Milazim Kadriu: Trëndafile Molla - Mall për gjithësinë
| E Merkure, 27.06.2018, 08:56 PM |

NGA MËRGIMI U KËNDON ATDHEUT, HERONJVE, FËMIJËRISË, DASHURISË...

Trëndafile Molla “Mall për gjithësinë”, SHB”Nacional” - Tiranë, 2018

Nga Milazim F. KADRIU

Poetja Trëndafile Molla, para lexuesve vjen me librin e pestë me poezi të titulluar “Mall për gjithësinë “ të botuar nga Shtëpia Botuese “Nacional” nga Tirana.

Në këtë vëllim poetik autorja sjell 63 poezi  të ndara në katër cikle (Rrënjët kam te ti, Rrahjet e zemrës sonë, Ti je lulja që lulëzon dhe Bukuria e huaj shpirtin nuk ta mbush) .

Edhe kësaj radhe autorja përmes shumë poezive shpreh  dashurinë e madhe  që ndjen për vendlindjen, për atdheun e saj. Andaj këtu sjell poezi kushtuar atdheut, dëshmorëve të luftës për lirinë e Kosovës, për dashurinë, rininë, familjen, bukurive të natyrës sidomos atyre të vendlindjes etj.

Ndonëse tash e një kohë të gjatë jeton  jashtë vendit ajo asnjëherë nuk e harron vendin e vetë, madje  shumë poezi si të këtij libri po edhe librave tjerë ia kushton vendit të vetë që asnjëherë nuk e harron dhe gjithnjë ëndërron kthimin sa më të shpejtë nga mërgimi.

Ja si shprehet autorja në poezinë “Si shqiponjë thërras”

Nga shpirti nuk më hiqet brenga

sa të kem jetë e deri sa të vdes,

mallin për ty ma ruan vetëm zemra

Shqipëri, je më e madhja shpresë!

Edhe kësaj radhe në mesin e poezive të këtij vëllimi hasim edhe poezi kushtuar Kosovës dhe heronjve të saj që dhanë shumë për çlirimin e vendit, madje edhe jetën e tyre. Një poezi të tillë të titulluar “Si heroi i tokës” ia ka kushtuar poetit, gazetarit, publicistit, dëshmorit Afrim Maliqit.

Jo vetëm ndëgjoj, por edhe shoh një poet

përfshirë mes tymit, zjarrit e flakës

në mes breshërive të plumbave ai ka mbet,

madhështor Afrim Maliqi si hero i tokës.

Duke u ndjerë e nderuar nga një ftesë që i është bërë për të marr pjesë në një manifestim kulturor të organizuar në nderim të ditëlindjes së “Nderit të kombit” Adem Demaçit, në Bern të Zvicrës autorja shkruan një poezi kushtuar simbolit të rezistencës kombëtare, që gjithë jetën punoi për bashkimin kombëtar. Ndër tjera autorja  në poezinë  “Udhërrëfyes i urtë i kohës” shprehet :

Nënë Nazifja, një grua me zemër të rrallë

ajo të tha : ”Dhe po vdiqa, bir, mos qaj ti

të lutem, për mua mbaj vetëm një mall,

se nëna e madhe është Nëna Shqipëri”.

Se edhe autorja e dëshiron bashkimin kombëtar e shpreh në disa poezi të saja, e njëra nga to është poezia “Amaneti” që sjell amanetin e kryetrimit Skënderbe, ku ndër tjera shprehet:

Le ta marrë vesh bota mbarë,

s’duam thesare as pasuri,

thjesht, s’duam të jemi më të ndarë,

një komb i vetëm nën flamurin kuq e zi,

natyrale, nanë e bij emri i tyre Shqipëri.

Pra poezitë e  këtij libri  flasin për ndjenjat, për jetën, për respektin, për shkollën, për natyrën, për dashurinë ....

Ja si shprehet në poezinë kushtuar Gjimnazit “Gjergj Kastrioti” në 50 vjetorin e krijimit :

Erdha tek ty, se ndjeva mall

faqeve më ranë të nxehtët lot,

vitet një nga një ikën, radhë - radhë

shkolla ime me emrin “Gjergj Kastriot”.

Autorja si edhe më parë edhe në këtë përmbledhje sjell shumë poezi kushtuar familjarëve, shokëve, të kaluarës, fëmijërisë, bukurive natyrore të vendit të saj që  ndonëse është jashtë tij e ëndërron çdo herë edhe pse nuk janë të pakta vizitat që ajo ja bënë vendit të saj por që dëshiron që të jetë edhe më pranë tij.

Në poezinë “Do të kthehem një ditë” me të cilën edhe e përmbyll këtë përmbledhje ndër tjera thotë:

Një ditë do të kthehem,

Durrës, unë bija jote, jam

te ti e lumtur ndjehem,

në prehrin tënd më mban.

Edhe redaktori i librit Hamdi Hysuka në vështrimin e tij ndër tjera thotë : “Në ecjen e saj, në rrugën e krijimtarisë poetike, nëpërmjet poezive të shkruara thjeshtë e bukur, me gjuhën e përditshme dhe figuracion të pasur poetik, autorja pasqyron tradita atdhetare, shoqërore dhe humane. E dashuruar fort me fjalën poetike, nëpërmjet mesazheve artistike dhe vlerave estetike, Trëndafile Molla (Baja) komunikon me veten dhe lexuesin. Figurat stilistike, të përdoruara në vendin e duhur, na japin ngarkesë emocionale, ngarkesën e peshës së ngjarjeve të jetuara”.

Andaj mund të konstatojmë se kjo përmbledhje e poezive të autores Trëndafile Molla si edhe në  librat tjerë edhe kësaj radhe shquhet për origjinalitetin e vargut por që gjithnjë vjen me një nivel më të ngritur poetik, me plotë mendime e  mesazhe nga  një autore tashmë të dëshmuar në letërsinë shqipe.



(Vota: 1)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: