Zymer Mehani: Malli për atdhe
| E Hene, 02.07.2018, 06:44 PM |

MALLI PËR ATDHE-LAJTMOTIV I POEZISË SË POETES XHEMILE HOXHA-ALIU..

(Vështrim për vëllimin poetik "Qiell i trazuar")

Shkruan Zymer MEHANI

Poetja Xhemile Hoxha-Aliu, autore tanimë e njohur nga lexuesi shqiptar me vëllimet poetike „Ngjyrat e atdheut“, „Dhembje shpirti“ „Copëza jete“ dhe "Kohë të përflakura" (Prishtinë, 2017), tani para lexuesit do të dalë edhe me vëllimin poetik të radhës „Qiell i trazuar“.

Menjëherë, posa të fillojmë të lexojmë poezitë e vëllimit në fjalë, që në fjalët, vargjet dhe poezitë e para do të vërejmë se këtë vëllim e përshkon malli për atdhe, që është edhe lajtmotiv i këtyre poezive.

Mendojmë se poetja Xhemile Hoxha-Aliu jo rastësisht e kultivon poezinë me motivin atdhetar dhe të kurbetit, për faktin se qysh si e re, nga rrethana dhe kushte aspak të përshtatshme për qytetarin tonë, e sidomos për intelektualin, siç ishte dhe Xhemilja, ajo detyrohet që pavullnetshëm të shtegtojë viseve të botës, me mallin për atdheun në gji, për të gjetë vendstrehim dhe mikpritje te populli bujar gjerman, në Gjermaninë e qytetëruar, ku prej një kohe të gjatë jeton dhe krijon.

Sapo ta lexojmë poezinë e poetes Aliu, menjëherë do të na krijohet përshtypja se vargjet e saj sikur i kemi lexuar dhe njëherë tjetër, ngase këto vargje na tërheqin për lexim me motivin që trajtojnë dhe me mënyrën e veçantë të të thururit interesant dhe mjeshtrisht. Nga këto poezi ne informohemi për hollësira, madje edhe për asosh, që rëndomë merren si personale, siç janë p.sh malli për shtëpinë, për oborrin, pastaj për lulet, për arat, fushat e malet e vendlindjes së poetes, ku kuptohet zjarri i mallit të poetes, i shpjeguar thellësisht dhe hollësisht përmes vargëzimit.

Poetja Xhemile Hoxha-Aliu e di shumë mirë se lexuesi nuk kërkon vetëm të lexojë, por ai me të drejtë don që ky lexim të shkaktojë kënaqësi dhe ndezje ndjenjash, sepse, tek e fundit këtu qëndron edhe qëllimi i të krijuarit artistik, që të përjetojmë dhe të gjejmë kënaqësi në mënyrat e fshehta të vargëzimit, prandaj me vargjet e saj, kjo autore ia del suksesshëm për ta kryer misionin prej artistes.

Vetë natyra jonë njerëzore sikur është e prirur që gjithnjë, herë më pak e herë më shumë, të futet nëpër labirinthet nga më të panjohurat. Ajo është e tillë dhe nuk qëndron kurrë në të njëjtin vend, e uritur për gjithçka të re. Pra ne jemi të etshëm të lexojmë krijime për çështje dhe fenomene e dukuri të ndryshme, me kusht që të mos na shkaktojnë monotoni apo mërzitje. E të gjitha këto lexuesi do t’i përjetojë gjatë leximit të vëllimit poetik „Qiell i trazuar„ të poetes Xhemile Hoxha-Aliu, ku çdo varg, strofë e poezi përshkhet nga malli për atdhe, për vendlindjen, shtëpinë e oborrin, ku autorja hodhi hapat e parë në jetë, motiv ky që vërtet na dhuron emocione të forta edhe neve, që fatmirësisht jetojmë në atdhe dhe nuk e përjetuam jetën e mërgimtarit.

Poezitë e autores Xhemile Hoxha-Aliu janë të magjishme, ngase me forcën e tërheqjes na shtrëngojnë për t’i lexuar madje më shumë se një herë. Në fund të fundit çdo gjë që është e papritur, faktikisht është edhe tërheqëse në një mënyrë a tjetër për lexuesin kurreshtar.

Mashtrohemi po të mendojmë se forma mund të lihet anash, duke menduar që të paraqitet vetëm përmbajtja e ngjarjeve jetësore. Nuk duhet të harrojmë se format jetësore janë të panumërta edhe në art, prandaj as poetja Aliu nuk ka bërë kurrfarë kufizimesh në këtë drejtim.

Në vargjet e poetes Xhemile Hoxha-Aliu bukuria poetike gjendet edhe atje ku më së paku e presim. E kur e lexojmë poetin e mirë, presim gjithnjë që të zbulojmë ndonjë fshehtësi poetike, që të befasohemi me ndonjë kthesë të papritur të thellësisë së vargëzimit në skutat e fshehta të magjisë së fjalës poetike dhe të ëndrrave e krajatave jetësore.

Xhemile Hoxha-Aliu edhe në këtë vëllim ka ditur të përzgjedh motivin dhe tematikat, që i ka trajtuar mjeshtrisht, saqë interesimi i lexuesit nuk fashitet as atëherë kur mbaron leximi.

Vëllimi poetik „Qiell i trazuar„ i poetes Aliu është një tërësi tablosh të jetës në kurbet, e ravijëzuar me mall e nostalgji për truallin e njerëzit e gjakut dhe për gjithçka që i përket atdheut, ngase autorja, tek ky mall që përvëlon e gjen burimin për të shprehurit e gjallë, plot eksplozivitet, elemente këto, që na nxisin për t’i lexuar dhe për t‘i shijuar, por edhe për t‘i përjetuar këto vargje të përflakura me mallin atdhetar sa më autentikisht.

Poetja Xhemile Hoxha-Aliu, vërehet shumë qartë se edhe në vëllimin poetik „Qiell i trazuar„ ka bërë përpjekje serioze prej krijueseje të denjë që të gjejë rrugë dhe mundësi të reja të krijimit poetik, ngase këtë e kërkon edhe vetë jeta.

Siç u tha dhe më herët, motiv dominant të këtij vëllimi e kemi motivin atdhetar, mallin për vendlindjen, motivin e kurbetit dhe për pasojë poetja ka kultivuar poezi për atdheun, poezi sociale, refleksive (meditative) dhe kozmopolite.

Gjuha e përdorur në përmbledhje është e thjeshtë, e pastër, me fjalor të kuptueshëm dhe vargjet janë të pasura me figuracion të mjaftueshëm poetik. Ndërtimi i vargut është unikat. Kemi vargje llojesh, rrokjesh, rimash dhe metrash të ndryshëm.



(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: