Bardhyl Mahmuti: Olsi Yazikxhi dëshiron 'të kruhet me shqiptarët e Maqedonisë'
| E Premte, 29.06.2018, 09:06 PM |

Olsi Yazikxhi dëshiron “të kruhet me shqiptarët e Maqedonisë”

Nga Bardhyl Mahmuti

Në emisionin “Provokacija” të Mustafa Nanos, të datës 26 qershor, personi që në komunikimin publik të deritanishëm ka dalë me tri forma të mbiemrit të vet: dr. Olsi Jazexhi / Olsi Yazeji / Олси Јахеџи, akuzon mediet e ndryshme, se gjoja “kanë prodhuar Fake news (lajme të rreme) për të” dhe se “shumë njerëz i nxjerrin konkluzionet e tyre nga ajo që thotë, duke i thjeshtësuar gjërat”!

“Për të ilustruar” pohimin e prodhimit të lajmeve të rrejshme për të, ai përmend si shembull fotografinë që kishte bërë para përmendores së Car Llazarit serb në Gazimestan të Kosovës. Në dallim nga deklarata e parë, ku u përpoq të arsyetonte se gjoja në këtë foto është “tallur me simbolin e nacionalizmit serb”, në emisionin “Provokacija” ai deklaroi se “këtë veprim e ka bërë për të treguar se çfarë bëjnë serbët kur shkojnë aty”!

Arsyetimi i parë, se gjoja është “tallur me simbolin e nacionalizmit serb”, duke ngritur tre gishtat, nuk është asgjë tjetër, pos tallje me opinionin publik shqiptar. Para se të bënte këtë foto, Olsi Yazikxhi kishte deklaruar për mediet serbe, se “Parajsa jugosllave është shkatërruar për shkak të komplotit të perëndimorëve, që janë kundër myslimanëve dhe kundër serbëve”. Çdo historian që ka dashur të dijë të vërtetën, ka pasur mundësi të bindet se “Parajsa jugosllave”, që propagandonin serbët dhe shërbëtorët e tyre, ishte shndërruar në ferr për shqiptarët myslimanë, katolikë dhe ortodoksë. Me dhjetëra-mijëra shqiptarë janë vrarë, torturuar, burgosur dhe dënuar në “Parajsën jugosllave”. Qindra-mijëra të tjerë janë dëbuar nga “Parajsa jugosllave” dhe janë detyruar të shpërngulen në Turqi, me qëllim të realizimit të politikës serbe dhe maqedonase të gjenocidit kundër shqiptarëve dhe të spastrimit etnik të territoreve tona.

Nuk mund të ketë tallje më të madhe për shqiptarët, se ardhja në Kosovë e këtij “shkencëtari” dhe publikimi i fotove me tre gishtat, që ishte shndërruar në simbol të fondamentalizimit ortodoks serb gjatë krimeve që kishin kryer ndaj shqiptarëve, boshnjakëve dhe kroatëve.

Olsi Yazikxhi pretendon se të tjerët “i thjeshtojnë mendimet e tij dhe nxjerrin konkluzione personale nga fjalët e tij”. Në dy shkrimet e mia e kam cituar besnikërisht çdo fjalë të tij që ka prononcuar për mediet serbe dhe maqedonase. Ai këmbëngul se gjoja “para ardhjes së  Perandorisë Osmane në këtë pjesë të Ballkanit, shqiptarët nuk kanë ekzistuar”. Gjatë intervistës së transmetuar më 24 prill 2018 për këtë emision televiziv më antishqiptar në Maqedoni, ai deklaroi se gjoja, “para ardhjes së turqve në Ballkan, shumica e popullsisë në Kosovë dhe në Maqedoni ka qenë serbe ortodokse. Gjithashtu edhe në Shqipëri, ku edhe sot mund të gjeni shumë toponime sllave. Por çfarë ka ndodhur? Me ardhjen e turqve dhe islamit në Ballkan kemi procesin e islamizmit dhe shqiptarizimit”.

Për të qenë paradoksal deri në fund, ai ndryshoi tezën brenda disa sekondash dhe erdhi te “fakti” se në Kosovë paska pasur shqiptarë, por kanë qenë minoritet.

Në kontekst që lidhet me gjoja shqiptarizimin e Kosovës, Olsi Yazikxhi nxjerr një mendim që përbën një paradoks të llojit të vet: “Pas Eksodit të Madh serb, kemi dyndjen e turqve dhe shqiptarëve drejtë Kosovës, dhe shqiptarizuan fiset e tjera që jetonin në Kosovë, që ishin sllavë. Edhe sot e kësaj dite po të shkosh në Kosovë, do të gjesh shumë njerëz, që kanë frikë të thonë në kamera, që janë me origjinë çerkeze, boshnjake, serbe, torbeshe, maqedonase, vllahe, por nga që janë myslimanë, shqiptarizohen, sepse janë nën presionin e shumicës”!

Turqit që erdhën të luftojnë deri në këtë pjesë të Ballkanit, nuk e “turqizuan” Kosovën, por e “shqiptarizuan”!!! I shqiptarizuan fiset sllave, edhe pse shqiptarët nuk ekzistonin!!! Vetëm truri “i trajnuar për historian” i “shkencëtarit” Olsi Yazikxhi mund të prodhojë teza të tilla!

Kur ai përhap tezën serbe, që pretendon se shqiptarët janë rezultat i asimilimit dhe islamizimit të fiseve të ndryshme, kryesisht serbe, atëherë na bëhet e qartë pse Olsi Yazikxhi i deklaroi Mustafa Nanos se fotografinë te përmendorja e Car Llazarit serb e ka bërë “për të treguar se çfarë bëjnë serbët kur shkojnë aty”. Çdokush e shpreh atë që ndien!

Në shkrimin tim të titulluar “Mohimi i gjuhës, i kulturës, i historisë dhe i figurave kombëtare shqiptare në shërbim të propagandës serbe”, citova një numër autorësh serbë dhe maqedonas, të cilët, gjatë një shekulli të tërë, nxorën në tregun e tyre të brendshëm dhe atë ndërkombëtar pretendimet “shkencore”, se gjoja “në Kosovë nuk ka pasur shqiptarë para ardhjes së Perandorisë Osmane”, se kinse “shqiptarët janë serbë të islamizuar, të cilët,  me ndihmën e Perandorisë Osmane, kanë pushtuar territoret serbe”, se gjoja “shqiptarët nuk kanë historinë e tyre dhe as personalitete historike”, se gjoja “shqiptarët vjedhin historinë serbe dhe maqedonase”, se gjoja “shqiptarët vjedhin figurat e shquara të popujve të tjerë”, se gjoja “Skënderbeu nuk është Hero Kombëtar shqiptar, por trim serb”, se gjoja “Nënë Tereza nuk është shqiptare, por vllahe” e kështu me radhë. Në ligjëratat e tij, Olsi Yazikxhi nuk sjell asgjë të re, që do ta dallonte nga propaganda serbe. Nëse ai pretendon se është “Doktor i shkencave” për këtë periudhë historike, atëherë del qartë që ky person ka bërë një plagjiaturë nga arsenali antishqiptar i propagandës serbe.

Për këtë arsye, nuk është i qëndrueshëm pohimi se gjoja “kjo tezë e tij ka acaruar shumë kosovarë”, në mesin e të cilëve aludon edhe për “politikanin nga Zvicra, që e paska sulmuar para disa ditësh në një gazetë kosovare”, sepse Olsi Yazikxhi nuk ka teza të veta, por është shndërruar në zëdhënës në gjuhën shqipe të tezave “të gatuara në kuzhinat” e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Serbisë dhe Akademisësë Shkencave dhe të Arteve të Maqedonisë.

Në vërejtjen që i bëri Mustafa Nano, se Olsi Yazikxhi ka pasur qejf që t’u pëlqejë serbëve dhe maqedonasve në intervistat që ka dhënë për ta, ai përgjigjet se “më shumë ka pasur qejf të provokojë këta Mahmutët, Hysenët, Abdullahët, Abdylhamitët e Shkupit dhe Gostivarit”. Dhe Olsi shkrihet nga qejfi kur Mustafa Nano i thotë se përmes këtyre deklaratave “ka shokuar edhe maqedonasit”.

Duke e konsideruar komunikimin publik përmes provokimit të kombëtarëve si reklamë, Olsi Yazikxhi deklaroi në emisionin “Provokacija”, se nga rezultatet e kërkimeve të tij antropologjike në Maqedoni, i ka rezultuar se “shumica e nacionalistëve të Maqedonisë që kanë mbiemra Mahmuti, Mustafai, Osmani, Abdylhamiti, Gadafi, Sadami flasin turqisht nëpër shtëpitë e tyre (...).Përpara shtatëdhjetë vjetësh qytetaria e vjetër fliste turqisht në Prizren, Prishtinë, Suharekë. Në Tetovë turqisht, në Gostivar turqisht, në Resnje turqisht, sepse në kohën e Perandorisë Osmane Lingua franca e kohës ishte turqishtja, dhe për këtë ndodhi një shkrirje mes kulturës superiore turke, e administratës, dhe etnive që vinin nga fshatrat”.

Një pohim i tillë është në përputhje të plotë me atë që ka deklaruar në emisionin antishqiptar “Vo Centar”. Në emisionin e antishqiptarit të njohur, Vasko Eftovit, Olsi Yazikxhi deklaron kështu: “Shihni, ka diçka shumë të rëndësishme. Shqiptarët nga Maqedonia dallojnë shumë nga shqiptarët e Kosova dhe nga shqiptarët e Shqipërisë. Shumica prej tyre, dhe sidomos ata të qyteteve të mëdha, si Tetova, Shkupi, Gostivari, Kërçova, në shtëpi flasin turqisht. Shumica prej tyre kanë prejardhje turke, torbeshësh ose boshnjakësh.

Ideologjia e Arbër Xhaferit ishte konvertimi i tyre në shqiptarë, për shkak se nëna e tij në shtëpi fliste turqisht! Nën ndikimin e Opus Deit dhe Vatikanit, ideologjia e Arbër Xhaferit është të bëhet deislamizimi i shqiptarëve dhe në aspektin kulturor të bëhen katolikë dhe një ditë këta njerëz nga Maqedonia të bashkohen me Shqipërinë e Madhe. Strategjia e shqiptarëve nuk është që menjëherë të konvertohen në katolikë, por fillimisht të bëhen katolikë në aspektin kulturor dhe pastaj do të vijë konvertimi”.

Erdhi Perandoria Osmane dhe “i shqiptarizoi çerkezët, boshnjakët, serbët, torbeshët, maqedonasit, vllehtë!!! Çohet Vatikani dhe Opus Dei, përmes Arbër Xhaferit, nëna e të cilit na paskësh folur turqisht, dhe dëshiron t’i shqiptarizojë turqit!!! Këtë çorbë derrash vetëm Olsi Yazikxhi mund ta hajë.

Të gjithë ata që e njohin mirë historinë e territoreve shqiptare që mbetën jashtë “Shqipërisë londineze”, e dinë fare mirë se sllavët kanë zbatuar politikën e sllavizimit dhe turqizimit të shqiptarëve. Kur bëhet fjalë për një numër të atyre, që deklarohen si turq në Kosovë dhe Maqedoni, është fakt se struktura sintaksore shqipe, e mishëruar thellë në ndërgjegjen kolektive dhe e trashëguar ndër shekuj, është bërë pengesë që të flasin gjuhën turke pa gabime. Madje, në vend të shprehjes “Yazik Olsun”, që në gjuhën shqipe ka kuptimin “TURP TË KESH”, një numër prej tyre e kanë bastarduar këtë shprehje dhe në vend të saj përdorin Yazikxhi Ols(un)i. Shprehje e bastarduar për emër kopilësh!

Nëse unë kam mbiemrin “Mahmuti” e kjo dëshmon për procesin e islamizimit të shqiptarëve. Megjithatë, emri im “Bardhyl” nxjerr në shesh identitetin tim të vazhdimësisë iliro-shqiptare në këto troje.

Në fund, Yazikxhi Ols(un)i deklaron se është shqiptar, dhe se rrjedh nga një familje që ka asimiluar serbë, maqedonas, vlleh etj. Madje, si familje paskësh dhënë kontribut gjatë periudhës së mbretërisë së Ahmet Zogut! Për pak sa nuk e shpalli veten “princ”!

Atij që provokimet kundër “kombëtarëve” i sheh në funksion të REKLAMËS personale, dhe dëshiron “të kruhet me shqiptarët e Maqedonisë”, i them të ketë kujdes që mos ta shpallë veten “princ”, se dikush mund t’ua dërgojë, atij dhe atyre që mendojnë si ai, një SELAM me këngën që UNIKKATILI ia kushtoi “Princit”!



(Vota: 1)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: