Eshref Ymeri: Ngrohtësia e një shkrimtareje të shquar
| E Hene, 25.06.2018, 05:27 PM |

Ngrohtësia e shpirtit të një shkrimtareje të shquar

Nga Prof. dr. Eshref Ymeri

Kam në dorë librin më të fundit të shkrimtares së shquar Vilhelme Vranari Haxhiraj. Libri titullohet “Simfonia e shpirtit” dhe ka dalë nga shtypi disa ditë më pare. Është një përmbledhje emocionuese me skica letrare, në të cilën shpërfaqet aq bukur ngrohtësia e shpirtit të kësaj Mjeshtreje të Madhe të Penës. Është një ngrohtësi që përcjell dridhërimën e zemrës, delikatesën e ndjenjave dhe fisnikërinë e shpirtit të saj bujar. Është aftësia për t’i ngrohur njerëzit rreth e qark me dritën e shpirtit të saj. Është gatishmëria për t’iu përgjigjur thirrjes së kujtdo që ka nevojë për ndihmë. Ështe gatishmëria për të ndarë me njerëzit e mirë pasurinë shpirtërore dhe zjarrin e zemrës së saj. Është tipari shpirtëror i një zonje të shquar të letrave shqipe, i cili shfaqet në çdo hap të jetës së saj dhe tërheq drejt vetes njerëzit me zemër të madhe. Është aftësia për të ndarë me njerëzit e afërt hapësirat e gëzimit dhe honet e trishtimit. Është aftësia për të përjetuar bashkërisht lartësitë e gëzimit dhe tatëpjetat e dëshpërimit.

Kur e mbaron së lexuari këtë përmbledhje me skica letare kaq emocionuese, shpirti i lexuesit fort të vëmendshëm, tek pikësynon përjetësinë, zbulon dhe përjeton një mori ndjenjash dhe gjendjesh të larmishme psikologjike. Përvojat e tij më të mira vinë dhe i pasurojnë thesaret e shpirtit, i cili bëhet më i ndjeshëm, më i lehtësuar, më i dëlirë dhe më i fisnikëruar.

Me këtë përmbledhje me një titull mjaft domethënës, autorja e mëson lexuesin se si ai ta edukojë shpirtin, ta edukojë në përputhje me porositë e Hyjnisë për të shkuar drejt vetëpërsosjes. Ajo shpesh kalon nga njëra dukuri jetësore te tjetra, duke i trajtuar ato në një ndërvarje mrekullore përmes ndërhyrjeve në ngjarjet e shtjelluara me artin e rrëfimtarisë në vetën e parë. Kjo i jep mundësinë asaj për një grupim më të lirshëm të materialit në morinë e ballafaqimeve sa më të shumëllojshme të dukurive jetësore, çka del në pah bukur mirë nëpërmjet përsiatjeve lirikofilozofike. Skica me titull “Kur flet ndërgjegjja” është dëshmia më kuptimplote e përsiatjeve të tilla, të stërpikura aq mjeshtërisht me vlera aforistike.

Kjo mënyrë të shkruari e shkrimtares në këtë gjini të letrave shqipe, të sjell në kujtesë zanafillën e skicës, si gjini letare, në fqinjësi të ngushtë me publicistikën dhe me gazetarinë e kohës së Riçard Stillit (Richard Steele - 1672-1729), shkrimtar, gazetar dhe politikan irlandez,  dhe Xhozef Adisonit (Joseph Addison - 1672-1719), publicist, dramaturg, estet, poet dhe politikan anglez, që të dy themelues të letërsisë iluministe angleze.

Përmbajtja e skicave letrare të kësaj shkrimtareje të kujton vlerat edukative të skicave në letërsinë evropiane, të mishëruara në penën e autorëve francezë, si Balzaku (Honoré de Balzac - 1799-1850) dhe Zhul Zhanen (Jules Janin - 1804-1874), shkrimtar, kritik dhe gazetar.

Në mbyllje të mbresave të mia për përmbledhjen në fjalë, dëshiroj të theksoj se shkrimtarja Vilhelme Vranari Haxhiraj, një penë e shquar kjo në panteonin e letrave shqipe, vazhdon të mbetet një krijuese, e rrethuar nga një tis i admirueshëm thjeshtësie. Por gjëja më e thjeshtë në jetë është gjëja më e vështirë: të duash njerëzit, të mos dorëzohesh, të mos zemërohesh, të mos nxehesh, të udhëhiqesh vetëm nga kulti i së vërtetës.

Natyra e thjeshtë e zonjës Vilhelme të kujton një thënie të Nikanorit, njërit nga apostujt-ithtarë të Jezu Krishtit, të cilët janë marrë me predikimin e doktrinës së tij në shek. I të erës sonë. Ai ka thënë:

“Gjeniu është njeri i thjeshtë, sepse çdo gjë gjeniale është e thjershtë”.

Përmbledhjes “Simfonia e shpirtit” i paraprin vlerësimi kritik që i ka bërë Profesori Fatmir Terziu, Mjeshtër i Madh i Penës, një personalitet  i kulturës shqiptare, një figurë e shquar e kritikës letrare. Ja se si Profesor Fatmiri e nxjerr në pah thjeshtësinë e zonjës Vilhelme:

“Kur shoqet e saj ngjitnin shkallët e politikës në Parlament, në Qeveri apo në institucionet me ajër të kondicionuar, Vilhelmja zgjodhi rrugën e ëndrrës, krijimtarinë letrare. Dhe kjo i dha mundësi të gjejë vetveten në honet e pluhurosura të kohës”.

Në fund dëshiroj t’i rekomandoj moderatorit të krijimtarisë së zonjës Vilhelme, bashkëshortit të nderuar Fitim Haxhiraj, që, vlerësimet kritike për veprat e  botuara, t’i mbledhë dhe t’i përgatitë për botim me rastin e 75-vjetorit të lindjes së saj, të cilin do ta festojë më 08 dhjetor 2019.


Tiranë, 24 qershor 2018

(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: