre kombëtare të fushave të ndryshme.

Pa marrë parsyshë nëse skuadra e Japonisë fitoi ose humbi ndeshjet e saja në Botërorin e Kupës Botërore të Futbollit që po zhvillohen në Rusi gjatë këtyre ditëve, tifozët japonezë pas të gjitha ndeshjeve të skuadrës sës tyre kombëtare, pa përjashtim, habitën botën duke ndërmarrë diçka të paparë në raste të tilla ndërkombëtare.  Ata, pa hesitim, qoftë në fitore ose edhe në rast humbjesh të skuadrës japoneze, madje me sy të përlotur, kanë pastruar karrigat dhe stadiumin nga letrat, ushqimet dhe mbeturina të tjera të hedhura nga tifozët e zemëruar me humbjen ose të gëzuar në kulm për fitoren e skuadrës së tyre kombëtare.  Ishte ky një gjest respekti i tifozëve japonezë, i cili në të vërtetë habiti botën, kur ata madje edhe pas humbjes së futbollistëve japonezë kundër Belgjikës -- ndeshje e cila ua humbi të gjitha shpresat për vazhdimin e pjesëmarrjes së Japonisë në ndeshjet e mbetura të Botërorit në Rusi -- tifozët japonezë   qëndruan në stadium pasi mori fund loja, për të ndihmuar puntorët vullnetarë vendas të pastronin stadiumin nga mbeturinat e lëna pas nga dhjetëra mijëra shikues.  Shumë komentues, sidomos në rrjetët sociale, e kanë cilësuar gjestin e tifozëve japonezë si momentin më të mirë për ‘ta në ndeshjet e Botërorit të këtij viti.

Çdo humbje është zhgënjyese dhe i prishë qejfin cilitdo qoftë tifoz serioz, por tifozët japonezë dhe skuadra e tyre kombëtare e futbollit, largohen nga Kupa Botërore e Futbollit 2018 në Rusi me krenari, pasi negjithë humbjen e kombëtares së tyre, ata siguruan admirimin dhe respektin e botës duke i dhënë njerëzimit një mësim të madh me sjelljen e tyre – një mësim që meriton të kopjohet nga të gjithë dhe jo vetëm në raste skenash botërore, siç është Botërori i Kupës së Futbollit, por gjithmonë dhe gjithkund, përfshirë nivelin vendor dhe shtetëror. Sjelljet e mira të tiforëve japonezë nuk kaluan pa u venë re as nga media botërore.  Shumë komentues në media dhe në rrjetët sociale shfaqën shpresën që shembulli i treguar nga tifozët japonezë me këtë rast, do të bëhet traditë dhe të kopjohet edhe nga tifozë të tjerë, ashtu siç ndodhi kësaj radhe, në të vërtetë, me tifozët senegalezë pas fitores së skuadrës së Senegalit kundër Polonisë.

Gjesti tepër fisnik i tifozëve japonezë tregon në të vërtetë shkallën e zhvillimit kulturor në jetë dhe në të gjitha fushat e veprimtarisë së një populli, ndryshe nga huliganët e futbollit serbë e rusë, por edhe të tjerë, të cilët as kësaj radhe nuk u munguan të shfaqnin ndjenjat e tyre primitive anti-shqiptare nepër rrugë edhe gjatë ndeshjeve të Botërorit në stadiumet ruse.

Për japonezët, as humbja në fushën e topit dhe asgjë tjetër nuk mund të arsyetonte koritjen kombëtare as humbjen e njerzillëkut e të sjelljeve të mira nga ana e tifozëve të tyre në stadium -- e dhunën jo se jo – dhe as fyerjet dhe parullat  primitive kundër një kombësie tjetër.  Media të ndryshme ndërkombëtare njoftojnë se kjo nuk është hera e parë që mbështetsit e skuadrës kombëtare japoneze, pastrojnë stadiumet, duke theksuar se sjelljet e tyre jashtë vendit, siç ishte pastrimi i stadiumeve pas ndeshjeve të Botërorit në Rusi, në të vërtertë, nuk ishte asgjë e jashtzakonshme –pasi është pjesë e kulturës së tyre kombëtare.  BBC-ja citon gazetarin e futbollit Scott McIntyre që jeton e punon në Japoni, të ketë thënë, se sjelljet e mira të tifozëve japonezë në Rusi, “Nuk janë vetëm pjesë e kulturës së futbollit, por janë pjesë e kulturës japoneze në përgjithësi.  Thuhet se futbolli pasqyron kulturën.  Një aspekt i rëndësishëm i shoqërisë japoneze është fakti se çdo gjë duhet të jetë absolutisht e pastërt për të gjitha ndeshjet sportive, përfshirë futbollin”, ka thënë ai.  Kjo është diçka që u mësohet fëmijve që në moshë tepër të re.  Ndërsa, profesori i sociologjisë në universitetin Osaka të Japonisë, Scott North ka thënë gjithashtu për BBC-në se, “Pastrimi i stadiumeve pas ndeshjeve është pjesë e sjelljeve bazë që mësohen në shkollë, ku fëmijët e kanë për detyrë, që në atë moshë, të pastrojnë dhomat e mësimit dhe koridoret e shkollave të tyre, ndërkohë që këto sjellje pastaj bëhen pjesë e gërshetuar e dukurive të traditës kulturore për një pjesë të madhe të popullësisë japoneze.”  Pastrimi i stadiumeve në Rusi nga tifozët japonezë, shtoi ai, për japonezët paraqet një rast për t’i treguar botës krenarinë e tyre ndaj mënyrës së jetesës dhe kulturës së tyre, ndërkohë që duan të përdorin rastin të ndajnë atë krenari edhe me ne të tjerët”, ka theksuar Profesori North. “Japonia nuk do të thotë vetëm lojtarët, por shtë çdo gjë tjetër, përfshiër edhe tifozët. Ne duhet të luajmë rolin tonë, për të përfaqsuar vendin tonë, si është më mirë”, citohet një tifoz japonez që kishte shkuar në Rusi për të parë ndeshjet e skuadrës së vendit të tij. Por tifozët japonezë bëjnë të njëjtën gjë edhe pas ndeshjeve sportive në nivel kombëtar, mbrenda Japonisë dhe jo vetëm. Japonezët mbledhin mbeturinat kudo në vende publike ku mblidhen turma të mëdha, përfshirë kafenetë, kinematë dhe sallat ku mbahen koncertet muzikore.

Përveç shfaqjes së tyre të krenarisë kombëtare, nuk ka ndonjë arenë ose skenë tjetër më të përshtatëshme se Botërori, për të deklaruar nevojën dhe detyrimin e të gjithëve – për tu sjellë mirë në raste të tilla – por edhe për të treguar se secili prej nesh mund të bëjë diçka sado pak të vogël dhe në çfardo rrethanash, për t’u kujdesur për planetin tonë, në një kohë kur po flitet aq shumë për mbrojtjen e mjedisit, në nivele kombëtare dhe ndërkombëtare, si një obligim mbarë botëror.

Ndonëse Japonia u largua nga Botërori pas një humbjeje 3-2 kundër Belgjikës, e cila si përfundim, në minutat e fundit të ndeshjes, siguroi kualifikimin për në çerek finalen e Botërorit, skuadra japoneze e futbollit u këthye në atdhe me kokën lartë për arritjet sportive në fushën e topit të Botërorit 2018 në Rusi.  Ndërkohë, tifozët japonezë, me një shembull përgjegjësie të lartë qytetare, jo vetëm se shpalosen vlerat e tyre kulturore të sjelljeve të mira njerëzore para botës -- në një arenë të tillë ndërkombëtare siç është Botërori -- por siguruan njëkohësisht, admirimin dhe respektin e mbarë botës për përgjegjësitë e treguara njerëzore ndaj njëri tjetrit dhe të tjerëve për rreth, por edhe për mbështetjen dhe kujdesin që ata treguan ndaj mbrojtjes së mjedisit dhe të këtij planeti të quajtur Tokë, në të cilin jetojmë të gjithë dhe ndaj të cilit të gjithë jemi përgjegjës për ta ruajtur dhe për t’u kujdesur për të, duke ua lënë pasardhësve tanë pak më të pastër se ç’e kemi gjetur.



(Vota: 1)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: